
Sot e 44 vjet më parë, më 1 prill 1981, studentët, nxënësit, profesorët, intelektualët, punëtorët, fshatarët – me një fjalë, i gjithë populli i bashkuar si rrallëherë më parë – bënë histori. Si rrjedha lumenjsh po bashkoheshin në demonstratën më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë. Po bashkoheshin në Prishtinë, aty ku i ftonte zëri i popullit se kishte ardhur dita për t’i treguar fuqishëm Jugosllavisë hegjemoniste – të ashtuquajturës “parajsë e popujve” – dhe gjithë botës së qytetëruar se këtu, në trojet e veta, ekziston një popull i quajtur shqiptar, që për nga numri përbënte jo më pak se të tretin në Jugosllavi. Se ai jeton e frymon në trojet e veta autoktone, me traditë, kulturë e gjuhë që e dallon nga popujt e tjerë sllavë të jugut, dhe pikërisht për këtë arsye diskriminohej skajshmërisht, duke iu mohuar edhe të drejtat më elementare, siç është e drejta për jetën. Në anën tjetër, në aspektin e rregullimit shtetëror, as që bëhej fjalë për të drejtën e barazisë së shqiptarëve në raport me popujt sllavë, të cilët, edhe pse për nga numri i popullsisë ishin më të vegjël, gëzonin statusin e republikës, siç ishte rasti me Malin e Zi, Slloveninë, Maqedoninë dhe Bosnjën.
Ky lum njerëzish po marshonte duke demonstruar e paralajmëruar se kishte ardhur koha për t’i dhënë fund padrejtësisë historike që po i bëhej popullit shqiptar në trojet e veta nën Jugosllavi. Në ballë kishte studentët dhe rininë heroike e revolucionare, e cila edhe më 11 dhe 26 mars marshoi, protestoi e demonstroi paqësisht, por që policia dhe ushtria fashiste i shtypën me gjak, në vend që të dëgjonin zërin dhe të realizonin kërkesat për barazi e drejtësi me popujt e tjerë të Jugosllavisë. Masat barbare kundër studentëve – dhuna, torturat, arrestimet, burgosjet – jo që i kishin zmbrapsur dhe frikësuar ata, por përkundrazi, kishin shtuar revoltën tek i gjithë populli, i cili po priste një organizim e mobilizim për të ngritur edhe më lart kërkesat, deri në fitore. Studentët, pas 26 marsit, bojkotuan ligjëratat, nxënësit ndërprenë mësimin, punëtorët përçuan mesazhin, ndërsa fshatarë e intelektualë prisnin me padurim alarmin. Këtij mobilizimi të përgjithshëm tani po i printe struktura e organizuar e Lëvizjeve Ilegale. Ajo kishte marrë mbi supe organizimin e demonstratës së bashku me shumë studentë që ishin anëtarë të saj dhe bashkëvepronin në grupe të ndryshme ilegale në Qendrën e Studentëve dhe anekënd Kosovës…
44 vjet më parë ishte ditë me diell, frynte një erë e ngrohtë që mbushte zemrat e demonstruesve me zjarrin revolucionar të gatishmërisë për sakrificë. Këngët “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”, “Kaçanik o shkëmb e gurë”, dhe të tjera, ishin bërë zë kushtrimi i popullit, bashkë me kërkesat:
Kosova Republikë!
Republikë – Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë!
Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë!
Poshtë Jugosllavia titiste!
Trepça është e jona!
Duam liri, barazi, drejtësi!
Duam bashkim!
Rroftë Adem Demaçi!
Të lirohen të burgosurit politikë!,
e shumë të tjera.
Demonstrata e 1 prillit kulmoi me fjalën monumentale drejtuar popullit nga lideri i atëhershëm i Lëvizjes Ilegale, Hidajet Hyseni. Në emër të organizatorit, ai bëri me dije se e vërteta për shqiptarët është kjo që thotë populli; janë parullat dhe kërkesat e qarta që tregojnë synimet tona për liri, drejtësi e barazi me të tjerët… Ai e përmbylli fjalën me një mesazh:
“Studentë, nxënës, profesorë, intelektualë e fshatarë – jemi një e të pandarë!”
… dhe kështu për të vazhduar deri në fitore!
Regjimi i atëhershëm jugosllav dhe udhëheqësit vasalë të asaj kohe, në vend që t’u dilnin demonstruesve përpara e t’ua plotësonin kërkesat legjitime, përkundrazi përdorën fuqishëm mjetet e dhunës: tanket, autoblindat, plumbat, gazin, shkopinjtë e gomës, etj., për shuarjen e demonstratës. Po atë natë, regjimi shpalli gjendje shtetrrethimi dhe gjendje të jashtëzakonshme nga ushtria jugosllave. Demonstrimi i popullit, pavarësisht këtyre masave, vazhdoi edhe më 2 dhe 3 prill, duke marrë përmasat e një kryengritjeje gjithëpopullore. Ushtria dhe policia fashiste jugosllave e shtypën me gjak kryengritjen e popullit duarthatë, duke përdorur armatimin më të sofistikuar: aeroplanë, tanke, autoblinda, armë nga më të ndryshmet – mitraloza, pushkë automatike, armë kimike, e të tjera. Dhjetëra demonstrues u vranë e u plagosën, me qindra e mijëra të tjerë u arrestuan, u burgosën, u kidnapuan e u izoluan…
Me muaj të tërë, Kosova u mbajt nën rrethim të plotë, me orë policore dhe dhunë ushtarake nga regjimi jugosllav – një shtet që në botë njihej si demokratik dhe shembull për liri e barazi ndërpopullore. Jugosllavia madje mbante leksione për shtetet e Lindjes së Largët, duke u paraqitur si avokate e tyre nën ombrellën e të ashtuquajturave “Shtete të Painkuadruara”.
Sot e 44 vite më parë, për herë të parë bota e qytetëruar, ajo demokratike – siç e quanim ne atëherë – mori mesazhin për të vërtetën e qartë nga populli shqiptar që jetonte në trojet e tij brenda Jugosllavisë së Titos, të një shteti të ndërtuar keq. Zëri i protestuesve, përballë dhunës fashiste të një shteti “model” për të drejtat e njeriut, po binte në veshët e qytetërimit evropian. Maska e Jugosllavisë po çirrej. Perëndimi filloi të mendojë ndryshe. Edhe gjykimet filluan të ndryshonin… Për herë të parë, shtypi botëror, i mbështetur në faktet që sollën protestat dhe demonstratat e ’81-shit, shpalosi të vërtetën për popullin shqiptar në Jugosllavi, duke publikuar dhjetëra e qindra shkrime për historinë e dhimbshme të tij. Përderisa Jugosllavët në Kosovë mbanin terrin informativ, duke mbytur fjalën dhe mendimin e lirë, shtypin perëndimor nuk mund ta ndalnin. Pavarësisht masave dhe mjeteve represive, e vërteta depërtonte dhe përhapej.
Të gjitha këto masa të egra dhe anakronike të regjimit jugosllav për shumëkë ishin të pakuptueshme. Por, duke parë çfarë ndodhi më vonë me Jugosllavinë, pas ngjarjeve të ’81-shit, del e vërteta se ajo pësoi lëkundjen vendimtare drejt shkatërrimit – si krijesë artificiale që ishte. Të kota ishin masat aq të ashpra dhe të pamëshirshme në gjykimet e mëvonshme që iu bënë demonstruesve dhe organizatorëve të tyre. Ato vite përballjesh shpërfaqnin gjendjen e brendshme të një regjimi të kalbur dhe në shthurje. Jo më pak se nga 1945 deri në vitin 1990- shqiptarët janë dënuar nga jugosllavia. 666 shekuj e 72 vjet e 52 muaj burg dhanë gjykatat e regjimit të egër jugosllav për shqiptarët pas demonstratave të vitit 1981. Këto masa ishin argumenti më i fortë se Jugosllavisë së ashtuquajtur “shembull” të demokracisë e tolerancës ndëretnike, të proklamuar me sloganin “vëllazërim-bashkim”, i kishte ardhur fundi. Ngjarjet që pasuan dhe shkatërrimi i Federatës Jugosllave janë dëshmi bindëse se demonstratat e shqiptarëve më 1981 jo vetëm që e lëkundën, por ndihmuan në shkatërrimin e themeleve të saj.
Prandaj, sot, 44 vjet më vonë, si askush tjetër, ne shqiptarët kemi arsye të jemi krenarë. Sepse ishim ne ata që, me përkushtim e sakrificë, u bëmë faktorë të shkatërrimit të një “Perandorie”, e cila në bazament kishte projektin hegjemonist për gllabërimin e trojeve shqiptare e më gjerë.