Rexhep Selimi

Selimi: Vendi po shkon drejtë zgjedhjeve të parakohshme

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi thotë se Kuvendi dhe Qeveria tashmë kanë dalë totalisht jashtë funksionit të tyre. Veprimet e partnerëve të koalicionit po tregojnë se vendi së shpejti do të shkojë në zgjedhje jo pse duan ata, por sepse këto dy subjekte politike nuk mund të rezistojnë më. “PDK-ja dhe LDK-ja ka kohë që janë në fushatën e pashpallur. Ata po bëjnë fushata ilegale hajnisht, duke mos e shpallur as ditën e zgjedhjeve e as ditën e nisjes së fushatës. Sidoqoftë, as fushatat ilegale nuk mund t’i shpëtojnë nga humbja e pushtetit”, ka thënë Selimi për “Epokën e Re”. Ai ka treguar se deputetët e Vetëvendosjes e kanë mbështetur tashmë iniciativën e Nismës për mocion mosbesimi ndaj kësaj Qeverie. Sipas Selimit, suksesi i kësaj iniciative varet edhe nga përkrahja e deputetëve të pozitës. “

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje! e kanë mbështetur tashmë nismën e Nismës. Por, tash varet nga iniciuesi se a ka bërë diçka për marrjen e përkrahjes së nevojshme edhe nga deputetët përtej opozitës”, është shprehur Selimi. Sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, deputeti i LV-së ka paralajmëruar se Qeveria do të tentojë deri në ditën e fundit të saj ta procedojë demarkacionin në Kuvend. “Nuk është çudi që deri në ditën e fundit të pushtetit të tyre ata do të provojnë ta sjellin edhe demarkacionin në Kuvend. Ata janë kryeneçë, por ne jemi edhe më të vendosur që ta zhbëjmë atë marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Një gjë është shumë evidente, që koalicioni qeverisës nuk i ka numrat e mjaftueshëm në sajë të vendosmërisë së opozitës dhe, po ashtu, në saje të vetëdijes së disa prej deputetëve të mazhorancës të cilët e kundërshtojnë këtë marrëveshje”, ka theksuar Selimi.

 

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …