leoni

Shefqet Dibrani

Shefqet Dibrani: Qëndresa si lajtmotiv dhe si ideal

(Esad Mekuli, „DRITA QË NUK SHUHET“, poezi, botoi    Shtëpia Botuese „RILINDJA“, Prishtinë 1989, faqe 96).

Esad MEKULI është doajen i letërsisë bashkëkohore shqiptare, njëra ndër figurat më të spikatura të letërsisë bashkëkohore, me theks të veçant i asaj të krijuar në Kosovë. Ishte dhe do të mbetet poeti, shkencëtari e veprimtari i mirënjohur, i respektuar nga të gjithë.

 Meritat e tij si pionier i letërsisë sonë të re është e pakrahasueshme, ai ishte edhe përkthyes i zellshëm, ishte shkencëtar i mirë dhe popullarizues i devotshëm i letërsisë shqipe dhe, më në fund, si kryeredaktor i revistës  së parë letrare „Jeta e re“, do të luaj rol me rëndsi në zhvillimet e mëtutjeshme të kulturës dhe letërsisë në Kosovë. Ai dhe vetëm ai, është dhe mbeti simboli që diti të përgatis gjenerata të tëra shkrimtarësh. Në këtë plan kontributet e tij janë të pakontestueshme, sepse ai i dha shumë kombit tonë, dhe bëri shumë për letërsinë bashkëkohore shqipe, veçmas siç theksuam më lartë të asaj që është  krijuar në Kosovë.

 Ky doajen i letërsisë sonë bashkëkohore me pietet është nderuar dhe madje është konsideruar edhe si „baba, edhe si pedagog i shquar i letërsisë sonë bashkëkohore“, por edhe si poeti më popullor te shqiptarët në Kosovë dhe viset tjera jashtë Shqipërisë. Ky nderim i takon, në radhë të parë, për meritat krijuese, kulturore dhe shoqërore si dhe për angazhimin e tij deri në çastet e fundit të jetës së tij. Ai është poeti shqiptar më i lexuar dhe më i dashur në Kosovë. Të gjitha potencialet dhe energjitë krijuese Esad Mekuli i shpenzoi për ta çuar më përpara letërsinë shqiptare në Kosovë. Filloi të krijojë në gjuhën serbishte, duke bërë zikzake, nëpër labirinthet e jetës së tij të dhembshme, plot me vuajtje e sakrifica, duke ju shmangur me kujdes baticave e zbaticave, fryrjeve e shpërthimeve të erërave shoviniste, sidomos ndaj letërsisë dhe përgjithësisht ndaj kulturës sonë kombëtare. Esad Mekuli, me gjakftohtësi i tejkaloi të gjitha vështërsit, duke iu rezistuar me tër forcën krijuese akteve vandaliste të pseudoshkencëtarëve sllavë, që bënin në dëm të letërsisë e të kulturës sonë, ai me një kulturë të pashoqe i tejkaloi të gjitha vështërsit. Me këtë rast mund të konkludojm se Esad Mekuli qëndroi në ballë të rezistencës paqësore aktive dhe njëherit ndikoi shumë në vetëdijen e popullit tonë, për të mbajtur, zhvilluar dhe emancipuar letërsinë tonë deri në ditët e sotme.

 Uni i tij ishte një unë kolektiv: nëpërmjet tij jehoi zëri i masës popullore. A shkroi, me angazhim dhe plot arsye për kulturën, të tashmen dhe të ardhmen, duke i theksuar në mënyrë shumë të qartë dhe besnike aspiratat dhe idealet e popullit të vet.

Poezia:

 Esad Mekuli si poet, filloi me angazhimin social mes viteve 1930-1940. Poezia e tij padyshim afron tabllo të bukura të përshkrimit të ambientit fshatar shqiptar, njëherit ajo në fillimet e poezisë bashkëkohore në Jugosllavi, shërbeu më shumë si shembull, por edhe si tekst i drejtpërdrejt poetik. Në këtë mënyrë ndikimin e poezisë së Esad Mekulit në poezinë e viteve ’50 dhe ’60, e gjejmë në formë nuancash, po më shumë si shembull poetik krijues. Edhe pse në këtë kohë, Esad Mekuli drejtonte revistën më me ndikim në atë kohë, „Jetën e re“, ku shfaqeshin dhe afirmoheshin poetë të rinjë, ai nuk imponoi tematikën dhe shprehjen e tij poetike përmes formës institucionale. Përkundrazi, ai vet do të ndikohet nga poetët që përgatiste, kurse në poezitë e më vonshme do të lë shënimet sipas poetit a poetës X-Y, duke e zhvilluar atë mendim krijues edhe më tej. Ai gjithmonë tregoi interesim për shumëllojshmërinë tematike, motivore e poetike duke mos u përpjekur për uniformizmin dhe utilitarizmin e letërsisë.

Poezia e Esad Mekulit e përmbledhur në librin „DRITA QË NUK SHUHET“ kap një gamë prurëse ku janë zgjedhur e sigurisht edhe përpunuar (shumë krijime të hershme), bile disa të tjera i sjellë të paprekura për të rikujtuar ngjarje e zhvillime politike të kohërave edhe më të errëta. Libri ndahet në 4 cikle: „Nga përvoja“, „E djeshme, e sotme, e nesërme“, „Drita që nuk shuhet“ dhe cikli „Këngë pleqërisë“.

Pikpamjet e tij kishin për qëllim të nxisnin dhe forconin letërsinë e re që krijohej, çfarë më vonë u bë realitet.  Ato pikëpamje ishin të matura dhe të qëlluara, sepse ishin rezultat i përvojës së tij letrare dhe i njohjës së letërsisë dhe teorisë së saj. Pra, përveç vetëdijës së përgjithshme historike mbi letërsinë, mbas luftës Esad Mekuli e zgjeron dhe e pasuron formimin e vet në mënyrë më të qëndrueshme dhe me vetëdijeni ndikoi mbi letërsinë kombëtare shqiptare. Kjo pikëpamje ndiqet edhe në librin më të ri, mbase Esad Mekuli i mbetet besnik konceptit të tij. Ky koncept vehet edhe në ballë të librit si poezi kredo:

 „Jam dëshmitarë,

unë-

që në vetmi

zërin e ngushëllimit

dëgjoj

në furtunë

(i sharë

dhe

përherë

mëkatar!).“

Poeza: „Dëshmitar“  faqe 7

 Sigurisht nga përvoja e tij, qoftë intelektuale, politike apo krijuese ai do të shkruaj poezinë „Porosia“, në të cilën do ti lë amanetet për të gjithë: „Pra/ shkruaj/ e puno/ që të mos turpërohesh…/ lufto për të vërtetën/ mos u mbështet në të paaftet,/ lajkatarët -/ në ata të pakurruzë“.

 Poezia e Esad Mekulit çdo herë është aktuale. Për konkretizim, këtu po rikujtojm katër vargje të poezisë „A asht fajtor Shqiptari“, të shkruar në vitin 1938, aktualiteti i së cilës ndihet edhe sot:

A asht fajtor Shqiptari pse, si të tjerët, po don

të jetojë si Njeri në të vetat sot e përjetë?

A asht fajtor pse përkundër dhunës qindron

nën  qiellin e Kosovës loke, në trollin e të parëve

 të vet!

 Populli ynë i talentuar me një durim dhe mirëkuptim ndër veti, ruajti breza dhe gjenerata të tëra, i shkolloi dhe arriti të qëndroj. Brutaliteti i shfrenuar i shovenstëve serbë nuk mund të jetë i pashterrshëm, ashtu siç nuk është e pashterrshme dashuria për liri. Shovenizmi serb së fundi, i thyer, do tërhiqet si ulurimë përbindshi të plagosur, duke lënë pas llahtarinë shkatrrimtare mbi kulturën tonë kombëtare, e cila pastaj do të ngritet si një fidan i ri në kopshtin e bukur pranveror! Pra tamam ashtu siç do të ringritet figura dhe personaliteti i  Esad Mekulit, si poet dhe si njeri!

 Prandaj themi se qëndresa dhe durimi i popullit tonë paralajmëron fundin e pashmangshëm të stuhisë së shfrenuar serbe. Kurse, qëndresa si lajtmotiv dhe si ideal e përshkon fund e krye të gjithë veprën poetike të poetit Esad Mekuli, ashtu siç e përshkoi ajo tërë jetën e Esad Mekulit si njeri.

St. Gallen, 17.12.2019

Esad Mekuli (1916-1993)

 Lindi në Plavë dhe vdiq në Prishtinë. Shkollën Fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Pejë, Prizren e Sarajevë..Studimet i vazhdoi në Beograd, Zagreb e Itali. Kreu Fakultetin e Vetrinarisë në Beograd, specializoi në Zagreb dhe doktoroi në Beograd. Punoi në repartin parazitologjik në Institutin Veterinar në Prishtinë, të cilin e udhëhoqi deri në vitin 1960. Ka botuar dy libra shkencor në këtë fushë. Gjatë vitit 1945-46 udhëhoqi gazetën “Rilindja”, kurse nga viti 1949 e derisa u pensionua ishte kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re” si dhe Kryetar i parë i Akademisë së Shkencave të Kosovës.

Veprat letrare: “Për ty” 1955, “Dita e re” 1966, “Avsha Ada” 1971, “Vjersha” 1973, “Brigje” 1981, “Rini e kuqe” 1983, “Drita që nuk shuhet” 1989.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …