Shaban Haxhi Demaliaj (1916-1971): Gjenocidi serbo-malazez në Kosovë ( Nëntor 1944- qershor 1948)

Shaban Haxhi Demaliaj Ka lindur në Pac të Malësisë së Gjakovës (Krahina e Bytyçit). Ai ka qenë Komandant i Brigadës së Shtatë Kosovare me 17000 luftëtarë dhe në vitin 1948 Drejtor i Milicisë së Kosovës. Është organizatori dhe drejtuesi kryesor i LANÇ-it në Malësinë e Gjakovës e në Kosovë – komandant i çetës “Bajram Curri”, komandant i batalionit “Bajram Curri”, pjesëmarrës aktiv dhe firmëtar i Konferencës së Bujanit. Në gusht të vitit 1948 pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Jugosllavinë u arratis nga Kosova dhe erdhi në Shqipëri. Ka patur funksione të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Brëndshme deri zv.drejtor i Policisë së Shqipërisë. Doli në pension në moshë të re – 55 vjeç. Puna dhe kontributi i tij nuk u vlerësuan aq sa e meritonte, pikërisht se ishte mbrojtës i flaktë i çështjes së Kosovës dhe ishte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, sepse siç thotë edhe në këtë material që po botohet, shqiptarëve në Kosovën që gjatë Luftës u ishte premtuar bashkimi me Shqipërinë nënë, por kjo nuk u realizua dhe Shabani u mërzit shumë, u dëshpërua dhe protestoi për këtë padrejtësi të madhe.

Këto kujtime të tij janë dorëzuar, më 11 shkurt 1949 në Komitetin Qendror të PPSH-së dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kopja origjinale është në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Viti 1949. Dosja 202.

Një pjesë e tyre janë botuar në librin “Masakra e Gjilanit”, më 1998.

Materiali që po botohet tani nuk është botuar më parë, pasi nuk u gjet në materialin e familjes (11 fletët e fundit kishin humbur). U përgatit për botim nga nipi i tij Skënder Demaliaj – Doktor i Shkencave Psikologjike, pasi u gjet në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në vitin 2013. Në fund të materialit është një shënim nga Enver Hoxha, në atë periudhë, edhe Kryeministër edhe Ministër i Punëve të Jashtme, i cili është bashkëngjitur me materialin, i skanuar. Lind pyetja: përse u la në harresë ky material e nuk u veprua, siç porosiste Enver Hoxha?!… Sipas mendimit tim, kjo lidhet me takimin e Enver Hoxhës me Stalinin në Moskë, në nëntor të vitit 1949, nëntë muaj pas dorëzimit të këtij materiali dhe shënimit të Enver Hoxhës. Stalini i tha Enverit: “Serbia duhej të bëhej qëndra e luftës dhë shqiptarët paralelisht të luftojnë me të gjithë popujt e Jugosllavisë… Duhet të luftohet me ashpërsi regjimi i Titos dhe çështja e Kosovës duhet të lihet në plan të dytë dhe nga ana juaj të mos vihet në plan të parë” (botuar për herë të parë nga Dr. Sonila Boçi, Shqiptarja.com, 09. 12. 2012, fq. 14-15).

GENOCIDI SERBOMALAZEZ NË KOSOVË (NËNTOR 1944-QERSHOR 1948)

Pushteti serb dhe OZN-ja i provokoi shqiptarët në Kosovë me të gjitha metodat për t’u bërë të pakënaqur dhe për të dalë në mal e për të luftuar kundër tij. Duke e quajtur luftën e tyre kundërrevolucionare do ta kishin më të lehtë për të justifikuar brenda dhe jashtë vendit fushatën e tyre për të vrarë e asgjesuar sa më shumë shqiptarë. Kur plasi lufta në Drenicë, sipas propozimit të bërë nga Fadil Hoxha, Xhavit Nimani dhe Mehmet Hoxha, Shtabi i Kosmetit dhe pushteti (me pëlqimin e vetë OZN-ës) vendosi të dërgojë një komision të përbërë nga Asim Efendi Luzha dhe 11 shqiptarë në Drenicë që të ftojë palët të ndërpresin luftimet, veçanërisht shqiptarët. Fajtorët e kësaj lufte të përgjakshme  të dorëzohen dhe të kenë lehtësira në dënime, kurse  luftëtarët e thjeshtë që ishin bashkuar me ta të falen e të shkojnë në shtëpi. Ky komision ishte i përbërë nga burra me influencë në Drenicë e në katundet përreth. Sapo shkoi afër Drenicës, i doli para një togë ushtarësh, i kapën dhe ata u japin dokumentin që vërtetonte shkuarjen e tyre në Drenicë me autorizim të Shtabit të Kosmetit, Kosovës. Ua marrin dokumentet, i lidhën dhe në mbrëmje i pushkatojnë të 12 vetat. Dhe për këtë krim të shëmtuar nuk është marrë asnjë masë, por është komentuar se kanë gabuar vetë të vdekurit sepse kanë shkuar dhe kanë hyrë në zonën, ku bëhej lufta dhe rojet duke menduar se ishin grup të arratisurish i vranë gabimisht. Pra faji rëndon mbi të vdekurit e jo mbi rojet që i kanë vrarë. Anëtarët e këtij komisioni nuk kanë pasur as armë as thika dhe kur i kanë kapë ka qenë ditë.

Në luftën e Drenicës janë djegur në shtëpitë e tyre pleq dhe fëmijë, jashtë zonës së luftimit. Qindra njerëz janë pushkatuar fshehurazi. Familjet e tyre edhe sot nuk e dinë janë gjallë apo janë të vdekur. Askush nuk jep informacion për ta. Familja i kishte nisë për në ushtri dhe askujt nuk i shkonte mendja që sapo të binte nata do të pushkatoheshin. Këta njerëz nuk kishin qenë as me Ballin as me Legalitetin dhe nuk kishin kryer asnjë krim. U vranë se ishin shqiptarë.

Për popullin e Kosovës pas çlirimit nga pushtuesi fashist, erdhi një pushtim tjetër më i rëndë, pushtimi serb. U torturuan dhe u vranë shumë shqiptarë dhe iu morr malli e bagëtia. Politika që u ndoq në këto vite ka qenë një politikë shfarosëse nga ana e serbëve dhe malazezëve. Në kohën kur u thyen forcat e Shaban Polluzhës-pak ditë më mbrapa, me urdhër u bë mobilizimi total i burrave nga 18 veç e lart. Grumbulluan afro 10 000 veta që kishin mbetur pa shkue në ushtri dhe i nisën  nëpër Prizren-Kukës-Shkodër-në Mal të Zi. Forcat serbe që i shoqëruan gjatë rrugës vranë shumë prej tyre. Sapo kaluan tokën shqiptare dhe hynë në Mal të Zi u lanë pa ngrënë, pa ujë. Pas 5 ditësh (gjatë kësaj kohe nuk kishin pirë ujë fare), të lodhur e të raskapitur shkuan në një katund, emrin e të cilit nuk e di dhe u turrën me pi ujë. Roja që ishte tek burimi i ujit nuk i ka lënë që të pinë ujë. Këta e kanë sulmuar e i kanë marrë pushkën. Komandanti ka dhënë urdhër që të hapet zjarr, ku kanë mbetur më tepër se 1600 veta të vdekur. Këtë e vërtetojnë njerëz që kanë qenë prezent dhe rrojnë edhe sot. Ka ikur kosovari prej Malit të Zi dhe ka shkue në shtëpinë e tij në Pejë dhe sapo ka hyrë në shtëpi të tij është çmendur nga tmerri që ka parë dhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë i çmendur.

Kthimi i serbomalazezëve në Kosovë-Metohi

Kjo për kosovarët ka qenë një thikë në zemër. Qeveria e Titos dha urdhër që të gjithë serbomalazezët që kanë qenë më parë në Kosovë të kthehen prapë. U kthyen në vitin 1945, shumica në pranverë e verë kur kosovarët i kishin mbjellë tokat. Ata pa gjë të keq shkonin e ua merrnin tokën e mbjellë kosovarëve. U hynë me forcë në shtëpi e i nxorrën përjashta, duke i sharë dhe duke i frikësuar se “keni qenë ballistë e do të jepni llogari për krimet që keni bërë”. Merrnin derra dhe i fusnin në shtëpitë e kosovarëve se e dinin se kosovarët janë fanatikë e nuk i mbajnë në shtëpi dhe detyrohen me e lshue shtëpinë e tyre. Shpifnin për kosovarët se gjoja ata mbajnë të arratisur dhe kanë lidhje me reaksionin, dilnin e bënin provokime me armë, sikur u takua patrulla me të arratisurin, njoftonin OZN-ën, e cila mezi priste për t’i arrestue e keqtrajtue, i zhdukte dhe u thoshte familjarëve se janë dërguar me shërbim e do të vijnë. Familja priste letër nga njeriu i saj, por ai ishte vrarë  ose mbytë me sëpatë dhe dru e ishte varrosë natën hajnisht.

                Veç kësaj kosovarëve iu dha urdhër nga organet qeveritare me i ba shtëpitë e serbomalazezëve që ishin djegë gjatë luftës dhe kjo ka qenë shumë e rëndë për kosovarët. Urdhëri ishte në formë ultimatumi, pa marrë asnjë rrethanë e arsye. Në fillim duelën shokët me mbajtje konferenca dhe filluan t’iu mbushin mendjen kosovarëve se duhej që shtëpitë t’u bëheshin serbëve e malazezëve, por ishte karakteristikë se kur flisnin përgjegjësit shqiptarë, mundoheshin t’i bindnin me arsye disi dhe kur flisnin serbët e malazezët, këta gjithnjë vinin në plan të parë forcën. Kjo ka ndodhë bash në katundet e Gjakovës, ku për këtë çështje kanë shkue me mbajtë konferenca Fadil Hoxha e Dushan Mugoshi. Bisedon Fadili dhe pas bisedës ngrihet një plak dhe i thotë: “Po, Fadil Hoxha ne për vllazërimin e bashkimin i bajmë këto shtëpi dhe nuk përtojmë, por ju lutemi shumë që këta shokët e vllaznit serbë e cernagorët mos t’ na rrinë gjithnjë mbi krye e të na thonë se i keni djegë me fashistët e ju jeni fashistë. Kjo ishte luftë e me hy e me folë për gjana t’kalueme dhe ne kosovarët kemi mjaft me thanë se në luftën e parë, këta serb e malazez e babat e tyne na kanë djeg, vra, na i kanë therë fëmijët në djep e tjera. Po ne populli i Kosovës i pranojmë këta dhe duam që të bajmë Vllazërimin e Bashkimin dhe t’i harrojmë këto që kanë kalue”. Fadil Hoxha përgjigjet se ne nuk do t’i marrim për bazë se çfarë ka kalue, por sot do të jemi të vllaznuem e të bashkuem. Në këtë moment e merr fjalën Dushani, para se me e lanë fjalën Fadili dhe thotë: “Ju kosovarët do t’i mbaroni këto shtëpi se i keni djegë me fashistët dhe keni ndihmue fashistët deri në kohën e fundit dhe sot iu qan zemra për ta, por vetëm tuteni e nuk keni çka me ba tani. Ky vend është çliruar me gjak nga çeta serbe”. Sa u shpërndanë filluan të pëshpëritnin, duke thanë: “Ama çfarë vllaznimi, vllaznim me qyk të zorit. Shqiptarët nuk kanë gja në dorë këtu. Gjithçka asht në dorën e shkieve dhe për ne nuk ka shpëtim”.

                Më 1944-1945 u hoq flamuri shqiptar. Heqja e tij në shumë vende u bë me dhunë. Në Gillan flamuri u gris, u shkelmue prej brigadave serbomalazeze e maqedonase. Kështu u veprue edhe në Ferizaj, Dibër, kurse në vendet e tjera u bë pak ma njerëzisht, vetëm me urdhër. Heqja e flamurit i revoltoi shumë kosovarët, të cilët vazhdonin të mos besonin në drejtësinë e këtyre veprimeve. Heqja e flamurit u pasua nga një valë arrestimesh kundër elementëve që kishin folë për heqjen e flamurit. OZN-ja i akuzonte këta të lidhur me reaksionin e gjoja se kishin formue komitete e nënkomitete. Të tjerë, që nuk kishin ku të kapeshin, i quanin shqiptaromëdhenj, parullë e Ballit për me ba Shqipërinë e Madhe. Me fol kush për ndonjë padrejëtsi quhej shovinist dhe për këtë arrestohej, torturohej, dënohej edhe vritej pa gjyq. Kishte nga ata që zhdukeshin dhe familjeve nuk u tregohej dhe ato kishin shpresë se ishte gjallë e një ditë do të kthehej në shtëpi. Të gjithë elementët që nuk bënin përpjekje për të nxjerrë metoda të reja, që nuk përpunonin shpifje për të kapë sa më shumë njerëz e për t’i përplasur në burgje, konsiderohen njerëz që nuk e urrenin armikun e klasës nga OZN-ja. Me bisedue për ndonjë njeri që ishte arrestue se është i pafajshëm, përnjëherë të shënohej emri në regjistrin e personave të dyshimtë dhe dalëngadalë të zhvishnin nga influenca që kishe në popull, të ulnin në përgjegjësi, duke të dhanë një sektor pune që nuk mund ta bëje e nuk kishe çfarë me dhanë, pastaj të hidhnin në rrugë dhe në qoftë se nuk përkuleshe e nuk bëheshe vegël qorre e tyre, të zhduknin ose vazhdimisht të hiqnin vërejtje, duke të mërzitur e duke të shkaktuar stres. Ndodhte që nga veprime e qëndrime të tilla revoltuese, humbje gjykimin, bëje gabime dhe një ditë e shihje veten në burg edhe zhdukeshe pa gjyq. Bëheshin ekzekutime me armë, mbyteshin me tortura. Pastaj doktori ishte gati me lëshue raportin, duke thënë se i ndaloi zemra dhe se vdiq nga një sëmundje e shpejtë dhe e shkurtër, thjesht për të justifikuar vdekjen. Përdorimi i këtyre metodave bëri që populli të frikësohej. I hyri tmerri dhe njerëzit e mbyllën gojën. Mbaheshin konferenca të përditshme me popullin, i cili pyetej se çfarë ankesash kishte. Ftoheshin që të flisnin lirshëm pasi kishin të drejta të barabarta me popujt e tjerë. Kur ata ankoheshin për ndonjë të padrejtë dhe jepnin fakte, u merreshin emrat shënim dhe këta persona pas një kohe të shkurtër arrestoheshin, torturoheshin, internoheshin dhe në rast se dyshonin se mund të arratiseshin, zhdukeshin edhe pa gjyq. Duke parë dhe analizuar këto veprime të popullit serbomalazez, kur bëheshin konferenca dhe pyeteshin se si ndjeheshin, të gjithë përgjigjeshin se janë shumë mirë për t’i shpëtuar ndjekjes se OZN-ës. Po të shënonte në listat e tij OZN-ja të priste e zeza. Ekzekutim, thyerje kockash me dru, qëndrim në çimento lakuriq, 10 ditë pa ngrënë e pa ujë, me një palë brekë dhe një këmishë e jo gjë tjetër, në netët e dimrit të ftohtë… Kur ndonjëri thoshte “si e kapën filanin” thirrej në sigurim dhe arrestohej për veprimtari kundër pushtetit. Pushteti serb provokonte shqiptarët për të dalë në mal (në fakt shumë prej tyre dilnin në mal nga frika se arrestoheshin e dënoheshin). Këtë e përdornin si material për të shtuar masat e represionit ndaj shqiptarëve. Kur kapeshin, dënoheshin dhe thoshnin se vetë i patët fajet, përse nuk ndejtën rehat, por dolën në mal. Këtë qëndrim e propogandonin shumë në popull.

Reforma agrare në Kosmet

Më 1945 filloi Reforma Agrare në Kosovë. Në fillim u fol se tokat që ishin zaptue nga reforma agrare e ish-Jugosllavisë nuk do t’u merreshin shqiptarëve, pasi kjo reformë në atë kohë kishte qënë e padrejtë dhe kishte për qëllim me zhdukë popullatën shqiptare në Kosovë e me e zëvendësue me serbë e malazezë. Komisioni që u formue nën drejtimin e Dushan Mugoshit për reformën agrare filloi që të shikonte tokat që kishin marrë serbët dhe malazezët dhe këto do t’u ktheheshin popullit, me përjashtim të atyre tokave që kishin qënë lëndinë (të papunueshme), të cilat ishin të rregjistruara mal e livadh. Që në fillim kjo nuk u zbatue dhe u shtrembërue. Arsyet: në Kosovë kishte shumë serbë e malazezë që kishin bërë shitjen e këtyre tokave. E kishin marrë tokën nga shteti monarkist dhe e kishin shitë. Blerësi kishte dokumente të rregullta. Bëheshin gjyqe formalisht dhe toka u jepej serbëve dhe malazezëve dhe shqiptarët mbeteshin pa të. Një pjesë të tokës e kishin shitur vetë shqiptarët, pasi ua kishte marrë reforma me imponim, por këta nuk e përfitonin tokën. Kishte shqiptarë që ishin arratisur gjatë kohës së ish-Jugosllavisë sepse kishin vrarë ndonjë ushtar apo xhandar të Jugosllavisë së Parë ose ndonjë shok të tyre. Këta quheshin kriminelë dhe nuk përfitonin tokë. Një pjesë e shqiptarëve nuk kishte të drejtën e votës, kryetari (edhe pse familja ishte me 30 persona nuk kishte të drejtë të kërkonte tokën e saj). Kështu përsëri rreth 95% e serbëve dhe të malazezëve në Kosovë përfituan tokë. Nga reforma agrare, vetëm 5% e shqiptarëve përfituan, bile edhe këta jo plotësisht. Ku kishte bërë shtëpinë malazezi, aty kishte ujë e në zemër të tokës shqiptare. E ai kishte të drejtë aty të ndërtonte përsëri shtëpinë e tij. Me ligj nga lart ishte përcaktuar që serbi dhe malazezi që kishte shtëpinë aty, të kishte së paku 10 dynym rreth e rrotull shtëpisë. Kështu shqiptarëve u zvogëlohej toka dhe mbesnin me një sasi të vogël toke. Po qe se shqiptarët ankoheshin shumë për me fitue tokën e tyre, humbisnin edhe tokën që kishin me pretekstin se ishin shovinistë dhe po kërkojnë me mbjellë përçarje e vllavrasje. Arrestoheshin nga OZN-ja, torturoheshin ose edhe zhdukeshin dhe nuk u binte ndërmend me kërkue tokë.

Të gjithë ata shqiptarë, tokën e të cilëve e kishin marrë serbët e malazezët shikoheshin me sy tjetër nga pushteti. Vetë serbët dhe malazezët që ishin kojshi me ta sajonin gjithfarë rrenash e shpifjesh për ta duke thënë se mbajnë të arratisun, flasin kundër Titos. Mjaftonte një fjalë goje dhe shqiptarët merreshin nga organet e sigurimit, keqtrajtoheshin, i mbanin gjithë natën duke i rrahur dhe i lëshonin në mëngjes. Kur shkonin në shtëpi mbeteshin në dyshek për një muaj dhe nuk guxonin të tregonin se e dinin mirë se çfarë i priste… ndjekje, persekutime të tjera e deri marrje jete. Sipas organeve të sigurimit nuk arrestoheshin pse kishin folë e shpreh pakënaqësi për tokën që ua kishin marrë (në të vërtetë kjo ishte arsyeja), por se kishin qënë ballistë, kishin vrarë, kishin djegur shtëpi në Cernagore, kishin plaçkitë. Aq mirë i thurnin gënjeshtrat dhe intrigat, sa vetë këta të ndaluar fillonin të dyshonin për veten e tyre dhe kur lirohej në mëngjes ishte shumë i kënaqur se i shpëtoi jeta. E qepnin gojën dhe s’u dëgjohej më zëri. Ka pasë raste që tortura të tilla u janë bërë shqiptarëve edhe në shtëpitë e serbëve e të malazezëve. Merrte njerëz ushtria ose sigurimi dhe i futnin në stalla, ku flinin lopët e torturoheshin gjithë natën. Oficerët pinin raki e kërcenin në dhomë me vajza cernagorase, pikërisht me ato që i kishin raportuar shqiptarët. Oficerët e ushtrisë e të sigurimit e dëgjonin shumë fjalën e femrës. Për një fjalë të saj arrihej të vritej një njeri kot së koti, pa pasë ba kurrgja. Shqiptarin nuk kish kush e mbronte… Në katund përgjegjësi është serbi ose malazezi, përgjegjëse gruaje serbja ose malazezja, përgjegjës fronti po ashtu. Në qoftë se aty kishte organizatë bazë partie, përsëri në krye të saj ishte serbi, malazezi dhe njerëzit e OZN-ës. Kështu që zëri i shqiptarëve nuk dëgjohej, fjalët e tyre në mbrojtje të të drejtave të tyre binin në vesh të shurdhër.

Kishte raste (i kam parë me sytë e mi) vinin në Prizren me qindra shqiptarë për t’u ankuar për këto çështje te Fadil Hoxha, i cili ishte Kryetar Krahinor i Kosmetit, prisnin me ditë e javë të tëra për të hyrë brenda në zyrën e tij e për ta takuar, por nuk gjenin zgjidhje. Vetëm u thoshte se do ta shikojmë këtë punë. I pritshin me fjalë të mira, u thoshin të shkonin në shtëpi dhe do t’i njoftonin për zgjidhjen e ankesës. Nga ana tjetër OZN-ja i evidentonte, i mbante në shënim emrat e tyre, i merrte me sy të keq dhe shumë prej tyre përfundonin në burg. Asnjëherë nuk u thoshnin se po arrestoheshin se ishin ankue për pushtetin, por duke i akuzuar për përmbysjen e pushtetit. Pavarësisht se kishte qënë luftëtar i LANÇ-it ose e kishte ndihmuar atë, në qoftë se nuk i shkonte për shtat interesave të OZN-ës, ai arrestohej, dënohej si tradhtar i revolucionit dhe konsiderohej element i rrezikshëm për rendin kushtetues. Të gjithë elementet e sigurimit që nga oficeri i thjeshtë deri te Pronkoviçi e quanin veten superiorë, të pakufizuar në veprimet e tyre dhe ashtu ishin. Vetë ata shpreheshin hapur: “misno ozna, bog bogova” [ne jemi sigurimi, zot i zotave].

Nuk flisnin shumë, ishin të paarsyeshëm dhe nuk pranonin diskutime. Po thoshnin ata që uji shkon përpjetë dhe ndokush e kundërshtonte, për një herë ai hynte në regjistrin e tradhtisë. Kjo ishte fytyra e vërtetë e OZN-ës, e Sigurimit të Shtetit. Kur i akuzuari kundërshtonte shpifjet e saj, rrihej egërsisht me shkelma e dru dhe trupi i tij mpihej, bëhej gunga-gunga e kullonte gjak. Detyrohej me dhunë, me kërcënime për jetën e tij e të familjes për me firmos procesverbalin e rremë. Në krye të OZN-ës ishin njerëzit më të pashpirt e kriminelë, të cilët nuk lanë gjë pa bërë kundër shqiptarëve në Kosovë.

Nëpër qytete çdo ditë dhe natë ke muzikë në OZN. Populli e kishte mësuar melodinë e kësaj muzike dhe kur muzika fillonte, ishin duke u torturuar njerëz në qelitë e errëta të saj. Zhurma e muzikës e humbte të thirrurën dhe të bërtiturat e njeriut që torturohej. Një pjesë e madhe e popullit kur dëgjonte këtë muzikë, i ngrihej leshi i kokës përpjetë dhe i rrënqethej gjithë trupi se i kujtohej melodia e saj kur ai vetë kishte hequr të zitë e ullirit në duart barbare të bandës së Rankoviçit. Kjo ishte “liria” dhe “jeta e lumtur” e popullit të Kosovës, dhuratë e Titos dhe e këlyshëve të tij rreth e rrotull. Në një klimë terrori (që e përshkruem më sipër) filloi zbatimi i reformës agrare. Kjo u bë në mënyrën më të keqe, në dëm të shqiptarëve dhe të mirë në të serbëve e malazezëve. Shqiptarëve, përgjithësisht iu muar përsëri toka. Vlen të përmendim një shembull në Istok. Një familje e përbërë prej 30 e më shumë pjesëtarëve kishte shumë tokë. Por i mbeti një pjesë e vogël e tokës së parë. Një toka e tij i dhanë 20 dynym Kishës së Istokut. Shumë familjeve në Kosovë, të cilat ishin familje fshatare (nuk ishin as pari as tregtarë) u është marrë toka dhe janë lënë rrugëve. Më e keqja kanë hy me punue tokat e huaja për të nxjerrë kafshatën e gojës dhe për t’i dhanë padronit një të tretën. Bile kanë punuar si argatë edhe në tokën e tyre. Shumë serbë e malazezë, pasi kanë përfitue tokë nga reforma agrare ua kanë shitë prapë shqiptarëve. Ka pasë raste që i zoti (shqiptari) e ka blerë tokën e tij.

Serbët dhe malazezët që kishin marrë tokë nga reforma e ish-Jugosllavisë, jo vetëm që nuk ishin më me banim në Kosovë (jetonin në Serbi e Mal të Zi), jo vetëm që e ruanin të drejtën e pronësisë mbi këtë tokë, por iu punohej toka me skuadra vullnetare kosovare me parullën “të mos mbetet asnjë pëllëmbë tokë pa u punue”. Kur vinte koha për prodhimin, vinin edhe e merrnin ata, të cilët deri në atë moment kishin shëtitur kafe më kafe në Beograd ose vend tjetër. Shkonin në këshillin e fshatit dhe kërkonin ndihmë për ta çuar në grumbullim. Pushteti lokal mobilizonte popullin me kuaj e qe për transportin e të korrave e të vjelave, kurse lekët i fusnin në xhep serbët dhe malazezët. Veç marrjes së të hollave, pa bërë asnjë punë dhe pa derdhur pikë djerse, ata lavdëroheshin si shembull para popullit, duke i cilësue shumë të lidhur me pushtetin e që nuk iu dhimbsej asgjë për të. Në fakt këta grabisnin djersën e shqiptarëve në Kosovë dhe pushteti mezi priste me ua ble, duke shtuar kështu të ardhurat e tyre personale. Ka pasur edhe metoda të tjera … Pushteti detyronte katundin ta punonte, duke iu premtuar se do ta merrnin për vete prodhimin. Kur bereqeti ishte gati për t’u fshi ose korrë, vinin të zotët e tokës dhe e merrnin prodhimin. Fshatarëve iu kanë kthye një pagesë të vogël për punët që kishin bërë. Në Kosovë në vitet pas çlirimit 18% e fshatarëve ishin pa tokë (edhe pas zbatimit të Reformës Agrare), 15% nuk kishin tokë të mjaftueshme. Shitja e tokës ka qenë lejuar, deri në maj 1948 që u ndalue. Pra 33% e popullsisë në Kosmet shkojnë drejt varfërisë. Shteti ka fillue tregtinë me kulakët dhe me fshatarët e mesëm. Ata që e dorëzojnë në ndërmarrje prodhimin marrin bileta për ta blerë bukën me çmime të arsyeshme, kurse fshatarët pa tokë nuk kanë çfarë dorëzojnë e as nuk kanë për vete. Kështu ata blejnë me çmim të shtrenjtë në ndërmarrjen “Noma”, e cila ka marrë emrin nga populli me plot të drejtë “Noma e zezë”.

Genocidi serbomalazez ndaj shqiptarëve në Kosovë

Në Kosovë politikat serbe, edhe para vitit 1944, edhe pas vitit 1944 nuk kanë patur si synim zgjidhjen e drejtë të çështjes nacionale, përkundrazi janë bërë të gjitha përpjekjet që shqiptarët ta harrojnë nacionalitetin e tyre … me shtyp e me të gjitha format e propagandës. Është punuar sistematikisht e vazhdimisht që t’u mbushet mendja shqiptarëve ne Kosovë se po nuk qenë të lidhur me Republikën Popullore të Serbisë nuk mund të ecin përpara e të zhvillohen. Serbia është vendi i kulturës, i zhvilluar ekonomikisht dhe pa ndihmën e saj, Kosova nuk ka mundësi të përparojë. Me politikat represive dhe kolonializuese serbët ia arritën qëllimit që të shfrytëzojnë Banatën e Kosovën, si dy hambare të mëdha për interesat e tyre ekonomike.

Kosova e Metohija janë një vend shumë i pasur, me kushte natyrore shumë të përshtatshme për zhvillimin e bujqësisë e të blegtorisë, me nëntokë të pasur, e cila ka rezerva të mëdha kromi, qymyrguri, me Mitrovicën me ar, plumb, zink. Të gjitha këto pasuri grabiten nga serbët dhe nuk shkojnë për rritjen e mirëqënies së shqiptarëve në Kosovë. Në vitin 1947 kanë vdekë njerëz për bukë dhe bereqetet e saj të bollshme kanë shkuar në republikat e Jugosllavisë. Në Mal të Zi nuk ka vdekë askush për bukë edhe pse aty nuk prodhohet as 1/3 e nevojave të saj me grurë e misër. Në vitin 1947 shumë familje në Kosovë kanë ngrënë jonxhë, duke bërë lakrorë më pak miell misri, i cili u ka dëmtuar stomakun që ka çuar edhe në vdekje. Për këtë situate të rëndë autoritetet jugosllave ia hodhën fajin Shqipërisë, duke bërë propagandë në popull se duhet t’iua marrin ju bukën e ta dërgojmë në Shqipëri se atje po vdesin nga uria. Kosovarëve nuk iu dhimbsej buka për vllaznit e tyre në Shqipëri, por shtronin pyetjen, pse të mos jemi ne të bashkuar me Shqipërinë. Gjendja ekonomike në Kosovë sot (aktualisht) paraqitet jo e mirë dhe krahasuar me periudhën kur është çliruar, është shumë më e keqe. Kur u çlirua Kosova u mobilizuan të gjithë kuajtë, qoftë të ngarkesës, qoftë të shalës. Të ngarkesës u morën për nevoja të ushtrisë, ata të shalës u morën nga oficerët e ushtrisë dhe nuk u kthyen më. Kishte arritë që çdo komandant kompanie të kishte kalë shale e shumë herë edhe togkomandantët. Këto kafshë nuk u kthyen kurrë në Kosovë, kaluan në Serbi, Harvati e gjetiu. Po kështu edhe bagëtitë e trasha e të imëta u morën dhe u transportuan për në Serbi e Mal të Zi. Merren më shumë se sa mund të shtohen dhe numri i tyre nga viti në vit po zvogëlohet. Edhe për përmirësimin e racës nuk është bërë asgjë. Në të gjithë Kosovën është ngritur vetëm një qendër zooteknike (në rrethin e Gjakovës) e kjo më shumë për qëllime propagandistike se sa për të dhënë efekte pozitive në shtimin e përmirësimin e racës.

Një pjesë e madhe e serbëve dhe e malazezëve jetojnë në kuriz të fshatarëve kosovarë. Kur u kthyen në Kosovë, pushteti serb urdhëroi me detyrim që shqiptarët t’iu jepnin atyre bagëti (dele, lopë). Këta i mbajtën në verën e vitit 1945, ua morën qumështin, në dimër të vitit 1946, i prenë dhe e hëngrën mishin dhe në verën e vitit 1946 prapë u deshtë me iu dhënë bagëti fshatarët kosovarë. Kjo metodë, ku më shumë e ku më pak po vazhdon …  Nga ndihmat që jep shteti përfitojnë 99% e serbëve e malazezëve që jetojnë në Kosovë dhe vetëm 1% e shqiptarëve. Serbët e malazezët quhen heronjtë e çlirimit të Kosmetit dhe ata edhe pse kanë qenë deri në ditën e fundit të çlirimit çetnikë me pushkë në dorë, konsiderohen partizanë të parë në Kosovë dhe me këtë pretekst ndihmohen nga pushteti, jo vetëm kaq, por kudo që janë e ngado që vijnë, në zyrat e shtetit, në mbledhje të popullit, flasin lirisht, nuk çajnë kokën për pushtetin, ua kthejnë fjalën, nuk u binden urdhrave të tyre dhe as këshillohen as ndërshkohen për këto veprime, kurse shqiptarët një gjysmë fjale të thonë për pushtetin në formë pakënaqësie, arrestohen e dënohen pa mëshirë.

Shqiptarët në tokën e trojet e tyre shekullore janë shërbëtorë të policës serbe e malazeze. Nuk janë aspak më të lirë sot se në kohën e ish-Jugosllavisë së Vjetër. Për kosovarët nuk ka çlirim, por shtrëngim e pushtim. Gjatë 24 vjetëve të ish-Jugosllavisë nuk u ndërtua asgjë, vetëm dy rrugë që u nevojiteshin për të marrë materiale nga Kosova për t’i çuar në Serbi. Tani kemi një ndryshim, është ndërtuar edhe rruga e tretë: Prishtinë-Podujevë-Kurshumli dhe kjo vlen për të marrë sa më shumë nga Kosova produkte ushqimore e minerale. Pra nuk është ndërtuar për nevojat e popullit të Kosovës. Rrugët automobilistike në Kosovë në periudhën e dimrit mbyten nga balta. Pylli i madh i Deçanit (nga Peja në Junik), me dru të dobishëm për ndërtim (pishë e ah) është hequr nga inventari, Këshillit Krahinor të Kosmetit e iu ka dhënë Republikës së Serbisë ( Ministrisë së Pyjeve të Serbisë). Kosova varet nga Serbia për lëndët drusore, edhe pse pylli është në territorin e saj. Në qoftë se Kosova ka nevojë për dërrasa e lëndë të tjera drusore, mundet me i marrë vetëm me vendim nga Republika e Serbisë. Që nga çlirimi e deri tani në Kosovë nuk është mbjellë asnjë fidan për të shtuar sipërfaqen e pyllëzuar. Në Kosovë pyjet po priten e rrënohen nga Serbia për interesat e saj. Shumë shpejt aty do të ketë shumë pak sipërfaqe me pyje. Të gjitha format që përdoren kanë si qëllim rrënimin e ekonomisë së Kosovës dhe rritjen e varfërisë së shqiptarëve. Nuk tregohet kujdes për shëndetin e tyre. Ka njerëz me sifiliz, që vuajnë nga malarja, nga tuberkulozi e sëmundje të tjera. Edhe kur shkojnë në spital, me gjendje të rëndë nuk u shërbehet, përkundrazi i nxjerrin pa u shëruar, duke shpifur për ta: “ nuk rrinë urtë, bëjnë rrëmujë” etj. Nuk është shtuar asnjë spital në Kosovë pas çlirimit, bile as infirmieri. Në letër ka programe të punës së Kryqit të Kuq, por realisht nuk është bërë asgjë. Po kështu programe ka edhe nga Ministria e Shëndetësisë, por shërbimi shëndetësor është ai që ka qenë më përpara, si në kohën e ish-Jugosllavisë së Karagjorgjeviçëve.

Kosova emrin autonomi e ka formal. Në Kosovë nuk mund të bëhet asgjë pa urdhërat e Serbisë. Ja një shembull konkret. Kur unë isha në Kosovë Naçallnik Milicije (Drejtor i Policisë) i Kosmetit, ne nuk kishim në dorë për të transferuar një polic prej një poste në një tjetër brenda rrethit. Duhej të propozonim ne dhe vendimi (urdhëri) të vinte nga Beogradi. Për çdo punë duhej të vinte urdhëri nga Beogradi, ndryshe nuk pinte ujë. Kjo që është sot në Kosovë, nuk është as gjysëm autonomi, është varësi e plotë nga Serbia. Gjuha zyrtare është serbokroatishtja, korespondenca serbokroatishte. Çdo gjë si në Jugosllavinë e mëparshme. Në të gjithë sektorët e rëndësishëm në krye të tyre janë serbët dhe malazezët dhe atje ku janë shqiptarët, janë sa për sy e faqe, pa kompetenca dhe nuk i përfill e as nuk i pyet kush (edhe pse janë të pakët në numër). Drejtor i Punëve të Brendëshme është Spaso Gjakoviçi, nëndrejtori është serb. Populli e di se Drejtor i Punëve të Brendëshme nuk ka patur dhe këtë funksion e bën Fadil Hoxha. Kështu mashtrohet populli. Fadil Hoxha është Kryetar i Këshillit Krahinor, por punët dhe urdhërat kryhen e jepen nga Pavël Joviçeviç, sekretar i Këshillit Krahinor, nga Gjoka Pajkoviçi, sekretar i Partisë për Kosmet, nga Predrag Ajtiçi, sekretar organizativ. Përgjegjëse për personelin është një serbe, me emrin Ana, mbiemri nuk më kujtohet. Kudo në çdo sektor ku ka një shqiptar që është në krye , ka një serb ose malazez si zëvendës dhe shqiptarët janë në këto funksione formalisht, kanë çelësat e kashtës, siç thotë populli, marrin frymë për kapzerr (gurmaz) të të huajve (nënkputohet të serbëve e malazezëve), punojnë e bëjnë çfarë t’iu thonë ata. Drejtor i Drejtorisë së Brendëshme është Spaso Gjakoviçi, i cili ka në dorë të gjitha punët në Kosmet dhe ka aq kompetenca në Kosovë sa ka Rankoviçi për gjithë Jugosllavinë. Partia Komuniste e Kosmetit është një parti që keqpërdoret nga Beogradi për të fshehur kolonializmin e Kosovës nga Serbia, për të mashtruar shqiptarët në Kosovë, jo për të punuar për një të ardhme të lumtur të tij, siç e parasheh programi e siç duhej të ishte në të vërtetë. Çfarë edhe u ishte premtuar shqiptarëve që gjatë Luftës Antifashiste NacionalÇlirimtare.

Sigurimi në Kosovë nuk e pyet partinë dhe drejtuesit e saj shqiptarë, ka kompetenca me ba si t’i dojë qejfi. Partia punon për popullarizimin e sigurimit, si armë që mbron të drejtat e popullit. Por megjithë lëvdatat që Partia i thur armës së sigurimit, populli e njeh mirë dhe e ka provuar në kurriz të tij dhunën dhe terrorin e saj. Metodat e OZN-ës për të shtypur shqiptarët janë të shumta, të maskuara e të rafinuara. Me plot gojë e them se populli i Kosmetit nuk ka qenë më i shtypur as në kohën e ish-Jugosllavisë së Karagjorgjeviçëve, se sa është sot. Vetëm taktika ka ndryshuar. Tash në Kosovë është e lirë me folë në zyrë shqip, por në qoftë se nuk flet serbokroatisht, nuk shikohesh me sy të mirë. Në qoftë se nënpunësi është serb ose malazez duhet të flasësh serbokroatisht, përndryshe fol sa të duash ti shqip, por ai nuk të përgjigjet edhe po të dijë shqip dhe as nuk bëhet fjalë për zgjidhjen e hallit a të problemit që ke. Kështu popullit i imponohet me dashje apo pa dashje të flasë serbokroatishten.

Shqiptarët në Kosovë mbeten thjesht dhe vetëm punëtorë krahu për të bërë punët më të rënda e më të rrezikshme për jetën e tyre e më me pak pagesë. Nuk bëhet fjalë për kualifikimin e specializimin e tyre. Këta punëtorë dënohen e luftohen me pretekstin se “nuk punojnë, nuk kanë vullnet për të mësuar” dhe kur bëhen shkurtime, të parët hidhen në rrugë e pagesa nuk u jepet e plotë. Në minierën e Trepçës të gjithë shqiptarët janë vetëm punëtorë krahu, asnjëri prej tyre nuk është përgjegjës. Teknikët janë serbë e malazezë, 90% të fuqisë punëtore e përbëjnë shqiptarët. Ka shqiptarë që punojnë tash 15 vjet në këtë minierë dhe kanë mbetur thjesht punëtorë krahu, pa rritje kategorie e rroge.

Kur kam shkuar dhe i kam parë menjëherë më janë kujtuar vuajtjet e punëtorëve shqiptarë në Kuçovë në kohën e Italisë. I njëjti sistem po ndiqet sot edhe për punëtorët shqiptarë në Trepçe. Kështu veprohet edhe në minierën e Goleshit (Lipian) e gjetkë. Lufta kundër punëtorëve shqiptarë është shumë e çuditshme. Në rast se ndonjëri prej tyre është i aftë, shumë i zoti dhe pretendon të bëhet teknik , ky luftohet në këtë mënyrë:

  1. Mund të vihet teknik dhe i kërkohet punë më tepër se sa ka një teknik, me qëllim që të revoltohet e të kërkojë vetë të largohet nga kjo detyrë se nuk është i zoti me e krye.
  2. Akuzohet si element i dyshimtë, për vjedhje e akuza të tjera të sajuara dhe përjashtohet nga puna … e dënohet me burg. Të gjitha këto që shqiptarët të mos kërkojnë vende pune të kualifikuara, por këto t’i përfitojnë serbët e malazezët. Këta dhe vetëm këta t’i komandojnë shqiptarët dhe t’i udhëzojnë e t’i çojnë në frontet më të vështira. Në qendrat kurative si në Sanatoriumin e Deçanit, në shtëpitë e pushimit në bregdet e në zonat malore shkojnë vetëm serbë e malazezë, sepse zbatohet rregulli: në krye të listave janë teknikët, punëtorët e mirë dhe këta gjithmonë janë nga radhët e serbëve e të malazezëve. Me sistemin që po ndiqet as nuk ka për t’u ardhur radha ndonjëherë shqiptarëve.

Shqiptarët e Kosmetit janë myslimanë. Ata nuk e përdorin mishin e derrit. Me qëllim që punëtorët shqiptarë të mos hanë gjellë, autoritetet serbe e malazeze në qendrat e punëtorëve përdorin vetëm mishin e derrit. Kështu keq ushqehen, nuk marrin yndyrnat e vitaminat e duhura dhe jeta u bëhet e mërzitshme. Veç kësaj vuajnë edhe shpirtërisht, u shahet Zoti, feja. Shumë pak shqiptarë lavdërohen e shpërblehen. Vetëm serbët e malazezët i përfitojnë këto dhe nga privilegjet që kanë, qëndrojnë shumë lart dhe mburren. Nuk ka serb dhe malazez që nuk e mban veten në Kosovë si Hero i Luftës NacionalÇlirimtare, pavarësisht se mund të ketë qenë deri ditën e fundit të çlirimit çetnik dhe kundër LANÇ. Mjafton të jesh me kombësi, jo shqiptar që të konsiderohesh luftëtar i madh dhe i orëve të para. Ndonëse punëtorët shqiptarë në Kosmet punojnë shumë më tepër se serbët e malazezët, nuk shpërblehen me pretekstin se punojnë për dukje dhe me qëllim që të mbulojnë fajet që kanë bërë më parë. Sipas serbëve e malazezëve nuk punojnë me koshiencë, pasi nuk kanë koshiencë. Zoti i fabrikës dhe i stabilimentit është serb dhe malazez në Kosovë, kurse punëtorët shqiptarë janë shërbëtorët e tyre. Jetën e shqiptarëve e ka në dorë çdo serb e malazez. Mjafton që të shkojë në OZN-a një i ri 14 vjeç ose një plak 75 vjeç e të bëjë një shpifje për një shqiptar dhe shqiptari përfundon në burg, me një dënim të paktën 5-6 ditë, duke u keqtrajtuar. Bile edhe lavdërohen se po bashkëpunojnë e po ndihmojnë organet e pushtetit dhe propagandojnë në popull se nuk dënohen njerëz kot së koti pa faj.

Ja një shembull tipik që më ka ra me pa me sy: Hamdi Shehu nga Gjakova ishte një burrë rreth 45-50 vjeç. Në beharin e vitit 1948 e kapi OZN-ja, e arrestoi. Pasi e mbajtën në burg 2 muaj e liruan, mirëpo dorën e kishte të paralizuar krejt. Kur e pyetën të afërmit e tij dhe shokët se çfarë kishte në dorë, ai u tha se ishte ulur në karrike, kishte vënë dorën nën kokë dhe më kishte zënë gjumi. Ndejta kështu gjithë natën deri në mëngjes dhe dora më ishte paralizuar. Këtë Hamdiu e thoshte nga frika se dorën ia kishin thyer nga torturat. Ai nuk guxonte ta thoshte të vërtetën se e dinte se e priste vdekja. Raste të tilla ka shumë … Shumë shqiptarë në Kosovë janë torturuar në qelitë e OZN-ës dhe pasi kanë dalë nga burgu kanë lënguar e më në fund edhe kanë vdekur prej torturave, por nuk kanë guxuar as të shkojnë në spital me u vizitue se po ta merrte vesh OZN-ja do ta zhdukte fare. Tani shqiptarët e Kosmetit detyrohen me përdhuni me shkue mirë me fqinjët serbë e malazezë, vetëm e vetëm që këta të fundit të mos shpifin për ta se pastaj i pret vdekja. Me kritikue ndonjë person që është me shërbim në pushtet për gabimet që ai bën, në bazë të ligjit bën faj. Në vitin 1948 është arrestuar Sadik Tofoshiku, një shok që ka luftuar, ka vuajtur dhe është përpjekur vazhdimisht të japë ndihmën e tij për vendin e tij. Më 1943 ka ardhë në Kosovë (nga Shqipëria). Më 1945 emërohet anëtar i Komitetit të Shqiptarëve të Kosmetit. Ky komitet kishte për detyrë me mbrojtë të drejtat e shqiptarëve. Si anëtar i këtij komiteti filloi të punojë sipas udhëzimeve. Tek Sadiku vinin shumë shqiptarë dhe ankoheshin për krimet që u bëheshin shqiptarëve, për plaçkitjet, rrahjet, vjedhjet, ryshfetet etj. Përpiloi një statistikë me to dhe doli se ishin më shumë se 1800 shqiptarë që ishin zhdukur fshehurazi, pa e ditur kush si dhe pse. OZN-ja për të mos i dalë era kësaj pune (për të mos e marrë vesh publiku) në muajin qershor 1948 e arrestoi, e nxorri në gjyq dhe e dënoi me 13 a 20 vjet burg nuk më kujtohet mirë, duke e cilësuar si element kundër popullit e shtetit. Kështu thoshte pretenca e Prokurorit të Përgjithshëm, i cili ishte Ali Shukriu. Akuza e tij ishte fallco, e pavërtetë dhe e pabazuar në ligj. Dënimi i tij i padrejtë dhe i dhunshëm. Pas dhënies së pretencës folën nja dy shoqe dhe një shok që ishin përpunuar dhe porositur nga OZN-a, të cilët kërkuan dënimin e tij me vdekje. Askush tjetër nuk e hapi gojën.

Kushdo që flet ose pyet përse u kap filani, iksi ose ypsiloni,formon faj kundra popullit e shtetit dhe dënohet pa mëshirë. Kështu populli e ka të pamundur të flasë, trembet, frikësohet, pse e di se po të flasë do të shkojë në OZN-a (në vendin e torturës e të vdekjes). Populli shqiptar i Kosmetit përdor një fjalë popullore, e cila është trashëguar nga brezi në brez sipas së cilës “është më mirë kur të pyet kush a pe ose a dëgjove, me thanë jo, se përndryshe të del më keq dhe pasojat janë të paparashikuara dhe të rënda”. (Pe? S’pashë! Dëgjove? S’dëgjova!)

Populli e di për torturat e OZN-ës, edhe pse kjo përpiqet me terror, me demagogji e mashtrim t’i mbulojë, por nuk flet nga frika, bën sikur nuk di e nuk kupton gjë. E di familja për djalin e saj qe ka vdekur në dyshek nga torturat e OZN-ës dhe nuk guxon t’i thotë kujt, por thotë “pati ethe, e kapi malarja, nxori vrerë dhe vdiq”. Shqiptarëve në Kosovë u ka hyrë tmerri, frika në palcë nga OZN-a. Kur përmendet emri i saj ndihen keq, çorientohen, e humbasin orientimin dhe disave nga zori u bie edhe të fikët.

Në lidhje me aspiratën e shqiptarëve të Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë dua të theksoj: Këtë aspiratë, dëshirë e ka në shpirt çdo shqiptar. Është dëshira më e madhe e tyre, dëshirë që vlon në zemrat e shpitin e tyre. Nuk është një dëshirë që ka dalë pas Rezolucionit të Byrosë Informative, por ka qenë shumë kohë përpara, është sot e nesër…. do ta ruajë çdo shqiptar në shpirt deri në vdekje. Bashkimin me Shqipërinë e quan si gjënë më të shtrenjtë dhe e pret me padurim. Ndonëse nuk mundet të flasë, të shprehet hapur nga frika, e ka në shpirt sot e përgjithmonë. Për Komandantin, shokun Enver ka dashuri të madhe dhe besojnë në ndihmën e tij. Shumica e popullit shqiptar në Kosovë është i gatshëm të luftojë për t’u bashkuar me Shqipërinë. Kur vjen çështja e një lufte për të rrëzuar regjimin e Titos, e kanë më të vështirë, janë të pavendosur sepse nuk kanë besim të luftojnë krah për krah me popujt e tjerë të Jugosllavisë, sepse u zhgënjyen nga premtimet e PKJ gjatë LANÇ. Ju ka djegë qulli e i fryjnë kosit, siç thotë një fjalë e urtë popullore.

Me Luftën NacionalÇlirimtare kemi humbur shumë kredinë në popullin shqiptar të Kosmetit se u premtuem liri, vetëvendosjen, të drejta të barabarta me kombet e tjera të Jugosllavisë. Por këto nuk u realizuen, prandaj nuk është e kollajtë (e lehtë) të mobilizohen për një luftë çlirimtare kundër Titos se kanë frikë se luftojnë për të hequr thjesht një Tito e vjen një Tito tjetër.

Përgatiti për botim nipi i tij, Skënder Demaliaj-Doktor i Shkencave Psikologjike

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …