Gjatë natës nuk kam fjetur fare. Kam pasur temperaturë, të përcjellë me djersë dhe mundime.
Meqë Neziri ende nuk ka ardhur, ndërsa Martini sërish ka shkuar në Drenicë dhe ende nuk është kthyer, edhe i sëmurë kam bërë përpjekje për t`i përgatitur informatat dhe ndonjë koment apo analizë.
Gjatë para ditës kemi punuar së bashku me Ismet Sopin dhe Sheqir Zenelin, i cili kësaj radhe ka qëndruar më gjatë në Berishë.
Rreth mesditës kanë ardhur në Seli komandanti SHP të UÇK-së, Azem Syla apo Daja Madh si e quajnë ndryshe, pastaj zëdhënësi Jakup Krasniqi, Ramë Buja dhe Agron Krasniqi, djali i vëllait të Jakupit. Kemi biseduar rreth punëve dhe angazhimeve tona të përditshme, ndërsa Berat Luzha ka bërë një intervistë me Jakup Krasniqin. Azemi, rrëfen për vështirësitë që janë krijuar pas deklaratës së Demaçit, mirëpo beson se nuk do të ketë kurrfarë përplasjesh. Të tre duken të disponuar mirë dhe nuk i japin shumë rëndësi përplasjeve që kanë filluar lidhur me pranimin në parim të Marrëveshjes së Rambujesë.
Pas largimit të tyre edhe pse me grip të rëndë kam vazhduar punën.
Lajmet nga terreni bëjnë të ditur se në rajonin e Hanit të Elezit që i përket Zonës Operative të Neredimës ka pasur luftime. Si rezultat i përleshjeve në mes të forcave të UÇK-së dhe forcave armike, popullata civile e trembur nga lufta ka filluar të zhvendoset në drejtim të ish RJ të Maqedonisë
Serbët kanë dislokuar me mijëra ushtarë dhe policë në tërë territorin e Kosovës. Ata po demonstrojnë forcë. Nuk i marrin fare parasysh kërcënimet amerikane apo ato të NATO-s.
Është vështirë të prognozohet se do të mbarojë tërë kjo. Aq më keq kur në momentet vendimtare jemi të thyer e të përçarë, madje edhe më të përçarë se sa ishim më parë. Të përçarë po thuajse në tërë rrjetin organizativ. Secili qëndron i patundur në të drejtën e tij.
Pasi e kemi transmetuar emisionin, kam pushuar pak dhe sikur e kam marrë veten, megjithëse ende kam temperaturë dhe marrë ndezje të bajameve. Më është vështirësuar edhe frymëmarrje dhe sytë më lotojnë.
Në mbrëmje si zakonisht përcjellim informacionet. Isë Krasniqi është vazhdimisht në punë. Ai jep dhe merr informacione. Edhe pse me profesion është inxhinier, Isa merret edhe me shkrime.