Shefki Fetah Salihu (22.2.1950 – 3.6.1999)

Shefki Fetah Salihu (22.2.1950 – 3.6.1999)

Shefki Salihu u lind më 22 shkurt të vitit 1950, në Vërbicë të Zhegocit, komuna e Gjilanit. Ishte fëmija i gjashtë nga prindërit Fetahu e Sabilja, të cilët sollën në jetë dhe rriten me mund e vështirësi nëntë fëmijët e tyre, pesë vëllezër dhe katër motra. Ai mësimin fillor e mbaroi në shkollën e fshatit në Vërbicë. Ishte nxënës i sjellshëm, i urtë e i edukuar. Për shkak të kushteve të renda ekonomike, ngase babi i tij ishte i vetmi mbajtës familjes, për Shefkiun nuk kishte kushte të vazhdonte shkollimin e mëtejmë. Mirëpo ai nuk hoqi dorë nga librat, ai çdo ditë nga vendlindja shkonte në bibliotekën e Bresalcit dhe merrte libra dhe i lexonte.
Në vitin 1968 shkoi në shërbimin ushtarak të ish Jugosllavisë, dhe pas 18 muajsh u kthye në vendlindje. Për gjatë atyre 18 muajve atë e kishin maltretuar eprorët serbë me pretekst se kishte qenë pjesëmarrës në protestat e nëntorit të vitit 1968. Pas përfundimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak Shefkiu nuk ndeji duarkryq, mori pjesë në shumë aktivitete me karakter kombëtar.
Në vitin 1970 Enti për punë në Gjilan e dërgoi për punë të përkohshme në Gjermani. Gjatë kësaj kohe familja e tij u shpërngul me vendbanim të përhershëm në fshatin Sllovi të Lypianit. Pas disa vite qëndrimi në Gjermani kthehet në familje ku punon punë të ndryshme. Ishte aktivist i dalluar, i pranishëm në aktivitete politike për çështjet kombëtare. Në fund tetorin e vitit 1976 martohet me Mihane Gërbeshin nga Sllovija. Në jetën bashkëshortore lindën e rritën tre djem e një vajzë: Fetahun, Sanijën, Bekimin e Amirin.
Ka marrë pjesë në demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981. Në vitin 1985 e pranojnë punë në fabrikën e Metalit në Janjevë. Ishte i sjellshëm me kolegët e punës e respektonin dhe e çmonin të gjithë. Me futjen e masave të dhunshme në fabrikë, në vitin 1989 Shefkiu dëbohet nga puna së bashku me disa shokë të tij, të cilët po ashtu nuk i pranuan masat e dhunshme të pushtetit okupator.
Për shkak të aktivitetit të tij patriotik shumë herë qe ftuar në biseda informative me ç rast edhe ishte maltretuar. Në vitet 1988-1989, mori pjesë në demonstratat gjithë popullore me kërkesën “Kosova Republikë”. Edhe vitet e 90-ta, atë e gjejnë të gatshëm për të vazhduar aktivitetin e tij në dobi të çështjes kombëtare. Në tubimet politike sa e sa herë ishte shprehur kundër durimit pacifist.
Me daljen në skenë të UCK-së, në këto anë në pranverë të viti 1998 Shefkiu shkoi në Verbicë dhe u lajmërua vullnetar. Por meqë UÇK-ja ende nuk vepronte në këto anë, ai bëri përpjekje të kalonte në Zonën e Drenicës
Më 10 qershor të vitit 1998 takon një grup të përbërë nga tre ushtarë të cilët e kishin humbur rrugën, me ndihmën e tij ata i përcjellë për në vendin ku ishin nisur.
Më 20 shkurt 1999 rreth orës 22 00, kishte dërguar një sasi barnash në Gadime në shtëpinë e Sherif Rexhepit, ku ishin dy shtëpi të cilat shërbenin për mjekimin e ushtarëve dhe popullatës së zhvendosur.
Më 12 prill 1999, Jakup Ramadani pronar i fabrikës së Vegetës kishte dhënë një ndihmë për UCK-në: 470 kg vegetë dhe 2500 kg kripë. Këto ndihma Shefkiu së bashku me Sherif e Fadil Rexhepin i kishin dërguar në Zonën Operative të Karadakut, pastaj edhe një gjenerator prej 5 KW. Me traktorin e tij ka bartur një sasi të miellit nga fshati Sllovi në shoqatën nëna Terezë në Verbicë e Zhegoc për popullatën e zhvendosur që ishin strehuar në malësi.
Pas caktimit të pikave në Vërbicë, Zhegoc, Gadish e Kishnapole, Shefkiu inkuadrohet në radhët e UCK-së, ku dërgonte vazhdimisht informata nëpër fshatrat Sllovi, Smallushë, Janjevë, Okllap si dhe për lëvizjet e serbëve nëpër fshatrat: Sllovi, Dobratin, Gushterricë, Livagjë etj.
Shefkiu furnizoi edhe me armatim Remzi Hajrullahun që mbante lidhje mes Zonave Llap- Gollak –Karadak e Jezerc.
Pas ofensivës së 15 prillit 1999 shtëpitë e familjes Salihu digjen tërësisht nga forcat serbe, me këtë rast familja e tyre tërhiqet dhe zhvendosën në male. Një pjesë e tyre vendoset në fshatart Smallushë, Llugagji e Gadime. Pas kësaj ofensive Shefkiu kishte një detyrë të caktuar nga eprorët e njësitit të Vërbicës ku mbante lidhje nga Smallusha në Sllovi e pastaj përcilleshin nëpër Zonën e Karadakut.
Më 29 maj 1999 Shefkiu me dy ushtarë ishin caktuar të bënte vëzhgimin e vijës Smallushë-Sllovi-Tërbofc-Verbicë, derisa ishin në krye të detyrës ata vërejnë se në fshatin Turbovc kishin ardhur kriminelët serbë: Toshiq dhe Vasiq, ku ishin takuar një fshatar të kësaj lagjeje dhe dhe kishin kërkuar nga ai që të nesërmen kur të vijnë prapë të jetë gati për ta xhipi i markës Suzuki, pronë e Agron dhe Sami Gashit.
Shefkiu më dy ushtarët këtë informatë e kishte sjellë në mbrëmje të po asaj dite në Brigadën 171 Kadri Zeka që operonte në malësinë e Zhegocit. Pas verifikimit të informatës merren masat e nevojshme për t’i sulmuar policët serbë, sulm i cili kryhet me sukses. Me 3 qershor 1999 Shfkiu me të vëllanë Salihun ishin në krye të detyrës ushtarake, duke sjellë një informatë të rëndësishme. Në hyrje të fshatit Sllovi bien në pritë të forcave kriminele serbe dhe dërgohen në shkollën e fshatit ku maltretohen mizorisht. Nga ta kërkohej të tregonin se ku ndodheshin komandantet e Zonës: Ahmet Isufi, Shemsi Syla etj. Pasi që nuk arrijnë të marrin asnjë informatë të vetme i shtrojnë në tortura të rënda. Pas maltertimeve mizore Shefkiu vdes, ndërsa vëllai, Salihu, edhe pse ishte rrahur mizorisht arrin të largohet dhe përcillet deri në Vërbicë, ku i ofrohet ndihma mjekësore nga doktoresha, Teuta Hadri.
Shefki Saliu kishte bashkëluftëtarë: Naser Ahmetin, Remzi Hajrullahun, Mejdi Asllanin, Selami Nezirin, Fatmir Ajetin, Sherif Rexhepin, Emrush Gashin dhe Afrim Salihun (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …