leoni

Shala, ministri i parë i MTI-së që takon inspektorët komunal, kërkon bashkëpunim për zbatimin e ligjit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, është takuar me drejtorët e drejtorive të inspektorateve komunale për bashkërendimin e punëve dhe harmonizimin e veprimeve. Shala para tyre ka paraqitur punën e bërë prej se ka marrë mandatin, përderisa, duke treguar për prioritetet ka kërkuar bashkëpunim për zbatimin e ligjeve. “Arsyeja e këtij takimi është të bashkëbisedojmë për të gjetur mënyrën më të mirë për bashkëpunimin me Inspektoratin e MTI-së dhe Inspektoratit të Veterinës. Prioritet e kam vendosur mbrojtjen e konsumatorit dhe përmes kësaj cilësinë e produkteve. Për mua shumë të rëndësishme janë: zbatimi i ligjeve, krijimi infrastrukturës së nevojshme për produkte cilësore, mbrojtja dhe promovimi i produkteve vendore dhe mbrojtja e konsumatorit. Deri tani kur kanë kaluar vetëm një muaj që jam emëruar ministër kemi marrë disa vendime që janë shumë të rëndësishme për ekonominë e vendit tonë dhe për të ardhmen e gjeneratave. Por, ne si qeveri dhe ministri mund të nxjerrim ligje dhe  vendime shumë të mira, por që këto të jetësohen, nevojitet angazhim më i madh dhe i përbashkët i të gjithë neve”, ka theksuar ministri Shala. Ministri ka kërkuar nga drejtorët e inspektorateve komunale që ta kenë prioritet zbatimin e urdhëresës, që ndalon shitjen e duhanit dhe pijeve alkoolike për të miturit, po ashtu të identifikohen dhe asgjësohet lodrat që kanë rezultuar se janë jashtë standardeve, si dhe të jenë të gatshëm kur të hyjë ligji në fuqi, që obligon bizneset të vendosin flamujt e shteteve nëpër rafte dhe që tregon prejardhjen e mallit. “Vlerësoj se inspektoratet kanë rol kryesor në përmirësimin e tregut, prandaj kërkoj nga ju  të bashkëpunoni ngushtë me Inspektoratin e Tregut në MTI dhe me theks të veçantë në mbikëqyrje të zbatimit të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, ligjin për tregtinë e brendshme si dhe mbështetje dhe bashkëpunim edhe në detyrat e deleguara”, ka thënë ministri Shala. Ndërsa kryeinspektori i MTI-së, Lulzim Syla, ka thënë se bashkëpunimi në mes inspektoratit dhe organeve të tjera kompetente është në nivel dhe se fokusi i tyre është promovimi sa më i madh i produkteve vendore. Inspektoratet komunale kanë falënderuar ministrin Shala për takimin që ka organizuar dhe kanë theksuar se nuk ka ndodhur më herët që një ministër t’i pret në takim. Ata kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim dhe kanë adresuar problemet me të cilat ballafaqohen gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Ministri Shala është shprehur i gatshëm që do t’iu ofrojë ndihmë teknike dhe logjistike dhe ka vlerësuar se do të ketë takime më të shpeshta që të bashkërendohen punët. Blerim Hyseni, shef i inspektorëve të tregut, divizioni i Mitrovicës, ka thënë se kanë probleme sidomos me vonesën e shqyrtimit të lëndëve në gjykata dhe ka theksuar se është hera e parë që një ministër i pret në takim.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …