Shaqir Tahiraj u lind më 8 shkurt të viti, 1966 në fshatin Fierzë ( ish-Novosellë) nga një familje me plotë halle jetësore të kohës. Ishte djali i Ramë Tahiraj dhe i Nushe Berbatit – Tahiraj.
Pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindje, Shaqiri gjithmonë kishte synim vazhdimin e shkollimit dhe avancim më të lartë. Dëshira e tij ishte që nga fëmijëria e hershme të ketë jetën ushtarake dhe kjo dëshirë iu realizua duke u regjistruar në vitin 1981 në shkollën e mesme Ushtarake në Beograd, sikurse edhe shumë shqiptarë të tjerë në atë kohë.
Shkollën e Mesme Ushtarake e përfundoi me sukses dhe fiton kushtin që të regjistrohet edhe në fakultet në Akademinë Ushtarake, po ashtu në Beograd. Duke e vërejtur përkeqësimin e situatës në Kosovë dhe duke e parë se Shaqiri ishte duke përfunduar me shumë sukses Akademinë Ushtarake, eprorët serbë fillojnë t’ i bëjnë presione të ndryshme që ky të largohet nga Akademia. Synimit të tyre ia arritën në vitin 1989. Shaqirin e largojnë nga Akademia Ushtarake për shkaqet që kurrë nuk ia kanë treguar, e larguan mu para fazës finale të pranimit të diplomës.
Nga viti 1989 Shaqiri kyçet në të gjitha sferat e jetës këtu në mesin e bashkëfshatarëve dhe qytetit të Pejës. Fillimisht caktohet në kuadër të Bashkësisë Territoriale të Radacit, të jetë kryesori për vlerësimin dhe manovrimet e duhura të mbrojtjes së mundshme të popullatës në rrethin e Podgurit të Pejës. Me vëmendje dhe gatishmëri të lartë i përcjellë të gjitha veprimet e formimit të shtabeve lokale të mbrojtjes së popullatës deri në daljen publike të UÇK-së, ku me plotë gëzim dhe gatishmëri iu bashkua, me afërsisht tërë familjen e vëllezërit e tij.
Nga komanda e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” në Zonën operative të Dukagjinit emërohet Komandant kompanie në “Pikën Haxhijaj” të fshatit Fierzë dhe me plot përgjegjësi dhe përkushtim i kreu të gjitha detyrat që i janë caktuar nga eproret e hierarkisë. Kjo Pikë tek Haxhijaj nuk iu caktua rastësisht, sepse Dëshmori Shaqir Tahiraj e dinte fare mirë tërë territorin që ishte nën përgjegjësinë e tij, ku do duhej të sigurohej korridori për furnizim me armë dhe municion për shumicën e luftëtarëve si në Zonën Operative të Shalës, në Zonën Operative të Drenicës dhe në Zonën Operative të Dukagjinit e që ky korridor ishte jetikë për UÇK-në. Përgjegjësi tjetër ishte edhe transportimi i të plagosurve nga zonat e luftimeve përmes lagjes Haxhiaj, për në Shqipëri.
Pas tri ditëve në beteja mjaft të ashpra nga ana e armikut bie heroikisht me datën 12 Prill 1999 pikërisht tek Pika e Parë e kësaj Kompanie të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, duke shpëtuar mbi 1200 pjesëtarë të popullatës civile, që ishin të strehuar në lugun e quajtur Dumnica e Haxhijajve.
Për dëshmorin e kombit janë kënduar shumë këngë nga rapsodët popullorë, e i janë thurur shumë vargje nga shkrimtarët vendas, ndërsa biografinë e Shaqirit e hasim në shumë libra dedikuar dëshmorëve të lirisë.
Emrin e tij është skalitur me shkronja të arta në Lapidarin e ngritur për dëshmorët e kombit në qendër të komunës së Pejës e në obeliskun e dëshmorëve, në Marinë të Skënderait. Kurse në vendin e rënies, në altarin e lirisë, i është ngritur Përmendorja në formë të shqiponjës. Për nder të jetës dhe veprës së dëshmorit një rrugë në qytetin e Pejës, emërtohet me emrin e Shaqir Tahirajt.
Dëshmorit të kombit Shaqir Tahiraj dhe familjes së tij i janë ndarë shumë mirënjohje nga komuna e Pejës, organizatat e dala nga lufta, Ministria e Mbrojtjes, gjersa në vitin 2019 dekorohet me Urdhrin e Lartë “HERO I KOSOVËS” nga presidenti i Republikës së Kosovës.
Dëshmori Shaqir Tahiraj la pas vetes gruan dhe dy fëmijë, Ilirin dhe Ilirianën të cilët janë krenarë për veprën Heroike te babait të tyre, ashtu si edhe i tërë kombi që krenohet për kontributin e tij. (Dren Sh. Brahimaj)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …