Shaqir Shaqiri: GËNJESHTRA DHE PLAGJIJATURA NËN PETKUN E SHPREHJES SË LIRË TË AUTORËVE: MENDERES ZENELI DHE RESHAT AJVAZI

Shaqir Shaqiri: DEMONSTRATAT E VITIT 1981 DHE NDIKIMI I TYRE TEK SHQIPTARËT, NË VEÇANTI NË PRESHEVË, BUJANOC DHE MEDVEGJË 

Demonstratat e vitit 1981 ndikuan për  një ritëm tjetër organizativ dhe të veprimit praktik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Rebelimi kundër regjimit pushtues që i vriste shqiptarët, i burgoste, i përbuzte  duke u shkelur të drejtat e tyre themelore, mori hov dhe nuk ndaloi deri në çlirimin e Kosovës, pavarësisht reagimit brutal e gjenocidial të pushtetit serb. Dilema, që në këtë tekst nuk shtjellohet, është nëse Presheva, Bujanoci dhe Medvegja po mbeten monedhë kusuritje të çmimit të lirisë së Kosovës. 

 

Për demonstratat e vitit 1981 deri më sot janë dhënë shumë mendime, janë bërë shumë shkrime, janë trajtuar çështje dhe janë bërë vlerësime, duke e konsideruar si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë shqiptare të pas luftës së dytë botërore. Demonstratat e vitit 1981 mbeten burim i pashterrshëm për të shkruar e për të nxjerrë në sipërfaqe të vërtetën e gjendjes politike para 1981, të vërtetën e organizimit të demonstratave të 1981 dhe rrjedhën e mëvonshme të organizimit politik deri në çlirimin nga pushtuesi serb.

Demonstratat e vitit 1981  u quajtën “demonstratat studentore” sepse i nisën studentët, i nisën duke marr si shkas kushtet jo të mira socio-ekonomike dhe trajtimit jo të barabartë me studentët e kombeve tjera. Ishin studentët, bashkë me profesor e me shumë veprimtarë të ilegales patriotike shqiptare, që kërkesat ekonomike i avancuan në kërkesa politike dhe kushtetuese.  Me studentët u bashkuan edhe  profesorët e tyre, pastaj intelektualë, mjekë, punëtorë, bujq, minatorë, gra dhe burra, i madh dhe i vogël….kjo pra ishte “Pranvera e madhe shqiptare”.. 

Demonstratat e vitit 1981 e kthyen Kosovën në veten e saj, në boshtin e saj, pra Kosova po zgjohet, po këndellet, për të mos qenë më kurrë si më parë, prandaj me të drejtë këtë ngjarje të rëndësishme historike e quajmë “Rilindje Kombëtare”.

Demonstratat demaskuan përfundimisht politikën kolonialiste të regjimit okupator, lëkundën fuqishëm muret e robërisë së Kosovës  por edhe nisën pakthyeshëm zhbërjen e Jugosllavisë titiste, të asaj ligatine  e cila dalëngadalë po mbyste identitetin shqiptar. Sado që shteti okupator u mundua të fshehte zhvillimet në Kosovë, jehona e tyre preku ndërgjegjen e të gjithë shqiptarëve dhe u dëgjua në të gjitha anët e botës…

Demonstratat e vitit 1981,  bënë një hap të madh në një fazë të re, në një  epokë të re në të cilën po hynte Kosova. Ndikimi i demonstratave u shtri edhe në tërë pjesët tjera të gjeografisë së pushtuar shqiptare. Shqiptarët po zgjoheshin dhe po  bashkoheshin rreth kauzës kombëtare si kurrë më parë.

Edhe shqiptarët nga Presheva, Bujanoci e Medvegja,  marshuan fuqishëm në këtë epokë të re dhe krah për krah me bashkëveprimtarët e tyre nga Kosova u organizuan në grupe ilegale patriotike dhe u gjendën në ballë të detyrave të luftës politike çlirimtare. Kauza kombëtare dhe fryma e mobilizimit për të drejta politike, ekonomike e kulturore deri në çlirim e bashkim kombëtar, e ndikuar dhe e motivuar fuqishëm nga Demonstratat e vitit 1981,  kishte bashkuar  pjesën më vitale të popullit shqiptar gjithandej viseve ku jetonin. Ideja  për Kosovën Republikë e përfaqësuar nga idealistët nuk e përkufizonte Kosovën në kufijtë e saj administrativ, sepse Kosova si kuptim jo vetëm gjeografik e demografik, por edhe në kuptimin kulturor e shpirtëror,  përfshinte tërë territoret e pushtuara shqiptare. 

Prandaj, patriotët që vepronin në ilegalitet e  bartnin deri në pjesët më të largëta të etnikumit shqiptar frymën e orientimit dhe të mobilizimit rreth avancimit të të drejtave politike dhe ekonomike që duhet t’i gëzonin shqiptarët, si një komb i vetëm dhe i bashkuar. Por hapat e tyre ishin të matur dhe të ngadalta.

Demonstratat e vitit 1981 ndikuan për  një ritëm tjetër organizativ dhe të veprimit praktik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Grupet ilegale nga Kosova e shtrinë më me hov aktivitetin e tyre në këto hapësira duke vepruar konkretisht dhe duke rekrutuar të rinj shqiptarë nga këto treva. Të përfshirë nga ndikimi i fuqishëm i demonstratave të vitit 1981, në Luginën e Preshevës u formuan edhe  Grupe të tjera ilegale, të organizuara por autonome, pa ndonjë lidhje me grupet brenda Kosovës.. Vepruan edhe individ dhe grupe të vogla, duke shprehur në mënyrën e tyre rebelimin ndaj pushtetit okupues.. Në një mënyrë, kërkesa për të mbrojtur të drejtat e tyre, për të avancuar të drejtat  politike dhe kushtetuese, për Kosovën Republikë që bashkon shqiptarët, ishin shtrirë edhe në këtë pjesë të truallit arbënor..

Të rinjtë nga Presheva, nxënës të shkollës së mesme, të trimëruar nga Demonstratat e marsit dhe prillit 1981,  në muajin maj të vitit 1981 u bashkuan dhe trajtuan mënyrat e organizimit deri në mënyrën më ekstreme për të mbrojtur emrin e shkollës “Skënderbeu” që paria e Komitetit Komunal të LKJ-së dhe paria e shkollës kishin vendosur ta ndryshonin. Ky organizim u zbulua, sepse nuk ishte organizim i fshehtë, por paria e Komitetit Komunal të LKJ dhe paria e shkollës të gjendur para një presioni të të gjithë nxënësve të shkollës së mesme, nuk e zhvilluan më tutje idenë e ndryshimit të emrit të shkollës.

Një pjesë e këtyre të rinjve, një numër prej 11 nxënësve  të shkollës së mesme  në gusht të vitit 1981 u riorganizuan dhe formuan grupin ilegal për shkrimin e parrullave. Ky grup në muajin nëntor të vitit 1981 emërtohet me emrin Organizata Shqiptare Preshevare për Shkrimin e parullave Bajram Curri” e njohur ndryshe si Grupi “B!C”. Ky grup nuk pati jetë të gjatë, por pati një organizim të thuktë, funksional dhe e skuqi me ngjyrë të kuqe dhe e zbardhi me pamflete Preshevën duke shkruar parulla: “Kosova Republikë”, “Bashkimi bënë fuqinë”, “Rroftë 28 Nëntori”, “Kosova Republikë – Presheva tokë e Kosovës”, “Parti Enver jemi gati kurdoherë”, etj..

Edhe grupe tjera më të vogla, pastaj individ, po ashtu të ndikuar nga Demonstratat e marsit dhe prillit 1981, u aktivizuan dhe shkruan parulla gjithandej hapësirës së Preshevës dhe Bujanocit. Pra, rrugët e Preshevës, Bujanocit, hapësirat publike e vende të qasshme nga syri i njeriut, u mbuluan me parullat “Kosova Republikë”.

Por edhe pala kundërshtare, pushteti i shtetit okupues, mbështetur nga titistët shqipfolës, kishin një mobilizim unik kundër patriotëve shqiptarë. Serbo-jugosllavët me tërë strukturën e tyre organizative, goditnin cilindo shqiptar që do të ngritë zërin ose do të nisë procese kombëtare. Kështu që u ndoqën politikisht, u vranë, u burgosën dhe u dënuan me shumë vite burg edhe të rinjtë nga viset shqiptare jashtë Kosovës administrative. Kjo nuk kurseu as Luginën e Preshevës. Në periudhën kohore nga viti 1981 deri në vitin 1990,  gjithnjë të bindur se nuk kemi një listë përfundimtare, atje u  arrestuan dhe u dënuan për motive politike, për “Kosovën Republikë” si në vijim:

  • Në Preshevë u arrestuan dhe u dënuan 19 persona me gjithsej 82.5 vite burg,
  • Në Bujanoc u arrestuan dhe u dënuan 26 persona me gjithsej 134.2 vite burg,
  • Në Medvegjë u arrestuan dhe u dënuan 2 persona me gjithsej 21 vite burg.

Nëse statistikat që kanë dhënë autorë të ndryshëm, të cilën kanë argumentuar se që nga viti 1981 deri në vitin 1990, për motive politike shqiptarët në ish Jugosllavi u dënuan me 25.000 (njëzetë e pesëmijë) vite burg, ose 250 shekuj burg[1], atëherë për të njëjtat motive politike, pra për Kosovën Republikë, për të njëjtën periudhë u dënuan 47 shqiptarë nga Lugina e Preshevës me më shumë se 237 vite burg ose afërsisht 2.4 shekuj burg (kuptohet se lista nuk është e përfunduar).

Edhe vrasja makabre e shqiptarëve në armatën e ish jugosllavisë, nuk kishte kursyer shqiptarët nga Lugina e Preshevës. Sipas statistikave që na kanë sjellur autorë të ndryshëm,  në shërbimin ushtarak të Jugosllavisë nga viti 1981 deri në vitin 1991  për shkak të përkatësisë së tyre etnike janë vrarë 108[2] (120)[3] shqiptarë, atëherë 3 (tre) prej tyre  janë  nga Lugina e Preshevës.

(të vrarë:Yzeir (Rrustem) Sadiku nga Rahovica e Preshevës, Osman (Hajdar) Ismajli nga Gërbavci i Medvegjes dhe Raif (J.) Miftari nga Medvegja). 

Pra kjo ishte epoka e re, e derivuar dhe e ndikuar nga Demonstratat e vitit 1981, si një ngjarje e rëndësishme që bashkëlidhë të kaluarën dhe orienton të ardhmen. Kjo ishte epoka në të cilën po krijohej një front i hapur dhe mirë i organizuar i kundërshtimit politik,  besa edhe fillet rezistencës së armatosur dhe luftës çlirimtare  që populli shqiptar do ta bënte kundër  shtetit okupator dhe do ta kurorëzonte me formimin e UCK dhe çlirimit nga Serbia në vitin 1999.

Pavarësisht se si do të quhen, demonstratat e vitit 1981, ndikuan fuqishëm në rimëkëmbjen e identitetit shqiptar, në hapërimin e sigurt dhe ndikuan fuqishëm në mobilizim gjithë popullor në rrugën e pakthyeshme të lirisë. 

Lavdi të rënëve për liri. 

P.S.

Autori është ish i burgosur politik, udhëheqës i LPK- KRR Preshevë,  udhëheqës i Zonës së Tretë, më vonë Batalioni Mbështetës i SHP UÇK-së “Korridori i Furnizimit”, Nënkryetar dhe zëdhënës i Këshillit Politik për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …