Shefi i BE-së, Josep Borrell, ka marrë për detyrë që të hartojë një raport mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së nga ana e Kosovës që më pas Këshilli të diskutojë për masat dhe të marrë një vendim për heqjen e tyre. Kosova konsideron se ka përmbushur pikat e marrëveshjes së Bratisllavës me organizimin e referendumit në katër komunat veriore, i cili ishte bojkotuar nga qytetarët serbë. Ndërkohë Shefi i Zyrës së BEësë Tomas Sunyog tha se BE do t’i heqë masat duke u bazuar në hapat që i bën Kosova. “Masat janë të formuluara në deklaratën e 3 qershorit të vitit të kaluar dhe ka konkluza të Këshillit në dhjetor të vitit të kaluar të cilat paraqesin kushtet për këtë. Por, BE-ja është e gatshme që të heqë masat, bazuar në rezultatet e hapave të ndërmarra nga pala kosovare”, tha ai. Në kohën sa ky raport është në proces, Policia e Kosovës përmes një aksioni ka mbyllë gjashtë njësi të Bankës Postare të Kursimeve të Serbisë (Banka Postanske Stedionica) në katër komunat në veri, duke thënë se është institucion i jashtëligjshëm financiar i Serbisë në Republikën e Kosovës dhe se aksioni u ndërmor për të vendosur ligjshmërinë në vend.
