Bombardimet e forcave ajrore të Aleancës Veriatlantike mbi teknikën dhe bandat çetnike serbe të përqendruara anembanë Kosovës e të Anadrinit në veçanti, shtuan urrejtjen dhe disponimin sadist e shizofren të kriminelëve të Slobodan Milosheviqit që të vrasin, të presin, të djegin, të plaçkisin dhe të dëbojnë çdo frymë shqiptare dhe të krijojnë një tokë të djegur të cilën më vonë do ta kolonizonin më lehtë e më shpejt. Kështu, fshatrat Fortesë, Celinë, Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Nagac, Hoçë e Vogël, Brestos, Rahavec, Rudinë, Landavicë, Reti e Rogovë; në Anadrini e Has, që prej 25 marsit vëhen nën tehet e thikave të farkuara në kuzhinat e Vuk Drashkoviqit e të pushkëve të koloiduara në “Zastavat” e Slobodan Milosheviqit me bekimin e Pavlit të Pakracit e të Artemije Radoviqit. Forcat serbe, pas masakrave mbi 295 banorë të Krushës së Madhe, mbi 70 banorë të Fortesës, mbi 110 banorë të Celinës, mbi 120 banorë të Krushës së Vogël, mbi 30 banorë të Nagacit, mbi 60 banorë të Hoçës së Vogël, mbi 60 banorë të Brestosit, e mbi popullatën e tubuar në Rudinë, në Zatriq e Apterrushë, drejtohen kah Llapusha për ta përsëritur skenarin e Anadrinit edhe nëpër fshatrat: Shkozë, Jançist, Pagarushë, Samadraxhë, Dabërdelan, Gurishtë, Bajë e Ballanicë, e së andejmi rrëzë Maleve të Berishës ku ishin strehuar mbi tetëdhjetë mijë banorë të Llapushës e të Drenicës. Por, për ta mbrojtur këtë popullatë, komandanti i Zonës Operative të Pashtrikut, Tahir Sinani, vendosi harkun defansiv të cilin nuk mund ta thyenin kurrsesi forcat serbe.
Këtë hark e sajonin efektivët e brigadave 123 e Therandës, 124 e Rahavecit, 125 e Prizrenit e 126 e Hasit, me tërë stafin komandues të Zonës Operative të Pashtrikut. Në luftimet që kulmuan në “Qafën e Malit”, ndërmjet Pagarushës dhe Dabërdelanit, më 28 mars të vitit 1999, mori përjetësinë edhe Shefki Hamit Thaçi i Rogovës së Hasit, shef i operativës në Brigadën 126 të Hasit në Zonën Operative të Pashtrikut, të cilën e pati koordinuar vetë Shefkiu me Haxhi Hotin, sot të dytë dëshmorë të kombit, i pari i rënë në “Qafë – Mullar” të Pashtrikut e i dyti në “Qafën e Pagarushës”.
Shefki Thaçi, djali i katërt i Hamitit dhe i nënës Salushë, i vëllai i luftëtarëve: Halit, Bajram e Haxhi, e i motrave: Remzije, Zahrije, Fiqrije, Bahrie e Mihrije, është i lindur më 22 nëntor të vitit 1963 në “Mahallën e Aruqëve” të Rogovës së Hasit, në bregun e “Drinit të Bardhë”. U lind dhe u rrit në një vatër patriotike hasjane të njohur për rezistencën ndaj çdo armiku. Shkollën fillore e kryen në shkollën e fshatit e cila sot me krenari mban emrin e Haxhi Hotit – komandant Lleshit, të cilin Shefkiu e kishte shok fëmijërie e bashkëluftëtar, sepse në “Majën e Pashtrikut” kur biseduan për herë të fundit, ishin betuar që shkolla ta mbajë emrin e dëshmorit të parë të Rogovës.
Shkollën e mesme e mbaroi në Prizren dhe ishte nxënës i profesorit dhe intelektualit të shquar Xhemali Berisha, dëshmor i kombit. Për shkak të qëndrimit që mbajti ndaj demonstratave të rinisë shqiptare Shefkiu dëbohet dy herë nga procesi mësimor, por me ndihmën e profesor Xhemali Berishës, pas vuajtjes së dënimit diplomohet në Shkollën e Mesme Ekonomike të Prizrenit. Veprimtarinë patriotike Shefkiu e vazhdoi veçanërisht pas rënies së profesor Xhemali Berishës dhe nëpërmjet të vëllait, Haxhiut, lidhet me ilegalen e Krushës së Madhe dhe me veprimtarët e profesor Ukshin Hotit; Ismet Gashin, Rexhep Hotin e Daut Hotin.
I frymëzuar prej idealit të shtetësisë së Kosovës duke menduar mirë për tërë atë që ngjante nëpër Pashtrik dhe buzë Drinit të Bardhë, Shefki Thaçi e Haxhi Hoti lidhen me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe menjëherë pas takimit me Rexhep Selimin, në gjysmën e parë të marsit në Likoc, themelon iniciativën që “Çdo fshat i Hasit ta ketë nga një bazë me logjistikë dhe operativë” dhe kështu të konsolidohet veprimtaria e deriatëhershme ilegale dhe veprimtarinë e mëtejme ta koordinojnë: Haxhi Hoti, Shefki Thaçi dhe Qenë Qenaj, e të koordinohen prej fshatit Marosh. Kështu edhe u themelua formacioni i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për arealen luftarake të Hasit të ndarë me Has andej e Has këtej.
Në frymën e marrëveshjes së dakorduar, Hasi do të gravitojë në një qendër rajonale, formë e shtabit operativ për rrëzën e Pashtrikut, por jo edhe të zhvillonte veprime operative që do të kulmonin me pranimin e luftës për shkak të rëndësisë që kishte sektori i Hasit në rrafshin logjistik. Rogova, me çerdhe në shtëpinë e Shefkiut, do të funksiononte e lidhur me Demjanin por edhe me fshatrat e Anadrinit; Drenaj, Drinas e Krushë e Madhe dhe kështu bërthama evulon në Batalionin “Njëmijë” të Brigadës 126 të Zonës Operative të Pashtrikut, e shef i operativës emërohet Shefki Thaçi, krah i djathtë i Haxhi Hotit – Lleshit. Kalimet e shpeshta nëpët Pashtrik, stërvitja e shokëve dhe përcjellja e luftëtarëve të lirisë deri më 18 korrik 1998, ishin aktivitetet kryesore luftarake të Shefki Thaçit. Por Beteja e Fortesës, luftimet në Apterrush e Rahavec edhe Beteja në “Lugun e Shqipeve” ndikuan që batalioni “Njëmijë” i Hasit të kalojë prej aksioneve guerile në kaptazhe më të gjera. Shefkiu merr pjesë në këto luftime dhe shquhet me njohuri e shkathtësi në artin luftarak, veçanërisht për tërheqjen e popullatës civile nga Rahaveci e Fortesa, si kah Zatriqi ashtu edhe kah Celina në drejtimet: Krushë e Madhe e Rogovë, e së andejmi të kalohet në Shqipëri.
Pas riorganizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut në fshatin Reti, Shefkiu vendos Brigadën 126 të Hasit në fshatin Nagac të Anadrinit sipas marrëveshjes së arritur me Xhelal Hajdën – Tonin dhe Selajdin Mullabazin – Micin, pasi që i arrin i vëllai, Shefqeti, nga Perëndimi për t’u strukturuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Beteja e “Izbishtit” më 26 e 27 tetor të vitit 1998 në “Lis – Dërvish”, dëshmon prezencën e djelmoshave të Adem Jasharit në fshatrat buzë magjistrales Prizren – Gjakovë e matanë Drinit të Bardhë, por edhe thyerjen e forcave serbe ndërmjet Brestosit, Hoçës së Madhe, Hoçës së Vogël e Retisë.
Shefkiu koordinon aksionet guerile anembanë Zonës Operative të Pashtrikut duke mos ndërprerë as veprimtarinë në sektorin e logjistikës nëpër korridorin e Hasit me pretendim që sërish të kthehet në Rogovë, duke bashkëvepruar me komandantin e Brigadës 124 “Gani Paçarizi”, Skënder Hoxhën dhe me zëvendësin, Rexhep Krasniqin. Në këtë etapë grupi i Shefkiut ndërmerr aksione në Rahavec, te “Plepat e Celinës”, në Piranë, në Rogovë e në Fortesë. Çdo punë e përfundonte me sukses duke demonstruar gatishmërinë personale por edhe aftësitë profesionale sa për luftë frontale aq edhe për aksione guerile. Ishte operativ dhe kooperativ dhe shquhej me karakter të fortë e moral të lartë, për çka dëshmojnë edhe bashkëluftëtarët e tij Safet Gashi e Fetah Bekolli.
Gjatë qëndrimit të kazermuar në shtëpinë e Ilvi Gashit të Nagacit, Shefkiu me stafin komandues të Brigadës 126 të Hasit, në bashkëveprim me brigadat 121, 122, 123, 124, 125 e 127, arriti ta kompletojë Brigadën e Hasit dhe t’i sistemojë batalionet e kësaj brigade nëpër detyra operative. Së këtjemi, prej Nagaci, Shefkiu vepron nëpër fshatrat e Hasit e madje me luftime e shpërthime pritash depërtonte edhe në Rogovë e Krumë prej nga vinin luftëtarët e lirisë. Pas rënies së grupit të Skënder Rexhepit, më 22 janar në Bardhabreg të Fortesës me ç’rast plagosen Fitim Duraku, Xhavit Elshani e Mustafë Bajraktari, Shefkiu detyrohet që të ndërmarrë veprime më të zjarrta prej “Urrës së Rogovës” kah Xërxa e Fortesa, e të gjitha ndërmarrjet i kurorëzon me fitore dhe shkatërrim të forcave serbe. Ardhja e komandant Tahir Sinani në krye të Zonës Operative të Pashtrikut, masakra e çetnikëve në Rogovë, më 29 janar, patrullimet e shpeshtuara nëpër aksin e magjistrales Prizren – Gjakovë, por edhe rimasovizimi i të rinjve për t’u radhitur nëpër strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bombardimet e Aleancës Veriatlantike, ndikuan në ndryshimin e dinamikës së veprimeve jo larg çerdheve paramilitare serbe në Rahavec, Hoçë të Madhe e Zaçisht, ku vepronte Shefkiu me Rexhep Krasniqin, Lulëzim Krasniqin dhe Selim Gashin.
Forcat serbe të tërbuara nga humbjet që pësonin prej luftëtarëve të lirisë, por edhe të shfrenuara për plaçkitje, vërsulen si hijena e çakejë mbi fshatrat e Anadrinit. Sa për ilustrim do përmendur fakti se vetëm në fshatin Shkozë, policia serbe, ushtria dhe paramilitarët e Hoçës së Madhe vranë mbi 370 lopë, vjeta, qe e kuaj, prandaj komandant Tahiri vendos gardhin defansiv prej “Ballit të Vneshtit” mbi Rahavec, e kah “Grabi” në harkun “Qafë e Pagarushës” – “Biraq”, vetëm e vetëm që të mbrohet popullata civile e Anadrinit dhe Llapushës që ishte mbledhur në Pagarushë, e cila atyre ditëve i ngjante një qyteti të madh, madje me treg të përhershëm e mirë të furnizuar.
Forcat serbe bënin përpjekje maksimale për ta thyer harkun e përmendur defansiv: në fillim me kanonada predhash artilerike e më vonë edhe me këmbësori të kombinuar, por djelmoshat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk e lënë “Qafën e Pagarushës” dhe në këtë mbrojtje ra heroikisht edhe Shefki Hamit Thaçi, aty ku u plagosën Hamëz Kryeziu, sot invalid i luftës e Enver Eqrem Duraku, dëshmor i kombit. Dhe në mesnatën e 28 marsit, luftëtarët e Brigadës 126 të Hasit, nën komandën e Nexhmedin Berishës e të Kapllan Hotit, përcollën për në Përjetësi bashkëluftëtarin Shefki Thaçi, ndër themeluesit e kësaj brigade, kurse të nesërmen, në “Kopshtin e Dëshmorëve”, në Pagarushë vjen zonja Sahadete Thaçi, bijë e Krasniqëve të Pagarushës. Arrin së bashku me Jetmirin nëntëvjeçar, Liridonin shtatëvjeçar dhe Jehonën trivjeçare, për ta parë shtëpinë e amshueshme të të et dhe të bashkëshortit luftëtar e dëshmor i kombit.
Sot trupi i Shefkiut pushon në “Kopshtin e Dëshmorëve” të Hasit në Rogovë, ndërsa lapidari në “Qafën e Malit” flet se aty ranë Shefki Thaçi e Enver Duraku, por nuk ra Pagarusha, nuk ra Kosova, nuk ra Shqiptaria dhe se në “Qafën e Pagarushës” e thyen qafën ata që ëndërronin se Kosovën mund ta mbajnë me dhunë, me burgosje e me djegie. Në fshatin Rogovë, mu para portës për në odën e Hamit Aruqit, shkëlqen edhe një lapidar që ruan emrin e të vëllait-Shefqetit, të rënë në mbrojtje të shokëve si pjesëtarë i Njësitit për Intervenime të Shpejta, ashtu siç i pati rreshtuar autori i rapsodisë për Thaçët e Aruqëve të Rogovës. (S. C.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …