Sërish na erdh, Marsi,
Marsi i luleve të lirisë.
Marsi i cili nuk kalon dot as edhe njëherë pa përgjakjen e shqiptarëve, kudo ku ata ndodhen në trojet e tyre. Kësaj radhe filloi me përgjakjen e fëmijëve shqiptarë në Iliridë, me therjen e një nxënëseje shqiptare në qendër të Shkupit, në kohën kur në Kosovë fillon përkujtimi në shënim të 15-vjetorit të përgjakjes së madhe dhe heroizmit titanik të Jasharëve, në Prekaz, në kohën kur në Iliridë fillon fushata e dalldisë zgjedhore, ku shqiptarët drejtojnë heshtat e djallëzisë kundër njëri tjetrit, por jo kundër shqiptarë-vrasësve të fëmijëve e vëllezërve të tyre.
Edhe marsi i vitit 2013 na gjen të ndarë, të copëtuar në 6 shtete, me politikanë të dështuar, me udhëheqës të lakueshëm e të përshtatshëm, me politikanë që interesat partiake e grupore i kanë vendosur mbi interesin kombëtar.
Sërish na erdh marsi i kësaj pranvere të hershme, ashtu sikur në vitin 1981, ashtu sikur në vitin 1989, ashtu sikur në vitin 1998…
Ka diçka enigmatike në botën e shqetësuar shqiptare, që lidhet me marsin e zgjimit dhe që vazhdon pastaj me përgjumje, kotje, hamendje, hezitime…
Marsi, muaji i zgjimit, na përkujton pranverat e hershme shqiptare, pranverat e përgjakura në rrugën tonë historike drejt bashkimit.
Sërish erdhi marsi dhe nuk na gjen dot së bashku, por të shpërndarë e të përçarë, andaj edhe na përgjakin gjakatarët, andaj edhe na rrahin e na tërheqin zvarrë, sepse udhëheqësit tanë servilë e poltronë me çdo kusht duan të mbajnë postet, pozitat, fitimet, e favoret që iu sjellë pushteti. Kur shqiptarët përgjakën te Ura e Vardarit, vetëm sepse janë shqiptarë, madje edhe fëmijë 13 e 17 vjeçar, kur në pikë të ditës, në qendër të Shkupit theret me thikë një nxënëse shqiptare nga fashistët sllavo-bullgarë, politikani ynë në Iliridë, i mbytur në qyqari e mjerim thotë, shyqyr që nuk ishte atje djali im, apo nipi im.
Kur shqiptari vritet në pikë të ditës, në Gostivar, vetëm sepse është shqiptar, partitë politike atje reagojnë ashpër, me fjalë. Kur arrestohet, burgoset e dënohet luftëtari i lirisë, madje edhe kur mizorisht mbytet në burg, po ashtu disa nga politikanët tanë reagojnë ashpër, natyrisht vetëm me fjalë, por jo me një qëndrim unik, por me keqardhje unike, nga brenda gjithnjë e më të përçarë. Kur në pjesën e robëruar të Kosovës të mbetur nën Serbi hiqet dhunshëm lapidari me emrat e të rënëve, dëshmorë, politikanët tanë dërdëllisin dhe filozofojnë se qenka dashur apo nuk qenka dashur të vendoset lapidari në qendër të Preshevës. Marsi i vitit 2013 na solli papritur edhe një ogur të lig, një ogur të zi që po zihet e po kurdiset në Bruksel.
Dhe marsi shkon, e sërish vjen.
Sërish të ndarë e të përçarë po na gjen…