Serbia e Madhe dhe Shqipëria e Madhe nuk kanë pasur as kanë kurrfarë pikash të barazimit, as të krahasimit

Serbia e Madhe dhe Shqipëria e Madhe nuk kanë kurrfarë pikash të barazimit as të krahasimit, pasi e para është bërë e madhe mbi kurriz të trojeve shqiptare, ndërsa Shqipëria Etnike është zvogëluar në një treten e territorit për t’u bërë të mëdha, Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi.

Edhe pse ambasadori amerikan në Prishtinë, Xhefri Hovenier, dha një deklaratë kalimthi përmendi   Shqipërinë e madhe dhe Serbinë e Madhe, aspak në kontestin historik, e vërteta është se Serbia është e Madhe madje shumë e Madhe, ndërsa Shqipëria është e vogël, dhe shtrihet në  më pak se në një të tretën e territorit të saj etnik.

Serbia është e madhe pasi me ndihmën e shteteve të Evropës dhe mbështetjen e Rusisë kishte pushtuar Kosovën, Vojvodinën Austro-hungareze, Timokun  e Rumanisë, Sanxhakun e Vilajetit të Kosovës dhe deri në vitin 1945 edhe krejt Maqedoninë bullgare e shqiptare. Serbia vazhdon të jetë e madhe edhe sot, pasi ka në përbërjen e vet, pjesën më të madhe të Sanxhakut, sot boshnjak, dikur shqiptar, ka Vojvodinën dikur me shumicë popullatë  hungareze, kroate, gjermane, vllahe, ka krahinën rumune të Timokut tanimë të serbizuar, ka tri komuna të Kosovës Lindore dhe ka në preambulën e Kushtetutës së vet edhe Kosovën, pavarësisht se ajo ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 dhe tani e njohin shumica e vendeve të botës.

Shqipërisë, edhe po t’i kthehen krejt territoret e pushtuara nga fqinjët, prapës se prapë nuk do të ishte e Madhe, madje as sa gjysma e Serbisë së sotme. Ky është një realitet faktik, historik, gjeografik, sepse dihen se cilat janë trevat me shumicë shqiptare në të gjitha vendet e Ballkanit.

 Shqipërisë së dikurshme të kohës së depërtimit serb e sllav në pjesën e dytë të shekullit 19-të iu kanë shkëputur dy treva shumë  të mëdha, sikur ishte krahina e Toplicës, sot në Serbi dhe ajo e Çamërisë, në Greqi, troje  të pastruara etnikisht në mënyrë barbare, me metodën e shfarosjes  kolektive dhe tokës së djegur,   tani pa shqiptarë por  vende të populluara me serbë e grekë.

Shqipëria pak më e madhe se sot ka qenë vetëm në vitet 1941-1945 por nën sundimin italian e gjerman,  pasi këto dy shtete kishin prishur të gjithë kufijtë shtetërorë  në vendet e Ballkanit dhe kishin vendosur kufij administrativ dhe qeveritë e tyre kuislinge.

Është për keqardhje që politika dhe diplomacia në Shqipëri dhe në Kosovë nuk kanë bërë as bëjnë sqarime të nevojshme, për diplomatët, kur bëhen krahasime të tilla të palogjikshme dhe antihistorike.

 

 

Rilindja e papritur e Shqipërisë së Madhe në vitin 1941

Shumica dërrmuese e politikanëve shqiptarë dhe analistë të shpërfytyruar e apatridë janë tejet alergjikë kur përmendet togfjalëshi “Shqipëria e Madhe”. Atyre iu bën përshtypje të keqe në radhë të parë për shkak se kjo “i zemëron fqinjët grabitqarë”, dhe u përkujton kohën kur me ndihmën e forcave italo-shqiptare gjatë luftës së Dytë botërore prej vitit 1941 e deri në vitin 1945,   ishin çliruar këto vise nga regjimet kriminale e fashiste serbe, bullgare e greke. Pikërisht në atë kohë, koalicionin fashist e ka përkrahur Qeveria serbe e Nediqit në Beograd,  si dhe Qeveria greke në Athinë dhe ajo e bullgare, në Sofje. (Shih: Vikipedia, serbe, bullgare, kroate, greke) Ishin tri qeveri profashiste e fashiste, në tri vendet fqinje, të cilat dashur pa dashur kishin pranuar regjimin e Rajhut të Tretë gjerman dhe kishin krijuar Qeveritë e tyre kuislinge. Ngjashëm kishte vepruar edhe kreu nacionalist i Shqipërisë duke krijuar qeverinë kuislinge në Tiranë. Për më tepër Qeveria kuislinge e Tiranës, për herë të parë pas vitit 1912 kishte arritur që me ndihmën e forcave nacionaliste me me armët që u jepte Italia e më vonë edhe Gjermania t’ i çlironte viset shqiptare në veri dhe në verilindje, në Maqedoni, Kosovë, Sanxhak e Mal të Zi, por edhe në Çamëri, me rastin e pushtimin të Greqisë nga Italia.

Në këtë pushtim deshëm apo nuk deshëm ta pranojmë morën pjesë edhe shumë formacione luftarake nacionaliste shqiptare. Janë faktet e pamohueshme historike që faktojnë e dëshmojnë. (Lufta italo – greke, diktatorë e kuislingë,  libër historik. Autor, Arben Puto. Shtëpia botuese: Toena. Viti i botimit 2011.).

 

Për tri katër vjet, të asaj kohe,  të cilën më vonë, me nostalgji metaforike do të quanin “Tri ditë të Shqipnisë”  shqiptarët kishin vënë nën administrim viset etnike, ku valonte flamuri shqiptar me sëpatën e liktorit, ku administrata për herë të parë funksiononte edhe në gjuhën shqipe, ku për herë të parë u hapen qindra shkolla fillore e të mesme në gjuhën shqipe, ku kartat e identitetit u shtypën në gjuhën shqipe dhe ku filloi të lulëzojë tregtia dhe lëvizja e lirë mes shqiptarëve prej Sanxhakut deri në Çamëri dhe prej Ulqinit deri në  Prespë, Strugë, Manastir e gjithandej nëpër Shqipërinë e Madhe.

Kjo ka qenë koha kur është përdorur togfjalëshi: “Shqipëri e Madhe”, po jo nga shqiptarët, edhe pse viset shqiptare ishin të pushtuara nga forcat fashiste, të cilët nuk ishin të pranishme vetëm në Shqipëri por në tërë Ballkanin, në Greqi, Bullgari e Serbi, në tërë Evropën  dhe thellë në shtetet e lindjes, në Bashkimin Sovjetik.

Ky ishte realiteti i atyre katër viteve, ndërsa sintagma “Shqipëria e Madhe” u përdor si gogol për t’ i frikësuar shqiptarët, të cilët në Kosovë nuk kishin rezistuar kundër fashizmit, por duke lënë anash faktin e njohur historik se as serbët, as popujt e Jugosllavisë, as bullgarët e grekët nuk e kishin përballuar dot pushtimin italo-gjerman dhe të gjitha këto vende kishin pasur qeveritë e tyre kuislinge.

Forcat Antifashiste, Nacionalçlirimtare,  në këtë mes edhe ato shqiptare veçmas në Shqipëri, kishin besim në fitoren  e Bashkimit Sovjetik. Lufta e tyre u  intensifikua sidomos në vitin 1943, kur forcat e Bashkimit Sovjetik e kishin thyer ushtrinë gjermane.  Në atë kohë, duke parë se Rusia me Armatën e Kuqe e Stalinin në krye do të depërtonte në tërë Evropën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zbarkojnë në Evropë me qëllim për mposhtur Gjermaninë hitleriane, por edhe për të mos lejuar zgjerimin e Rusisë, e cila edhe ashtu në Konferencën e Jaltës në vitin 1945, kishte marrë  në bllokun e vet të gjitha territoret e vendeve ku kishte pasur lëvizje antifashiste, ku  në vitin 1945 kishte depërtuar Armata e Kuqe ndërsa Gjermaninë  e kishin ndarë me Amerikën.  Vetëm Shqipëria ishte çliruar me forcat e veta, pa ndihmën e Armatës së Kuqe.

 

Ahmet Qeriqi

Shtime

Përditësuar

  1. 7. 2024

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …