Gjatë një bisede për televizionin “Dielli” mjeku i luftës çlirimtare, kirurgu, Fitim Selimi ka thënë se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka avancim në sferën e shëndetësisë por ky avancim është meritë e profesionistëve të kësaj fushe, e jo prijësve të institucioneve shëndetësore. Normalisht se proceseve avancuese duhet t’ iu prijnë prijësit, por kjo nuk ka ndodhë në Kosovë, sepse te ne proceset janë avancuar nga përkushtimi i profesionistëve, të cilët bëjnë me shumë zell dhe përkushtim detyrën e tyre. Të përkujtojmë se as gjatë viteve të ’90-ta nuk është organizuar arsimi në Kosovë nga ndonjë qendër arsimore, por nga arsimdashësit, që kanë bërë shumë për arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të reja në baza vullnetare, pa pagesë.
Ndonëse mjekët sot gjenden në kushte të vështira, në kushte që dërgojnë në korrupsion, sepse thuaja është e pamundur një kirurg të bëjë jetë normale me 600 euro rrogë në muaj. Ata po ja dalin me shumë vështirësi ta bëjnë me nder punën e tyre dhe të mos dorëzohen përball situatave ligështuese. Sot, të gjitha të arriturat në sektorin e shëndetësisë janë meritë e profesionistëve të shëndetësisë e jo të prijësve të institucioneve shëndetësore apo pushtetarëve të padijshëm. Avancimet e sektorit të shëndetësisë do të duhej të vinin nga udhëheqësit e institucioneve të kësaj fushe, e kjo nuk ka ndodhë. Por fatmirësisht kemi profesionistë, që e duan shëndetësinë dhe këta kanë bërë shumë për avancimin e këtij sektori…