Shemsi Syla

Shemsi Syla: Zona Operative e Karadakut ka vepruar qysh prej fillimit të luftës së UÇK-së, por me disa specifika

Në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga regjimi okupator serb, në studion e TV-Diellit dhe në valët e Radios-Kosova e Lirë, është ftuar për një bisedë veprimtari, i burgosuri politik, zëvendës-Komandanti i Zonës Operative të Karadakut, gjatë luftës, eprori i UÇK-TMK-së, kolonel, Shemsi Syla, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës.

Fillimisht, ai ka rrëfyer për jetën dhe aktivitetin e tij gjatë shkollimit, kontaktet e para me Lëvizjen Atdhetare, demonstratat e vitit 1981 ku ishte edhe pjesëmarrës, organizator dhe i burgosur disa herë, në vitet ’80-të si dhe aktivitetet e pandërprera në përgatitjen e më vonë edhe fillimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka përmendur edhe personalitetet e njohura të rezistencës së kësaj ane si: Metush Krasniqi, Rexhep Mala, Kadri Zeka, Avdullah Tahiri, Hydajet Hyseni, Nuhi Berisha, Isa Kastrati e shumë të tjerë, të cilët edhe ishin bërë burim frymëzimi për çlirimtarët e ardhshëm të Kosovës.

Shemsi Syla, ka konstatuar se fillimet e luftës, në Drenicë, Dukagjin e Pashtrik reflektuan në tërë Kosovën, por pikat kufitare të Kosovës me Serbinë e Maqedoninë, sikur ishte Zona e Karadakut, Marecit Llapit, Shalës, Neredimës, ishin vazhdimisht në vëzhgim të forcave ushtarake e policore serbe, andaj edhe shtrirje publike e UÇK-së ishte më e vonë. Mirëpo lëvizjet e liridashësve, kontaktet me kreun e luftës, organizimi ilegal nuk kishte pushuar asnjëherë. Kontaktet e para, apo thënë thjesht vazhdimin e tyre në kushte dhe rrethana kur UÇK-ja kishte dalë publikisht, i  kishte bërë Avdullah Tahiri, tani hero i Kosovës, me të cilin ka bashkëpunuar vazhdimisht.

“Në fillimet e luftës, Zona e Anamoravës dhe e Karadakut përgjithësisht, ka qenë një logjistikë e fuqishme në mbështetje të UÇK-së. Pak është folur dhe është shkruar për këtë aktivitet, por ndihmat financiare nga ajo zonë nuk kanë munguar asnjëherë. Nga kjo zonë janë siguruar edhe shumë uniforma që i prodhonte fabrika  e tekstilit,  “Jumco” në Vranjë, por edhe armë që bliheshin atje përmes tregtarëve dhe  nga kanalet tona ilegale, ato hynin në Kosovë. Ne ishim një ndërlidhje e veçantë me zonat e luftës, veçmas me Zonën Operative të Llapit ku edhe kemi bashkëvepruar dhe luftëtarët nga Gjilani, Kamenica, Vitia e më gjerë. Luftëtarët e kësaj ane   kanë kryer edhe stërvitjet ushtarake në atë zonë, por edhe kishin marrë pjesë në luftime, sa herë që kishin ndodhur ato”. Në zonën tonë kanë vepruar edhe personalitete të njohura të luftës, si Ahmet Isufi, Hilmi Ramadani, Basri Musmurati, Emin Krasniqi, pastaj dëshmorët si Pajazit Ahmeti, Tefik Zymberi, Hanënshahe Avdullahu-Zymberi e shumë kuadro dhe luftëtarë të tjerë të luftës së UÇK-së…

Eprori i UÇK-së, zëvendës-komandanti i Zonës Operative të Karadakut,  Shemsi Syla pastaj ka folur për një aktivitet specifik të njësiteve, të cilët nga Zona e Karadakut kalonin ilegalisht nëpër zona, duke i kushtuar rëndësi të veçantë ekipit të vëzhgimit të terrenit, meqë në  shumë raste kishin kaluar edhe nëpërmes fshatrave serbe, por edhe në vendeve ku ushtria e policia serbe kishte vendosur postblloqe.  “Qysh në fillim të luftës kishin humbur luftëtarin tonë më të dashur, Avdullah Tahirin, i cili kishte rënë në pritë të forcave serbe dhe prej asaj kohe kishin marrë një mësim, të cilit iu kemi përmbajtur deri në fund të luftës. Nuk na ka ndodhur asnjëherë të biem në pritë, përveç  rasteve kur kemi luftuar ballë për ballë me ta”.

Shemsi Syla ka folur edhe për betejat e zhvilluara në këtë zonë, veçmas për Betejën në Malet e Zhegovcit në pranverë të vitit 1999, rënien e dëshmorëve dhe në fund hyrjen ngadhënjimtarë dhe fitimtarë të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjilan dhe qytetet e tjera të kësaj zone. Ai po ashtu ka rrëfyer edhe për masat që janë marrë me qëllim që të mos lejohej sulmi mbi fshatrat serbe, sepse “ne nuk kishim luftuar për t i dëbuar ata nga Kosova. Ka pasur ndonjë rast të veçuar të ndonjë presioni, më tepër të natyrës përfituese në shitblerje, por jo krime, jo revanshizëm, meqë ne kemi ruajtur vlerat e luftës sonë për çlirim e bashkim kombëtar. Më duhet të them se ka pasur raste kur gjatë luftës  fshatarët serbë në kanë diktuar por nuk i kanë lajmëruar forcat policore e ushtarake serbe. Kemi edhe raste kur ata nuk iu kanë përgjigjur mobilizimit dhe janë keqtrajtuar nga policia serbe”.

Prej vitit 1999 deri në vitin 2008, Shemsi Syla ka  qenë Shef i Shërbimit për Informim Publik dhe zëdhënës në Shtabin e Përgjithshëm të TMK-së, ku ka dhënë një aktivitet të jashtëzakonshëm në mënyrë që TMK-ja, e cila kishte prejardhjen e burimin nga UÇK-ja doemos të bëhej Ushtri e Kosovës, edhe pse këtë pretendim dhe angazhimin tonë të hapur nuk e duronte faktori ndërkombëtar në vendin tonë. TMK-ja ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në periudhën e trazicionit nga UÇK-ja tani në Ushtrinë e Kosovës.

Në vitet e fundit, meqë ishte pensionuar para kohe nga TMK-ja, me rastin e shndërrimit të saj në FSK, Shemsi Syla iu ka bashkuar radhëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ku është edhe deputet i saj në Kuvendin e Kosovës.  Lidhur me aktivitetin e tij në kuadër të Lëvizjes së cilës  kohë pas kohe iu kanë bashkuar edhe shumë ish të burgosur politikë, ai ka saktësuar: “Lëvizjes Vetëvendosje iu kam bashkuar në radhë të parë sepse ajo ka në program bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pastaj edhe bashkimin e përgjithshëm kombëtar. Nëse Vetëvendosja heq dorë nga ky program, unë nuk do të jem më anëtar i saj”, ka thënë për fund, për TV-Diellin, atdhetari, veprimtari dhe i burgosuri politik, luftëtari i lirisë, eprori i UÇK-TMK-së, tani deputeti i Kosovës, Shemsi Syla.

(Bisedën në Studion e TV-Diellit me veprimtarin, luftëtarin e lirisë dhe  deputetin, Shemsi Syla e zhvilloi, Ahmet Qeriqi)

 

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …