Shefqet DIBRANI: Tradita e Shkollës shqipe në Mërgim

Pothuajse e gjithë tradita e shkollës shqipe lidhet me mërgimin. Figurat më të shquara shqiptare në fusha të ndryshme të shkencës, artit dhe pedagogjisë, që për kushtet e pushtimit të vendlindjes nga turqit apo pushtimet e mëhershme dhe deri tek këto në ditët e sotme, u detyruan ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre krijuese dhe pedagogjike jashtë kufijve etnik të atdheut dhe me kontributin që dhanë, e përfaqësuan mëmdheun në lëvizjen e madhe të Rilindjes Evropiane të shek.XV-XVI. Nga këta më të njohurit janë histografët shqiptarë: Marin Barleci dhe Marin Beçikemi në veprat e të cilëve jepen të dhëna mbi edukatën e asaj kohe në Shqipëri, sistemin e saj, sidomos për sa i përket edukimit patriotik, ushtarak, fizik e moral. Pastaj na janë të njohur shkencëtarët dhe pedagogët e shquar Gjon Gazulli dhe Nikollë L.Tomeu. Gj.Gazulli rrjedh nga familja me tradita patriotike e Gazujve të Mirëditës. Prej kësaj familje dolën dhe figura të tjera të shquara si Pal dhe Andrea Gazulli, të cilët, përveç funksioneve të tjera shërbyen si përfaqësues i Skënderbeut në Raguzë kurse Pal Gazulli qe dhe mësues e rektor i shkollave të Raguzës. Gjon Gazulli studimet e larta i bëri në Padovë (Itali), në degën e filozofisë. Nikollë Leonik Tomeu me origjinë nga Durrësi lindi në Venedik, në një familje arbëreshe që kishte mërguar në Itali për t’u shpëtuar ndjekjeve të pushtuesve osmanë. Studimet i bëri në Firencë, ku pati pedagog Demetrio Kalkondilin, u dallua për zgjuarsi. Për aftësit që zotronte u emërua profesor e më vonë drejtues i katedrës së filozofisë në Universitetin e Padovës. Popullariteti që kishte fituar si pedagog, tërhoqi studentë nga disa vende të Evropës, ndërmjet të cilëve edhe Nikolla Kopernikun (1473-1543). Bashkohësit e tij, në mes të cilëve dhe Erazmi i Roterdamit (1469-1536) e vlerësuan shumë kontributin e tij në fushën e kulturës dhe të shkencës.


Në kushtet e pushtimit osman, ishte i pamundur zhvillimi i veprimtarisë shkencore-kulturore në tokat e Arbërit. N.L.Tomeu, ashtu si dhe shumë humanistë  të tjerë shqiptarë të mërguar si Gjon Gazulli, Mikel Maruli, Andrea Aleksi etj. e zhvilluan atë në kuadrin e Lëvizjës së Rilindjes evropiane, jashtë atdheut, duke dhënë  kështu kontribut në fusha të ndryshme të kësaj lëvizjeje. Mikel Maruli (1453-1500), pas pushtimit të perandorisë bizantine nga turqit u shperngul nga Kostandinopoja, vendlindja e tij, dhe u vendos në Itali, ku i ndoqi studimet në Venedik dhe Padovë. Në Padovë kreu studimet e larta për filozofi. Për veprimtarin e tij u pranua anëtarë i Akademisë së Napolit.


Kësaj plejade i përkasin edhe shumë figura të tjera që dhanë ndihmesat e tyre në fushën e historisë së arsimit dhe të mësimdhënies si Gj.Kadumi, Gj.Muzaka, M.Artioti etj. Një nga institucionet arsimore më të vjetra shqiptare jashtë vendit, e njohur nga bashkëkohësit me emrin ”Scuola degli albanesi”, (Shkolla e shqiptarëve), e themeluar në Venedik (Venezia-Itali), nga të mërguarit shqiptarë të atyshëm rreth viteve 1500-1504. Kjo shkollë ishte kryesisht shkollë zejesh, por aty jepeshin dhe njohuri të ndryshme. Pranë shkollës funksiononte internati. Shkolla frekuentohej nga fëmijët e familjeve shqiptare të mërguara dhe të vendosura në Venedik dhe në Istria. Si tekste mësimi janë përdorur edhe veprat e dy humanistëve shqiptarë Marin Beçikemi dhe Marin Barleti. I pari ka qenë dhe mësues në këtë shkollë. Ndërsa shkolla e shqiptarëve, me vlera historike në fushën e artit, u ndërtua me kontributet e bashkëvëllazërisë të të mërguarve shqiptarë të Venedikut, e cila ishte mjaft e organizuar në atë kohë. Përveç humanistëve që përmendëm më lart, në këtë bashkëvëllazëri bënin pjesë edhe humanistë të tjerë si Viktor Karpaçi (1455-1525), Mark Bazaiti (1460-1530) dhe Nikollë Leonik Tomeu (1456-1531). Viktor Karpaçi punoi si arkitekt dhe skulptor i ndërtesës të Shkollës së Shqiptarëve. Ai stolisi fasadat e saj me basorilieve që paraqesin aspekte të luftës së popullit shqiptar për liri, gjurmët e të cilave kanë egzistuar deri vonë e që mund të jenë ende edhe sot e kësaj dite. Shkolla e shqiptarëve e cila u ngrit për nevojat të mërgimtarëve tanë në Republikën e Venedikut, gjatë kohës së veprimtarisë së vet prej vitit 1442 deri në fund të shekullit XVIII, jo vetëm që luajti një rol të rëndësishëm në ngitjen e kuadrove nga më të ndryshmet, por ajo është shquar edhe nga vlerat artistike që zotëronte godina e saj. Merita të mëdha në këtë aspekt ka pasur Viktor Karpaçi, një piktor shqiptar nga rrethi i Korçës, i cili pa dyshim qe njëri ndër artistët më të shquar të Rilindjes Evropiane. Nën mbikëqyrjen e tij është ngritur shkolla dhe janë dekoruar ballina dhe pjesa e mbrendshme e shkollës së shqiptarëve gjatë kapërcyellit të shekullit XV dhe fillimit të shekullit XVI. Vend të veçantë në opusin shumë të pasur të tij zënë pikturat që i bëri për shkollën e bashkëvëllezërve të tij të cilat ruhen në muzet më të mëdha të botës.


Si shkollë e shek.XVI, ”Scuola dela albanezi”, përveç rëndësisë historike dhe artistike, ka dhe rëndësi pedagogjike. Mbajtja më këmbë e saj për shumë kohë, dëshmon se shqiptarët e mërguar duke përbërë një tërsi dhe duke qenë të organizuar, jo vetëm që ndienin nevojën e hapjes së një institucioni për edukimin e fëmijëve të tyre, por edhe se trashëgonin njëfarë tradite, se kishin forca ekonomike, organizative dhe kulturore për ta mbajtur atë. Ajo, gjithashtu, ka vlerë të veçantë në drejtim të nivelit të zhvillimit të arsimit profesional të asaj kohe.


Më 20 prill 1711, të shtytur dhe ndihmuar nga Papa shqiptar Klementi XI, hapet në Romë në kuvend te S.Pietroj Montorio një kateder për gjuhën shqipe e cila përgatiste misionaret katolik qofshin këta edhe të huaj për të kontribuar vendit tonë. Këtë iniciativ e kanë marrë mësues e freter shqiptar të përkrahur nga Papa shqiptar Klimenti XI, të cilët kanë përpiluar gramatikat e para, fjalorë e përkthime dhe librat e duhur.


Po kështu, poeti, pedagogu dhe autori i një varg tekstesh shkollore Jeronim de Rada (1814-1903), një kohë të gjatë punoi si mësues në Kolegjin e Shën-Adrianit në Shën-Mitër Koronë (Itali). Gjatë periudhës 1838-1878, De Rada drejtoi gjimnazin klasik “Garopoli” të Koriliano-Kalabros (Itali). Në saje të përpjekjeve të tij u formua katedra e gjuhës shqipe pranë Kolegjit të Shën-Adrianit. Gjatë viteve 1849-1852 dhe 1889-1892 De Rada dha aty mësimet e gjuhës shqipe.


Kontribut mjaft të rëndësishëm që zë vend me rëndësi në lëvizjen e arbëreshëve të Italisë në shek.XIX, kryesisht në fushën e studimeve të gjuhës shqipe si dhe përhapës i dorëshkrimeve të shkrimtarëve arbëreshë është padyshim Dhimiter Kamarda (1821-1882). Ky ishte një gjuhëtar  i shquar, autor i dy varianteve të alfabetit të shqipes, problem ky që shqetsonte të gjithë rilindësit tanë. Një figurë tjetër e shqiptarëve të ngulitur në vende tjera është Elena Gjika (1829-1888), historiane, publiciste, një nga figurat e shquara që ka kontribuar për Rilindjen tonë Kombëtare. Në historinë e mendimit pedagogjik shqiptar të shek.XIX Dora d’Istria zë vend si grua që dha mendime për gjuhën, letërsinë dhe historinë e Shqipërisë dhe që hartoi projekte për  themelimin e institucioneve arsimore e kulturore dhe të një akademie shqiptare. Kemi të dhëna se Panajot Kupitori (1821-1881), ishte nga Hidra, mësues i gjuhës shqipe ndër arbëreshët e Greqisë, pedagog, gjuhëtar, albanolog. Me iniciativën dhe nën drejtimin e tij u hap një shkollë nate për arbëreshët. Këtu mësimet zhvilloheshin në gjuhën shqipe. Një figurë tjetër e arbëreshëve të Greqisë është Anastas Kullurioti (1830-1887) i cili pasi mori arsimin fillor në Kulluri (Salaminë), vendlindja e tij, të mesmën në Athinë, mërgoi në SHBA, ku vazhdoi studimet e larta. Anastas Kullurioti udhëhiqej nga parimi që ideja kombëtare shqiptare të shtrihet dhe ngul rrënjë vetëm me anën e mësimit të gjuhës amtare. Më pas botoi gazetën “Zëri i Shqipërisë” dhe mjaft libra me rëndësi për kulturën dhe shkollën shqipe.


Shkollë shqipe ndër ngulimet shqiptare në mërgim kemi edhe “Shkollën Normale” të Shoqërisë “Drita”, institucion arsimor me profil pedagogjik, i themeluar në Bukuresht më 1892 me iniciativen e shoqërisë “Drita”. Projekti për ngritjen në Rumani të një shkolle për përgatitjen e mësuesve shqiptarë ishte rezultat i punës së palodhshme të patriotit Nikolla Naço. Në vitet ’80 të shekullit të XIX, Rumania kishte filluar për vete, organizimin e rrjetit  “të të ashtuquajturave shkolla normale për përgatitjen e mësuesve të fillorës”. Duke pasur njohje  të gjerë në sferat e larta shoqërore e intelektuale rumune, Naçoja siguroi përkrahjen e tyre për hapjen e një “skoli-mësonjëtore në gjuhën shqipe në Bukuresht”. Në këtë kohë kolonia shqiptare në Rumani ishte shumë e madhe. Vetëm në Bukuresht ajo numëronte 3 000 frymë, ndërsa krahina e Vllahisë strehonte në atë kohë 20 000 shqiptarë. Hapja e një shkolle nga shqiptarët në mjedisin ku ata banonin ishte kërkesë e kohës.


Njoftimi për hapjen e Shkollës Normale të Shoqërisë “Drita” u bë nga gazeta “Drita” më 24 korrik 1892.  Nikolla Naço, kryetar i shoqërisë “Drita” nënvizonte se është hapur një “…shkollë normale e epër me internat…”. Kjo shkollë filloi së punuari më 10 maj 1892 në Bukuresht ku e kishte qendrën dhe vetë Shoqëria “Drita”. Drejtor i shkollës u caktua Nikolla Naço, kurse “drejtues shkencor-pedagogjik…” akademiku rumun, Bogdan P.Hazhdeu, personalitet shkencor mjaft i njohur në këtë shtet, i cili ishte njohës i gjuhës shqipe dhe mik i popullit shqiptar. Shkolla  funksiononte mbi bazën e kursit të parë të gjimnazit (4 klasë), ndiqej nga shqiptarë të emigruar dhe rumunë, konviktorë dhe të jashtëm. Mësimet jepeshin në gjuhën shqipe dhe rumune. Si tekste mësimi janë përdorur veprat shqipe të botuara nga shtypshkronja shqiptare në Bukuresht, siç është psh. rasti i librit “Leçitje Sqipe”, (1887), kurse mësimi i gramatikës shqipe mbështetej në veprën “Gramatika e gjuhës shqipe”. (Gramatica limbri albaneze), tekst të cilin Bogdan P.Hazhdeu e përgatiti posaqërisht për këtë shkollë. Të rinjtë që mbaronin këtë shkollë fitonin aftësi profesionale për mësues.


Në këtë shkollë mësuan edhe mjaftë figura të shquara të letërsisë kombëtare e ndër ta edhe  Mihail Gramenoja, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Thoma Avrami, Dervish Hima, Kristo Luarasi, Shahin Kolonja, Jani M.Lehova, Kosta I.Trebicka, Spiro Garo, Jashar Erbara, Dhimitër Mole, Gjergj Xhamoja etj. Pra në këtë shkollë mësuan nxënës të ardhur nga Toskëria, Gegëria, Kosova, kolonitë shqiptare etj. të cilët sipas rregullorës, me të mbaruar shkollën “kanë borç… të venë më çdo anë që i dërgon qiveri i Shoqërisë”. Ata “do të dërgohen me hargçin (shpenzimet) e Shoqërisë, mësonjëtorë në Shqipëri e Kosovë, në (kolonitë shqiptare), Bullgari, Serbi, Mali i Zi, Greqi, Rusi, Itali dhe Austro-Ungari, të hapin skoli shqipe…”. Shkolla Normale e Shoqërisë “Drita” u ngrit në një periudhë kohe kur nevoja për mësues ndihej e madhe kudo në vendet e Ballkanit. Shkolla u mbyll më 1899. Ky njoftim merret vesh nga një letër e Mark Hilës, babait të Hil Mosit, që mban datën 9 maj 1899, nga Stambolli.


Një shkollë tjetër me rëndësi ndër ngulimet shqiptare të Arbëneshit, lagje periferike e qytetit Zara të Dalmacisë, është Shkolla Normale e cila funksionoi në vitet e para të shek.XX që ndiqej nga djem dhe vajza të Arbëneshit. Gjuha shqipe në këtë shkollë u fut me kërkesën e banorëve të Arbëneshit, që donin t’u mësonin fëmijëve gjuhën amtare përmes mësuesve shqiptarë dhe teksteve në gjuhën shqipe. Në vitet e para të përfshirjes së gjuhës shqipe në planin mësimor të kësaj shkolle këtë lëndë e dha Konstantin Shtjefën Gjeçovi (1906). Dhënja e gjuhës shqipe këtu u zhvillua në një atmosferë kontradiktash politike. Ndjekja e mësimit nga dhjetëra vajza e djem ndihmoi në njohjen dhe përpunimin e gjuhës amtare tek arbëneshët e kësaj zone në atë periudhë.


 


Zvicër, 1994 -1997.


(Marrë me shkurtime nga libri: “VIRTYTE E VISARE”, që pritet të dali së shpejti nga shtypi.)

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …