(Grup Autorësh, <SHKOLLA E MESME PROFESIONALE “ISMAIL DUMOSHI”, NËPËR KOHËRA>, Monografi, Kastriot (Obiliq) 2017. Botoi ProkultPress, Prishtinë 2017, Faqe 302. ISBN 978-9951-726-22-1)
Monografia <SHKOLLA E MESME PROFESIONALE “ISMAIL DUMOSHI”, NËPËR KOHËRA>, është përgatitur nga mësimdhënësit dhe drejtuesit e shkollës: Prof. Qamil Hasani, prof. Jahja Prestreshi, prof. dr. Izet Shehu, prof. Vehbi Sadiku, prof. Shaip Fazliu, prof. Ramadan Latifi dhe prof. Xhemë Binaku.
***
Shkolla e Mesme Teknike në Obiliq, për vite të tëra e ka mbajtur emrin e shkencëtarit me famë botërore “Nikolla Teslla”, për të cilin thuhet se ka prejardhje shqiptare. Pastaj kjo shkollë është pagëzuar me emrin e një shkenctari tjetër “Hasan Tahsini”, po ashtu me origjinë shqiptare, që ishte njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të Perandorisë Osmane në shekullin e XIX-të, ndërsa në vitin 2016, Shkolla e Mesme Teknike, është riemërtuar Shkolla e Mesme e Lartë Profesionale “Ismail Dumoshi”.
Për mua si lexues dhe si ish nxënës i kësaj shkolle, ky libër më emocionon tejmase, sepse risjell në kujtesën time profesorët tanë të nderuar, shoqët dhe shokët e gjeneratës dhe më aktualizon në memorien time edhe shumë kujtime të tjera që kanë të bëjnë me historikun e kësaj shkolle. Në ekipin e autorëve është edhe kujdestari i klasës prof. Shaip Fazliu.
Monografia <SHKOLLA E MESME PROFESIONALE “ISMAIL DUMOSHI”, NËPËR KOHËRA>, ka shënime të shumta për rrugën dhe peripecitë nëpër të cilën kaloi Shkolla e Mesme Teknike në Kostriot. Bashkë me shkollat tjera dhe arsimin shqip në Kosovë, edhe kjo qendër e dikurshme teknike, e ka historinë e vet mjaftë të bujshme, ngase nga bankat e saj kanë dal personalitete të shumta të shkencës dhe dijes, duke u bërë emra të njohur, qoftë si profesor universitar në Unversitetin e Prishtinës ose drejtues të shquar profesional, shoqërorë dhe politik, në kuadër të Kombinatit Xehtaro-Energjetik-Metalurgjik-Kimik (KXEMK), “KOSOVA” në Obiliq, e disa sish edhe drejtues shkencor nëpër institucionet përkatëse vendore e ndërkombëtare.
Monografia hapet me një vendim të Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, prof. dr. Arsim Bajrami, për riemërtimin e shkollës ”ISMAIL DUMOSHI“, i cili ishte pedagog dhe drejtues i kësaj shkolle. Në faqen vijuese është prezantuar Urdhëri ”Hero i Kosovës“, dhënë Ismail Dumoshit nga Presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga si dhe Vendimi i saj që mbanë datën 28 nëntor 2012. Këtyre dekorimeve i shtohet edhe Mirënjohja e datës 27.11.2008, dedikuar Ismail Dumoshit, (1939-1988), nga Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Hashm Thaçi.
Prof. Shaip Fazliu, ka shkruar parathënien e librit në të cilën thuhet: “Ideja për të shkruar këtë libër monografik për punën e Shkollës së Mesme të Lartë Profesionale në Kastriot lindi nga punonjësit e kësaj shkolle në tubimin e të gjitha gjeneratave mbajtur më 24.04.2010 në lokalet e kësaj shkolle. Këtë ditë u takuan numër i madh i punonjësve të gjeneratave të ndryshme, madje edhe të viteve të 60-70, ku evokuan kujtime për punën e tyre me nxënës, ngjarje dhe situata që i kanë përjetuar”, në këtë shkollë, që bashkë me personelin edukativo-arsimor dhe nxënësit e saj, janë një faqe e ndritur për historikun e kësaj qendre, pasi disa prej të cilëve janë emra të shquar të shkencës dhe dijes, e disa të tjerë kanë mbajtur burgje të gjata politike, kurse një gjeneratë e re, ishin luftëtar dhe disa sish sot janë dëshmorë të Kosovës.
“Si mos të shkruhet për këtë shkollë, e cila dallohet nga shkollat tjera në Kosovë për kontributin e madh që ajo dha nëpër kohëra, në procesin mësimor për arsimimin dhe edukimin e të rinjve, por edhe kualifikimin profesional të të rriturve, pra të punonjësve nga marrëdhënia e punës”, ka theksuar në këtë shënim, autori i parathënies. Si i gjithë arsimi shqip në Kosovë edhe Qendra Shkollore Teknike, ka kaluar nëpër të gjitha etapat e zhvillimit jo vetëm të saj por nëpër të gjitha proceset shoqërore e politike që kaloi Kosova. Pra “nga kjo shkollë dolën shumë kuadro të profileve elektroteknike, makinerike, xehtare, teknologjike dhe kimike, kuadra këto të cilat mbajtën dhe mbajnë procesin e prodhimit, sidomos në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës. Kontribut të madh kjo shkollë ka dhënë edhe për ndërmarrjet tjera, si në Kosovë, poashtu edhe në vendet jashtë saj, në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, pra në të gjitha trevat shqiptare”, ka shkruar prof. Shaip Fazliu, i cili shton se “shkollimi i të rinjve shqiptarë në Kosovë ka qenë “therrë në sy” për pushtetin serb. Kështu, gjithmonë ky pushtet ka penguar zhvillimin e arsimimit të shqiptarëve. Madje edhe qytetarëve serbë të Kastriotit u pengonte prania e nxënësve shqiptarë nëpër rrugët e kësaj qyteze”.
Në vitin 1989, Republika e Serbisë, njëanshëm i mbylli të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Kosovë, këtë fat e përjetoi edhe “Shkolla e Mesme Profesionale në Kastriot”, të cilës me datën 21.01.1991, do t’iu ndërpritet marrëdhënia e punës të 106 profesorëve shqiptarë të kësaj shkolle, natyrisht me arsyetimet banale të asaj kohe që kishin marrë hov në mbështetje të shovinizmit serb i cili po radikalizohej dita-ditës. Pa dyshim, edhe në rrethanat e reja në të cilat u gjend kjo shkollë, falë kuadrit arsimor të saj, do të gjej zgjidhje për arsimin pararlel që u mbajt gjatë viteve të nëntëdhjeta, kuptohet në rrethana të rënda dhe me pozitë diskriminuese.
Ashti siç e potencon prof. Shaip Fazliu se, “nga kjo shkollë dolën shumë kuadro të profileve të xehtarisë, elektroteknikës, makinerisë, kimisë etj.”, po ashtu “edhe në luftën e vitit 1998-99, punonjës dhe nxënës të kësaj shkolle u rreshtuan me ushtarët e UÇK-së për çlirimin kombëtar të Kosovës”, dhe tashmë dihet se në këtë luftë nga kjo shkollë pati të vrarë e të plagosur.
Prof. Sahit Krasniqi, shkruan për sfidat nëpër të cilat kaloi arsimi shqip në Kosovë, së këndejmi edhe ”Qendra Teknike në Obiliq, në periudhën e viteve 70-80“, ndërsa Prof. Jahja Prestreshi shkruan për ”Pozitën Gjeografike të Komunës së Kastriotit, (ish-Obiliqit)“. Në fillim të këtij shënimi, prof. Jahja Prestreshi, i bënë një vështrim ”Historikut të kësaj shkolle“, e cila ishte bërë çerdhe e lëvizjes kombëtare. Pastaj në një pasus shkruan edhe për “diferencimin ideopolitik“, i cili qe shndërruar në fushatë antishqiptare. Më pas prof. Prestreshi shpjegon se, “Mësimi i orientuar në shkollat e mesme të Jugosllavisë”, ishte një reformë e pasuksesshme, kurse “segregacionin ndaj nxënësve shqiptarë”, ai e cilëson si veprim racist i pushtetit jugosllav. Në këtë hulumtim, me primesa shkencore, ai ka shkruar edhe për aneksimin e autonomisë së Kosovës nga politika serbe e cila kërkonte mënyra për ta aneksuar Kosovën. Më pas ai merret me mënyrën e arsimit në sitemin paralel, për aktivitetet kulturore e artsitike në këto rrethana, duke mos i harruar pronaret e “Shkollave Shtëpi”. Duke dhënë shumë informacione të tjera të cilat ilustrohen me fotografi, faksimile dhe me listën e emrave që kanë ndihmuar sistemin e shkollimit paralel në rrethanat e pushtimit klasik, profesor Prestreshi, ka arritur të jap një pasqyrim të kompletuar të gjendjes dhe rrethanave në të cilat u gjend arsimi shqip, së këndejmi edhe kjo shkollë. “Trajtimi i arsimit shqip në Kastriot”, nga prof. Jahja Prestreshi është i kompletuar edhe me kapitullin ”Lufta në Kosovë dhe pjesëmarrja e nxënëse dhe arsimtarëve të shkollës në të“; ku jepet një listë e dëshmorëve të kësaj shkolle në Luftën e Kosovës 1998-1999. Mua më bëri përshtyoje shënimi që i kushtohet profesorit të kimisë Xhevdet Stulqaku, (shok imi i klasës Sh.D.), i cili është ndërë të gjallët që ka pësuar shumë në Luftën e Kosovës. Prof. Prestreshi, duke e plotësuar shënimin e tij edhe me format e “Organizimit të mësimit pas përfundimit të luftës”, si dhe sfidat me të cilat u përball kjo shkollë gjer në vitin 2008, kur do të filloj mësimi në objektin e ri shkollor ka dhënë kontruibut thelbësor në kompletimin kaq të bukur e profesional të kësaj monografie.
Prof. dr. Izet Shehu, shkruan: ”Qendra Shkollore Teknike ”Nikolla Teslla“, njësi e Elektroekonomisë së Kosovës në Kastriot“, studim ky shkencor i cili merret kryesisht me zhvillimin e industrisë së energjetikës në Kosovë, me historikun e minierave të Kosovës, me repartet e Kombinatit KXEMK “KOSOVA”, pastaj me përgatitjen e kuadrove të reja profesionale si dhe aftësimi i punëtorëve në Qendrën Shkollore Teknike “Nikolla Teslla” në Kastriot. Me skica dhe tabela profesionale prof. dr. Izet Shehu, ka dokumentuar për numrin e të punësuarve në KEK dhe për strukturën nacionale të të punësuarve nga viti 1952 – 1969, pastaj jepen statistika të tjera më të plota nëpër vite, duke e ilustruar studimin e tij me të dhëna statistikore të të gjitha kualifikimeve dhe udhëhqjes në këtë kombinat, i cili kaloi nëpër vite e etapa të ndryshme, të terrorit psikik e të presionit politik. Mund të themi se ky studimi, i publikuar edhe si “Raport i Sindikatës së Pavarur të KEK-ut”, është kapitulli më interesant për të parë jo vetëm rritën e Qendrës Shkollore Teknike, por edhe të vet Kombinatit “KOSOVA”, në Kastriot dhe të Kosovës në përgjithësi.
Prof. Shaip Fazliu, ka përgatitur një tabelë me emrat e “Drejtuesve dhe udhëheqësve të kësaj Shkolle nga Themelimi i saj në vitin 1945, në kuadër të Kombinatit Xehtaro-Energjetik-Metalurgjik-Kimik (KXEMK)”, duke e bërë monografinë edhe më të pasur dhe më të kompletuar, kuptohet par nga ky këndvështrim. Në vazhdim janë publikuar edhe kujtimet e prof. Qamil Hasanit, si përjetime personale në Qendrën Shkollore ”Nikolla Teslla“. Këto kujtime janë tejet interesante sepse duke rrëfyer prof. Qamil Hasani, përmend emra të njohur të cilët kishin nisur karrierën edukative arsimore në këtë shkollë për të vazhduar shumë sish si profesor universitar ose udhëhqës në reparte e organizata të njohuar në Kosovë.
Prof. Xhemë Binaku, ka bërë shënimin “Kujtime nga hapja e paraleleve të ndara të shkollës në Drenas (Gllogoc)”, që duket të jenë “evokime të Hysen Gollubovcit, profesor i gjeografisë”. Pastaj profesori i fizikës Shaip Fazliu, ka rrëfyer kujtimet e tij “Në Qendrën Shkollore Teknike “Hasan Tahsini”; (ish Nikolla Teslla), në Kastriot. Kujtimet e tij janë të ndara në dy pjesë: PJESA E PARË, merret me periudhën kohore 1971-1973, që duket të jenë shënime nga monografia kushtuar prof. Ismail Dumoshit, e përgatitur nga prof. dr. Izber Hoti, kurse PJESA E DYTË, përfshinë periudhat, 1973-1978 dhe 1981-1982. Brenda këtij shënimi, faqe 117, është publikuar edhe një fotografi e profesorit me nxënisit e Klasës së Dytë, drejtimi kimio-teknologjik, viti shkollor 1976-1977, që rezulton të jetë pikërisht, fotografija e klasës time, kur edhe unë isha nxënës i kësaj qendre dhe i profesorit Shaip Fazliu. Më pas prof. Ramadan Latifi, shkruan: “Periudha e punës të drejtorit të ShMT “Hasan Tahsini”, ish “Nikolla Teslla”. Në këto kujtime ai ka rrëfyer përvojën e tij si drejtor i shkollës, në rrthanat e reja që po hynte Kosova, sidomos shënimi, “Pranvera e nxehtë 1981 – Demonstratat e vitit 1981”, (faqe 131), e bëjnë rrëfimin më përjetues, sepse jane këto ngjarje që do t’i japin kahe tjetër të gjitha zhvillimeve shoqërore e politike jo vetëm në Kosovë, por në tërë hapësirën e Federatës Jugosllave.
Një regjistër i gjatë me emrat e punonjësve shqiptarë, të cilët kanë punuar në Shkollën e Mesme Teknike “Hasan Tahsini”, (ish Nikolla Teslla), në Kastriot dhe në paralelën e ndarë në Drenas, është përfshirë në faqet 139-156, duke kompletuar edhe më tej me të dhëna statistikore këtë monografi, tabelë kjo e cila është përgatitur po ashtu nga prof. Shaip Fazliu, kurse nga faqja 157- 268, janë dhënë shënimet biografike, kualifikimet dhe koha kur kanë punuar si kuadër edukativo arsimor në këtë shkollë, ku një numër sish, pastaj janë bërë emra të njohur në fushën e dijes akademike e të kulturës, si dhe të shkencës e teknologjisë industriale që zhvillohej në Kosovë.
Kjo monografia është e kompletuar edhe me një “ALBUM”, (faqe 269-296), në të cilin janë përfshirë fotografi të shumta, nga aktiviteti me nxënës e personelin arsimor, si dhe nga aktivitete të lira nga jeta kulturore e artistike. E, në faqën 297, është edhe shënimi: “Krejt në fund të librit”, që ka të bëjë me shpjegimin rreth emërtimit dhe riemërtimit të kësaj Qendre Shkollore. Po ashtu është botuar edhe një falënderim për Kuvendin Komunal në Kastriot, si dhe për inxhinierët: Rrustem Shahini dhe Gjokë Karaqi, të cilët kanë ndihmuar në kompletimin e monografisë, e cila falë punës ekipore të këtij Grup Autorësh, e kanë bërë Monografinë <SHKOLLA E MESME PROFESIONALE “ISMAIL DUMOSHI”, NËPËR KOHËRA>, dokument të rëndsishëm me karakter historik, dhe mjaftë mirë i kompletuar.
CH – St. Gallen, 15 qershor 2023.
Shefqet DIBRANI
(ish-nxënës i kësaj shkolle)