Shala në terren inspekton zbatimin e urdhëresës që ndalon shitjen e duhanit dhe alkoolit për të miturit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka dalë në terren për të parë nga afër implementimin e nenit 15, të Ligjit  Nr.06/L-034 për mbrojtjen e konsumatorit, që ndalon shitjen e duhanit dhe pijeve alkoolike për personat nën moshën 18 vjeç. Bashkë me Inspektoratin e Tregut, ministri Shala ka qenë në një market duke parë nga afër vendosjen e shenjave që tregon se ndalohet shitja e duhanit dhe alkoolit për të miturit. “Në mungesë të implementimit të ligjit në tërësi për mbrojtjen e konsumatorit, respektivisht nenit 15, që e përcakton që duhani dhe pijet alkoolike janë të ndaluara të shiten dhe të shërbehen për të miturit nën moshën 18 vjeçare, unë kam nxjerrë një urdhëresë me të cilin kam urdhëruar Inspektoratin e Tregut të MTI-së, që të implementohet në përpikëri ligji. Vizita ime ka të bëjë me zbatimin e këtij ligji në kompaninë “Elkos”, e cila e respekton këtë ligj dhe unë i falënderoj dhe i siguroj qytetarët e Kosovës, që në bashkëpunim me inspektoratet komunale, do t’i rrisim inspektimet në të mirë të konsumatorit”, ka theksuar ministri Shala. Në rast të mos zbatimit të këtij ligji, ministri ka paralajmëruar se do të ketë gjoba, që i parasheh ligji. “Dënimet janë të parapara me ligj dhe këto janë detaje që inspektorati i merr këto masa dhe ligji e përcakton që shitësi është i obliguar në rast kur dyshon, që përmes dokumentit të identifikimit ta shes produktin”, ka thënë ministri Shala. Ministri ka thënë se ky inspektim do të përfshijë të gjitha pikat shitëse në tërë territorin e Kosovës. “Vizita ime këtu ka të bëjë me një paralajmërim për të gjithë shitësit tjerë që ta respektojnë nenin dhe ligjin në tërësi”, ka thënë Shala. Selvete Abazi nga “Elkos” ka thënë se ky vendim është i mirëpritur dhe do ta respektojnë në tërësi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …