Shaban Haxhi Demaliaj ka lindur më 15. 4.1916 në fshatin Pac të komunës së atëhershme të Bytyçit (Malësi e Gjakovës) dhe ka vdekur, më 27.06. 1971 në vendlindjen e tij, në Pac.
Shaban Haxhi Demaliaj ka qenë komandant i Brigadës së VII Partizane Kosovare që nga krijimi i saj, më 11 nëntor 1944 deri në mars 1945. Në krye të kësaj njësie të madhe luftarake që arriti deri në 17 mijë luftëtarë (sa dy-tre divizione) Shaban Haxhi Demaliaj e drejtoi Brigadën në operacione të mëdha operativo-strategjike për çlirimin e Kosovës (qytetet Deçan, Gjakovë, Prizren, Prishtinë) dhe tokave jugosllave në Srem e Vojvodinë. Efektivi i madh i Brigadës lidhet me qëndrimin që mbante Komandanti dhe shtabi i saj ndaj djemve të Kosovës, përfshi edhe atyre, të ardhur nga formacione nacionaliste balliste ose të dezertuar nga ish divizioni “Skanderbeg”, të cilët nuk i kthente pas dhe nuk i dorëzonte sipas urdhrave të dhëna në duart e komandave të njësive jugosllave, që zbatonin eleminimin e tyre.
Njëkohësisht me luftën kundër pushtuesve nazifashistë, Brigada e VII Partizane Kosovare, nën komandën e shquar të Shaban Haxhi Demaliajt u bë mburojë e popullit shqiptar në Kosovë nga terrori i çetnikëve dhe njësive të Ushtrisë “Nacionalçlirimtare” Jugosllave që u sulën dhe ripushtuan Kosovën, më 1944-1945.
Duke e konsideruar një pengesë të pakapërcyeshme Brigadën e VII Partizane Kosovare, Komandantin dhe shtabin e saj, shtabi i Ushtrisë “Nacionalçlirimtare” të Jugosllavisë urdhëroi largimin e tyre nga Kosova për në Veri, në Frontin e Sremit. Siç dihet një pjesë e Brigadës, me zv/komandantin e saj, Shaban Polluzha, në ujdi të plotë me Shaban Haxhinë qëndruan në Kosovë dhe Drenicë për të vazhduar veprën e tyre në mbrojtje të popullsisë shqiptare nga terrori i paparë i Ushtrisë Jugosllave.
Shaban Haxhi Demaliaj përfaqëson tipin e rrallë të komandantit të një formacioni antifashist nacionalclirimtar dhe nacionalist njëkohësisht, një pozicion i veçantë, tepër i vështirë për t’u mbajtur në kushtet shumë të ndërlikuara që kishte krijuar në Kosovë sa pushtimi gjerman, aq dhe ripushtimi jugosllav i saj. Këtu qëndron edhe merita e tij e madhe dhe e veçantë në LANÇ në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Këtu qëndronte edhe “arsyeja” pse pas Luftës së Dytë Botërore, vepra e tij u vlerësua pjesërisht, madje gradualisht u la në harresë.
Shaban Haxhi Demaliaj edhe më parë kishte kryer detyra me rëndësi në LANÇ të popullit tonë si në aradhën “Curri-Rexhepi”, në krye të së cilës ai ishte emëruar zëvëndëskomandant. Ky formacion qe angazhuar në luftime të ashpra kundër sulmit të egër të reparteve të Wehrmahtit nazist gjerman në kuadrin e Operacionit “Pik” në dimrin e vitit 1944. Aradha ia doli të mbrojë forcat partizane nga asgjësimi dhe popullsinë e Malësisë së Gjakovës nga terrori nazifashist.
Në qershor 1944, nën drejtimin e Shaban Haxhi Demaliajt, forcat partizane në bashkëpunim edhe me çetën nacionaliste të Gani Kryeziut organizuan sulme të suksesshme kundër forcave gjermane që ruanin minierat e kromit në Kam, Kepenek, Zogaj e Lajthizë, u shkaktuan pushtuesve shumë të vrarë, të plagosur, robër dhe dëme materiale në miniera dhe çliruan krahinën e Bytyçit.
Këto forca, partizane të komanduara prej Shaban Haxhiajt dhe nacionaliste, të komanduara nga Gani Kryeziu, u vunë në mbrojtje të kësaj zone të lirë dhe të popullsisë së saj kundër hakmarrjes së egër të forcave pushtuese gjermane që e dogjën atë dy herë në verën e vitit 1944.
Shaban Haxhi Demaliaj ka qenë organizator dhe drejtues i LANÇ në Malësinë e Gjakovës e në Kosovë. Ai ka qenë iniciatori i krijimit të njësiteve të para Antifashiste Nacionalçlirimtare në Malësinë e Gjakovës: komandant i Njësitit të Bytyçit, komisar i Çetës partizane “Malësia”, komandant i Çetës partizane “Bajram Curri”, komandant i Batalionit partizan “Bajram Curri”, zv/komandant i Aradhës “Curri-Rexhepi”, komandant i Batalionit partizan “Kosova” e më pas, shef i shtabit të Brigadës së IV Partizane Kosovare.
Shaban Haxhi Demaliaj ishte organizator dhe drejtues i Kuvendit të Madh tek Ura e Kolgecajve, më 28 gusht 1943, në të cilën u vendos “Besëlidhja” e Malësisë së Gjakovës për luftë kundër pushtuesve.
Ai është organizator e pjesëmarrës në Konferencën Historike të Bujanit (31.12.1943-02.01.1944), Konferencës së Parë, Antifashiste NÇl të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, ku dhe është zgjedhur anëtar i Këshillit NÇl për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit.
Pas çlirimit të Shqipërisë, Shaban Haxhi Demaliaj ka kryer detyra më rëndësi në Ministrinë e Brendshme dhe strukturat vartëse të saj me gradën kolonel, kur që në dhjetor 1944 ai mbante gradën e nënkolonelit. Në këto detyra, ai u shqua për frymën e tij atdhetare e popullore, për marrëdhënie korrekte e humane me popullin dhe nuk u bë kurrë pjesë e kastës së egër të kësaj ministrie.
Shaban Haxhi Demaliaj pas çlirimit të Shqipërisë për kontributin e tij të shquar në Luftën ANÇ është dekoruar me Medaljen e Kujtimit, me Medaljen e Çlirimit dhe me Urdhëra të ndryshëm.
Por meritat dhe kontributi i Shaban Haxhi Demaliajt nuk janë çmuar dhe as nuk mund të çmoheshin në shkallën e duhur në sistemin totalitar. Kjo lidhej drejtpërdrejt me qëndrimin e sistemit dhe të udhëheqjes së partisë e të shtetit shqiptar të kohës ndaj çështjes së Kosovës dhe terrorit të njësive të Ushtrisë Jugosllave ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Emri dhe vepra e Shaban Haxhi Demaliajt, që ishte ndeshur e kishte luftuar si rrallëkush tjetër me këtë terror dhe e kishte dënuar atë me forcë (tanimë janë botuar kujtimet e tij “Masakra e Gjilanit”, bashkëlidhur, që autori e pat lënë në dorëshkrim), nuk u bënë të njohura, nuk u vlerësuan e nuk u çmuan. Doli në pension në moshën 50 vjeç, në vitin 1966 dhe u mënjanua si figurë e rëndësishme politike, ushtarake dhe shoqërore.
( Skënder Demaliaj, Shef i Departamentit të Shkencave politike dhe Administrative në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.