Pas përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në qershor të vitit 1999 dhe hyrjes në Kosovë të forcave të KFOR-it, si dhe të misionit të UNMIK-ut, shumë luftëtarë dhe eprorë nga viset shqiptare të “Iliridës” dhe të Kosovës Lindore, që kishin luftuar në radhët e UÇK-së, filluan aktivitetet luftarake për vazhdimin e çlirimit të trojeve të tjera të robëruara të Shqipërisë. Për dallim nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila në kushte dhe rrethana të ndihmës që mori nga Aleanca Ushtarake Veriatlantike, u kurorëzua me sukses, UÇPMB-ja dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare u detyruan ta ndërprejnë aktivitetin ushtarak nën presionin e madh të politikave zyrtare vasale të Tiranës e Prishtinës, por edhe të shteteve që kishin përkrahur luftën e Kosovës. Në kushte dhe rrethana të tilla, u nënshkrua marrëveshja kapitulluese e Konçulit, në shkurt të vitit 2001, si dhe Marrëveshja e Ohrit, në gusht të vitit 2001, marrëveshje këto që nuk u përfillën as u realizuan nga Beogradi dhe Shkupi zyrtar. Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua në kohën kur Ushtria Çlirimtare Kombëtare kishte krijuar epërsi në terren kundër ushtrisë maqedonase, pikërisht në kohën kur luftëtarët shqiptarë po përgatiteshin të hynin në Shkup dhe kur admirali i NATO-s, Xhonson, i kishte thënë publikisht kreut të Shkupit se duhej ta nënshkruante marrëveshjen, meqenëse nuk do ta fitonte dot luftën kundër shqiptarëve. Një pjesë militante e luftëtarëve të lirisë nuk u pajtua me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk realizua as po realizohet dot. Njëri prej eprorëve të Ushtrisë Çlirimtarëve Kombëtare, i cili nuk u pajtua me dhurimin e fitores shtetit antishqiptar maqedon, ishte edhe militanti i lirisë, Shaban Zenuni, luftëtar i njohur i çlirimit të viseve të robëruara të Shqipërisë.
Shaban Zenuni u lind më 5 gusht të vitit 1974 në fshatin Merovë, të komunës së Zhelinës të Tetovës. Në moshë të re Shabanit i vdiq babai. Ai kaloi një fëmijëri të rëndë në skamje dhe pa kujdesin e babait.
Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje, Shaban ashtu sikur edhe disa bashkëmoshatarë të tij, shkoi në Arabi dhe vazhdoi shkollën e mesme në Damask te Sirisë. Atje mbaroi institutin 6 – vjeçar për mësimet fetare islame. Meqenëse ishte pjesëtar i një familjeje të varfër, ai nuk i vazhdoi studimet e larta, ndërkohë që kthehet në vendlindje dhe fillon punën duke shërbyer imam në xhaminë e fshatit, Merovë, aty ku kishte shërbyer edhe i ati.
Më 1998, për shkak të mospërballimit të kushteve të rënda ekonomike Shaban Zenun, detyrohet të marrë rrugën e mundimshme, të vështirë dhe të paparashikueshme të kurbetit, ku u vendos në Itali. Atje punoi disa vite deri në kohën kur në Iliridë kishte filluar lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Në vitin 2001, si shumë atdhetarë të tjerë iu bashkua radhëve të kësaj ushtrie.
Duke parë shkathtësitë dhe vendosmërinë e Shaban Zenunit, Shtabi i Përgjithshëm e kishte caktuar Komandant i Batalionit të Katërt të Brigadës 112 “Mujdin Aliu”.
Gjatë luftës së vitit 2001, Shaban Zenuni kishte treguar aftësi të jashtëzakonshme ushtarake. Ishte dalluar si epror meritor. Për aktivitetin e jashtëzakonshëm luftarak, batalioni, të cilin e udhëhiqte Shaban Zenuni, i njohur me nofkën “Komandant Hoxha” ishte shpallur batalioni më i suksesshëm në nivel të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Pas përfundimit të luftës dhe fillimit të konsultimeve për tranfsormimin e UÇK – së në subjekt politik, në takim me eprorët e UÇK – së bashkë me Ali Ahmetin e të tjerë, Shaban Zenuni kishte ngritur çështjen kyçe ekzistenciale. Ai kishte pyetur dhe në të njëjtën kohë kishte konstatuar se “ne po i dorëzojmë armët, por ju e dini se shkau (sllavi) nuk ka besë e nëse nuk realizohet Marrëveshja e Ohrit, ju lutem shokë a jeni në gjendje që të vazhdojmë luftën?”. Shumica e pjsëmarrësve kishte heshtur, por Shabani e kishte përgjigjen me vete bashkë me Harun Aliun – Kushtrimin.
Të ashtuquajturit komandantë, të frikësuar se mos do të dalin para gjyqit të shtetit, kishin harruar të gjitha idealet. Në një rast Shaban Zenuni atyre u kishte thënë: “O burra, edhe pse nuk kam bërë kurrë krime, nëse mendoni se janë realizuar idealet tona unë vullnetarisht shkoj edhe në Hagë”.
I pakënaqur me zhvillimet e pasluftës, në mungesë të amnestisë për luftëtarët shqiptarë dhe i akuzuar për vepra penale të pakryera, detyrohet që përsëri të marrë rrugën e kurbetit. Nuk mund të kthehej lirshëm në shtëpinë e tij, ku kishte nënën plakë e të sëmurë, bashkëshorten dhe tre bijtë, farefisin dhe shokët.
Shabani, në kushte dhe rrethana të ilegalitetit kontakton me Harun Aliun dhe bashkëluftëtarë të tjerë të UÇK-së, duke kaluar kohën ilegalisht dhe duke bërë plane për vazhdimin e luftës, meqenëse Marrëveshja e Ohrit nuk po realizohej dhe shqiptarët vazhdonin të diskriminoheshin e të vriteshin në prita të policore, ashtu sikur ishin vrarë dhjetëra ish – luftëtarë, në Brodec të Tetovës, në nëntor të vitit 2007.
Më 12 maj të vitit 2010, natën vonë, Shaban Zenuni ndodhej në furgonin që po udhëtonte nga Kosova për në Maqedoni, së bashku me Harun Aliun dhe dy bashkëluftëtarë të tjerë. Ai bie në pritë të forcave policore maqedonte, në afërsi të Radushës. Policët e Shkupit atë natë maji sulmuan me armë të rënda zjarri furgonin me ç’rast ranë duke fituar përjetësinë: Shaban Zenuni, Harun Aliu nga Shkupi Kemal Mustafa nga Gërçeci i Shkupit dhe Xhafer Shala nga Kosova.
Shaban Zenuni është shpallur dëshmor me vendimin e Shoqatës së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës së UÇK-së “KALAJA”, në mbledhjen e kryesisë qendrore të këtij asociacioni, mbajtur më 19. 5. 2010. Në një vendim të publikuar nga kryesia e shoqatës thuhet: “Duke analizuar punën e tij që nga periudha e ilegalitetit e deri në luftërat e fundit të popullit shqiptar të zhvilluara në ish-Jugosllavi unanimisht morëm vendim që njeriun e celulave të para të lëvizjeve kombëtare Harun Aliu, i njohur me nofkën “Komandant Kushtrimi” ta shpallim Dëshmor të Kombit”-thuhej në komunikatë. Po ashtu në këtë mbledhje u vendos që edhe Shaban Zenuni, Komandant Hoxha” të shpallet Dëshmor i Kombit për kontributin e dhënë gjatë luftës së vitit 2001, si dhe për besnikërinë që tregoi për Komandant Kushtrimin deri në ditën e vrasjes së tyre makabre nga pushteti sllavo-maqedonas në bashkëpunim me vasalët e tyre”.
Dëshmori Shaban Zenuni ka lënë tre bij, bashkëshorten dhe nënën. Familja e tij vazhdon të jetojë në një shtëpi të vjetër, në oborrin e xhamisë së fshatit, në mungesë të kushteve minimale për ekzistencë. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …