Shaqir Ahmet Tërshani (26. 7.1968 - 10. 5.1999)

Shaqir Ahmet Tërshani (26.7.1968 – 10.5.1999)

Shaqir Tërshani lindi më 26.7.1968 në fshatin Greiqec të komunës së Therandës, nga babë Ahmeti dhe nënë Vahidja. Prindërit e Shaqës shpërngulen nga fshati Greiqec në Shtime. Këtu ai, në shkollën fillore “Emin Duraku”, fillon dhe mbaron shkollimin fillestar. Shkollën e mesme, drejtimin elektro-teknik, e kreu në shkollën e mesme teknike “Pjetër Bogdani’ të Ferizajt, në vitin 1986.
Shaqir Tërshani rrjedh nga një familje me tradita të lashta atdhedashurie. Kështu, gjyshi i Shaqirit, Hamëz Tërshani, ishte ushtar dhe luftëtar i dalluar i Shaban Polluzhës. Këtë rrugë e ndoqën edhe prindërit e Shaqës, të cilët kultivuan dhe frymëzuan me bujari bijtë e tyre.
Në vitin 1990, familja e dëshmorit Shaqir Tërshani shpërngulet nga Shtimja në fshatin Greiqec, ndërsa në vitin 1993 zbret në Therandë. Këto lëvizje vendbanimi janë bërë për shkak të raprezaljeve të vazhdueshme të ushtruara nga pushtuesi serb.
Në dhjetor të vitit 1994, Shaqiri martohet me Mevlide Zeqirin, me të cilën pati dy vajza, Arbenitën dhe Therandën. Në flakën e luftës, më 5 janar 1999, atyre u lind djalë dhe shokët e luftës e pagëzuan me emrin Topi, pasi që Shaqiri ishte ekspert i përdorimit të topit të kalibrit 75 mm. Mirëpo, kërthia jetëshkurtër, jetoi vetëm 14 ditë.
Kur doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës me kryekomandantin e saj, Adem Jashari, Shaqiri, pa hezituar, ngjeshi armët dhe iu bashkua luftëtarëve të lirisë. Me formimin e njësiteve guerile të UÇK-së, më 22.7.1998 ai inkuadrohet në kompaninë e Tretë të batalionit “Sadik Shala” të brigadës 121 “Kumanova” të Zonës Operative të Pashtrikut .
Njësiti ku vepronte ai ishte i vendosur në malet e Qafës së Duhlës, kurse komanda e njësitit, në lagjen e Lubovcëve, në fshatin Greiqec, i cili njësit komandohej nga eprori Jetullah Qarri.
Shaqir Tërshani, shpejt arriti të bëhet një ndër luftëtarët më të spikatur të batalionit “Sadik Shala”, i cili komandohej nga Ismet Jashari -Kumanova, dëshmor. Veprimet dhe sjelljet e tij në çastet më të vështira të luftës ishin burrërore e heroike, që te luftëtarët sillnin besim dhe rrezatim trimërie.
Shaqir Tërshani ishte çdoherë në vijën e parë të frontit. Mori pjesë në shumë beteja, si në Grykën e Carralevës, në Budakovë, Greiçec, Topillë, Llanisht, Reçak, Gurra e Kadisë, në Kaçanik dhe në shumë aksione luftarake guerile e frontale.
Shaqiri ishte furnizues i armatimit, polic ushtarak, komandant toge, si dhe kreu shumë detyra të tjera në kuadër të njësitit ku vepronte. Aftësia e tij për kryerjen e operacioneve vëzhguese-diversante ishte njëri prej tipareve dalluese.
Si komandant toge, organizon mirë jetën ushtarake, bën organizimin e njësitit për mbrojtje dhe sulm, fut në pëdorim mjetet e komunikimit dhe organizon komunikimin me njësitet fqinje.
Aftësitë e veta fizike dhe ushtarake Shaqiri i tregoi që në ofensivën e parë, në Qafën e Duhlës, e cila qe zhvilluar më 24 e 25 korrik të vitit 1998. Një këtë betejë, ai me topin e tij sulmon armikun duke mos e lënë të depërtojë në pozicionet e UÇK-së.
Më 10 korrik 1998, Shaqir Tërshani, së bashku me Jetullah Qarrin e me bashkëluftëtarë të tjerë i bën një inspektim njësitit të tij në Grykën e Carralevës, te Shtëpia e Pylltarëve, ku në anën tjetër të rrugës Shtime – Therandë ndodheshin pozicionet e ushtarëve të komandant Ismet Jashari. Detyrë e veçantë për atë ditë ishte sigurimi i rrugës për kalimin e dasmorëve nga fshati Budakovë për në Ngucat. Në atë moment nga Qafa e Duhlës vjen një konvoj i forcave serbe me mjete të motorizuara dhe stacionohet afër Shtëpisë së Pylltarëve. Aty fillon një betejë e ashpër në mes forcave serbe dhe pjesëtarëve të Ushtise Çlirimtare të Kosovës. Forcat serbe u sulmuan nga ana e djathtë, me ç’rast u vran’ disa pjesëtarë të tyre dhe u shkatërruan dy tanke. Pas kësaj humbjeje, forcat serbe u tërhoqën nga vendi i dislokimit, kurse dasmorët vazhduan rrugën e tyre.
Më 27 shtator 1998, forcat okupuese kishin ndërmarrë një operacion të gjerë në formë të patkoit, ku kishin sulmuar njësitin vëzhgues diversant në Greiçec, Batalionin e Parë të Brigadës 123 në Budakovë. Kjo ofensivë filloi me granatimin e pozicioneve të forcave të UÇK-së me artileri të rëndë dhe me mjete të motorizuara, nga Maja e Biraqës, Qafa e Duhlës, Shiroka, Malet e Karaçicës, Pishat e Shtimes, Llojzat, Nerodimja e nga vende të tjera. Pasi eprori Jetullah Qarri e pa të nevojshme tu shkohet në ndihmë, ndihmës të vetin merr Shaqirin, pasi ai ishte ekspert i përdorimit të topit. Me të arritur në pozicionet mbi fshatin Krushicë e Poshtme, skuadra e tij ndërmerr sulemin mbi forcat serbe në krahun e djathtë. Aty ishte i bllokuar një konvoj me mjete të rënda artilerike dhe këmbësorike.
Më 6 tetor 1998, rreth orës 21, Shaqiri me shokë ndërmerr një sulm të furishëm mbi forca armike, të pozicionuara afër përmendores së Abdullah Shabanit, në Grykën e Carralevës. Sulmin e udhëheq dëshmori Shaqir Tërshani.
Më 5 nëntor 1998, në operacionin e organizuar për bllokimin e rrugës Shtime – Therandë, me qëllim të bllokimit të furnizimit dhe të rirreshtimit të strukturave të armikut me njerëz dhe teknikë, u ndërmor një sulm i organizuar mirë në pikëpamje taktike nga Shaqir Tërshani, në mbështetje të dy togjeve me armë këmbësorike dhe me murtaja dore. Konvoji të cilin e sulmuan luftëtarët e lirisë ishte i përbërë nga një autoblindë, një kamion dhe dy pizgauerë me mbështetje këmbësorike. Në këtë sulm u shkatërruan një autoblindë me mortaja dhe me mina komulative, dy pizgauerë dhe një kamion.
Më 18 dhjetor 1998, ushtarët e togës të njësitit vëzhgues-diversant në krye me komandantin e togës Shaqir Tërshani u shkojnë në përforcim ushtarëve të tjerë në fshatin Reçak të Zonës Operative të Neredimes. Më 21 dhjetor 1998, rreth orës 16, në fshatin Belinc afër Shtimes, u ndëmor një aksion i furishëm, i përgatitur dhe i organizuar shumë mirë nga luftëtarët, siç ishin: Afet Billalli, Skënder Tërshani, Mufail Helshani, Blerim Hysenaj, Beqë Beqa etj. Nga afërsia prej 50 m këta trima asgjësuan dy mjete të motorizuara, një autoblindë dhe një kombibus me eprorë dhe ushtarë serbë.
Më 21 dhjetor 1998, me kërkesën e Zonës Operative të Neredimes për ndihmë, atje u dërgua Shaqir Tërshanin me togën e tij.
Dëshmori Shaqir Tërshani merr pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në Reçak, më 15 janar të vitit 1999. Forcat serbe u ndaluan për një kohë dhe nuk arritën të depërtojnë në fshatin Petrovë, për ku kishin mësyrë.
Më 17 dhe 18 janar 1999, armiku prapë ndërmeerr një operacion në shkallë të gjerë për tërheqjen e të masakruarve në fshatin Reçak. Sulmi filloi në mëngjes nga Carraleva dhe nga Qafa e Duhlës në drejtim të fshatit Greiqec. Qëllimi i armikut ishte që në fshatin Reçak të futen nga prapavija. Me të arritur në fshatin Greiqec ata hasin në rezistencë të ushtarëve të lirisë. Për t’i përforcuar këto pozicione të njësiteve në Greiqec, jepet urdhri që Shaqiri me togën e vet të kthehet nga fshati Reçak.
Në prill e maj të vitit 1999, armiku ndërmerr një ofensivë të ashpër me qëllim që të dëbonte popullatën shqiptare nga vatrat e veta shekullore dhe kështu të bënte pastrimin etnik të Kosovës. Në këtë ofensivë në formë patkoi armiku kishte inkuadruar mijëra këmbësorë si dhe makineri të fortë ushtarake, policë, mercenarë e paramilitarë, të cilët u vërsulën mbi pozicionet e ushtarëve të lirisë.
Më 10 maj 1999, Shaqiri ra heroikisht në altarin e lirisë.
Sot me krenari emrin e tij e mban Batalioni i 50-të i Ndërlidhjes i TMK-së, sheshi i të cilit është stolisur me bustin e tij. (Sh. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …