(Pjesë të shkëputura nga një shkrim më i gjatë)
Të mos më digjen librat, për shtëpi nuk mërzitem shumë
Mars 1999… Lufta po përhapej me të madhe në shumë pjesë të Kosovës, duke e bërë shkrumb e hi Drenicën e pjesë tjera të Kosovës. Ishin vrarë, masakruar e plagosur me mijëra pleq, burra, gra e fëmijë të pafajshëm.
Atëbotë punoja për OSBE, MVK (Misioni Verifikues i Kosovës), zyra në Vushtrri, në kuadër të degës së Mitrovicës.
Derisa atë pasdite marsi po ktheheshim me veturën xhip TOYOTA ngjyrë portokalli (atë ngjyrë kishin gjithë automjetet e OSBE – KVM), nga patrullimi rutinor nga Sllakoci/Gryka e Cecelia (më heret po atë ditë kishim shkuar deri në lagjen “Kolonia” në Trepçë, pastaj Gojbulë, Karaqë e Skromë), përmes radio lidhjes u informuam për një zjarr që kishte shpërthyer në fshatin Stanovc. Nuk ishim të detyruar të shkonim, pasi kishte të tjerë zyrtarë te KVM që mund ta bënin këtë, porse austriaku Piter, i cili atë ditë ishte udhëheqës i patrullës, trim e kureshtar (mbante mustaqet ala Adem Jashari), iu drejtua ndihmësit të tij, ukrainasit Jurij:
– “Duket interesante. Si thua, të shkojmë e shohim se ç’po ngjet atje?”
– “Ok”, ia ktheu ky i fundit pa fije entuziazmi!
Patrulla e përbërë nga dy verifikatorë ndërkombëtarë, dhe unë në cilësinë e asistentit, ia mësyem Stanovcit. Derisa po udhëtonim magjitrales në drejtim të Prishtinës, nga e majta dukej një tym i madh e i dendur. Kur po vinim në vijë me tymin nga ana e majtë, xhipi ynë i blinduar e lëshoi asfaltin e ktheu në rrugën që shpiente në drejtim të zjarrit…Përpjeta qe e lehtë e pas pak pamë zjarrin për të cilin kishim ardhur. Ishin disa mullar sane e kashte të cilët pothuaj ishin djegur plotësisht. Fshatarët kishin braktisur shtëpite e tyre nga frika e sulmeve serbe, andaj nuk dukej njeri aty pari.
– “Mullarë sane të diegur, të kthehemi”, sygjeroi Jurij.
– “Jo, dua të shohë më shumë!” nguli këmbë Piter dhe vazhdoi të voziste përpjetë rrugës me lëndina që kishin filluar ngapak të gjelbëroheshin nga të dya anët. Me gjasë ndonjë traktor, kohë më parë pas shiu, i kishte lënë vijat e rrotave si dy brazda të thella, kështuqë çdo devijim nga ato e tanime kur ishin tharë ç’ekuilibronte automjetin. Tanimë kishim çka të shihnim: Në anën e djathtë, pra nga ana jugore, në luginë të lehtë dukej fshati Gracë, i banuar kryekput nga romë ortodoks që flisnin serbisht. Shiheshin mbi dhjetë tankse të ushtrisë serbe të kthyera me tyta nga ana përëndimore, e që për shënjestër kishin fshatrat shqiptare rrëzë Qyqavices! Ishin të maskuara pas disa shkurreve e shelgjeve. Zatën ato ditë kishte granatime të shpeshta të atyre fshatrave. Sapo kishin vrejtur mysafirët e padëshiruar, automjetin e OSBE-së, serbët menjëherë hapën zjarr me armë të lehta në drejtimin tonë. Xhipi ynë i blinduar nuk cenohej nga armë të tilla. Jurij, i cili fliste bukur anglisht, tanimë i kishte dhënë alarmin gjithë Misionit përmes radios:
– “We are under fire, we are under fire!”
– “My God, this is becoming exciting”, thirri Piter duke qeshur me ngazëllim!
Kishim mbërrijtur në një pikë të kodrinës nga shpiente rruga, ku mund të ktheheshim në të majtë, pra tash në drejtim të veriut, e pas pak xhipi ynë, duke dalur nga “brazdat” e cekura me lartë, kërceu si një dem i tërbuar i koridës spanjole. Më në fund u lëshuam teposhtë shpatit i cili na mbulonte mrekullueshëm nga prapa, kështuqë tashmë ishim jashtë domenit të shënjestrës serbe. Para nesh pamë se si nga larg dikush po vraponte në drejtim tonin me një elegance prej sportisti. Pas pak dalluam se ishte një vajze veshur me tuta sportive te zeza “Adidas”. Ajo ishte shumë e merakosur mos na kishin qëlluar, ngase kishte dëgjuar të shtëna në drejtim tonin. Na tregoi ate që tanime e kishim vrejtur, se banorët kishin braktisur fshatin dhe se ajo vet kishte mbetur për t’i lëshuar bagëtinë nga gjithë ahuret e për t’u dhënë ujë.
Pasi u bind se ishim shëndosh e mirë, ajo, sipas mikpritjes shqiptare, na sygjeroi të pushonim pak në odë e t’na shërbente kafe. “Pse jo?” komentoi Peter duke e falenderuar. Pa humbur kohë na priu për në odë, e cila ishte ndaras nga shtëpia. Ajo na tregoi se që nga mëngjesi serbët kishin shtënë në drejtim të fshatit, e njejt kishte ndodhur edhe një ditë me heret. Shihej se ishte trime që nuk i trembej syri. I zdathëm këpucet e u futem brënda. Nuk vonoi e një fshatar na u bashkangjit në odë, e pasataj edhe një tjetër, e pas nja dhjetë minutash, oda u mbush plot me fshatarë të trembur e kurshtarë. Në mesin e tyre qe edhe një tregtar nga fshati, mik i babait tim të ndjerë. I përlotur erdhi e më përqafoi me shumë dashamirësi!
Ndër të fundit që na u bashkua në odë qe kushëriri i nikoqires tonë, kolegu im i ri, Skender Bllaca, absolvent i gjuhes angleze, i angazhuar rishtazi si mësimdhënës në gjimnaz. Ishim parë kalimthi disa herë në punktin e mësimdhënies, në objektin e shkolles fillore “Rilindja” ne Maxhunaj, ku ishim të angazhuar me kolegë tjerë. Me këtë rast na luti t’ia benim një të mire – t’ia merrnim për t’ia ruajtur nja 4-5 libra të çmuar në gjuhën angleze. Aq te çmuar konsideronte ata libra, sa që, si na tha, nuk do të mërzitej fare nëse i digjej shtëpia, me kusht që t’i shpëtonin librat! Kjo më bëri shumë përshtypje, ngase me kujtohej kur ne gjeneratat e vjetra të mësuesëve të anglishtes e kishim enderr t’a kishim ndonjë libër anglisht! Isha i bindur se kjo do t’u bënte shumë përshtypje edhe verifikatorëve! Për t’a fuqizuar më shumë këtë, i sygjerova Skenderit t’ua thoshte atë vet në anglisht verifikatorëve. Ai me urtësi më tha se donte t’a respektonte kodin e punës, pra që unë të përktheja. Ashtu vepruam. Piter u ngazellya nga këkesa, e përkunder rregullit që nuk e lejonte një gjë të tillë, tha se do t’i mirrnim librat, të cilat Skenderi na i solli kur ne kishim hipur në xhip. “Kur të digjet shtëpia, le të digjen edhe librat!” e ngacmoi Skenderin Piter.
E fundit u nda nga ne ajo që na kishte pritur e para, vajza trime emrin e së ciles e mësova me vonë – Bahrije S Bllaca.
Pas disa ditësh derisa po kaloja pranë kalasë së qytetit e takova Skenderin me disa shokë të tij. I thashë se mund t’ia sillja librat brenda disa ,minutash. “Jo” me tha, “jam shumë i kënaqur që janë tek ti, mbaji, e nëse jemi sh’nosh, m’i kthen me vonë”.
Dy-tri ditë më vonë morëm vesh lajmin e hidhur, se mësimdhënësi Skender u vra në magjistralen Prishtinë – Mitrovicë, në dalje të qytetit të Vushtrrisë. Madje këtë informatë të Qendres Informative te Kosoves (QIK), e “gjeta”keto ditë në internet, në gjuhën angleze, lëshuar nga OSBE:
Albanian Teacher of English Found Murdered at the Edge Vushtrri
PRISHTINA, March 23 (KIC) – The body of Skënder Bllaca (30), teacher of English with the Muharrem Bekteshi high school in the town of Vushtrri, was found today morning along the Prishtina-Mitrovica highway, at the entrance to Vushtrri, near a gas station, local LDK sources said.
They failed to say how Mr. Skënder Bllaca (30), resident of Stanovc i Epërm village, was murdered.
* * *
Janë mbushur 18 vite nga dita që librat në fjalë gjendeshin në raftin e librave të mi…Menjëherë pas lufte, kur si shumë të tjerë në Kosovë vuaja nga sindromi post traumatik, më dukej s’i t’ishin një peng imi. Mikut e ish nxënësit tim të çmuar Veli P. nga Stanovci, i cili vinte shpesh në zyrën time ato ditë pas lufte, e i cili edhe e kishte njohur mirë Skenderin, i sygjerova që bisedonte me familjen e ketij te fundit, që librat t’ua ktheja. Ai më premtoi se do të bisedonte për këtë me nanën plakë të mësuesit martir. Ajo kishte mbetur fillikat e vetme në shtëpi. Veliu më tha se pas bisedës me të, ajo i kishte thënë se librat vetëm sa do t’a mërzisnin më shumë, andaj më porosiste që t’i mbaja…
Sot, pas kaq vitesh, në këtë përvjetor dhembjeje e krenarie të rënies së tij, librat ia dorëzova bibliotekës se gjimnazit “Eqrem Cabej”, si simbol i përkushtimit të mësuesit martir. Mijëra nxënës të kësaj shkolle me nam do të mësojnë për sakrificën e mësuesve të tyre ndër dekada.