leoni

Shefqet DIBRANI: DIKTATURA MUND TA NDRYDH TALENTIN, POR JO TA PUSHTOJË TËRËSISHT
BASHKIM ALUSHI

Shefqet DIBRANI: DIKTATURA MUND TA NDRYDH TALENTIN, POR JO TA PUSHTOJË TËRËSISHT

Portret artisti BASHKIM ALUSHI, piktor:
Bashkim Alushi, ka lindur më 25 shtator 1954. Shkollën Fillore tetëvjeçare e kreu në Mallakaster ndërsa të Mesmen Ushtarake “Skënderbej” si dhe Akademinë Ushtarake, Dega për Topografi i mbaroi në Tiranë. Gjatë karrierës së tij ushtarake ka pasë detyra me rëndësi gjerë në gradën major në Ushtrinë Shqiptare. Po ashtu Bashkim Alushi, ka kryer edhe specializime të tjera në fushën Topografisë dhe Hartografisë. Për shkak të profesionit të ekonomistit Babai i tij punoi edhe në Ballsh e Mallakastër. Kurse në vitet e shtatëdhjeta, para se të vendosej në Fier, për shumë vite ka punuar në komunën Cakran, Qarku i Fierit, dhe për punën, korrektësinë si dhe respektin ndaj komunitetit ai është nderuar me titullin “Qytetar nderi” nga këshilli pluralist i komunës.
Pas transformimeve dhe reformave në Ushtrinë Shqiptare, Bashkim Alushi ka punuar në profesionin e hartografit në institucionet civile të shtetit, gjithnjë me pasion dhe përkushtim, shembull për tu admiruar se si duhet dashtë shtetin dhe Atdheun. Përkushtimin ndaj punës e ka bartur edhe në fushën e artit, dhe falë këtij talenti ai u bë i njohur, andaj më ka dhënë shkas edhe mua për këtë “portret fjalësh”, natyrisht më të përzgjedhura! Por, ajo që e dallon nga ushtarakët tjerë, është arti dhe piktura. Tashmë ai i takon plejadës së piktorëve të njohur shqiptar. Pikturat dhe grafikat e Bashkim Alushit përbëjnë një mozaik të tërë teknikash me kontraste të ndryshme, ngjyra të shumta dhe figuracione të larmishme. Edhe nga fusha e etnografisë dhe peizazheve të lira, qoftë pamje të njohura e qoftë art i abstraksionit, gjithnjë Bashkim Alushi ka treguar sukses duke realizuar punime arti të vlerësuara.
Sa ishte student, bashk me shokun e tij Fejzo Lala, kanë hapur ekspozitën e parë në Pallatin e Kulturës në Tiranë. Punimet e asaj kohe janë vlerësuar. Por, ai paralelisht me profesionin, ka vazhduar me trajnime në fushën e grafikës dhe pikturimit, duke i perfeksionuar mjaftë mënyra e teknika të artit. Arti dhe piktura për të, janë vyrtyt i talentit qysh nga fëmijëria. Sot piktura dhe vizatime të shumta janë pjesë e jetës së këtij intelektuali, ushtaraku dhe artisti, i cili fillimisht u shqua për grafikat e realizuara, të cilat u bënë më të njohura falë shtypit dhe revistave të kohës. Punimet grafike të tij janë publikuar në gazetën “DRITA”, Organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në “ZËRI I RINISË”, Organ i Rinisë Socialiste, që dilte në Tiranë, (jo “ZËRI I RINISË” që botohej në Prishtinë), pastaj në revistën e ilustruar “YLLI”, e cila në faqet e saj afirmonte edhe vlera dhe arritje në art dhe në fusha të tjera. Po ashtu grafikat e Bashkim Alushit janë botuar edhe në Revistat “LUFTËTARI” dhe “10 KORRIKU”, kjo e fundit botohej që nga viti 1947, si Organ i Ministrisë së Mbrojtjes së RPS të Shqipërisë.
Dihet se “në periudhën e socrealizmit, orientimet ideore e kufizonin artistin në pasqyrimin e vlerave më të spikatura të trashëgimisë sonë popullore; folklorit, traditave etnokulturore, arkitekturës së ndërtesave dhe kulturës materiale”, (Nuri Plaku), prandaj nuk përjashtoheshin as grafikat e Bashkim Alushit. Por në kohën e tranzcionit, edhe të demokracisë, krijimtaria e Bashkim Alushit, do të fitojë vlera të përgjithëshme duke dëshmuar se talentin, munden diktaturat ta ndrydhin, por jo tërësisht ta pushtojnë. Andaj them se te ky piktor talenti ishte dhunti, kurse tërë artin e vet e vuri në shërbim të kombit dhe vlerave ma të mira që i ka një shoqëri moderne. Kjo larmi, ruan autencitetin dhe vulën e të gjitha etapave të diktaturës dhe të tranzcionit, nëpër të cilin kaloi Shqipëria. Së këndejmi edhe realizimet që kanë të bëjnë me Kosovën, veçmas “Portretet e Gruave Kosovare”, i japin piktorit epitet dhe vlerë, vlenë për tu veçuar cikli me motive për periudhën e Eksodit të saj Biblik. Ky cikël i tabllove që i kushtohen Kosovës, autorin e kanë lidhur edhe më mirë me pjesën tjetër të Atdheut, pjesë për të cilën ai shprehet: “Në pah del fisnikëria e nënës shqiptare e cila merr një kult të veçantë emocional, ku shprehen dhimbje, krenari dhe lot, duke veçuar këtu, motivet e hidhura të vitit të zi ‘97, dhe nënat e përlotura kosovare që iknin nga gjenocidi i egër Serb”, (B. Alushi, intervistë dhënë F. Shehut).
Shefqet DIBRANI: DIKTATURA MUND TA NDRYDH TALENTIN, POR JO TA PUSHTOJË TËRËSISHT
Bashkim Alushi, mbijetoi etapat politike e idologjike, falë artit të cilit iu përkushtua me tërë qenien, dhe si rezultat i këtij angazhimi janë vizatimet, portretet si dhe tablo të shumta me ngjyra, disa nga të cilat janë vlerësuar për nivel artistik, sidomos ato nga cikli i etnografisë me punime tematike nga polifonia labe, që bashkë me peizazhin janë realizime shumë të bukura. Pikturat e këtij artisti, dominohen me ngjyrë mjaftë të theksuar, me ndriçim dalluas, duke e bërë të veçantë dhe të vlerësuar nga njohësit e artit.
Vitet e fundit, piktorit i japin mundësi për të krijuar artin larg klisheve dhe imponimit të dikaturës, e cila kudo dirigjonte konceptet dhe mënyrën e punës. Arritjet kaq të mëdha, vijnë në saje të përvojës paraprake dhe punës me përkushtim ku do të bëhet emër i njohur. Ai me prezencën personale nëpër ekspozita individuale dhe kolektive si në Shqipëri, Kosovë, Itali, Greqi dhe në Zvicër etj., ka arritur të realizoj vetvetën. Po ashtu ai ka të themeluar atelien personale në Tiranë dhe Fier. Bashkim Alushi, aty në studiot e punës pret miq dhe të njohur, kalimtar rasti, dashamirë dhe njohës të arti, ku nuk mungojnë as shkrimtarët, pasi me dhjetëra nga punimet e Bashkimit, zbukurojnë edhe ballinat e librave. Kjo ia rrit edhe më tej famën artistike. Po ashtu pikturat e tij, sot i zbukurojnë studiot e shkrimtarëve, muret e dhomave nëpër shtëpitë private, si dhe zyrat e punës nëpër instutucione zyrtare, muze të ndryshme dhe pallate a ndërtesa të artit e kulturës, disa prej të cilave, prej kohësh janë pjesë e Fondit në Muzeun Historik në Fier.
Bashkim Alushi, është shumë i njohur me grafika, dhe paralel me të edhe me pikturë, dy gjini që sforcojnë njëra tjetrën, qoftë me bukurinë e saj, sidomos me mënyrën e lirizmit artistik, pamja e tablove kanë shije dhe janë mbresëlënëse. Janë të rrallë ata artist që krahas një gjinie artistike, siç është grafika, të cilën artisti e zotëron. Po kaq dendur vizaton portretin të cilin e punon në laps, tush, dhe me ngjyra. Në fushën e peizazhit nuk mund të specifikohet ku qëndron ma mirë, punimet e lira nga natyra, apo cikli me pamje qyteti, peshkimi ose një cikël i tërë, që mua më pëlqen shumë, janë pikturat me tematikë etnografike. Sigurisht ka edhe grafite e mbishkrime, që mund të konsiderohen si koncept i tejkaluar, veçmas për tematikën dhe glorifikimin, por jo edhe për mjeshtrinë artistike për t’i vizatuar e skicuar në shërbim të një çëshje a koncepti.
Natyrisht, realizimet e reja e avancojnë elementin artistik duke ruajtur besnikërisht atë frymën e komunikimit me njeriun, me situatën dhe me realitetin, duke mos përjashtuar artin që i takon modernizmit, që po ashtu komunikon me njeriun dhe realitetin. Humanizmi si aspekt artistik, nga Njeriu-Piktor, më mirë do të kuptohet nga përgjigjja e tij në një intervistë për z. F. Shehu: Enriko Veizi, “Është portreti më i veçantë dhe i vetëm që unë… nuk e firmosa, por e lashë ashtu të bardhë, ku me shkronja të padukshme janë shkruar emrat e të gjithë atyre që do të kishin dëshirën të portretizonin atë. Pra unë dëshiroja të mbetesha anonim. Po, unë e kam bërë Rikun, unë e modelova portretin e tij nga vetë mëndja ime, si obligim për të gjithë ata që jetojnë përjetësisht. Për ata që nuk vdesin kurrë. Po unë bëra detyrën time si krijues, për mikun tim, për njeriun fisnik, njeriun e shquar ENRIKO VEIZI”.
Unë nuk po i qasem pikturave të tij nga kënvështrime të tjera, siç janë drita dhe hijëzimi, apo përdorimi i ngjyrave dhe ravijëzimi i vijave, pasi nuk mund të marrë përsipër të bëjë klasifikimin e krijimtarisë së tij. Por mund të them se pikturat e tij të punuar, (pos atyre në grafikë), në vaj dhe akryl, mishrohen në vetën e saj me një lloj realiteti, me mesazh të qartë dhe interpretojnë vlera, edhe nga heroika shqiptar duke e lidhur piktorin me rrënjët dhe trungun e etnogjenezës, si dhe me elementin e eposit nacional, i trashëguar shekuj me radhë. Punimet artistike ruajn e bëjnë lidhje të kujdesshme me një harmoni të rrallë që ndihmon për të kuptuar esencen e masazhit që përcjell piktura ose cikli si tërësi më e kompletuar, por me tematikë identike.
Mendoj se sot, përcjellësit e artit dhe kritikët nuk e kanë vështirë ta dallojnë stilin e tij, madje shumë nga kompozimet e tija, qoftë me portrete, peizazhe, grafikat dhe përdorimi i ngjyrave, e bëjnë Bashkim Alushin, artistë që dallohet për identitet edhe pa e shënuar emrin vet, dhe kjo gjë është arritje, është tamam profilizim artistik dhe siukses i tij. Bashkim Alushi, flet dhe shkruan rrjedhshëm gjuhen angleze, e cila i ka krijuar avantazh për të udhëtuar jshtë vendit, për ta prezantuar e pasqyruar si duhet krijimtarinë e vet dhe me këtë edhe Shqipërinë. Ai, përveç se ishte anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, sot është anëtar i Unionit të Artistëve pa Kufi me qendër në Paris.
Bashkim Alushi, tash si pensionist jeton në Tiranë. I martuar me Tatianen, mësuese në Gjimnazin “Janaq Kilica” në Fier, e cila që prej tre vitesh, nuk jeton më. Por, Bashkim Alushi, nga kjo martesë i ka dy quna me shkollime të larta universitare, të cilët janë të sistemuar me punë dhe jetën e tyre në Tiranë. Dhe përveç pikturës e vizatimit, Bashkim Alushi ka edhe një nip, i cili është gëzimi i tij më i madh.
Zvicër / St. Gallen, 27 tetor 2024.
DISA NGA EKSPOZITAT PERSONALE DHE KOLEKTIVE
1977 – Tiranë. (Student dhe bashkautor me Fejzo Lala) Ekspozitë në Pallatin e Kultures.
1985 – Tiranë. Pjesëmarrës në ekspozitën kombëtare në Galerinë Kombëtare të Arteve.
1991 – Tiranë. Pjesëmarrës në ekspozitën kombëtare në Galerinë Kombëtare të Arteve.
1991 – Fier. Ekspozitë e përbashkët me piktorin Fejzo Lala.
1991 – Tiranë Ekspozitë e përbashkët me piktorin Fejzo Lala.
1995 – Fier. Ekspozitë personale me motive te Festivalit Folklorik Kombëtar.
1996 – Greqi. Ekspozitë me dy bashkautor në “Galiko instituto” Greqi.
2005 – Tiranë. Pjesëmarrës në Galerinë kombëtare të Arteve në Tiranë, në përvjetorin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu.
2005 – Prishtinë. Pjesëmarrës në ekspozitën e përbashkët në Prishtinë, në përvjetorin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu.
2006 – Mitrovicë. Ekspozitë në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë, me rastin e Takimit Ballkanik për poetin e shquar Fahredin Guga.
2010 – Itali. Ekspozitë personale në Fiera Dela Pesca në Ancona, mbajtur në “Palazio Camarada”, ku pasqyroheshin vendet historike si dhe portrete te personaliteteve me kontriubute të shquara.
2010 – Itali. Bashk me artistin italian Sergio Marini Graseti, Ekspozitë në Panairin Euriopian “Fiesta de la Pesca – Panairi i Peshkimit”, me tematikë nga peshkimi. Bashkim Alushi, i realizoi punimet live në portin e peshkimit Ancona.
2015. Pjesëmarrës në ekspozitën e organizuar nga Akademia Evropiane e Artit, (tash Unioni i Artistve pa Kufi), në të cilën Bashkim Alushi, u vlerësua me Çmimin e Parë.
2017 – Zvicër. Pjesëmarrës në Zvicër në ekspozitën e organizuar nga “Unioni i Artistëve pa Kufi).
2022 – Tiranë. Pjesëmarrës në ekspozitën “Pranvera” në Muzeun Historik Kombëtar, në Tiranë.
2023 – Tiranë. Muzeu Historik Kombëtar Tiranë, Ekspozita “PranveraArt”, ekspozitë kolektive me 66 artistë tjerë! (Edicioni i 14-të i ekspozitës së hapur nga data 21-28 maj 2023).
2024 – Durrës. Pjesëmarës në ekspozitën e organizuar në Durrës nga “Unioni i Artistëve pa Kufi”.
2024 – Vlorë. Gusht, në “Promenade Gallery”, së bashku me: Zihni Veshi; Skënder Kamberi; Adrian Cene; Artan Shabani (dhe kurator) Billi Mazreku; Alkan Nallbani; Artan Marku dhe Ben Kamili.
p.s. 1980 – 2024. Fier. Po ashtu, që nga viti 1980, Bashkim Alushi, pothuajëse është pjesëmarrës i rregullt në ekspozitën “V. Kilica” në Fier.
(Përgatiti sh.d.)
 
LITERATURA BAZIKE:
– Bashkim Alushi, Blogu personal: https://bashkimalushi.blogspot.com/
– Angela Kosta – Biografia dhe krijimtaria e piktorit Bashkim Alushi; Orfeu.Al, 10 maj 2024, https://orfeu.al/angela-kosta-biografia-dhe-krijimtaria-e-piktorit-bashkim-alushi
– Nuri Plaku – HAJKU i grafikes dhe piktura poetike e Bashkim Alushit. Blogu i piktorit. https://bashkimalushi.blogspot.com/2009/12/hajku-i-grafikes-dhe-piktura-poetike-e.html
– FADIL SHEHU, Bashkim Alushi Tregon për magjinë e pikturës; Dielli, 23 korrik 2018. (Florida, Korrik 2018), https://gazetadielli.com/bashkim-alushi-tregon-per-magjine-e-piktures/
– Dash Frashëri – Një ditë në “PranverArt”, ekspozitën e 66 artistëve! (Ky është Edicioni i 14-të i ekspozitës së hapur në Muzeun Historik Kombëtar (21-28 maj 2023); DashArt.Al, 23 maj 2023. https://www.dashart.al/tag/bashkim-alushi/
– Jonida Salku – PIKTORI SHQIPTAR BASHKIM ALUSHI, Ancona (I), 8-13 mars 2010, gratë italiane dhe emigrante festojnë bashkë; https://bashkimalushi.blogspot.com/2010/03/piktori-shqiptar-bashkim-alushi.html
– Redazione Anconainforma.it, Ancona, 16 giugno 2010; https://bashkimalushi.blogspot.com/2010/06/redazione-anconainformait.html
– Jozef Radi; PIKTURA E MIQVE TË MI NË KOHËN E CORONAVIRUSIT, Radi&Radi, 08 maj 2020. https://www.radiandradi.com/piktura-e-miqve-te-mi-ne-kohen-e-coronavirusit/.
– Portali: Fieri.com – Fier, Albania Online; BASHKIM ALUSHI: Piktura, bashkudhëtare e jetës sime.
– Gazeta DESTINACION – Bashkim Alushi: pikturë, Gazeta DESTINACION, 30 mars 2023. https://gazetadestinacioni.al/bashkim-alushipikture/

Kontrolloni gjithashtu

Prof. Dr. Hivzi MUHARREMI: In Memoriam-Impresion  mbi jetën dhe veprat e piktorit profesorit, akademikut Tahir Emra

Piktor kolorist i figuracionit, peizazheve, enteriereve dhe natyrave të qeta Me ndarjen nga jeta të …