Një delegacion i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovë, në përbërje të drejtorëve të departamenteve dhe koordinatorit të projekteve për Kosovë, z. Florian Qehaja të udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm i MFSK-së, z. Shkëlzen Sylaj, nga data 27-30 gusht 2017, me ftesë të Qendrës për Integritet në Sektorin e Mbrojtjes, qëndruan për një vizitë zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Norvegjisë. Gjatë qëndrimit tre ditore, autoritetet e CIDS-it dhe zyrtarë nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ombudspersoni i Forcave të Armatosura norvegjeze ndanë përvojat e tyre me delegacionin e MFSK-së, për praktikat institucionale të Ministrisë së Mbrojtjes (MM) dhe Forcave të Armatosura(FA) si dhe institucioneve tjera përkatëse nga fusha e ndërtimit të integritetit në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, fusha e diplomacisë dhe fusha e avokimit mbi të drejtat e pjesëtarëve të Forcave të Armatosura.
Në kuadër të agjendës, sekretari i përgjithshëm i MFSK-së, z. Shkëlzen Sylaj, në shoqërim të sekretarit personal z. Florin Hoxha dhe drejtorit të CIDS–it, z. Per Christensen u prit nga homologu i tij, z. Arne Røksund, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes së Norvegjisë. Me këtë rast, sekretari Sylaj, në emër të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës falënderoi homologun e tij, për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit dhe popullit Norvegjez, që nga paslufta në fusha të ndryshme si dhe për procesin aktual të zhvillimit të MFSK–së dhe FSK–së, konkretisht përkrahjen me dy projekte tri-vjeçare në fushën e ndërtimit të integritetit dhe menaxhimin e burimeve njerëzore të mbështetura nga Qendra për Integritet në Sektorin e Mbrojtjes. Gjithashtu, z. Sylaj, falënderoi homologun e tij, për mirëkuptimin e dëshmuar për vazhdimin e projekteve përkatëse edhe për tri vitet e ardhshme. Me qellim të zgjerimit dhe thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit bilateral në mes të MFSK–së dhe MM dhe FA të Norvegjisë edhe në fusha të tjera, sekretari Sylaj kërkoi nga homologu i tij, shqyrtimin e propozimit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes dy Ministrive respektive.