Historiani francez, Serge Métais thotë se Gjykata Speciale kundër UÇK-së, mund të shndërrohet në “mekanizëm djallëzor"

Serge Métais: Gjykata Speciale është “mekanizëm gjyqësor” i cili mund të shndërrohet në “mekanizëm djallëzor”?

Historiani i njohur francez Serge Métais, në një intervistë botuar në “Mediapart” në Francë, ka thënë se Gjykata Speciale nuk është krijuar nëpërmjet ndonjë rezolute të Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, ajo nuk është ngritur as nëpërmjet ndonjë traktati mes shteteve. Ajo është një institucion i Republikës së Kosovës. Është krijuar me një ligj të votuar nga Kuvendi i Kosovës. Gjithçka që është e bërë me ligj, mund të zhbëhet me ligj. Nuk ka asnjë mekanizëm institucional mbishtetëror që të mund ta pengojë shkrirjen e Gjykatës së Posaçme dhe transferimin e dosjes së akuzës te gjykatat e Kosovës në Prishtinë. Dhe kjo, që nga momenti në të cilin Kuvendi i Kosovës do të votonte një ligj në këtë drejtim”, ka thënë Métais.

 

Për çfarë e keni saktësisht fjalën kur flisni për “mekanizëm gjyqësor” i cili mund të shndërrohet në “mekanizëm djallëzor”?


Serge Métais: Mekanizëm djallëzor unë quaj një gjykatë të posaçme që mund të katandiset të veprojë me gjaknxehtësi, me teprime, me pushtet të pakufizuar, me humbje të sensit të masës. I tillë do të ishte, për t’i thënë gjërat më shkoqur, një dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarit. E gjitha kjo është e mundshme, në bazë të një aktakuze që konsideron se ata kanë ngritur e drejtuar një “sipërmarrje të përbashkët kriminale” (UÇK-në?), fajtore për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Mospranimi për t’u dhënë të akuzuarve lirimin me kusht më duket se nuk ndjell asgjë të mirë.

 Pse doni që të mbyllet Gjykata e Posaçme?


Serge Métais: Më duket se e kam parashtruar qartë qëndrimin tim në artikullin që kam shkruar. Ka dy arsye thelbësore: Së pari, mungesa e pretendimeve për trafik organesh, në aktakuzë, bën që Gjykata e Posaçme ta ketë humbur tashmë çdolloj legjitimiteti. Së dyti, një proces në Hagë i jep faktikisht kësaj gjykate të posaçme një status të cilin ajo nuk ka sesi ta mëtojë, statusin e një gjykate penale ndërkombëtare. Mirëpo është e paimagjinueshme që, në një gjykatë penale ndërkombëtare, të gjykohet vetëm njëra nga palët në konflikt. Në qoftë se gjykohet vetëm pala shqiptare, pa u gjykuar pala serbe, do të kishte një prishje të barazisë së trajtimit ndërmjet palëve. Kjo do të ishte një padrejtësi e kulluar.

Personeli i Gjykatës së Posaçme (gjyqtarë e prokurorë) është ndërkombëtar. Ndërkohë, ju keni mendimin që mbyllja e kësaj gjykate mund të vendoset nga Kuvendi i Kosovës. A e ka ky vërtet këtë kompetencë?


Serge Métais: Gjykata e Posaçme nuk është krijuar përmes ndonjë rezolute të Kombeve të Bashkuara. Ajo nuk është ngritur as nëpërmjet ndonjë traktati mes shtetesh. Ajo është një institucion i Republikës së Kosovës. Është krijuar me një ligj të votuar nga Kuvendi i Kosovës. Gjithçka që është e bërë me ligj, mund të zhbëhet me ligj. Nuk ka asnjë mekanizëm institucional mbishtetëror që të mund ta pengojë shkrirjen e Gjykatës së Posaçme dhe transferimin e dosjes së akuzës te gjykatat e Kosovës në Prishtinë. Dhe kjo, që nga momenti në të cilin Kuvendi i Kosovës do të votonte një ligj në këtë drejtim.

A nuk keni frikë se kjo gjë mund të shkaktojë një krizë midis Kosovës dhe aleatëve të saj, evropianë dhe amerikanë?


Serge Métais: Sigurisht, kriza do të ishte serioze. Idealja do të kishte qenë që nisma të vijë nga vetë amerikanët ose evropianët të cilët ranë në kurthin e mashtrimit të madh të raportit Marty. Por nuk duhet të kemi iluzione: ka fare pak gjasa që ata ta ndërmarrin vetë hapin e parë. Kuvendi i Kosovës mund të veprojë në dy faza: – Si fillim, ai mund të votojë thjesht një rezolutë ku të merret në konsideratë mungesa e pretendimeve për trafik organesh në dosjen e akuzës. Dhe mjafton që kjo rezolutë të vendosë ngritjen e një komisioni të ngarkuar me hartimin e një projektligji për shkrirjen e Gjykatës së Posaçme dhe transferimin e dosjes së akuzës në Kosovë. – Vetëm në një fazë të dytë, Kuvendi mund ta votojë pastaj ligjin që do ta zhbënte atë që është bërë me ligjin e vitit 2015. Ndërkohë, kriza do të ishte hapur me aleatët. Ajo do të jepte rastin për një debat rreth mashtrimit të madh pjellë e të cilit është Gjykata e Posaçme, rastin për të rikujtuar kushtet tejet të veçanta në të cilat u ngrit kjo gjykatë, e kështu me radhë. Kuptohet vetvetiu që kriza e çelur përmes votimit të rezolutës duhet të çojë në negociata me aleatët. Projektligji që do të votohej më pas mund të shfaqet atëherë si fryt i një marrëveshjeje.

A mendoni ju që do të mund të gjykohen ndonjëherë në Hagë krimet e kryera nga serbët në Kosovë?


Serge Métais: Jo. Krimet e kryera nga ushtria, forcat e sigurisë dhe paraushtarakët serbë gjatë luftës së viteve 1998-1999 nuk mund të gjykohen nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, sepse kjo është krijuar vetëm në vitin 2002 dhe kompetencat e saj nuk janë prapavepruese. Madje, gjykimi i këtyre krimeve nuk është as në kompetencën e Gjykatës së Posaçme për Kosovën. Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimi i gjenocidit të kryera nga serbët në Kosovë nuk do të gjykohen pra kurrë në Hagë. Nëse ato do të gjykohen ndonjëherë, kjo mund të ndodhë vetëm në suazën e gjykatave të Serbisë ose të Kosovës. Pikërisht edhe për këtë arsye, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit për të cilat akuzohen sot udhëheqësit e UÇK-së do të duhej të gjykohen në Prishtinë. Për sa kohë që ndaj tyre nuk është ngritur kurrfarë akuze lidhur me trafik organesh, nuk mund të ketë asnjë justifikim që procesi i tyre të jetë i zhvendosur në Hagë.

(Intervista është përkthyer në gjuhën shqipe nga Arben Leskaj)

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …