leoni

Shefqet DIBRANI: OPTIKA LETRARE ZBARDHËLLON MBI OLIGARKINË E SHËRBIMEVE SEKRETE

(Muharrem Blakaj , <ATENTAT BRENDA GERMËS “L“>, roman,  botoi „SHKSH MËMËDHEU“, CH-St. Gallen 2007, faqe 336. ISBN 978-9951-423-05-2)


 


Muharrem  Blakaj është njëri nga romansierët shqiptarë më të suksesshëm të mërgatës shqiptare të këtij fillimshekulli i cili me romanet e tij të njëpasnjëshëm, jo vetëm që ka mbushur një boshllëk kulturor, por ka zgjuar  vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës letrare.


Muharrem Blakaj edhe në romanin <ATENTAT BRENDA GERMËS “L”>, ka shënuar një vlerë të dalluar të krijimit letrar.  Romani në fjalë ndërthurë vlera letrare i shkruar me një zell profesional që ka një temë mjaftë delikate, që si roman për këtë ngjarje ndeshët për herë të parë në letërsinë shqipe. Ndonëse kemi pas një novelë nga Ismail Kadare dhe libra të karakterit biografik, romani në fjalë plotëson edhe më tej si një lloj i sojit të vet, ku për tematikë ka një vrasje misterioze e kryer nga UDB-ja Jugosllave më 17 janar të vitit 1982, kundër vëllezërve Gërvalla dhe të Kadri Zekës.


Dihet se është shkruar e folur shumë për këtë atentat i cili ka mbetur edhe sot e kësaj dite misterioz, dhe për deri sa janë gjallë me dhjetëra protagonist të kësaj epoke, madje miq dhe të njohur të vëllezërve Gërvalla, për t’u shkruar një roman i kësaj natyre është dashur paraprakisht guxim intelektual dhe natyrisht një njohje e thellë, një hulumtim serioz për të pasqyruar ngjarjen mirë dhe saktë.  Sigurisht janë nevojitur edhe njohje nga fusha e kriminalistikës dhe të shërbimeve të nëntokës që i kanë bërë zakonisht shërbimet e fshehta informative siç e kemi rastin në fjalë UDB-ja jugosllave. Pikërisht këtu më duket strumbullari i seriozitetit, aftësia e autorit për t’i vendosur pistat e zhvillimit të kësaj ngjarje, (edhe kështu vetëm brenda këtij romani), mjaftë rrëqethëse. Teknikat e tekstit dhe mënyra e rrëfimit, jo rrallë të fusin në hullinë e situatave të ndjeshme të filmave kriminalistik, gjë që autori në masë ka arritur të realizoj një vepër të mirë, të kësaj natyre letrare.


Gjithsesi romani lexohet me lehtësi, dhe kuptohet lehtë, sepse lexuesi ka parë filma të tipit “Horror” dhe situata të ngjashme, por për të kuptuar më mirë thelbin e fshehtësisë duhet të ketë sadopak njohje a përvojë mbi dosjet policore, se si bëhen përpilimi i tyre, madje të njohë format e përgjimit dhe të ndjekjes, të atentateve dhe sidomos është mirë të njoh edhe karakterin e personazheve që kryejnë atentatin, pasi lënda fund e krye ka koncept përgjimin dhe luftën e nëntokës të shërbimit sekret informativ të Serbisë që e kryente nënë maskën e shërbimit informativ federativ e njohur si UDB-a jugosllave.


Gjithsesi si çdo romani tjetër, edhe <ATENTAT BRENDA GERMËS “L”>, i Muharrem Blakajt, i duhet një analizë edhe më e thuktë, për të kuptuar rolin dhe misionin e secilit personazh, pastaj për t’i kuptuar pikat e përgjimit, pozitat dhe pistat e veprimit sepse sipas të gjitha gjasave janë projeksione të sakta, pasi merret vesh, autori para se ta shkruante këtë roman e ka studiuar mirë pozitën gjeografike, objektet, rrugët, shtrirja e tyre dhe lidhja nga rruga në rrugë, pra çdo gjë që lidhet me aspektin gjeografik dhe orientimet janë në raport të rregullt me konditat orientuese, për të qen vet dhe gjithë ngjarja e bazuar mbi të dhëna të sakta, sepse edhe tema e romanit merret me një ngjarje reale që pat tronditur opinionin e gjerë, dhe që ndikoi  në kahet e lëvizjeve politike të emigracionit kosovar në Evropën Perëndimore, s’ka dyshim.


Ngjarja niset, (ku tjetër pos në Serbi), në kryeqytetin e krimit antishqiptarë, kurse shërbimi informativ serb, për të qenë i suksesshëm ka kërkuar edhe ndihmën e strukturave të vjetra, të cilat për shkaqe lufte klasash që prej vitesh kanë qenë të deklasuara politikisht. Me sa shihet edhe protagonisti kryesor, udhëheqësi i krimit “Gjenerali” do të ketë rolin kryesor në përgatitjen, vëzhgimin dhe deri te ekzekutimi i viktimës. Autori ka arritur me mjeshtri të përshkruaj rolin e tij operativ në tërë këtë krim politik i cili ka aktivizuar personalitete të dëshmuara në ndjekje dhe krimin e nëntokës që në bisedë e sipër ai vet rizbulohet, duke e bërë edhe më karakteristik rolin e tij në këtë krim morbid, gjë që e bënë më kureshtar lexuesin, i cili pa dyshim do t’i shkon  deri në fund për të mësuar e për t’i njohur më mirë bëmat dhe veprimet e “Gjeneralit” që përfaqëson konceptet e shtetit dhe të shërbimit informativ të njohur me siglën UDB-a, e cila e furnizonte qoftë me para, e qoftë me informata të nevojshme për të vazhduar ndjekjen dhe përgjimin e “Kokës një” apo për shoqëruesit e tij që fund e krye gjatë këtij romani prezantohen si “Koka një e dy”.


Autori ka bërë edhe një gjetje karakteristike, një ide sa origjinale po aq interesante duke e lidhur idenë e romani me Germën „L“ të kthyer „Γ“ e cila sipas alfabetit cirilik specifikon shkronjën e parë për familjen “Gërvalla”. Për këtë roman, kjo është një sintagmë e krijimit letrar, sepse në nivel letrar nuk e kemi ndeshur askund, edhe pse, merret vesh,  autori këtë e ka vjelë nga jeta në Kosovë?! Se a nuk na janë të ndërtuara edhe shtëpitë në formën e shkronjës „L“,  por që gjithmonë është thënë “Shtëpi në Ge”, përkatësisht sipas alfabetit cirilik në „Γ“, kështu duken edhe garazhet e automjeteve në formën „L“ të kthyer në „Γ“, kështu ka të ndërtuara me dhjetëra e mijëra pallate kudo në botë, në formë të shkronjës „L“ të kthyer në „Γ“, ose anasjelltas, merre si të duash, por më mirë le të mbetet si një zbërthim kodik  i shkronjës „L“ për të besuar se edhe shenjat tjera kodike, që janë përdorur brenda këtij romani, për njohësit e kodeve të shërbimeve sekrete, do të zbërtheheshin lehtë dhe kuptueshëm si në këtë rast. Ky element na bënë për të besuar më fort, se autori para se të shkruan, përkatësisht para se t’i përdor këto kode, i ka analizuar dhe i ka studiuar mirë, e pastaj i ka vendosur nëpër pjesë e pjesëzat e romanit të tij. Megjithatë vetëm pasi Gjeneralit i ofrohet “Dosja G”, dhe pasi i premtohen avancime e gradime në profesionin e tij ai do të niset për në gjermani për të ekzekutuar planin e koduar “Tigri”.


Ndonëse romani trajton një ngjarje reale, nuk e di nëse ka hapur debat për të rrahur e shkoqitur më mirë mënyrën e qasjes së problemit, pastaj  nëse personazhet kanë luajtur rolet e mundshme si dhe mënyra dhe përshkrimi i ngjarjes, vendit dhe organizimit të atij atentati dhe deri te roli i mjekut, i implikuar në atentatin në fjalë i cili ishte përgatitur mirë dhe është realizuar me një gjakftohtësi të rrallë. Janë edhe mjaftë letra, mjaftë urdhra, raporte e dosje të cilat sado të paraqitura në mënyrë artistike do të ishte mirë të studioheshin, sidomos nga njohësit e rrethanave të ngjarjes kriminale.


Gjithsesi mënyra e udhëheqjes së kësaj dosje të bënë kureshtar edhe më shumë pasi ngjarja zhvillohet si në një lojë filmash të kësaj natyre, mbase mjaftë interesant me gjithë ato lloje takimesh, skicimesh, me gjithë ato lëvizje me ndryshim kohësh e planesh, me përgjime e përcjellje dhe madje në një kohë të ftohtë që e bëjnë ngjarjen e romanit edhe më të përjetuar, thuaja se vet lexuesi do të bëhet pjesë e gjithë asaj makinerie propagandistike, pastaj përgjimet nga afër e nga larg, herët në mëngjes e vonë në mbrëmje, paraqesin frikën e dilemën, prej më të ndryshmeve por që përshkruhen në thellësinë e detajit dhe me imtësinë e hollësishme duke e zhvilluar imagjinatën krijuese, e cila edhe kështu siç është paraqitur në natyrën e këtij romani e mbërthen lexuesin duke e bërë atë kureshtar për të ditur edhe fundin e ngjarjes.


Po ashtu mënyra e komandimit, struktura komanduese, kontaktet parapërgatitore, përgatitja e ekzekutorëve, hapja e dezinformatave e kështu me radhë janë kaptinë më vete për të cilat shihet qartë se autori ka punuar gjatë, ashtu siç mund të besohet se ai ka njohje të thellë mbi agjenturat e fshehta, dhe njehë mjaftë mirë jo vetëm strukturën e organizimit, por edhe atë të komandimit dhe të ekzekutimit. Autori njeh mirë edhe metodat e propagandimit dhe të konflikteve për të cilat si duket është dashur të shfletoj e gjejë një literaturë të tërë të kësaj natyre mbi të cilin ndërtohet kultura e shkrimit letrar, mbi të cilën ka mundësi të ndërtohet një skenar i mirë për një film artistik.


Detaje të tjera interesante brenda këtij romani janë edhe ato pak sekuenca të natyrës erotike, ato të dehjes imorale, që degradojnë vlerat njerëzore, veçmas janë prezantuar mjaftë mirë edhe dukurit e frikës që zakonisht manifestohen nga ekzekutorët gjatë kohës sa përgatitej atentati dhe kohës sa ka zgjatur përgjimi.


Natyrisht çështje delikatese është mënyra e ruajtjes së gjakftohtësisë dhe sidomos mënyra e implikimit, riavancimit dhe e faljes së krimit, për ata kriminel të zakonshëm siç ishin personazhet “Pirati” dhe “Partizani”, kurse pseudonimi i tretë “Studenti” nuk do të zbulohet gjer në kryerjen e misionit, diku në fund të romanit. Por dy personazhet e para janë të yshtura edhe nga premtimi për falje të dënimeve për vepra kriminale dhe ordinere që kanë bërë më parë, kurse në rastin konkret krimi i radhës duhej të bëhej edhe për interesat madhore të shtetit që i përkisnin.


Gjithsesi storie më vete janë çështjet parapërgatitore e atentatorëve të cilët fillimisht merren me lajka, më pas yshten me shuma të mëdha parash e më vonë edhe kërcënohen, me burgime, linçime, por edhe me vrasje nëse nuk realizohen qëllimet e synuara nga strukturat komanduese të cilat udhëhiqeshin kryesisht nga Gjenerali, por që ndihmoheshin edhe nga Kryeqëndrori, Partizani, ekzekutuesi i parë, ekzekutuesi i dytë e të implikuar në planin operacional të koduar “TIGRI”, të mbështetur nga shërbimi diplomatik e konsullor, të shoqëruar me një logjistikë të sofistikuar e buxhete të majme që i ndante shteti, i cili për këso rastesh nuk ka kursyer shuma të mëdha parash.


Romani <ATENTAT BRENDA GERMËS “L”>, i takon zhanrit të romanit kriminalistik, që përfundon në mënyrë tragjike, dhe për kah natyra e qasjes dhe interpretimit mjaftë misterioz. Janë këto arsye pse më duket se është e pamundur që lexuesi të mos futet në vorbullën e krimit, e atij krimi të ftohtë që ka ndodhur në atë janarin e ftohtë të vitit 1982, dhe të mos ndjej një lloj lodhjeje e frike shpirtërore nga mbështetja e heshtur, nga përkrahja që sikur bëhet edhe vet lexuesi pjesë e krimit të organizuar, pjesë e ngjarjes që zhvillohet në atë roman, po më shumë do të bëhet pjesë e dhembjes që do ta mbaj gjatë, pasi ngjarja përfundon në mënyrë tragjike, me një krim të radhës, për të cilin është shkruar shumë, por pa u thënë gjë konkrete se si ka mundur të ndodhte, veçmas si është planifikuar dhe si është ekzekutuar, por më shumë si kanë mundur t’i mbulojnë gjurmët për të mbetur krimi një enigmë e pa zbuluar.


Indiferenca dhe mënyra e ekzekutimit janë metoda dhe mënyrat e sistemit përmes të cilave sajohet drama gjithmbarshme e elementeve kriminal të cilët ndjekin e përgjojnë viktimat e radhës. Por jeta e Gjeneralit, ambiciet e tij karrieriste, mënyrat e punës dhe veprimit mbeten si një relikt e veçantë e studimit dhe hulumtimit të këtij personazhi brenda romanit që po diskutojmë. Kurse jeta me frikën e të ndëshkuarit i shtynte viktimat të futeshin edhe më tej në krime të reja, por tashmë si një mekanizëm psikologjik në duart e pushtetit, përkatësisht në duart e shërbimeve  sekrete të shtetit që udhëhiqeshin me njerëz të tipit të Gjeneralit i cili ka një rol poliedrik brenda tërë kësaj ngjarjeje operacionale.


Futja në burimet e njohjes së thellë mbi kritikën e hulumtimit, ndjekjes, përgjimit dhe ekzekutimit është një sipar i këtyre shërbimeve që duhet të hapin interesimin e letërsisë dhe të artit, ngase vepra është e ndërtuar mbi ovacione dhe pikëpamje letrare.


Të përgjosh njerëz dhe familje të tëra, qofshin këto edhe të mërguara nuk është fare e lehtë, madje lufta psikologjike, ana logjistike dhe e përgjimit, edhe vetëm nga leximi i kujdesshëm është mjaftueshme për t’i përjetuar si veprime e ndodhi origjinale në të cilat kanë qenë të implikuar edhe përfaqësitë diplomatike dhe shërbime të kombinuara.


Më në fund në një natë të errët ku kishte të ftohtë, dhe bënte acar, mbi një bore të bardhë do të mbeten edhe gjurmët e krimit mortar të cilat edhe pse do të humbasin nga shkrirja e borës dhe nga kujtesa e popullit, ky roman do ta freskon kujtesën për një ngjarje reale që mund të tregohet si rrëfim i përjetuar i cili vazhdimisht do ta kthen intuitën e lexuesit në një kohë të shkuar, përplot dyshime e krime të organizuara të kësaj natyre që bënin kudo e kahdo shërbimet e fshehta, veçmas kundër popujve liridashës siç ishte populli ynë.


Përveç detajit mjaftë të shkurtër të bisedës së Jusuf Gërvallës para personelit mjekësor dhe shërbimit policor, një rol të rëndësishëm do ta kryen mjeku, siç e kemi potencuar edhe diku më lart se atentati ishte i përgatitur mirë, kurse në rast të dështimit të atentatit nga Gjenerali, të mos dështoj ekzekutori me mantelin e bardhë që ishte involvuar edhe ne një spital, të një vendi demokratik, ku do të arrij shërbimi sekret jugosllav të bëjë implikimin e tij.


Ngjarja është zhvilluar si një kronikë më vete, kurse autori me mjaftë sukses e ka pasqyruar dramën e ngjarjes, si një  krimi i cili ka qenë mirë i studiuar dhe planifikuar nga qarqe e shërbime tashmë të njohura antishqiptare.


E mbyll këtë shënim me një pasuse të romanit ku thuhet se: “Vonë, kur pa vetën duke hyrë në veturë, vërejti se brenda tij nuk kishte ndodhur asgjë, asnjë shkrëndje, asnjë thyerje, asnjë zvetënim, asnjë dritë magjepse ylberi, asnjë errësirë ferri! Çdo gjë kishte ndodhur jashtë qenies së tij, aty pranë germës „L“ të kthyer në „Γ“ ku sapo kishte përfunduar drama e përgjakshme e planit operativ “Tigri”!…


St. Gallen, shkurt 2011.


Botuar në “Fakti Ditor”, 21 shkurt 2011, faqe 16-17.


 


Muharrem BLAKAJ: ATENTAT BRENDA SHKRONJËS „L“


fragment


 


Dalja e Piratit në shesh të hapur, sikur ia kthjelloi edhe më pamjen e tij të errët. Nën rrezet e dritave të neonit, lëvizjet e tij i dukeshin të ngathëta, ndërsa dritat ju bënë se tani shndrisnin si asnjë herë më parë! Vërejti se dorën e djathtë e mbante të fshehur nën pallto! Vetëm tani ju kujtua se, si në ëndërr kishte dëgjuar diku një tërheqje qarku!


Ndërkohë vetura ndaloi. Pirati ishte fare pranë shoferit, objektit numër tre të përgjimit. U kërrus pak para. Që larg ju bë së dëgjojë të fliste dikush. Një zë burri, i largët, i përzier, i pashkoqur… Asgjë prej gjëje nuk kuptoi. Asnjë fjalë nuk e mori vesh. Nuk u dëgjuan fjalët e pritura: „Në emër të popullit jeni të dënuar me vdekje!“ Jo, jo! Këto fjalë nuk u dëgjuan… apo ndoshta unë nuk i dëgjova sepse… o Zot, po ç’bënë ai kështu, pyeti vetën i habitur kur pa Piratin të nisej nga ana e kundërt. Ashtu siç e kishte menduar më parë, ai vërtetë po largohej, po ikte tutje… dhe plani, tani sa po hynte në fazën e dështimit përfundimtar! Kukavice jedno! (Serbisht – Qyqar).


Tamam në kohën kur shpresat kishin filluar t’i tendoseshin, ndodhi befasia! Pirati u kthye aq shpejt, aq vrullshëm… sa që vet lëvizjet e tij e bindën se tani vërtetë do të ndodhte ajo që ishte pritur kohë të gjatë, do të ndodhte mrekullia, do të ndodhte ekzekutimi i planit. Në mënyrë krejt të beftë e hapi pallton me dorën e majtë, dhe kalimthi e zbuloi dorën e djathtë ku ju dallua revolja. Dora lëvizi ngadalë për të marrë nishan, ndoshta vetëm ju duk kështu, dhe pastaj u dëgjua një krismë e përzier me një flakë si regëtimë e zbehët. E pa nga distanca dridhjen e lehtë të dorës, pastaj u dëgjua krisma e dytë, e cila ju bë se ishte më e dobët se e para, apo ndoshta kjo krismë vinte më e dobët sepse krisma e parë tani më e kishte çarë heshtjen e natës. Vetura nuk lëvizi fare nga vendi. Zhurma e lehtë e motorit vazhdonte në stilin e pakmëparshëm, por nuk e ndante dot, në e dëgjonte zhurmën e lehtë të motorit apo këtë vetëm e mendonte? Palltoja e Piratit vazhdonte të mbetej e hapur, dhe bashkë me lëvizjet e tij instinkte, merrte forma dhe trajta të ndryshme valëvitëse. Ndërkohë Pirati, si në të kërcyer lëvizi këmbët mbi sqotën e ngrirë. Nuk i kujtohej se a e kishte dëgjuar zhurmën ankuese të çizmeve të tij gjatë fërkimit me copat e akullit, por dorën e tij e kishte vërejt kur ishte dridhur lehtë nga e shtëna e radhës, e cila sikur edhe të parat ishte e përqendruar kryesisht kundër shoferit, objektit numër tre të përgjimit.


Tani nuk i përcillte dot lëvizjet e tij, megjithatë, arriti të kapte vetëm lëvizjen e dorës duke marrë nishan të ri. Ndodhi një rrotullim i lehtë nga e djathta dhe u përsëritën të shtënat, vazhdim i pandërprerë i të shtënave që nuk i kishte numëruar dot! Kishin ardhur aq të shpeshta, sa ju bë se mezi kishte arritur të ndante kur krisma e parë ia kishte lëshuar vendin të dytës. Ndërkohë, i ndodhur ende i shpërqendruar, sikur pa Piratin të merrte në të ikur! Po unë ç’bëj këtu, sikur e pyeti vetën dhe, në mendje ju feks detyra e tij, që as përpjekjen më të vogël nuk e kishte bërë drejt realizimit të saj! Para se të dilte në shesh e futi plisin thellë në kokë, duke e tërheqë me forcë pjesën e brendshme të maskës. Vetëm sytë i dalloheshin të mëdhenj dhe të frikshëm! Me të shpejt, nxori revolen nga xhepi i brendshëm i palltos së tij luksoze dhe u turr drejt vendit ku akoma vazhdonte përleshja. Befas, motori i veturës ushtoi dukshëm! Duan të ikin, mendoi derisa ishte duke i dalë veturës nga krahu i djathtë, dhe në të njëjtën kohë duke marrë nishan të përafërt, sepse nga ajo dritë e dobët ishte e pamundur të shikoje pastër shënjestrën e revoles. Me lëvizje të shpejta dore, ia tërhoq qarkun revoles. Pa menduar gjatë filloi të qëllonte, pa i numëruar dot të shtënat, bile as që bëri ndonjë përpjekje të tillë. Për çudi, tani as që e ndjente të ftohtit.


Nga ana e djathtë, u gjend edhe më pranë veturës. U vu të shikonte në brendi. Ishte pjesa e fundit e planit, kontrolli mbi mbarëvajtjen e aksionit. Ju bë se brenda veturës, nuk kishte asnjë lëvizje. Motori i veturës çuditërisht vazhdonte të gjëmonte, secilën herë e më shumë, por nuk lëvizte nga vendi. Ndërkohë, Pirati nuk qëllonte më. Nuk ka qëlluar mirë, mendoi kalimthi Gjenerali. Duhen bërë korrigjime. Ndoshta vetëm i ka plagosë në stilin mbërthyerës, gjë që nuk guxon të ndodhë, sepse plani do të shpallet i realizuar pjesërisht! Çdo të behet me pjesën tjetër të planit, kush e përfundon?…


 


„Mua me mbetët realizimi i gjysmë goditjeve,


 e kurrsesi realizimi i mos goditjeve tuaja!“


 


Jo, jo! Çdo gjë duhet përfunduar këtu! Shpejt dhe saktë, që atij mos t’i mbetët asgjë për të goditur, sepse tani të gjitha fshehtësitë e planit kanë dalë në shesh!


Shikimi i parë brenda veturës ishte i beftë. Nuk arriti të vërente asgjë të dyshimtë… të gjallë! Një fytyrë e fjetur, sikur shndriti në rrezet e dobëta të dritave të neonit! Pastaj, një palë sy të zgurdulluar, të hapur tej mase, ndoshta të palëvizshëm, që shikonin diku në një pikë të papërcaktuar… diku larg në horizontin e nxirë, por që nuk e përcaktonte dot në ishin sy të gjallësh apo sy të vdekurish! Në mendje ju ngjitën ngërdheshjet e fytyrës së priftit… po kush ka kohë tani të merret me priftin, dhe në çast u orvat të merrte në thumb fytyrën e tij! Nuk ju deshtë as një sekondë për ta futë në shënjestër gojën. Nuk deshi t’i fuste në thumb as sytë e zgurdulluar, as ballin e lartë, por gojën, buzët e larguara pakëz nga njëra-tjetra, dhe si qëllim kishte që plumbi i tij të shpërthente mes-përmes tyre, të shpërthente tej e mbanë për ta hapur një vrimë të re… një gojë të dytë që zëri sarkastik kundër shtetit t’i dilte nga prapa kresë… ja, këtë donte!


Zhurma e motorit vazhdonte të rritej, dhe në çast ju bë se vetura zuri të lëvizë! Në fillim lëvizja ishte shumë e ngadaltë, sa që, sikur të mos kishte qenë duke shikuar përmes shënjestrës së revoles, as që do ta kishte vërejtur një fenomen të tillë. Pa e zgjatur, duke pasur parasysh se mund të dekoncentrohej, të humbiste ekuilibrin e tërhoqi këmbëzën. Krisma e shoqëruar me flakë e me dridhje të lehtë dore, dhe era e barotit të djegur, sikur e vunë para një dëshire gati të harruar për të shtënë… për të vrarë! Dhe në çast e pa goditjen e plumbit! Nuk ishte vendi i synuar, goja, buzët, por gjoksi, pjesa e epërme e gjoksit! Pastaj qëlloj prapë. Kësaj radhe pa ju dridhur dora fare. Krejt kollaj, sepse ishte në epërsi. Ata ishin ulur brenda kabinës së ngushtë të veturës, të mbërthyer si në qark, kurse vet ishte në këmbë, fare pranë tyre, prandaj nuk e kishte zor! I mbetej vetëm të vazhdonte të qëllonte mbi ta, derisa t’ua shqyente zemrën, mushkëritë, qafen…


– Shoku Student, ikim… po na shikojnë… – sikur kishte dëgjuar një zë si të dalë nga dheu.


Kush do të na shikojë tani, pyeti vetën pa qenë në gjendje të përcaktonte se cili ishte studenti. Rreth e përqark e mbarë bota fle! Të zgjuar jemi vetëm ne të tre, unë Pirati dhe dëshmitari i vetëm, që me sytë e tij të thëngjillit, e ka parë krejt katrahurën, me veshët e tij llapë lakre i ka dëgjuar të shtënat dhe zërat tonë të përçudnuar! Ne, ndoshta edhe mund të flasim ndonjëherë mbi atë se ç’pamë, ç’dëgjuam dhe ç’bëmë sonte, por ai, në jetë të jetëve nuk do të flasë së ç’gjak ka parë me sytë e tij të thëngjillit duke u derdhur sonte, se ç’krisma ka dëgjuar me veshët e tij llapë lakre para mesit të kësaj nate të ftohët!


Nga qenia e tij e ngrirë, nga veshja e tij e bardhë, nga sytë e tij të thëngjillit, nga goja prej karote kurrë nuk do të zbulohet e vërteta e zezë rreth kësaj nate të errët janari!


– Shoku Student, ikim, tani mund të na identifikojnë! – u dëgjua prapë i njëjti zë, por kësaj radhe pak më i ngritur! O Zot, ç’jam duke bërë kështu? Mos me ka zënë gjaku?


– Fole gjë? – ia kthej Gjenerali i hutuar që nuk i kujtohej se si dhe kur ishte afruar fare pranë tij. Ndërkohë, me dorën e djathtë, instinktivisht e hoqi maskën nga fytyra.


– Ju?!… Studenti?!


– Të dy, unë dhe Studenti jemi një! – ia ktheu me shpoti dhe me zë të dredhur vazhdoi:


– Ikim!


Thellë në brendi, ndjeu një shkrëndje që i erdhi në mes të kraharorit! Pastaj i erdhi një si zvetënim i mbërthyer, si bllokim gjymtyrësh dhe rrokullisje trupash të gjakosur… dhe si të largët u dëgjuan hapat e të porsavrarëve, si rrahje flatrash që po ngjiteshin drejt shtegut të një drite të bardhë, drejtë një kaltërsie të praruar hyjnore, të mbërthyer si mbi ngjyrat e ylberit, të paparë ndonjëherë në jetën e tij… kurse trupat e tyre të shkërmoqur, të mbuluar me qelb e gjak, të sharë dhe të tallur nga një turmë leckamanësh që i mbanin të rrethuar në qark, kishin ngelur të shtrirë në mes të sqotës së ngrirë, në mes të baltës së zhyer dhe zbrisnin pa ndërpre drejtë errësirës së ferrit!


Vonë, kur pa vetën duke hyrë në veturë, vërejti se brenda tij nuk kishte ndodhur asgjë, asnjë shkrëndje, asnjë thyerje, asnjë zvetënim, asnjë dritë magjepse ylberi, asnjë errësirë ferri! Çdo gjë kishte ndodhur jashtë qenies së tij, aty pranë germës „L“ të kthyer „Γ“ ku sapo kishte përfunduar drama e përgjakshme e planit të tij operativ „Tigri“!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …