Sevo Tarifa

Sevo Tarifa: Kriminelët përpiqen të ngjiten në piedestalet e heronjve

Mohuesit e mëdhenj të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe personaliteteve të historisë dhe kulturës kombëtare. Cilët ishin ata që dhunuan veteranët te Varrezat e Dëshmorëve ditën e 5 Majit. Çfarë synojnë teoricienët e “nivelit zero” dhe “çekut të bardhë”?

Mohimi i gjakut

“Morali i çdo politike fillon me respektin për luftën dhe kjo do të thotë me respektin për pçrmendoret”. (Klinton) Kush mohon LANÇ, duke e quajtur “luftë civile”, mohon gjakun e dëshmorëve, që ranë në emër të Atdheut. Nga mohimi i këtij gjaku burojnë qëndrime e veprime thellësisht antiatdhetare, antinjerëzore e antishqiptare ndaj luftëtarëve të lirisë e të udhëheqësave të Luftës. A nuk e tregojnë këtë zhvarrimi natën i komandantëve dhe i komisarëve që udhëhoqën Luftën? Përpjekjet për të ndaluar homazhet në varrezat e dëshmorëve më 5 Maj, në fillimet e pluralizmit? Prishja e muzeve të luftës në fshatra, duke përdhosur historinë e popullit në breza? Heqja e emrave të dëshmorëve nga shkollat dhe zëvendësimi i tyre me emra të tjerë që s’e meritojnë?. Zhdukja e lapidarëve kushtuar luftëtarëve të lirisë, që “dhanë jetën si me le”? Spostimi i busteve dhe monumenteve të Heronjve të Popullit, siç ndodhi në Shkodër, nën pretekstin e zbukurimit të qytetit? Heqja e shpërblimit të familjeve të dëshmorëve? Përpjekjet që bëhen jo një herë për zhdukjen e 29 Nëntorit, Data historike e Çlirimit të vendit? E të tjera.

Ose, mos përkujtimi në rrugë shtetërore i ngjarjeve dhe i datave madhore të LANÇ? Çarmatosja e veteranëve, duke u marrë edhe reliket, që i mbanin me leje, të cilat i kishin kujtim nga Lufta, për trimëri të treguar duke mos pyetur për sakrifica dhe jetën e tyre në çlirimin e vendit? Zërat që dëgjohen e dekorimet e ballistëve e të diversantëve të dërguar në Shqipëri, të cilët përgatiteshin e pagueshin për rrëzimin e pushtetit popullor, që synohet të quhen “dëshmorë”, ndërsa heronj e dëshmorë të quhen “kriminelë”?! Faktet që janë nderuar nga pushteti demokratik krerë të reaksionit, të cilët kanë vrarë djem e vajza, bij të popullit dhe janë mburrur e kapardisur duke folur në ekranin e TV-ve e duke u ngritur monumente?! I pyesim këta zotërinj “politikanë”, që e heqin veten “atdhetarë”, “demokratë” e “antikomunistë”: Na tregoni se në cilat vende demokratike të botës kanë ndodhur veprime të tilla të ulëta si tek ne?

Pse mohohet e nuk pohohet heroizmi e partizanëve dhe i gjithë veprimtarëve ilegalë të terrenit, që luftonin me “qefin në kokë” për çlirimin e vendit? Kush kërkon ta mbulojë këtë të vërtetë? Kështu flasin ata që humbën luftën dhe pinjollët e tyre, ata që nuk hodhën asnjë fishek kundër pushtuesve, por e zbrazën pushkën kundër partizanëve dhe gjithë antifashistëve dhe duan të quhen “fitimtarë”, “atdhetarë”. Njerëz të tillë, përpiqen të pushtojnë mendje e zemra të të tjerëve, nga të cilët ka që bashkohen me ta. Dhe bëjnë ku gjejnë. Por mund të gënjejnë një kompani, por kurrë një popull të tërë! “E vërteta është si dielli, edhe po ta fshehin retë, do të dalë përsëri”. Ka një dhe vetëm një të vërtetë: Lufta jonë është Antifashiste Nacionalçlirimtare!

 

   Tradita të Luftës

“Sa më shumë rriten lulet drejt diellit, aq më thellë shkojnë rrënjët e tyre në tokën ku rriten”. (F. Grim) Traditat e bukura të popullit janë si lulet që kanë mbirë natyrshëm ose janë mbjellë nga dora e njeriut në Tokën Mëmë. T’i njohësh e t’u shërbesh këtyre luleve, rriten e shkojnë përpjetë drejt diellit. Të tilla janë edhe traditat tona luftarako-atdhetare, në mes të të cilave edhe ato të LANÇ, të cilat përbëjnë një thesar të madh, të pazëvendësueshëm

Esenca e traditave partizane përbëhet nga zakone e virtyte të larta politiko-morale të luftës, të jetës e të marrëdhënieve midis tyre. Vlerësimi dhe pohimi i këtyre traditave, u shërben edukimit patriotik të brezave. Përçmimi apo mohimi i tyre bën të kundërtën: cenon traditat dhe idealet patriotike e përparimtare. Si të mos pohohet, por të mohohet krenaria e ligjshme e luftëtarëve të lirisë, të cilëve u vritej shoku në krah dhe ata rrezikonin kokën e vet për të mos e lënë trupin e dëshmorit të bjerë në dorën e armikut? Si të mos pohojmë për ata partizanë, të cilët strehoheshin në vatrat e popullit dhe nuk kërkonin pula të pjekura si ballistët, por hanin atë që kishte populli fukara: “bukë, kripë e zemër”? Si të mos pohojmë për partizanët, që kalonin arave të mbjella nga fshatarët, por nuk shkelnin asgjë me këmbë e të dëmtonin prodhimet, apo për gjestin e tyre, që megjithëse ishin të uritur e të etur, kalonin nën pjergullat e rrushit ose pranë mollëve dhe nuk zgjatnin dorën për të marrë një kokërr?

Si të mos pohojmë për atë vendosmëri e trimëri të partizanëve e të aktivistëve atdhetarë, që litarin armik në grykë e pranonin, ose e vinin vetë në fyt si “trembëdhjetë bilbilenjtë” dhe atdheun e shokët nuk i tradhtonin?! Si mund të mohohet vepra heroike e 5 vajzave shqiptare të varura në litar, nga 6 që janë varur gjithsejt në Europë? A nuk duhen pohuar ajo jetë e thjeshtë dhe ai solidaritet shembullor i luftëtarëve të lirisë, që pagurin me ujë e kalonin dorë më dorë për të shuar etjen e shokëve të skuadrës? Apo kur një cigare e kalonin buzë më buzë dhe duhani thithej nga pak prej të gjithëve? Ose gjesti bujar i atyre partizanëve, që kur familja u dërgonte ndonjë pako të vogël me ushqime e ata e ndanin me shokët e skuadrës, nga pak e të gjithë? Ç’solidaritet dhe bujari!

Si të mos pohohen, por të mohohen ato marrëdhënie model të sinqerta e të ndershme midis shokëve e shoqeve partizane, që ishin si motra e vëllezër? Për ato 250 dëshmore e 24 Heroina të Popullit shoqe?! Për atë trimëri të madhe e sakrificë të lartë deri dhe të pionierëve, 60 nga të cilët ranë dëshmorë?! Mohimi i këtyre cilësicve e traditave atdhetare e njerëzore bëhet thërrime përpara pohimit të të vërtetave.

Mohimi i djersës

“Do të dënohesha si njeri i keq po t’i mohoja atdheut diçka të drejtë e të ndershme që ai kërkon prej meje”. (M. Barleti) Kaluam një periudhë 45 vjeçare socialiste. A ka gjëra të mira e të bukura kjo periudhë, të cilat duhen pohuar me krenari që të përfitohet prej tyre e jo të mohohen? Brezat e kohës i kanë parë me sy si të mirat dhe të këqijat e atyre viteve dhe s’ka më mirë se ata për të thënë të vërtetën. Ndërsa brezat më të rinj, që s’i kanë jetuar ato vite, nuk i kanë parë, por i mësojnë duke dëgjuar nga paraardhësit e tyre.

Do të mjaftoheshim të kujtojmë vargun e veprave të pesëvjeçarëve: Vetëm në pesëvjeçarin e tretë (1961-1965) u ndërtuan dhe u vunë në shfrytëzim 430 vepra. Në planin e katërt pesëvjeçar u ndërtuan dhe u vunë në shfrytëzim 200 të tjera. Të gjitha me djersën e popullit. Po ç’u bënë këto vepra? Pse nuk janë edhe sot? U shkatërruan në këtë tranzicion nën moton “Janë të komunizmit, ne do t’i ndërtojmë më të mira”! Teoria “do ta fillojmë nga zeroja”, e “çekut të bardhë” e të tjera, ishin përralla. Sot nuk i sheh më ato që u shkatërruan, pa le të shohësh “të reja”.

Kalon drejt varrezave të Sharrës, kthen kokën majtas dhe nuk sheh Uzinën “Enver”, as Ndërmarrjen e Zdrukthtarisë “Misto Mame” e të tjera. Shko më poshtë dhe kthe kokën djathtas ku ishte Kombinati ushqimor dhe gjigandi i Tekstileve. Vetëm në këtë të fundit punonin rreth 6 mijë veta, shumica gra e vajza, ku të kënaqej syri e të gjitha ndjenjat nga njerëz të pararojës, nga lulet, kultura e pastërtia, ndërsa sot e sheh të shkatërruar, siç thuhet shpesh, si “vende dhe popuj”! Kështu u katandisën dhe qindra fabrika e uzina të tjera, të cilat u shkatërruan, që të nesërmen u blenë fare lirë nga vetë pushtetarët dhe njerëzit e tyre!

Si të mos pohojmë ato aksione të mëdha kombëtare të rinisë, si rruga Kukës-Peshkopi, hekurudhat e para, shigjeta e kuqe të të cilave u shënua për herë të parë në hartën e Shqipërisë, se ishim i vetmi vend në Europë pa rrugë të hekurta? Si të mos pohojmë atë punë kolosale që u bë në Bregdet për tarracimin e kodrave dhe mbjelljen e tyre me portokalle, mandarina e limonë, por që u prishën?! Tiranasve u kujtohet ajo punë e madhe që u krye për ndërtimin e Liqenit artificial e Parkun Kombëtar rreth tij, apo ajo punë të madhe vullnetare që zhvillohej rreth pallateve në lagje për pastrim a mbjellje pemësh?Atë varg të gjatë të aksioneve vendore, që u kryen nëpër rrethe? Ato dhjetë aksione që u realizuan brenda dhjetë ditëve për nder të 10 Korrikut, ditës së Ushtrisë, në fshatin Hoshtevë të Zagories në Gjirokastrës, të cilat nuk janë më? Atë entuziazëm, gjallëri e dinamizëm të rinisë në fshat fill pas Çlirimit, që mbillnin grurë e misër edhe në arat e familjeve pa krahë pune ose që bijtë e tyre kishin rënë dëshmorë apo kryenin shërbimin ushtarak?

Po atë punë të madhe lavdëruese të njerëzve, të rinisë e të pionierëve, të cilët luftonin deri dhe kundër karkalecit, që kishte sulmuar prodhimet bujqësore, në kohën që buka ishte me triska, 400 gramë ditën për njeri? Punën masive në muajt e pyllëzimit, në çpyllëzime e krijimin e tarracave, deri në fitoren e madhe, sigurimin e bukës në vend? Krijimin e ambulancave, çerdheve e kopshteve në fshat, të cilat më vonë vandalët do t’i zhduknin pa nam e pa nishan? Ato qindra e mijëra vajza, që dilnin nga turni i tretë i natës në qytete dhe shkonin në rrugë e në rrugica, pa frikë se dikush do t’u dilte përpara e do t’i ngacmonte e provokonte? Njerëzit që kalonin me para në xhep dhe askush nuk i rrezikonte? Ose si janë shkatërruar pyje të tëra, mushkëritë e qyteteve dhe të fshatrave.

E sa e sa arritje të tjera, të cilat të vjen keq që nuk pohohen, por mohohen, se qenkan “të kohës së komunizmit”, madje flitet edhe kundër tyre! Jo, të gjitha veprat e ndërtuara në periudhën e socializmit kanë firmën “Popull”! Janë realizuar me mendjen dhe djersën e tij dhe s’ka pse të mohohen. Është krenari e ligjëshme dhe gëzim i madh të pohohen. Të kujtosh e të mësosh nga të mirat e së kaluarës,-kjo i shërben zhvillimit të vendit, edukimit të njerëzve, sidomos të brezave të rinj, që të mos e hanë “sapunin për djath”, “gjarprin për ngjalë”, “helmin për mjaltë”, sikur në 45 vjet nuk qenka bërë asgjë në Shqipëri!

“Politika duhet të jetë njerëzore”. (Karl Shmid) Loja në politikë është si loja me thikë. “Në luftë mund të vritesh vetëm një herë, në piolitikë shumë herë” (Çërçill) “Në politikë është si në shah: një lëvizje e gabuar dhe keni rënë në mat” (De Mirvili). Edhe në arritjet dje dhe sot, nuk janë fjalët, por faktet që flasin. Sado që të bëhen zbukurime, “fshati që duket s’do kallauz”.

Mohimi i të mirave është gënjeshtër. “Të gënjesh do të thotë  të mohosh vetveten” (Balzak) Ka politikanë që ç’thonë sot nuk thonë nesër. Ndryshe flasin e ndryshe veprojnë. Një amerikan shkruan se “janë politikanë të dobët ata që e dredhin”. Një grek shprehet: “Njeriu gënjen dy herë: një herë kur martohet duke zbukuruar biografinë dhe një herë në zgjedhje që të sigurojë votat”. Përfytyroni deputetë, të cilët për t’u zgjedhur, bëjnë premtime të pambajtshme , madje njëri u zotua për të ndërtuar edhe urën, kur ai fshat s’kishte lumë!

Por të gënjesh do të thotë të mohosh veten. Mohon ato që vetë ke pohuar. Dhe kur mohon veten, s’e ke për gjë të mohosh edhe arritje të kundërshtarit. Kur mohon ato që vetë ke pohuar, ke cënuar edhe krenarinë tënde, personalitetin tënd, ke krijuar një imazh tjetër, nuk ke dëmtuar vetëm elektoratin, por ke humbur edhe vetë moralisht, e pëson autoriteti yt. Ndaj thuhet se “krenaria e njeriut qëndron në dy cilësi: në ndershmërinë dhe sinqeritetin.

Ndodh që nga të dy krahët jepenn shifra të zmadhuara ose të zvogëluiara. Por “E vërteta sado e hidhur të jetë, është shumë më e mirë se mashtrimi i ëmbël”. (V. Belinski)

Përfundime   

para, mohimi i së kaluarës, sidomos LANÇ dhe i periudhës 45 vjeçare, si dhe gënjeshtra, shfaqen në mendime, veprime e mosveprime të demokrtatikasve për baltosjen e tyre, të gjakut të dëshmorëve, të punës ndërtimtare në vitet socialiste. E vërteta i verbon. Gënjeshtra është ferra, që mbin pa mundim te dera. Ajo s’gjen rehat, se e ndjek e vërteta nga pas, me vrap! E vërteta bëhet thesar, kur vërtetohet në zjarr. E vërteta dhe gënjeshtra nuk mund të banojnë bashkë.

E dyta, “Nga e kaluara duhet marrë jo hiri, por zjarri”. (Zhan Zhores) Të parët me sy kritik i dobësive, i të metave, i gabimeve, i dobësive dhe i shtrembërimeve në periudhën socialiste. Megjithatë kjo nuk mjafton, është njëra anë. Ana tjetër më e rëndësishme është: jo vetëm të mohosh, por të përfitosh, nga gabimet e së kaluarës; të korrigjosh, të reflektosh nga arti i drejtimit të paraardhësve; të mxjerrësh mësime nga pësimet. Këtë e kërkon dinamika e zhvillimit, e ecjes përpara, e progresit.

E treta, Nihilistët nuk e shohin zhvillimin në të gjithë dimensionet e veta, por vetëm në minuset e tij, janë mohues, shohin me syza të zeza, nxijnë çdo gjë. Duke mohuar, pa pohuar, je balëthedhës, harron se baltos edhe fytyrën tënde, zverdhej, zbehej, bie vetë në baltë, je gojëbaltë, e ke baltën në duar dhe në majë të gjuhës, je mohues, je nihilist. Nuk ke parasysh se e meta duhet godiur, e mira duhet vaditur. Njollos të bardhën e kundërshtarit, por njollos më shumë veten. Baltos, por baltosej dhe vetë. Shan e shpif se s’ke argumente. “Balta është njëlloj për të gjithë, pranon të bukurit dhe të shëmtuarit, hesht për budallenjtë, rënkon për të zgjuarit”.

LSI-ja, duke u bashkuar me opozitën u largua nga idealet socialiste. Karakteri i saj u puq me atë të pëdëistëve. Është e drejta e tyre dhe të dyja bashkë e bëjnë “të bardhën të zezë”, “të zezën të bardhë”, “qimen, tra”, duke parë jo trarin në syrin e tyre, por qimen në syrin e kundërshtarëve. Prirjen e kanë të mohojnë, aspak të pohojnë. Kanë “arsye” pa arsye: nuk presin sa të vijnë zgjedhjet politike, duan sa më parë pushtetin! Kush ka “mizën nën kësulë” e sheh rrezikun e Drejtësisë së Reformuar. Dhe bëhen baltavecë, gatuajnë baltë për ta hedhur në drejtim të qeverisë socialiste, me fjalor banal, pa kulturën demokatike. Shigjetat e tyre të helmatisura mbeten në ajër, të qepura me pè që duket qartë në copën e bardhë.

E katërta,“Vetëpërmbajtja është peshorja e zemrës dhe e mendjes”. (S. Frashëri) Është fjala sidomos për ekstremistët, të ciët janë të rrëmbyer, të ashpër, të egër. Tipa nervozë. Kur goja e tyre kalon kufirin, dëmin e paguan mendja. Ekstremistit i flet gjuha para mendjes. Por “të flasësh pa menduar, është si të zbrazësh pushkën pa e vënë në shenjë”. Edhe kur grinden dy kundërshtarë politikë, ka raste që bëhen armiq me njëri-tjetrin. Kësaj i thonë “armiqësi mes atyre që banojnë në një shtëpi”.

“Ekstremet e majtë e të djathtë për çdo problem politik qofshin, janë gjithmonë të gabuar”. (Ajzenhauer). Kanë pikëpamje tepër të skajshme për diçka, për një çështje të caktuar, sidomos me ngjyrë politike. Në mendime, në gjykime, në qëndrime e në veprime ata kalojnë çdo masë. Gjuha e tyre shkon tej kufijve dhe arrin deri në fyerje, sharje e shpifje. Ekstremistët, edhe kur s’kanë fakte, mbështeten në thashetheme, në çka dëgjojnë kafeneve ose kulisave. Dhe inatin e mbajnë “në evidencë”, ndaj “shigjetat” i kanë gati, qëllojnë dhe, numrojnë të meta e gabime të kundërshtarëve, por “harrojnë” të metat dhe gabimet e tyre.  Ai që është ekstremist, i majtë ose i djathtë, “atë që lëvdon sot, e shan nesër dhe atë që shan sot, e lëvdon nesër, është një shtazë me gojë dhe pa mend e pa zemër”. (S. Frashëri),

Ekstremistët sipas rasteve flasin me gojë ose me shkrim. Por në çdo rast janë me nerva. Kur shkruan e përgatitet “se do diskutojë në Parlament” ose është ftuar të flasë në një emisionin televiziv, nuk përmbahet, gjen rastin dhe shfryn! Në atë çast mendja e tij nuk është e ftohtë. Në raste të tilla, ekstremisti harron këshillën “Mos shkruaj gjë kur je me nerva. Përderisa plaga e gjuhës është më e keqe se ajo e shpatës, mendo se çfarë mund të jetë ajo e penës”. Në këto raste pena e ekstremistit është më shumë se shpatë e pushkë!

Nuk ka parti politike që të mos ketë ekstremistë anëtarë ose simpatizantë të saj. Të dy palët kundërshtarë politikë, mund të jenë bashkë në kafene duke pirë një kafe, por njëri-tjetrin e shikojnë shtrembër. Ka vetëm një ilaç që u bën mirë ekstremistëve: ky ilaç e ka emrin ekuilibër. Ekuilibri është pjekuri, maturi, durim, gjakftohtësi, drejtësi, fisnikëri. Dhe për të gjithë jetike është harmonia, jo urrejtja, jo hakmarrja, e cila i mban plagët të hapura. S’ka fuqi, pa bashkim, pa tolerancë. Shqiptarët, për shqiptarët!

***

Baltën, e cila “është më e ëmbël se mjalti”, ta lëmë siç është, siç na e ka dhuruar natyra, pa e ngjyrosur, pa u përpjekur për të sajuar shigjeta ndaj kundërshtarëve politikë. “I pavdekshëm është edhe guri, por natyra tru s’i a vuri”. Njeriu me mend, duhet ta kuptojë se një ditë balta do t’i duhet të gjithëve, në dy metro vend, pa pyetur fare se në ç’parti ke qenë, je i majtë apo i djathtë. Është e vërtetë qe “Zogu i bukur dhe skifteri i shëmtuar nuk fluturojnë bashkë në qiellin e jetë”. Balta ka bukuri siç është. Nderi përdoret për së gjalli, respekti s’hyn dot në varr. Më mirë i harruar, se mbi dhè i çnderuar. “Të keqen që ke në shpirt, mos e krasit”, shkule nga rrënjët!”

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …