Shaip Muja: Thirrje pozitës dhe opozitës që të bisedojnë për tejkalimin e krizës politike

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Shaip Muja, u ka bërë thirrje pozitës dhe opozitës të ulen dhe të bisedojnë për tejkalimin e krizës politike. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka thënë se do të ishte gabim i madh nëse do të lejohej që dikush nga jashtë të vijë dhe ta menaxhojë situatën e dialogut. “Edhe në këtë rast duhet të bisedojmë ndërmjet vete, sepse gabimi më i madh do të jetë nëse opozita do të lejojë që dikush nga jashtë të vijë dhe ta menaxhojë situatën e dialogut. Kjo do të jetë e dëmshme për të gjitha palët. Momentalisht pozita dhe opozita duhet të ulen dhe t’i marrin përgjegjësitë, dhe mbi bazën e debatit ta gjejnë mesataren e vlerësimit politik”, ka theksuar ai.  Muja ka thënë se marrëveshja për demarkacionin dhe ajo për asociacionin momentalisht janë pa efekte juridike dhe ka mundësi të rivlerësohen. Sipas tij, opozita e ka arritur qëllimin, meqë asnjë deputet në Kosovë nuk e miraton demarkacionin në formën aktuale. “Demarkacioni dhe asociacioni nuk janë Gjykatë Speciale. Kjo është një natyrë krejt tjetër e problemit dhe nuk e besoj se gjen ndonjë deputet të pozitës i cili më sy mbyllur do ta votojë çështjen e demarkacionit apo të asociacionit.


 


14. 12. 2015   ora 6 dhe 8.00


 


Pasi ka thirrur seancën plenare të Kuvendit për  sot  pa arritur marrëveshje paraprake me opozitën e bashkuar, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i ka bërë thirrje opozitës që të marrë pjesë në seancë dhe të mos e përjashtojnë vetën nga punimet e Kuvendit. Opozita ka bërë të ditur se  është e vendosur që të mos e lejojë vazhdimin normal të punës së Kuvendit dhe institucioneve të tjera, pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.


 


Adem Grabovci i PDK-së gjatë një interviste për KosovaPress ka deklaruar se seanca e së hënës do të mbahet edhe përkundër presioneve e bllokadave që mund të ndërmarrë opozita. Do të vendoset për buxhetin e vitit të ardhshëm dhe kjo do të bëhet. “Kemi caktuar seancën e radhës, jemi të vendosur që të vazhdojmë tutje me gjithë pengesat që mund të na dalin, për të penguar punën e Kuvendit ne do të bëjmë përpjekje që t’i përmbushim obligimet tona. Seanca e së hënës do të jetë një nga seancat me të rëndësishmet, sepse presim të votohet dokumenti me i rëndësishëm që ka ndikim drejtpërsëdrejti në çdo familje dhe çdo qytetarë të Kosovës, pra është buxheti i Kosovës. Pa aprovimin e buxhetit, do të paralizohet në tërësi  dhe shteti. Prandaj ne jemi të thirrur që të bëjmë zgjidhje dhe jo bllokada ka thënë Grabovci duke treguar përkushtim për mirëqenien e popullit. Ai pretendon ta bind opinionin se buxheti paska ndikim te çdo familje.


 


Në përpjekje për të paraqitur shifra që tregojnë se koalicionin qeveritar PDK-LDK po i mban premtimet dhe po hap vende të reja pune,  ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, përmes një shkrimi ka bërë të ditur se të dhënat zyrtare dëshmojnë se numri i atyre që kanë zënë punë,  në periudhën Janar 2015 – Tetor 2015, nuk është rreth 6000 sikur ishte publikuar shifra zyrtare,  por rreth 15.000. Zbutja e papunësisë sipas tij është shënuar edhe me pensionet që Qeveria ka filluar t iu paguajë rreth 13.000 veteranëve, edhe pse paga e tillë nuk mbrrin 50 për qind e pagës mestare. Sipas kësaj logjike del se edhe asistenca sociale duhet të llogaritet punësim. Po ashtu ministri Abrashi ka bërë të ditur se është pakësuar numri i punëkërkuesve, por nuk ka dhënë sqarime se ky pakësim ka të bëjë me fatin se gjatë vitit të fundit nga Kosova kani ikur rreth 100.000 qytetarë, pjesa dërrmuese e tyre e pa punë. Ministri nuk ka bërë të ditur edhe faktin se 50 për qind e të papunëve në vendin tonë nuk lajmërohen fare  në byrotë e punës, sepse janë të sigurtë se nuk gjen punë. Për ta gjetur numrin e saktë të të papunëve në Kosovë, ministria duhet ta japë shifrën zyrtare të atyre që marrin paga nga Buxheti i Kosovës, sikur janë shëndetësia, arsimi, inistucionet, Policia, FSK-ja etj. Sektori privat në Kosovë është informal, sezonal dhe nuk garanton paga të qëndrueshme.


 


Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për medie ka sqaruar rrethanat e  aksionit të fundit ku është goditur me ngjyrë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi. Në njoftimin e Vetëvendosjes, thuhet se Alban Makolli ka rrëfyer për dhunën të cilën ka përdorur policia ndaj tij pas përfundimit të aksionit . “Unë kam qenë i arrestuar në vend të ngjarjes ku kanë qenë rreth gjashtë policë të njësisë speciale të rajonit të Mitrovicës, të cilët më kanë arrestuar dhunshëm. Ata kanë vazhduar të më godasin dhe të më fyejnë deri në momentin që ka arritur vetura e policisë me të cilën më kanë shoqëruar në stacion. Mua më kanë dërguar në stacionin ‘92 Qendra’ ku më ka marr një polic dhe më ka dërguar në njërën prej dhomave të stacionit”, ka thënë Makolli. “Në atë dhomë ky polic vazhdimisht më ka pyetur se kush më ka dërguar, ku e kam marr ngjyrën dhe njëkohësisht më ka fyer, keqtrajtuar e goditur në kokë dhe në brinjë. Kjo rrahje ka vazhduar për disa minuta gjë që ka shkaktuar që unë të humbasë vetëdijen. Pasi që është larguar polici nga dhoma kanë ardhur dy pjesëtarë të njësisë speciale të rajonit të Mitrovicës, të cilët po ashtu më kanë rrahur e ofenduar duke më pyetur se pse e kemi goditur ministrin Abrashi me ngjyre dhe si kemi guxuar ta bëjmë një gjë të tillë në prani të policisë. Në fund më kanë dërguar në dhomë bashkë me aktivistin Januz Shatri i cili po ashtu ishte arrestuar atë ditë, ku jemi mbajtur për 24 orë”, ka thënë më tej ai.


 


Pas reagimit të zyrës për informim të Policisë së Kosovës, se informatat e Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, në lidhje me pranimin e uniformave nga ana e policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës dhe mos bartjen e tyre nga pjesëtarët e saj atje nuk është i vërtetë, KosovaPress sjell fakte të reja për të konfirmuar vërtetësinë e lajmit në lidhje me mos bartjen e uniformave të reja nga policët në veri të vendit. Uniformat e reja të Policisë të cilat përmbajnë simbole të shtetit të Kosovës, dhe të cilat janë dorëzuar më 26 nëntor të këtij viti për 35 pjesëtarë të Njësitit për Reagim të Shpejtë, në kuadër të Drejtorisë së Policisë së Kosovës në veri, vazhdojnë të mos barten në atë pjesë. Pranimin e këtyre uniformave, përveç shefit të operativës në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut Zhelko Bojiq, e ka konfirmuar për KosovaPress edhe njëri nga pjesëtarët e këtij Njësiti, i cili ka folur në kushte të anonimitetit të plotë.


 


Duke përfituar nga koncesionet që i ka bërë KFOR-i me heqjen e kufizimeve të aktiviteteve në afërsi të kufirit me Kosovën, Serbia nuk ka vonuar që të përforcojë logjistikën e saj në brezin kufitar. Serbia tashmë ka riaktivizuar qendrën  e radarëve ajror në vendin e quajtur Maja e Panqiqit në malet e Kopaonikut, përkatësisht në territorin e komunës së Leposaviqit. Kjo i mundëson Serbisë që të kontrollojë gjithë hapësirën ajrore të Kosovës dhe Shqipërisë. Qendra e radarëve serbë shtrihet në fund të territorit të Kosovës në pjesën veriore në një lartësi prej 2 mijë e 17 metra mbi nivelin e detit. Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se ngritja e këtyre radarëve përbën shkelje të sovranitetit të shtetit të Kosovës. Ndërkohë, edhe hartat zyrtare dhe dokumentet kadastrale të Kosovës qartësojnë se qendra e navigacionit dhe radarëve ndodhet brenda territorit të Kosovës. Të dhënat që gjenden tek gjeoportali i Kosovës, që përfaqëson hartën digjitale të shtetit, saktësojnë se Maja e Pançiqit ndodhet brenda territorit të vendit tonë. Por, Serbia për të arsyetuar praninë e këtyre radarëve, ka bërë manipulime në gjeportalin e saj, duke e zhvendosur vijën kufitare pikërisht në pjesën ku janë ngritur këta radarë. Duhet të përkujtohet se radarët ajror serbë, kishin qenë caku i parë i sulmeve të NATO-s ndaj Serbisë, pasi që ai përfaqësonte një pikë të fortë të ushtrisë serbe.


 


Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Oliver Spasovski, i cili është kuadër i LSDM-së opozitare dhe mori postin pas marrëveshjes së Përzhinos, ka njoftuar se ka filluar hetime të reja për rastin e Kumanovës, me qëllim që të zbardh dyshimet e ngritura në opinion. Ndërsa sa i përket rastit Monstra, Spasovski ka thënë se kjo lëndë me siguri do të shqyrtohet nga ana e Prokurorisë Speciale dhe në këtë drejtim MPB do të jetë e gatshme për të ndihmuar në rast nevoje Prokurorinë Speciale. “Në kuadër të MPB-së jam duke bërë disa hetime, po bëj përpjekje që të marr disa informacione me qëllim që t’i zbardhim këto raste, t’i ndërpresim këto spekulime, ose t’i vërtetojmë spekulimet që janë në opinion. Por ajo që është më kryesorja është që opinioni ta ketë informacionin e vërtetë”, ka thënë Spasov për Radio Evropa e Lirë, përcjell koha.net. “Sa i përket rastit Monstra, gjithsesi se në materialet që i ka dhe paralajmërimet që i ka bërë lideri i opozitës, me siguri se do të shqyrtohen në kuadër të Prokurorisë Speciale dhe atje nëpërmjet bashkëpunimit tonë, atë që do të mund të bëjë MPB do të japë kontributin e saj”, ka deklaruar Spasov.


 


Vizita e kreut  të Partisë Socialiste me moton “Ta pastrojmë më tej Shqipërinë” u ndal në qytetin e Sarandës. Kryeministri Edi Rama theksoi se qeveria është e gatshme të çojë përpara me kurajo reformat që janë ndërmarrë që nga viti 2013. Mungesa e reformave bëri që drejtoritë arsimore të ktheheshin në strofulla parash, spitalet në farmaci korrupsioni dhe sektorët e jetës sonë të kapeshin nga metastazat e kancerit të keqqeverisjes. Reformat e bëjnë shtetin të fortë”, tha kreu i qeverisë në fjalën e tij.  Më herët, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, premtoi se në janarin e vitit të ardhshëm do të inaugurohet unaza energjitike e jugut, me anë të së cilës do të zgjidhet problemi i furnizimit me energji në këtë zonë. “Sektori energjitik ishte në buzë të humnerës. Nuk them se për dy vjet janë bërë mrekullira, por gjërat po ndihen për shkak të punës së mirë. Në janar do të inaugurojmë unazën energjitike të jugut dhe nuk do të ketë më probleme me furnizimin me energji në këtë zonë. Ndërsa në vitin 2016 do të pajisen të gjithë me matësa për të zhdukur faturimin aforfe”, premtoi Gjiknuri.


Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Sllovakia, është njëra  nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …