Krahasimi, të cilin kryetari i Rusisë Vladimir Putini ua ka bërë dy rajoneve rusisht-folëse në Ukrainë me Kosovën, duke konfirmuar se Donetsku dhe Luhansku, janë njohur nga Rusia në bazë të precedentit të Kosovës, ka shkaktuar protesta mediale në Serbi.
Tabloidet serbe, por edhe mediat më “serioze” që i ka në dorë Vuçiqi, kanë shpërthyer me ballina antiputin duke thënë se ai në këtë mënyrë po e njeh Kosovën. Një ditë pas deklaratës së Putinit për Kosovën si një precedent për njohjen nga Rusia të rajoneve të Ukrainës, si Republika Popullore të Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut, mediat serbe reaguan në mënyrë agresive ndaj fjalëve të tij. Gazeta “Blic”, bën të ditur se Vuçiq do të ketë një fjalim të premten ose të shtunën, ku do të merret me deklaratën e presidentit rus për njohjen e rajoneve të Ukrainës. Vuçiq pritet të flas edhe furnizimin me gaz rus për Serbinë, veçanërisht në kuadër të ndërprerjeve të furnizimit nga Bullgaria fqinje. Nga ana tjetër, faqet e para të gazetave serbe veçanërisht ato të kontrolluara nga regjimi i Vuçiqit, tregojnë hapur tronditjen, nga ato që tha Putin. Tutje, Blic sjell një ballinë në të cilën vihet në pikëpyetje besnikëria e serbëve ndaj Putinit: “A i jemi betuar ne si komb shumë presidentit rus: Putini i ka harruar serbët dhe Kosovën për shkak të luftës”.
Politikanë shqiptarë heshtin. Ata aq shumë e urrejnë Rusinë e Putinin sa edhe po ta pranonte Kremlini zyrtarisht shtetin e Kosovës, Qeveria në Prishtinë nuk do të shfaqte gatishmëri për ta “marrë” njohjen.