leoni

Shefqet DIBRANI: PËRMASAT UNIVERSALE DHE SHKËLQIMI ARTISTIK I NJË POEZIE

(Frederick Turner, “NË SHPELLËN E PLATONIT”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “Marinaj Publishing”, Dallas. Frankfurt. Tiranë 2006, faqe 136. Përktheu Gjekë Marinaj. ISBN 0-9728521-5-8 ) 

Frederick Turner është një emër i madh në letërsinë anglo-amerikane, një emër me ndikim me përmasa të mëdha botërore. Poezia e tij vjen në shqip falë Gjekë Marinajt, po ashtu poet e pedagog, që jeton në të njëjtin qytet me poetin, në Dallas të Texasit. 

Ka kohë që e kam lexuar librin me poezi “Në shpellën e Platonit”, por kam hezituar për të shkruar. Jo për vlerat që ka poezia e këtij libri, përkundrazi poezia e Turnerit ka shumë vlera letrare. Jam shumë i vetëdijshëm se për poezinë e këtij autori me ndikim kanë shkruar shumë, emra të kritikës dhe drejtues me famë të rrymave të ndryshme letrare, shkrimtarë të shquar, dramaturgë të njohur, prijës e drejtues muzike e kështu me radhë. Vazhdimisht kam pas dhe kam “drojë” në përvojën time, në dijet e mia në fushën e kritikës, ndonëse shumicën e shënimeve për librat i kam mbështjell me nocionin “mbresa”. Të shkruash për një libër duhet të jesh kompetent, së paku të njohësh mirë fushën për të cilën shkruan. Mendoj se profesionalizmi bie në kurth, atëherë kur nuk ndien përgjegjësi kur shkruan. Unë këtë përgjegjësi e ndiej vazhdimisht; për secilin libër dhe për secilin autor. Kur shkruan për poetin Frederick Turner, natyrisht, përgjegjësia profesionale merr përmasa edhe më të madha. 
Këto hezitime për të shkruar që i kam ndrydhur që prej kohësh, mi largoi njohja e drejtpërdrejt me autorin, i cili një ditë maji të këtij viti, shoqëruar me përkthyesin e tij, pranuan që në ambientet e UTD në Dallas të kalojnë një pasdite me mua. “Frikën” e tejkalova me sukses, por përgjegjësin për të shkruar nuk ma heq askush. Nga ai takim, i njoha më mirë dy personalitete të artit e kulturës amerikane; autorin një emër me famë, dhe përkthyesin e librit Gjekë Marinajn i cili prej më se tetë vitesh është pedagog në ato institucione të larta të kulturës, artit e letërsisë amerikane. Prandaj, “mbresat” e mia letrare më me dëshirë i zbresë në një shkallë më miqësore dhe këto interpretime dua t’i përkufizoj si një lexim miqësor, si një lexues i pasionuar i poezisë së Frederick Turner. 
Frederick Turner është një emër i madh në letërsinë anglo-amerikane, një emër me ndikim me përmasa të mëdha botërore. Poezia e tij vjen në shqip falë Gjekë Marinajt, po ashtu poet e pedagog, që jeton në të njëjtin qytet me poetin, në Dallas të Texasit. 
Gjekë Marinaj, duke qenë edhe vetë poet dhe në të njëjtën kohë edhe pedagog e njëkohësisht edhe interpretues i letërsisë, i ka bërë një shërbim të madh, së pari letërsisë shqipe, duke i afruar emra të mëdhenj të poezisë amerikane siç është rasti me Frederick Turner, i vetëdijshëm ai vetë, dhe ne si lexues se gama krijuese e këtij poeti shtrihet përtej kontinentit duke i kapë zenitet në këtë fushë. Prendaj konstatojmë se përkthyesi Gjekë Marinaj i ka bërë një shërbim modest edhe autorit, me shpresë se poezia e tij do ta ketë ndikimin e vet edhe te Kombi Ynë. 
Shqipërimi i poezive të Federick Turner është një përkthim brilant, dhe jo rrallë të hamend, nëse me të vërtetë janë përkthime, apo poezi të shkruara në origjinal, në gjuhën tonë të mrekullueshme. 
Më duket se një nga vlerat e këtij përkthimi janë aftësitë e përkthyesit për të ruajtur muzikalitetin, sepse në një varg poezish është i arrirë ky synim, po gjithsesi vlerë edhe më të theksuar ka mendimi e përjetimi i poezisë që është gjithë gjëja e këtyre përpjekjeve. 
Turner, si personalitet është i madh, si njeri i thjeshtë, modest dhe shumë i dashur. Ai jo vetëm përmes poezisë, por edhe si njeri të bën për vete. Prandaj kur këto dy elemente njerëzore bashkohen, ato të japin “madhështinë, atë përflakjen” ka thënë për Turner, James Merril, një figurë tjetër mjaftë e madhe amerikane. 
Njerëzorja te personaliteti i tij është bartur po aq edhe në poezi duke e bërë poezinë më të pranueshme dhe më të afërt me lexuesin. Vlerësimet që i janë bërë poezisë së Turnerit, domosdo kanë ndikuar edhe në rrjedhat e krijimtarisë së tij publike, por ai me vite të tëra ka mbajtur pozita akademike, dhe ka redaktuar revista me famë, që do të thotë se poezia, edhe shkrimet tjera të tij janë sa refleksione ndaj paraardhësve aq edhe nocione të eksperiencës së tij profesionale e private. 
Përmbledhja me poezi “Në shpellën e Platonit” për letërsinë shqipe (hë për hë), është një dhuratë e vyer që i ofrohet lexuesit, më e kompletuar, e më këtë, lexuesi ynë, pak a shumë do të njihet me disa nga vizionet, konceptet dhe mënyrat e qasjeve në poezi që ky autor me dije dhe eksperiencë kaq të madhe i ka përdor, dhe natyrisht urojmë që të luaj (për aq sa është e mundur) edhe rolin e saj, sidomos të ndikojë edhe te krijuesit e tashëm dhe të ardhshëm në Shqipëri, Kosovë e gjetkë. 
Jemi të vetëdijshëm se po të përkthehej e gjithë krijimtaria e Turnerit, mundësitë e përzgjedhjes së formave dhe mënyrave të krijimit do të ishin më të mëdha dhe shumëllojshmëria më e dukshme. Gjithsesi edhe ndikimet e tij do të ishin shumëfish më të mëdha, por si një informacion i kompletuar ia vlen edhe kështu siç është botuar. 
Mënyra e të shkruarit poezi siç e ka preferuar për vete, ndoshta me nuanca të caktuara mund ta ndeshim edhe te poetët klasik shqiptarë dhe te ai brezi që për simpati ruante një lloj konservatizmi (anim nga forma klasike), por që valët e zhvillimeve të letërsisë moderne i kishin zënë edhe ata. 
Pikërisht Turner është nga ata poetë që ka mbrojtur me ngulm animin nga poezia klasike dhe pikërisht atij, pra Turnerit i hidhët “mëkati?!”, më shumë se çdo poeti tjetër se: “mban përgjegjësinë e rikthimit të formave të vjetra, si dhe krijimin e disa prej formave të reja poetike, që sot i gjejmë të aplikuara në poezinë bashkëkohor,” (Marinaj, parathënie, f. 6). 
Si do që të jetë “mëkat?” a “meritë!”, Turner mund të krenohet se pak a shumë edhe me ato pak elemente i ka lidhur dy epoka të mëdha të letërsisë–klasiken me modernen. 
Kultivimi i esencës poetike që hasim në këtë libër përfshinë një shumëllojshmëri stilistike e motivore, si formë e shkruar, që ka përdor ky poet në poezinë e tij. Nëse bazohemi në fillimet e krijimeve të Turner do të shohim një poezi me elemente klasike mjaft e qëndrueshme dhe pa shenja të transformimit modern, kjo formë e poezisë statike me gjithë kritikat e mundshme atij do t’i japin statusin e një poeti që e njeh poezinë qysh në embrionin e zhvillimit të saj. 
Në të gjitha veprat e fillimit, te poezia e Turnerit do të gjejmë një konglomerat a shumëllojshmëri tipesh e mënyrash të të shkruarit të poezisë duke i dhënë një lloj ylberimi poezisë së tij. 
Natyra e ligjërimit poetik si një lloj ekspresioni kanë bërë që temat e motivet e poezisë së tij të jenë më afër lexuesit dhe më të aplikueshme për ata poetë që mund të mendojmë se janë ndikuar nga poezia e Frederick Turnerit. 
Përvoja e tij krijuese ndoshta më lehtë se kujtdo tjetër ia ka mundësuar atij, për një insistim kenceptual, për koherencën tematike, motivore e stilistike që veprën e këtij autori e kanë bërë më universale për nga idetë dhe motivet e saj. 
Libri “Në shpellën e Platonit” pasi përfaqëson më shumë mënyrat dhe stilet e të shkruarit që ky autor i ka aplikuar në rrugëtimin e tij letrar, është disi heterogjene, qoftë për nga temat e motivet qoftë për nga struktura stilistike e krijimit të poezisë, duke na dhënë një pigment shumë ngjyrësh që secila më shumë se tjetra shkëlqen e rrezaton vlera letrare duke e mbështetur njëra tjetrën. 
Pavarësisht nga shumëllojshmëria esenciale lexuesi do të vë re tipin e poezisë së Turnerit që e ka vënë mbi planin filozofik, atë ekzistencialist, pastaj në planin historik dhe bartja e metaforave a simboleve nga cikli në cikël, këtë vëllim poetik e bëjnë mjaft distinktiv kurse për lexuesin do të jenë të mjaftueshme për t’i parë, shijuar e kuptuar disa nga llojllojshmëritë tematike e stilistike që ka ndjekur ky autor. 
Natyrisht, janë këto vlera poetike që ka ditur t’i shtjelloi Turneri, të cilin jo rastësisht kritika amerikane e trajton jo vetëm si poet të madh, por emër të veçantë në kuadrin e poezisë anglo-amerikane. 
Vetë lidhjet që ka poezia e këtij autori me jetën e tij personale, me ambientin ku ai ka jetuar, me përvojën e tij të gjatë, qoftë nga udhëtimet e shumta, qoftë nga eksperienca akademike, apo thjesht duke pas rol me rëndësi edhe në mjaftë revista me ndikim, e kanë begatuar jo vetëm shënimin biografik por i kanë dhënë ndjenjë dhe përjetim artistik poezisë së tij. 
Në këtë rast, unë për një arsye a një tjetër do të veçoja ciklin “Parajsa” në të cilin janë regjistruar më ndjeshëm poezitë që kanë një lloj motivi nëpërmes të cilit shënohen udhë-përshkrimet e poetit qoftë në atdheun e tij Angli, apo në Gjermani, Austri, Francë, Çeki, Maqedoni, Serbi etj. Këtu, kuptohet, motivet dhe idetë janë të përafërta me poetët e tjerë që kanë mundur t’i vizitojnë këto vende. Për mua, nga ana tjetër, ato ishin më tepër një rifreskim apo kthjellim i gjithë asaj që ka ndodhur me mua, por që prej kohësh edhe mund të jetë mbuluar pluhuri i harresës. 
Vetë titujt e poezive që janë brenda këtij cikli do të ngjallin emocionet e lexuesit si dhe të autorëve të kësaj zone gjeografike, apo të atyre që udha krijuese jo rrallë i ka përplasur që tej. 
Poezitë: “Me tren nga Londra në Parisë”, “Bavaria: Mëngjes, drejt lindjes”, “Pranë Danubit, një ditë më vonë”, “Natë në një kafe rruge; brenda një dasmë”, “Budapest, mëngjes, dy ditë më vonë”, “Në Grac, Austri, për një konferencë”, “Dhjetë paradite në Evropë, tre pasdite në Teksas”, “duke shkuar më tej drejt Lindjes”, “Ohër, gjashtë ditë para kthimit”, “Dhuratë që marr me vete”, “Shkup, buzë mbrëmjes”, “Verë cigane: Për Naum Panofskin” dhe poezia “Përfundim: Në aeroplan”, kanë shprehur tërë ndjenjën e një poeti për të cilin jo më kot janë thurur lëvdatat më të merituara. 
Një ndjenjë humane, të strukturuar jashtëzakonisht mirë, e gjejmë te poezia “Gjatë vdekjes së një miku” si dhe poezia vijuese “Apologji” e te ndonjë tjetër. 
I theksuam vetëm këto pak poezi, jo pse ishin më të veçanta, por thjeshtë vetëm për shijen time si lexues ngase ishin edhe indikacione të tjera që më lidhën më emocionalisht me to. 
Çfarëdo që të shkruaja për këtë libër dhe veçmas për autorin janë gjëra më se të vërtetuara në mënyrë profesionale në shënimin hyrës që i ka bërë përkthyesi Gjekë Marinaj, shkrim ky që i paraprinë librit si një “parathënie” e cila në këtë rast, mbase edhe për autorin më duket e qëlluar dhe e domosdoshme. 
Në fund të fundit ana artistike e kësaj poezie më shfaqet si bukuritë e pakrahasueshme të Pallatit Presidencial në Monaco, (ku jam ulur përball tij, për t’ia vënë kornizat këtij shkrimi), kurse metaforat, idetë dhe të gjitha qasjet tematike e motivore ngjasojnë me bukuritë e rralla të kopshtit me lule e palma përball Pallatit dhe kudo në këtë Qytet-Shtet, që e ka ngritur dora e njeriut. 
Ky krahasim më duket zgjidhja më fatlume për të parë edhe përmbledhjen poetike “Në shpellën e Platonit” si një vepër – vlerë specifike e poezisë moderne amerikane e përkthyer në shqip nga një mendje e dije mjeshtërore, si një mrekulli e rrallë, vlerë kjo që do të qëndrojë me sukses në mesin e kolonës së gjatë të librit shqip. 

Jeta dhe veprat e shkrimtarit, Frederick Turner

Frederick Turner u lind në Northamptonshire, Angli, në vitin 1943. Pasi kaloi disa vite në Amerikën Qendrore, ku prindërit e tij Viktor W. dhe Edith L. B. Turner po bënin kërkime shkencore, Turner u edukua në Universitetin e Oxfordit, (1962 – 1970), ku fitoi gradët B.A, M.A, dhe B. Litt, (një gradë ekuivalente me Ph.D.) në gjuhën dhe letërsinë angleze. Turner u natyralizua si qytetar amerikan në 1997. Ai është profesori themelues i Arteve dhe Humanitetit në Universitetin e Teksasit, në Dallas, por që ka mbajtur pozita akademike në Universitetin e Kalifornisë në Santa Barbara, Kenyon College dhe në Universitetin “Exeter” në Angli. Nga viti 1978–1982 ka qenë redaktor i revistës “The Kenyon Review”. 

VEPRAT LETRARE: 
Books: http://frederickturnerpoet.com/ 
1. Deep Sea Fish (poetry). Santa Barbara, California: Unicorn Press, 1968. 
2. Shakespeare and the Nature of Time (criticism). Oxford: Oxford UP, 1971. 
3. Between Two Lives (poetry). Middletown, Connecticut: Wesleyan UP, 1972. 
4. Romeo and Juliet (critical edition of Shakespeare’s play). London: London UP, 1974. 
5. A Double Shadow (science fiction). New York: Berkeley/Putnam, 1978. (Also published in England by Dutton, in French by Denoel, and Japanese by Sanrio) 
6. Counter-Terra (poetry). Goleta, California: Christopher’s Books, 1978. 
7. The Return (long poem). Woodstock, Vermont: Countryman Press, 1981. 
8. The New World (epic poem). Princeton: Princeton UP, 1985. 
9. The Garden (poems and aphorisms). Algonac, Michigan: Ptyx Press, 1985. 
10. Natural Classicism: Essays on Literature and Science (interdisciplinary studies). New York: Paragon House Publishers, 1986. Reprinted in paperback UP of Virginia, 1991. 
11. Genesis: An Epic Poem. Dallas: Saybrook Publishing Co., 1988. 
12. Rebirth of Value: Meditations on Beauty, Ecology, Religion, and Education (essays). Albany: SUNY Press, 1991. 
13. Tempest, Flute, and Oz: Essays on the Future. New York: Persea Books, 1991. 
14. Beauty: The Value of Values (monograph). University of Virginia: UP of Virginia, 1991. 15. April Wind (poems). University of Virginia: UP of Virginia, 1991. 
16. Foamy Sky: The Major Poems of Miklos Radnoti (translations with Zsuzsanna Ozsvath). Princeton: Princeton UP, 1992. 
17. The Culture of Hope: A New Birth of the Classical Spirit (cultural criticism). New York: The Free Press, 1995. 
18. The Ballad of the Good Cowboy (poetry). Eagle Pass, Texas: Maverick Press, 1997. 
19. Biopoetics: Evolutionary Explorations in the Arts (essays by various hands, edited with Brett Cooke). Paragon House, 1999. 
20. Hadean Eclogues (poetry). Ashland, Oregon: Story Line Press, 1999. 
21. Shakespeare’s Twenty-first Century Economics: The Morality of Love and Money. New York: Oxford University Press, 1999. 
22. The Iron-blue Vault: Selected Poems of Attila Jozsef (translations with Zsuzsanna Ozsvath). Newcastle upon Tyne, England: Bloodaxe Books, 1999. 
23. On the Field of Life, On the Battlefield of Truth. Pivot Press, New York, 2004. []
24. Paradise: Selected Poems, 1990-2003. David Robert Books, Cincinnati, 2004. 
25. Natural Religion. Transaction Publishers, New Brunswick, NJ, and London, 2006. 
26. Në Shpellën e Platonit (”In Plato’s Cave”, full-length collection of poems by Frederick Turner translated into Albanian by Gjekë Marinaj). Marinaj Publishing, Dallas, Frankfurt, Tirana, 2006. 
27. The Prayers of Dallas (poetry). Turning Point Press, Cincinnati, Ohio 2006. 
28. Frederick Hart: The Complete Works: Essays by Donald Kuspit and Frederick Turner. Butler Books, Louisville, 2007.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …