Shaban Bislim Shabani (10.6.1949 – 31.3.1999)

Shaban Bislim Shabani (10.6.1949 – 31.3.1999)

Luftës për çlirimin e vendit nga okupatori serb Açareva i ka dhënë dëshmorët: Shaban Shabani, Fazli Beqiri, Xhafer Abdullahu, Ismet Rrahmani, Arben Nura, Zejnë Veseli, Zymer Tan Tahiri, Avni Fazli Beqiri dhe Xhavit Uka. Gjatë kohës së luftës nga arma armike janë martirizuar: Sejdi Beqiri, Azem Beqiri, Ganimete Beqiri, Qazim Nura, Zyrafete Nura, Hanife Jashari, Hajzer Veseli, Hasan Hajdari, Qamil Jakupi, Rafet Haxha, nxënës dhe Nexhat Haxha, nxënës, Sahit Idrizi, Shehide Haxha, Kadri Jashari, (konsiderohet i zhdukur), Xhemë Azemi, Behram Rama dhe Asllan Asllani. Açareva luftës së UÇK-së i ka dhënë edhe dy kuadro të lartë: Sylejman Selimin, ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm dhe komandant aktual i TMK-së dhe Rexhep Selimin, pjesëtar i bërthamës së parë çlirimtare të Adem Jashari dhe, inspektor i Shtabit të Përgjithshëm gjatë kohës së luftës.

Shaban Bislimi u lind më 10 qershor të vitit 1949, në fshatin Açarevë të Drenicës, një fshat i njohur për luftë dhe rezistencë të fuqishme kundër forcave okupatore serbe. Vitet e para të mësimit i kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren në fshatin Likoc.
Shaban Bislimi me Zymer Tan Tahirin, kushëririn, Fazli Beqiri (tani të tre dëshmorë) shkon për të punuar në Slloveni, me qëllim për të ndihmuar ngritjen e familjes. Atje ka punuar gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar. Ndërkohë, me qëllim për të ndihmuar familjen shkon për të punuar në Slloveni edhe djali i Shabanit, Haxhiu, ndërkohë që Shabani kthehet në familje. Ka punuar në ndërtimtari private në fshatra të Drenicës dhe Dukagjinit.
Meqë ishte në njohuri të krijimit të pikave të UÇK-së në këto anë, Shabani fillimisht inkuadrohet në pikën e quajtur “Dernogllava”, e cila ndodhet mes fshatrave Kopiliq i Poshtëm dhe Haçarevë. Komandues të kësaj pike ishin Sylejman Selimi, Hysni Shabani dhe Avni Haxha.
Më vonë më 10 mars të vitit 1998, Shaban Shabani i bashkohet pikës “Te Hekurudha” të cilën e komandonte Sokol Beqiri dhe ku bënin pjesë luftëtarët: Fazli Beqiri, Sheqir Beqiri, Rasim Nura, Ahmet Beqiri, Skënder Jashari, Fadil Asllan Shabani, Zejnë Hajra, Haxhi Shaban Bislimi, Hetem Nura, Arben Nura, Mirsad Jashari, Tahir Jashari, Xhevat Jashari, Kajtaz Gashi e të tjerë. Ishte kjo një pikë kontrolli dhe vëzhgimi, me qëllim për të rezistuar dhe për të marrë pjesë në luftimet që po zhvilloheshin, meqë forcat serbe mbanin në shënjestër fshatin nga postblloqet e ngritura në Turiqec, Jashanicë etj.
Ndërkohë luftëtari i lirisë Shaban Shabani caktohet në pikën e quajtur “Te kurrizi i Siçevës” ku bënin pjesë edhe luftëtarët: Xhafer Abdullahu, Ismet Rrahmani, Avni Beqiri e të tjerë.
Në gusht të vitit 1998, duke qenë se Açareva granatohej nga të gjitha anët dhe me qëllim për ta larguar familjen nga rreziku i përhershëm, Shaban Shabani e vendos familjen te miqtë e tij, në fshatin Baks, rrëzë Qyqavicës.
Kthehet sërish në Aqarevë ku tashmë ishte kryer nga Sllovenia edhe vëllai i tij Asllani, i cili iu kishte bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në frontet e luftës në Açarevë po luftonte edhe djali i Shabanit, Haxhiu, së bashku me shumë bashkëluftëtarë të tjerë.
Me rastin e depërtimit të forcave serbe pas ofensivës së gushtit të po atij viti, fshati Açarevë ishte djegur në tërësi, ndërsa Shabani me disa luftëtarë të tjerë ndodhej i pozicionuar në vendin e quajtur “Te shavaret” e lagjes “Oruçi”, ku edhe kishte qëndruar një kohë të gjatë. Më 31 mars 1999, ishte në njohuri se forcat serbe kishin goditur fshatrat e Qyqavicës, si dhe fshatin Baks, ku ndodheshin të strehuar edhe disa pjesëtarë të familjes së tij. Shabani niset për në Baks, në orën 11.00 të ditës. Për rrugëtimin që do të bënte i kishte treguar vetëm vëllait të tij Asllanit, i cili po ashtu luftonte në radhët e UÇK-së. Fillimisht niset në drejtim të fshatit Makermal, ku po depërtonte edhe traktori me rimorkio me të cilin po largoheshin 11 veta.
Forcat serbe kishin vërejtur lëvizjen e traktorit dhe kishin goditur me predha, me qëllim që ta asgjësonin në tërësi. Nga breshëria e armës armike ishin goditur të gjithë kalimtarët në mesin e tyre edhe Shaban Shabani, i cili bie dëshmorë. Ndërkohë forcat serbe i marrin të plagosurit dhe të gjithë i likuidojnë mizorisht.
Fillimisht nuk dihej për rënien e tij, ndërsa djali i tij Haxhiu po ashtu ushtar mendonte se babai kishte depërtuar në Baks, edhe pse ai nuk i kishte treguar. Për nisjen drejt Baksit kishte marrë vesh nga xhaxhai Asllani. Më vonë u mësua se Shaban Shabani kishte qenë në mesin e 11 të goditurve nga forcat serbe në traktorin, i cili ishte duke kaluar në drejtim të lagjes Gjinovci të Makermalit. Shabanin e kishin varrosur në varrezat e fshati, ndërkohë që rivarrimi është bërë tre muaj pas luftës. Trupi i dëshmorit Shaban Shabani prehet te Varrezat e dëshmorëve të fshatit Haçarevë, së bashku me tetë dëshmorët e tjerë.
Shabani ka qenë i martuar me Shefkije Avdyl Musliun nga fshati Baks. Ai ka lënë bijat dhe bijtë: Nexhmijen, Haxhiun, Qamilen, Remzijen, Shpresën, Bislimin, Miradijen, Tahirin dhe Milaimin. Për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb ka rënë edhe djali i motrës së tij Ajnes, Afrim Halim Thaçi nga fshati Poterk i Drenicës.
Emri i tij është skalitur në pllakën përkujtimore të ngritur në Varrezat e fshatit Açarevë, ku trupi i tij prehet në përjetësi.
Familja Shabani ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës dhe nga shoqatat e dala nga lufta. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …