Pas njohjes së Kosovës si shtet të pavarur nga Kenia, Serbia ka reaguar duke e cilësuar këtë veprim si një “akt armiqësor” dhe ka paralajmëruar se do të marrë “të gjitha masat diplomatike të nevojshme” ndaj këtij akti. Ministria e Jashtme e Serbisë ka theksuar se ky veprim përbën një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe një cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Serbia gjithashtu ka pretenduar se Kenia ka shkelur edhe Kartën e OKB-së, duke shtuar se kjo njohje minon përpjekjet për një dialog konstruktiv dhe stabilitet rajonal. Serbia ka theksuar se ky akt do të ndikojë negativisht në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kenisë dhe ka përmendur se në tetë vitet e fundit, 28 shtete kanë tërhequr ose pezulluar njohjen e Kosovës, ndërsa vetëm dy shtete të reja e kanë njohur.
