Njohësi i thellë i politikave në Ballkan e më gjerë, analisti i profesori i njohur amerikan, Daniel Serwer, ka thënë se Aneksi Zbatues i marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka dy probleme të mëdha. I pari, sipas tij, është se “ai fokusohet në proces, jo në substancë”, dhe se “Serbia refuzoi sërish ta nënshkruajë”. Serwer në një analizë të publikuar shkruan se “risia kryesore procedurale është inkorporimi i detyrimeve në të dy marrëveshjet në detyrimet e anëtarësimit të të dyja vendeve në BE. Marrëveshja e re parashikon gjithashtu një grup monitorimi të kryesuar nga Bashkimi Europian. Këto dispozita, sipas tij, kanë qenë të nënkuptuara gjatë gjithë kohës. Më shumë e obligojnë BE-në sesa Serbinë dhe Kosovën. Për më tepër, detyrimi nuk shtrihet në njohjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, pasi që marrëveshja e normalizimit nuk është në këtë pikë referimi. Serwer thotë se marrëveshja e fundit “nuk ka reciprocitet”. “Serbia merr ‘vetëqeverisjen’ për qytetarët e saj në Kosovë, por shqiptarët që jetojnë në Serbinë jugore nuk kanë asgjë të krahasueshme”, shkruan profesori amerikan, duke theksuar se telashet që ua bën shteti serb shqiptarëve në Serbi nuk përmenden fare. Një marrëveshje e fokusuar në proces pa nënshkrime i lë shumë negociatave të ardhshme. Ky është më shumë tym dhe pasqyrë sesa substancë. Ka më shumë gjasa të gjenerojë konfuzion të mëtejshëm sesa paqe shkruan mes tjerash Daniel Serwer analizën e tij.
Kontrolloni gjithashtu
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …