Shaban Elezi u lind më 27 prill 1958 në fshatin Sllatinë të Kaçanikut, në një familje me traditë atdhetare. Mësimet e fillores, katër klasat e para i kreu në vendlindje, kurse katër vitet pasuese në Doganaj. Shkollën e mesme e kreu në Kaçanik. Punoi në kombinatin “Sharri” në Han të Elezit. Pas kthimit nga shërbimi ushtarak në armatën jugosllave të cilin shërbim e kishte kryer në Mostar të Bosnjës, ai përsëri vazhdoi punën e mëparshme. Në shkurt të vitit 1994 inspektorët serbë e morën në pyetje, duke e keqtrajtuar dhe duke e lënduar fizikisht. Këto keqtrajtime dhe maltretime vazhduan edhe në vitet pasuese deri në vitin 1998, kur Kosova u shndërrua në arenë të luftës çlirimtare.
Kontaktet e para me UÇK-në, Shabani i vendosi përmes djalit të vëllait të vet, Nexhmedinit dhe nga ai moment u vu në shërbim të UÇK-së, duke ndihmuar në furnizimin dhe në pritjen e përcjelljen e ushtarëve të UÇK-së, si dhe duke vëzhguar lëvizjet e forcave policore e ushtarake serbe në këto anë, për të cilat e njoftonte komandën e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, kurse më 15 shkurt 1999 u rreshtua në radhët e UÇK-së në Batalionin e Parë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Ai ishte pjesëmarrës i shumë betejave në trevën e Kaçanikut si në Gajre, Ivajë, etj. Përveç pjesëmarrjes në fushëbeteja, Shabani mbështeti edhe furnizimin e UÇK-së me pajisje luftarake, ushqim e veshmbathje. U angazhua edhe në përcjelljen e eprorëve të UÇKsë për në Maqedoni në rastet kur ata largoheshin nga Kosova. Shtëpia e tij ishte pikë- takim dhe bazë për shumë ushtarë të UÇK-së, pasi tërë familja e tij ishte vënë në shërbim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lufta dhe sulmet e forcave serbe kundër pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk po pushonin. Për t’iu shmangur caqeve serbe, banorët sidomos të fshatrave pranë rrugëve regjionale, detyroheshin të zhvendoseshin në vendstrehime të caktuara. Një ofensive të tillë, më 13 prill 1999, iu ekspozua edhe fshati Sllatinë i luftëtarit Shaban Elezi, ku ishin strehuar edhe banorët e fshatrave Duraj, Elezaj, Rakaj e Doganaj. Një kontribut të madh për mbrojtjen e popullatës civile kishte dhënë ushtari Shaban Elezi.
Në orët e hershme të mëngjesit të 13 prillit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe rrethuan fshatrat Sllatinë dhe Vata. Pas granatimit, këmbësoria e ushtrisë dhe policisë serbe arrin të hyjë në këto fshatra, ku dogjën e shkatërruan shtëpitë. Gjatë këtij aksioni u vranë 13 civilë, kurse popullata civile u largua në drejtim të Maqedonisë. Zjarri dhe gjerësia e ofensivës përfshiu edhe disa lagje të fshatit Vatë e Epërme, Lamaj, Cakaj, Tifek etj. Nga popullata civile u vranë: Ilir Caka, Jakup Caka, Mahmut Caka, Qemal Deda, Nazmi Elezi, Vesel Elezi, Brahim Lama, Hebib Lama, Izahir Salihu, Kemajl Salihu, Sabit Salihu e Shyqeri Halili. Në mbrojtje të popullatës civile po këtë ditë ranë ushtarët: Hysen Elezi e Ramadan Xhokli, ndërsa u plagos ushtari Ramadan Murseli. Këto luftime të ashpra dhe vrasja e civilëve, si dhe rënia heroike e bashkëluftëtarëve të tij, Shabanin e kishin prekur thellë në zemër, por edhe e kishin mobilizuar për ta çuar deri në fund luftën kundër pushtuesit serb. Në luftimet e radhës, Shabani së bashku me shokë, bëri rezistencë të madhe. Më 27 prill 1999, në betejë kundër forcave serbe bie heroikisht në fshatin Sllatinë. Në momentin e rënies së Shabanit ishte edhe bashkëluftëtari i tij i ngushtë, Nijazi Elezi.
Pas përfundimit të luftimeve në fshatin Sllatinë, bashkëluftëtarët e Shabanit e tërheqin trupin e tij dhe komanda e Batalionit të Parë e organizoi varrimin e tij me nderime ushtarake. Pas luftës u bë rivarrimi i tij me nderime ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik. Shaban Elezi ka qenë i martuar me Bademe Elezin, me të cilën pati tre fëmijë: Albanin, Eminen dhe Vetonin. Ka lënë nënën Hysën dhe vëllezërit, Tafën e Samiun.
Emri i dëshmorit Shaban Elezi është skalitur në përmendoren e ngritur te vendi i rënies në Sllatinë, në përmendoren te Parku i Qytetit në Kaçanik dhe në përmendoren e dëshmorëve të UÇK-së në Marinë të Skënderaj.
Në shenjë respekti për veprën heroike të dëshmorit, familja Elezi ka marrë mirënjohje nga Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga Këshilli Komunal i Kaçanikut, si dhe Komanda e Zonës së Gjashtë e TMK-së, me rastin e organizimit të manifestimit “Flaka e Janarit”. (H. K.)