Prishtina kryeqyteti ynë, do të duhej të ishte shembull i organizimit, qeverisjes dhe menaxhimit. Kjo për faktin se kryeqendra e shtetit është edhe qendra kryesore është e vendosura administrata shtetërore, përfaqësitë dhe ambasadat e vendeve të huaja, apo edhe zyrat e organizatave të ndryshme ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Kjo e bënë qytetin e Prishtinës, që të jetë pika kryesore e vizitave të delegacioneve të ndryshme të huaja por edhe turistëve të jashtëm. Andaj përshtypja e parë që marrin këta vizitorë për Kosovën, është përshtypja që jep kryeqyteti ynë.
Padyshim që një nga përshtypjet më të drejtpërdrejta që krijohet për Prishtinën dhe qeverisjen e saj, është përshtypja për gjendjen e mbeturinave, cilësia e ajrit, mirëmbajtja e sipërfaqeve të gjelbra, planifikimi hapësinorë, transporti publik apo edhe shërbimet tjera publike.
Nëse marrin për bazë treguesit e lartë-përmendur, fare lehtë munde të nxjerrët konkluzioni se përformanca mjedisore e Komunës së Prishtinës është shumë e dobët, madje edhe më e dobët se sa e një pjese të konsiderueshme të komunave të tjera të Kosovës.
Përveç situatës mjedisore në terren që vërehet çdo ditë dhe që nuk kërkon ndonjë analizë specifike për të nxjerrë konkluzion, përformaca e dobët mjedisore e Komunës së Prishtinës, është konfirmuar dhe prezantuar edhe nga raportet realizuara nga institucionet qendrore qeveritare, nga hulumtimet dhe analizat e realizuara nga organizatat joqeveritare që monitorojnë punën e Komunës së Prishtinës, apo edhe nga hulumtimet e organizatave të huaja që veprojnë në Kosovë.
Le të ndalemi dhe ti hedhim një vështrim këtyre vlerësimeve dhe të shohim më në detaje këtë situatë.
Sipas raportit të performacës së Komunave të Kosovës për vitin 2019, të hartuar nga MAPL, në vlerësimin e përgjithshëm që përfshinë të gjithë treguesit, Komuna e Prishtinës renditet e 24-tra, me vetëm 51.9%, të përmbushjes së treguesve, që është madje edhe më e ulët se mesatarja e komunave në nivel vendi (61.16%).
Komuna e Prishtinës, renditet e 12-ta në nivel vendi për shërbimet e ujësjellësit, ndërsa e 28-ta me shërbimet e kanalizimit. Këtu është evidentuar po ashtu që në territorin e komunës nuk ka ende trajtim të ujërave të ndotura.
Sa i përket transportit publik, Komuna e Prishtinës renditet e 16-ta, ndërsa e 23-ta ajo renditet me infrastrukturë rrugore. Në këtë pikë duhet evidentuar po ashtu që Komuna e Prishtinës ka mungesë të shtigjeve për biçikleta në zonën urbane të qytetit.
Edhe më keq në renditje Prishtina, vlerësohet për perfomancën e saj të përgjithshme për mbrojtje të mjedisit. Ajo është e 27-ta sipas perfomacës në implementimin e kërkesave për mbrojtjen e mjedisit.
Komuna e Prishtinës ka performacë të dobët edhe në sektorin e mbeturinave duke u renditur e 20-ta në nivel vendi me rreth 74% të mbulimit me shërbimin e grumbullimit të mbeturinave në territorin e saj. Sipas Raportit për menaxhimin e mbeturinave komunale të hartuar nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit, menaxhimi i dobët i mbeturinave nga Komuna e Prishtinës, është evidentuar edhe sa i përket shërbimeve për ndarjen dhe riciklimin e mbeturinave, ku kryeqendra jonë është ende në shkallën 0%. Në këtë raport, është evidentuar po ashtu se Komuna e Prishtinës ka rreth 20 deponi ilegale të mbeturinave në territorin e saj.
As Indeksi i Konkurrueshmërisë së Komunave për vitin 2020 i USAID, nuk e nxjerr mirë performacën e Komunës së Prishtinës. Në vlerësimin e përgjithshëm Prishtina renditet e 14-ta. Sa i përket transparencës ajo renditet e 29-ta, ndërsa për administratë lokale e 21-ta.
Edhe raportet dhe analizat e Organizatës Joqeveritare Iniciativa për Progres (INPO), që monitoron punën e Komunës së Prishtinës, nuk flasin mirë për performancën e kësaj komune. Janë tejet shqetësuese dhe alarmante të dhënat që flasin se Komuna e Prishtinës, nuk arrin të realizon as 50% të buxhetit për investime kapitale. Duke marrë parasysh nevojat e kryeqytetit për investime në përgjithësi dhe problemet në sektorin e mjedisit në veçanti një fakt i tillë tregon për keqmenaxhim dhe keqplanifikim nga ana e komunës.
Përformaca e dobët mjedisore e Komunës së Prishtinës, vjen mes tjerash edhe nga shkalla e ulët e zbatimit apo mungesa e planeve lokale për sektorin e mjedisit. Sipas të dhënave të MAPL, Plani Lokal i Veprimit në Mjedis i Komunës së Prishtinës është implementuar vetëm 37%.
Komuna e Prishtinës nuk ka Plan Lokal të Veprimit për Cilësi të Ajrit edhe pse kjo është kërkesë ligjore sipas Ligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja. Mungesa e Planit Lokal të Veprimit për Cilësi të Ajrit për Komunën e Prishtinës ka qenë një vërejtje e vazhdueshme e evidentuar edhe në raportin e progresit të BE për Kosovën, duke ditur tejkalimet e paramterava të cilësisë së ajrit gjatë sezonës së dimrit. Madje Komuna nuk ka ende ndonjë angazhim konkret për hartimin e një plani ti tillë.
Komunës së Prishtinës, i mungon edhe Plani Lokal për Mbrojtjen e Bidoversitetit, një dokument tjetër i nivelit lokal i paraparë sipas Ligjit për mbrojtjen e natyrës.
Këto janë vetëm disa nga dështimet e Komunës së Prishtinës, në menaxhimin e mjedisit në listën e gjatë të dështimeve që e bëjnë performancën e saj të zbehtë dhe të padenjë për një kryeqytet.
Kryeqyteti ynë Prishtina, dhe qytetarët e saj meritojnë një mjedis më të pastër dhe një jetë më të mirë.
Mbase kjo duhet të ju shërbejë të gjithë atyre që jetojnë në Prishtinë si një sinjal që të mendojnë mirë herën tjetër kur të ju drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur atë që do të kujdeset për mjedisin e tyre për periudhën e ardhshme.
Prishtinë, 22.11.2020, Dr.sc. Ferat Shala