Të dashur qytetarë nga Krusha e Madhe,
Të dashur qytetarë nga Kosova e Shqipëria.
Më lejoni që përmes kësaj komunikate për media, t’i drejtohemi të gjithë opinionit në lidhje me apostrofimin e masakrës së Krushës.
Siq edhe jemi dëshmitarë, në Krushë të Madhe, gjatë 25, 26 dhe 27 Marsit të vitit 1999 ka ndodhur njëra nga masakrat më të mëdha pas Auschvitz-it dhe Srebrenicës, me ç’rast janë vrarë 241 qytetarë, nga ta 7 fëmijë, 5 femra (njëra shtatzënë) dhe kanë mbijetuar 25 të plagosur lehtë e rëndë.
Gjithashtu, si pasojë e krimit në Krushë të Madhe kanë ngelur 148 gra të veja dhe mbi 500 fëmijë jetimë.
Shtatë familje pa asnjë mashkull trashëgimtarë.
Sipas tribunalit ndërkombëtar për ish Jugosllavi, në Krushë të Madhe kanë qenë dy krematoriume, tetë varreza masive dhe shumë varreza individuale përfshirë edhe dëshmi të tjera të krimit serb siq janë kamioni i ngarkuar me trupa të familjarëve tanë e më pas i dërguar buzë lumit Drini i bardhë mes fshatrave Krushë e Madhe dhe Krushë e vogël ku i është vënë zjarri dhe është hudhur në lum, rrëzimi i minaresë/shkatërrimi i xhamisë së fshatit vend në të cilin ishin mbajtur gratë me fëmijë pas ndarjes nga familjarët e tyre si dhe njëra ndër dëshmitë më të forta edhe inçizimi me kamerë i z. Milaim Bellanica , pjesë e së cilës është publikuar në BBC pas daljes së tij në Shqipëri me datën 4 Prill 1999.
Z. Bellanica kishte bërë një punë shumë humane duke rrezikuar edhe jetën e tij me qëllim të dokumentimit të masakrës serbe.
Sot, 21 vite pas lufte, kur si asnjëherë më parë kemi nevojë për zbardhjen e fatit të 64 familjarëve tanë të kidnapuar dhe të zhdukur nga administrata shtetërore serbe e jetësuar nga policia, paraushtarakët dhe ushtria serbe, udhëhequr nga serbët lokal, nën bekimin e kishës.
Sikurse shumë herë ndër vite, kërkojmë dëshmi përmes së cilave drejtësia do të dalë në pah, e në veçanti tani kur çlirimtarët tanë janë duke u gjykuar padrejtësisht.
Andaj, kërkojmë nga qeveritë shqiptare në Prishtinë e Tiranë që dëshmisë së z. Bellanica dhe dëshmive tjera t’u jepet dritë dhe ato të përdoren kundër kriminelëve serbë dhe asesi të mos përdoren për qëllime politike në mes shqiptarëve kudo që janë.
Ne si fshat, falënderojmë nënën Shqipëri për të gjitha të bëmat ndaj neve si fshat dhe në përgjithësi ndaj Kosovës, me shpresën se vetëm të bashkuar mund të ecim para.
Ftojmë të gjitha mediat vendore e ndërkombëtare, që të vijnë dhe të binden me brutalitetin e masakrës së Krushës së Madhe.
Jungjatjeta,
Selami Hoti
Kryetar i këshillit të fshatit Krushë e Madhe