Nga viti i ardhshëm MASHT planifikon që të angazhojë 100 asistentë në shkolla për nxënësit me nevoja të veçanta

Selim Tahiri: Letër e hapur drejtuar ministrit të Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Shyqyri Bytyçi

I nderur, z. ministër!

Me udhëzimin administrativ nr. 10/2018, për normativin mbi kuadrin profesional të arsimit të përgjithshëm, keni ngjallur debat te mësimdhënësit, janë shprehur shumë dilema, pajtime e mospajtime. Më të shqetësuar mbeten ata mësimdhënës që pa fajin e tyre janë me vetëm 180 kredi. Por, unë do të ndalem te çështja se sa zbatohen këto udhëzime administrative në shkollat tona. Sa shpesh shkelen udhëzimet, ligjet e aktet nënligjore? Sa shpesh shkelen të drejtat e mësimdhënësve me rastin e pranimit në punë. A kanë kujt t’i drejtohen ata dhe sa merren parasysh ankesat e tyre? Cili është roli i gjykatës në këto raste? Unë do ta jap një shembull konkret dhe besoj se Ju do ta kuptoni më mire këtë problem dhe të mundoheni ta përmirësoni këtë gjendje. Nxënësit në Qendrën e Kompetencës në Prizren, në vitin shkollor 2017/18, në komplet gjysmëvjetorin e parë mbeten pa profesor të gjuhës shqipe. Vendi lirohet në shtator 2017, konkursi hapet më 29 dhjetor 2017. Kisha dëgjuar se ky vend do të lirohej. Isha duke e pritur këtë konkurs. Por, kisha dëgjuar shumë edhe se si bëhet pranimi i kuadrove në këtë shkollë “profesionale”. Dhe doli pikërisht ashtu siç kisha dëgjuar. Më 10 janar 2018, më thërret në telefon zyrtarja për personel nga Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur, z. Liridona Shala, me një ton zëri të çuditshëm, me një shqiptim tepër të shpejtë të fjalëve, “A jeni ju Selim Tahiri? Ju keni konkurruar ne AAAPARR, eliminoheni nga konkursi se nuk keni sjell vërtetim që jeni duke punuar. Ditën e mirë”. Isha i sigurt se e kisha dërguar vërtetimin dhe pikërisht ky vërtetim ishte pengesa për ta (12 vite përvojë pune). Pas insistimit tim se e kisha dërguar vërtetimin dhe se do të ankohesha, u detyruan ta pranojnë dhe me datë 12 janar, e premte hyra në intervistë. Gjatë intervistës drejtori Qoqaj, shfaqi haptas preferencën e tij për kandidatin që do të pranohej. Asnjë prej komisionit nuk më pyeti për kualifikimin, për përvojën e punës e as për numrin e madh të certifikatave. Intervista u mbajt të premten. Pas dy dite, të hënën, pa asnjë shpallje të rezultateve, pa asnjë paralajmërim, fillon punën kandidatja Sh. D. (nga rajoni i drejtorit Qoqaj). I habitur, thirra menjëherë drejtorin Qoqaj dhe zv. drejtorin Luan Sopi. Doja ta dija numrin e pikëve, kualifikimin e kandidates që u pranua. Më thanë të shkoja në Prishtinë se atje i kanë të gjitha shënimet. Shkova në Prishtinë. Zyrtarja pranë kësaj agjencie, Liridona, shprehu habi, pse më kishin dërguar kot në Prishtinë, dokumentet sipas saj ishin në Prizren. Ajo më tha shko në Prizren kërkoi. Gjithashtu më tha se kisha të drejtë t’i shikoja edhe dokumentet e kandidates së pranuar sepse këtë ma lejon ligji mbi qasje në dokumente zyrtare. U ktheva në Prizren. Drejtori Ali Ismet Qoqaj, më la të prisja një kohë të gjatë në korridor. Kur doli ma dha një dokument, njoftim me tri fjali ( me gabime të rënda drejtshkrimore), ku sipas tij kandidatja e pranuar kishte fituar 76.4, kurse unë 69.4. Kur i kërkova dokumentet për t’i shikuar, filloi të bërtas. Desha ta thërras në prani të tij Liridonën, por nuk më lejoi, gati sa nuk më shtyri. Prapë thirra në Prishtinë, prapë më thanë shko kërkoi dokumentet. Populli thotë, “fshati që shihet kallauz nuk do”. Nuk kisha nevojë të shkoja më sepse e mora vesh. Shpresa Duraj, ishte pranuar në Qendrën e Kompetencës në Prizren, me fakultet të Edukimit, me master të drejtimit jo përkatës “Mësimdhënia dhe Kurrikula” e jo ‘’Letërsi e gjuhë shqipe” që kërkohej me udhëzimin administrativ, dhe me përvojë pune vetëm 1 vit. Unë kam të kryer Fakultetin Filologjik, dega “Letërsi e gjuhë shqipe” (profesor). Gjithashtu kam të kryer edhe gjuhën angleze në Fakultetin e Edukimit, me përvojë pune 12 vjeçare dhe me mbi 20 certifikata mbi trajnime të kryera brenda e jashtë vendit. Sigurisht që bëra ankesë. Pas ankesës i shkrova drejtorit të inspektoratit të arsimit Dëfrim Gashi, i cili nuk më ktheu përgjigje. Pas një jave e thirra në telefon. Më tha t’i drejtohem inspektorëve komunal. Kryeinspektori komunal në Prizren më tha se është kompetencë e Prishtinës. Pasi e lexoi ankesën time më këshilloi t’i drejtohem gjykatës sepse sipas tij kisha plotësisht të drejtë. Lëndën e dërgova në gjykatë. Kanë kaluar 6 muaj dhe ende asnjë përgjigje nga gjykata… Z. Ministër, këtë shkrim e bëra me qëllimin e vetëm; askujt, asnjë mësimdhënësi mos t’i bëhet e padrejtë. Kërkoni angazhim maksimal të inspektorëve, shtoni numrin e tyre dhe kërkoni përgjegjësi nga shkelësit e ligjit, për hir të së ardhmes së fëmijëve tanë. Ata nuk duhet t’i kenë problemet tona. Ata nuk duhet të mendojnë ku të intervenojnë apo sa para duhet dhënë për t’u punësuar.

 Me respekt, Selim Tahiri, mësimdhënës

Kontrolloni gjithashtu

REAGIM PUBLIK NGA ROSCAP NDAJ INSTRUMENTALIZIMIT POLITIK TË TEMAVE QË NDËRLIDHEN ME CILËSINË E ARSIMIT DHE MIRËQENIEN E FËMIJËVE

Rrjeti i Organizatave të Shoqërisë Civile për Arsimin Parauniversitar (ROSCAP) shpreh shqetësimin dhe indinjatën më …