Shefi i BE-së për Siguri dhe Politika të Jashtme, Josep Borrell ka akuzuar hapur Izraelin se kishte financuar grupin militant palestinez të Hamasit, me qëllim për ta dobësuar Autoritetin Palestinez, shkruan Politico. Këto deklarata Borrell i ka kumtuar derisa po fliste në Universitetin e Valladolidit të Spanjës, ku politikanit spanjoll iu dha një doktoratë nderi. Në fjalimin e tij të premten, Borrell – i cili është përgjegjës për politikën e jashtme të BE-së – theksoi gjithashtu se krijimi i një shteti palestinez është i nevojshëm për të zgjidhur konfliktin në vazhdim. “E vetmja zgjidhje është krijimi i dy shteteve që ndajnë tokën për të cilën ata kanë vdekur për 100 vjet”, citohet të ketë thënë Borrell. Ai shtoi se një zgjidhje e tillë duhet të “imponohet nga jashtë”.