Shumica e atyre të cilët duhet të jenë në listën e veteranëve mashtrues mungojnë!
Po të kishte ky proces qëllim të mirë ashtu siç është pritur, së pari do të ballafaqoheshin në gjykatë: prokurori, dhe informatori kundër të dyshuarit dhe anëtarëve të komisionit verifikues, të cilët i kanë nënshkruar aplikacionet. Pastaj vendimet përfundimtare të gjykatës të publikoheshin.
Përpjekja „për të pastruar“ listat e veteranëve nuk paska qenë gjë tjetër, pos degradim i vazhdueshëm i veteranëve. Kjo përpjekje paska qenë vet e rreme, dhe si duket qëllimi i saj paska qenë që edhe më tutje të mos çartësohet se kush vërtetë është veteran i rrejshëm.
Publikimi i listave tregon hapur se sa profesionalisht është marrë dikush me kompremitimin e veteranëve të vërtet. Jo rastësisht në listën e të dyshuarve gjenden edhe luftëtarët e ditëve të para të organizimit të UÇK-së. Jo rastësisht është publikuar lista e pa verifikuar.
Duke u bazuar në reagimet e veteranëve anë e kënd Kosovës, gjithashtu duke e analizuar edhe listën e Zonës Operative të Karadakut ku mbi 60% janë veteranë të vërtete, konstatoj se kjo listë është hartuar dhe është publikuar nga njerëz dashakëqinjë dhe me tendencë që të na fyjë edhe më shumë.
Këtë luftë speciale kundër veteranëve të vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund ta ndalojmë ne vet, veteranët duke ngritur aktakuzë:
- kundër atyre që e përpiluan këtë listë,
- kundër atyre që kanë dhënë informata të rrejshme dhe
- kundër medieve të cilat kanë publikuar emrat e veteranëve të paverifikuar nga gjykata
Të gjithë veteranët e vërtetë të cilët gjenden në këtë listë duhet të dëmshpërblehen për komprometim. Kështuqë ata të cilët ndjehen të prekur të fillojnë procesin gjyqësor.
Ligji duhet të vlejë për të gjithë njësoj; për veteranët mashtrues, për informatorët mashtrues dhe për mediat që publikojnë informata të pa verifikuara!
(Selami Neziri Njëri nga gjashtë themeluesit e Shtabit të NënZonës Operative të Karadakut. Komandant i Brigadës 173 ”Gursel dhe Bajram Sylejmani”)