“Beer and Wine Festival Prishtina”, i cili mbahet çdo vit, e që sivjet ka nisur me 5 korrik, është mbyllur para pak kohe nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.
Shala me anë të një postimi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ka bërë të ditur se ka ndërmarrë këtë veprim për shkak të shkeljeve të evidentuara, respektivisht lejimit të hyrjes dhe konsumimit të pijeve alkoolike nga persona të mitur nën moshën 18 vjet. “Pas ankesave të shumta nga qytetarët dhe për shkak të shkeljeve të evidentuara respektivisht lejimit të hyrjes dhe konsumimit të pijeve alkoolike nga persona të mitur nën moshën 18 vjeç, kam urdhëruar inspektoriatin e tregut të MTI-së që të bëjë inspektim të jashtëzakonshëm në këtë organizim dhe pas inspektimit dhe gjetjeve të bëra, Inspektorati i MTI ka marr vendim ta mbyllë aktivitetin ‘’Beer and Wine Festival Prishtina’’ që po mbahet në pllaton e Pallatit të Rinisë në Prishtinë!”.
Rikujtojmë se “Beer and Wine Festival Prishtina” pritej të zgjaste deri nesër. Ndryshe mbrëmë në natën e tretë pati edhe incidente mes të pranishmëve.