Shala: Deputetët opozitarë bojkotojnë Kuvendin, ndërsa marrin mëditje

Deputetët e opozitës vazhdojnë
të marrin pjesë në udhëtimet zyrtare jashtë vendit, ndonëse ata prej muajsh po bojkotojnë
seancat e rregullta të Kuvendit dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare. Në
kohën kur Kuvendi ka hyrë në muajin e pestë të bllokadës, deputetët e partive
opozitare vazhdojnë t’i shfrytëzojnë udhëtimet jashtë vendit, duke përfituar
edhe mëditje. Rasti i fundit ishte kur deputetët opozitarë të Komisionit për
Integrime Evropiane vizituan Brukselin. Njohësi i zhvillimeve politike, Behxhet
Shala ka vlerësuar se deputetët opozitarë duhet të marrin vendim ose mos t’i
bllokojnë dhe bojkotojnë seancat dhe komisionet në Kuvendin e Kosovës, ose mos
të marrin pjesë as në udhëtimet zyrtare për përfitime të mëditjeve. “Kjo
nuk ka të bëjë shumë me moralin, pasi në qoftë se një individ e bllokon punën e
Kuvendit, atëherë ai s’ka të drejtë të ketë përfitime nga ai bojkotim”, ka thënë
Shala. Sipas tij, deputetët opozitarë duhet të marrin qëndrim në qoftë se duan
ta bojkotojnë punën e Kuvendit, le ta bojkotojnë, mirëpo mos të shkojnë edhe
jashtë shtetit. “Nga këto udhëtime ata përfitojnë materialisht, mësojnë dhe
krijojnë kontakte. Ky veprim i tyre nuk është në rregull, pasi brenda vendit
ata bllokojnë punën, ndërkaq jashtë vendit, kudo që kanë punë, shkojnë”, ka
vlerësuar analisti, Behxhet Shala.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …