Shëngjini ynë dhe i gjithë Shqipërisë

Shëngjini ynë dhe i gjithë Shqipërisë

 

Bregdeti i gjatë i Shëngjinit, në pesë gjashtë vitet
e fundit është plazhi më i preferuar i kosovarëve, dukagjinasve, tetovarëve,
shkupjanëve  dhe pushuesve të tjerë nga
trevat shqiptare. Dikur një lokalitet i njohur strategjik, bregdetar, qysh nga
koha e pushtimeve romake në trojet e Ilirisë, Shëngjini tani po merr pamjen e
një qyteti bregdetar me një plazh të gjerë e të gjatë, ndër më të frekuentuarit
për pushuesit sidomos nga Kosova. Tashmë ky qytet,  7 kilometra larg Lezhës, është edhe njëri  nga portet më të  rëndësishëm të Shqipërisë, edhe për shkak të
afërsisë me Rrugën e Kombit, me vendet e tjera të rajonit si dhe për shkak se
Limani i këtij qyteti pritet të ketë një perspektivë të veçantë, në zhvillimin
e porteve detare të Shqipërisë e të Adriatikut.

 

Gjatë muajve 
të këtij sezoni sezonit turistik të këtij viti, (tani në mbarim),
Shëngjini  ka shënuar një rritje rekorde
të pushuesve.

Autoritet në Shëngjin dhe në Lezhë kanë bërë ç’është
e mundur që ky qytet bregdetar të shfrytëzohet për turizëm aktiv nga të gjithë
pushuesit, pavarësisht se ata  vijnë më
shumë nga Kosova sesa nga vendet përreth.  Vërshimi i pushuesve nga Kosova, drejt këtij
qyteti  bëhet në radhë të parë për shkak
të afërsisë që ka me trevat  verilindore
shqiptare, por edhe për shkak të krijimit të kushteve normale për pushim dhe
zhvillim të turizmit. Autoritetet vendore kanë rregulluar plazhin, trotuaret,
parkingjet, ndërsa ujët e pastër të detit është joshës për shumicën e
pushuesve.

Sot Shëngjini është një nga plazhet më të mëdha të
Shqipërisë, ku frekuentojnë rreth 100 mijë pushues në vit kryesisht nga Kosova
e Maqedonia. Janë përmirësuar kushtet higjienike, sanitare, pastrimi dhe
mirëmbajtja e plazhit, janë shpenzuar fonde për mirëmbajtjen e  zhvillimin e plazhit, ndriçimin e rrugëve,
sistemimin e kanaleve të ujërave të zeza, 
shëtitorja e madhe mbi pesë kilometra dhe investime të shumta në
infrastrukturë.

“Plazhi i Shengjinit përben njërin nga resurset me
te veçanta turistike detare, jo vetëm te Lezhës por edhe të Shqipërisë, sidomos
për parkun ekologjik te rrethinës” – thonë autoritetet.


 

Shëngjini ka një klimë specifike, bregdetare dhe kontinentale.

Me shkëmbin malor në 
pjesën verilindore, netët këtu janë më të freskëta, por edhe imazhet
mbresëlënëse të një bregdeti shkëmbor, karakteristikë për Shqipërinë shkëmbore
dhe ultësirat e pasura me fusha pjellore, me një klimë të pasur, shumë të
përshtatshme me kultura bujqësore e sidomos për 
pemë e perime bregdetare.

Shëngjini po rritet e po zgjerohet si nevojë e
kamotshme e integrimeve gjithë shqiptare brenda për brenda trojeve, pavarësisht
se kufijtë kanë mbetur dhe po mbesin po ata të së kaluarës.

 

Atë, që e kishin penguar ndër shekuj pushtuesit e
huaj, copëtuesit e tokave tona, tani pas luftës fitimtare dhe shpalljes e
Pavarësisë së Kosovës, e kemi bërë dhe po e bëjmë  realitet, me 
integrimin  tonë vullnetar,
vëllazëror,  fizik e shpirtëror, me
lëvizje të lirë mes trojeve, me komunikim të përditshëm, ekonomi, tregti dhe
investime, por  ende jo në nivel të
duhur, krejtësisht të mundshëm. Mbi të gjitha hetohet integrimi kulturor,
rinjohja vëllazërore, kultura e tolerancës fetare, ndjenja e afërsisë dhe
përkatësisë së një kombi, një gjuhe, historie, 
mirëpritje, bese e tradite.

Jenë zhdukur tashmë parullat dhe allishverishet  politike të Sali Berishës e Hashim Thaçit, që Porti i Shëngjinit t’ i falet
Kosovës. Shqiptarët liridashës kudo ku janë e ku jetojnë tashmë ndihen në
shtëpinë e tyre të  madhe, pse jo edhe në
Shqipërinë e Madhe”, sepse ajo ka
qenë është dhe do të jetë e shqiptarëve, dhe kurrë më nuk do të kthehet e
kaluara e telave me gjemba, që ndante mes përmes trojet shqiptare.

Shëngjini në radhë të parë është i shëngjinësve dhe
i të gjithë shqiptarëve që vinë për ta vizituar për nevojat e dëshirat e tyre,
është qytet i hapur, ashtu si të gjitha qytetet e Shqipërisë, në radhë të parë
për të gjithë  shqiptarët që vinë për të
investuar për gjeneratat e ardhme, por edhe për të gjithë ata që kanë mall dhe
duan ta njohin çdo cep të Atdheut.

 

Në qendrën e qytetit dhe të korzos qëndron shtatorja
e At Zef Pllumbit, martirit të fesë
“që kishte jetuar  për të rrëfyer” dhe
busti i ish-kryetarit amerikan, në vitet njëzet të shekullit të kaluar, Wudrou Vilson, i cili përdori veton e
shtetit të tij dhe nuk lejoi që të zhbëhej e të asgjësohej Shqipëria. Për këtë
qëllim, Noli i Madh kishte propozuar
që ky qytet të pagëzohej me emrin Qyteti
Vilson
. Një rrugë në Shëngjin, në respekt e përkujtim të luftës së Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës mbanë emrin: “Vëllezërit
Haradinaj
”, një rrugë tjetër mban emrin i ish kryetarit të Kroacisë, Stipe Mesiq, një mik i madh i
shqiptarëve.

Shëngjini, kishte qenë shënjestër  për pushtim nga politika antishqiptare sllave
e serbe e Beogradit. Fuqitë e Mëdha, pas Luftës së Parë Botërore  ishin pajtuar që Serbisë t’ i lihej një dalje
në det dhe pikërisht për këtë dalje ishte caktuar, Porti i Shëngjinit, mirëpo
kjo nuk kishte ndodhur, sepse populli i kësaj ane nuk ishte pajtuar.
Shëngjinasit dhe malësorët e kësaj ane 
kishin luftuar edhe kundër pushtimit 
italian të Shqipëris, në prill të vitit 1939 dhe kishin marrë pjesë në
Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

 

Një ditë deri
në mesnatë në Shëngjin

 

Pushuesit zgjohen herët dhe dalin të shëtisin në
bregun e detit,  nëpër plazh me qëllim të
përfitimi të jodit, ose thjesht për t’u rizgjuar nga gjumi i natës, jo edhe aq
i rehatshëm për shkak të zhurmës nga muzika që nuk ndalon deri natën vonë,
nëpër diskoteka dhe zhurmues të mëdhenj në hotele, sado që muzika është e
lejuar deri në mesnatë.

 

Vendosja e pushuesve në plazh fillon qysh herët dhe
vazhdon në intervale të caktuara të secilit deri në perëndim të diellit. Secili
e kalon ditën ashtu si i teket. Dikush nën çadër, dikush duke e rrezitur në
zall të diellit përcëllues, shumica syresh duke notuar, duke shëtitur duke
ngarendur poshtë e lartë. Plazhi është atraktiv sidomos për fëmijët, meqë uji i
cekët dhe përgjithësisht i pastër bën që ata të ndihen në element të vetin.

Pastaj vërshojnë shitësit ambulantë të perimeve e
ushqimeve të ndryshme. Kudo dëgjohen oferta: “Kifle taze, krofne të nxehta”
byrekë taze-shkoi byreku”!, “Dardha, nektarina, rrush”. Nuk ka më gazeta, si
dikur, sepse në çdo banesë ka televizor, internet. Nuk ka as akullore sepse
sezoni është në të mbaruar por ka misra, “shtalba”, lëngje, lodra për fëmijë, veshje
plazhi, fustan, etj.

Plazhi gumëzhinë gjatë tërë ditës.

Pastërtia mbahet në nivel të duhur…

Pushuesit në përgjithësi janë të kënaqur. Ata
lavdërojnë pronarët e hoteleve dhe autoritetet komunale që tregojnë kujdes dhe
kanë ngritur standardin e pushimeve.

 

Në orët e mbrëmjes, fillon korzoja në dy anët e
shëtitores, së gjatë disa kilometra. Me të perënduar dielli, shitësit ambulantë
i vendosin  tavolinat e tyre të mbushura
me shumëllojshmërinë e artikujve e gjësendeve që ofrojnë  t’ i shitur. Bien në sy lodrat e shumta dhe
të lloj-llojshme për fëmijë, pastaj suvenire, punë dore, veshje karakteristike,
pëlhura të ndryshme shumëngjyrëshe, bizhuteri ndër më të ndryshmet, unaza,
byzylykë e punime prej sermi e argjendi, gjësende kallpe e të improvizuara,
syze dielli, zbukurime nga materiale të ndryshme, flamuj kombëtarë, zbukurime
kuqezi, topa për fëmijë, dhe tërë një botë gjësendesh  laramane që zgjojnë kërshërinë e pushuesve,
sidomos kërshërinë e  fëmijëve për të
blerë lodra ndër më të ndryshmet, jo edhe aq të kushtueshme sa ishin dikur.

 

Ikonografinë moderne me relikte të së kaluarës në
Shëngjin e begatojnë edhe dy piktorë ambulantë, të cilët në çdo mbrëmje zënë
vendet e tyre, në qoshe të shëtitores. Ata me talentin dhe profesionalizmin e
tyre, për një kohë të shkurtë ta bëjnë portretin, ashtu si dikur piktorët e
Renesancës. Vizatimet, pikturat dhe tablotë e tyre janë brilante, por mjerisht
nuk shpërblehen me ato pak lekë që japin të interesuarit. Kësaj vere
kishte  ekspozuar për shitje pikturat e
tij edhe një student i ri shkodran, i cili kishte punuar me shumë kujdes e
talent  edhe një portret të Skënderbeut.
Mbrëmjeve  në Shëtitoren e qytetit  duket edhe lodërtari i moshuar dhe gungaç, i
cili pasi shtron në trotuar një karton për lëmoshë fillon të argëtojë pushuesit
duke i rënë lodrës dhe duke falënderuar, me përulje  çdo pushues që kujtohet t i falë ndonjë lek,
kryesisht monedhë 10 apo 20 lekë,  që ka
mbetur diku në skajin e ndonjë xhepi të pushuesit.  Po ashtu nuk janë pak edhe lypsarët nga ata
të vërtetit dhe improvizuesit e mashtruesit, të cilët është vështirë të
identifikohen, sepse tashmë e kanë përsosur 
zejen e tyre të lypësisë. Edhe këta janë pjesë e Shëngjinit, që
mbrëmjeve shkëlqen nga ngjyrat, reklamat shumëngjyrëshe të hoteleve, muzikës e
dalldisë tallava, kire bum-bum-bum, tralala e hoj-haj hej.

 

Ana tjetër e shkëlqimit të reklamës kapitaliste të
Shëngjinit në mbrëmje është prania dhe kyçja e makinerisë së lëvizjeve
elektrike. Rrotullimet, makinat e improvizuara, hedhjet në ajër me litarë,
kërcimet së larti, lojërat akrobatike e mbi gjitha zhurma shurdhuese e muzikës
rok-tallava, majmun-daire, dridh terrenin ndërsa  tërë vendit i jep përshtypje të një lëvizjeje
apokaliptike. Pronarët e kësaj makinerie lëvizëse janë ata që përfitojnë më së
shumti, sepse reklama fascinuese me tërë begatinë e ngjyrave  uzurpon mendjet jo vetëm të fëmijëve por edhe
të prindërve të tyre, të cilët detyrohen që edhe vetë të ulën nëpër makina
elektrike  për të qenë afër më të
dashurve nga droja se mund të iu ndodh më e keqja, në rast të ndonjë moskujdesi
momental.

 

Në Shëngjin
flitet por nuk këndohet shqip

 

Të gjitha i ka Shëngjini, por i mungon diçka
serioze, diçka që më kujton Nonda Bulkën
e Ernest Koliqin.
Ata ankoheshin në kohë e tyre, “për njëqind flamur pa një”, dhe për “tregtarë flamujsh”. Unë, besoj nuk jam i vetëm, që ankohem për
mungesën totale të këngës, valles e 
muzikës shqipe. Gjatë 24-orëve, në tërë qytetin nuk pushon për asnjë
çast muzika e huaj. Madje edhe në orët e vona të natës kur është e ndaluar me
ligj. Ajo shpërndahet me zë kumbues 
të gjitha hotelet, diskotekat dhe rrambullinat private. Nuk dëgjohet më zëri i Simon Tuçit me këngën e tij për Gjergj Kastriotin, nuk dëgjohen më
këngët e Maria Krajës, Luçie Milotit,
Tomë Nikollës, Frrok Haxhisë
dhe sa e sa këngëtarëve të njohur jo vetëm të
veriut të Shqipërisë. Vendin e tyre në Shëngjin, krejt padrejtësisht  e ka zënë kënga, tallava, hahaha, kire bum-bum-bum, dhe efekte tingujsh pa harmoni,
pa ritmin e këngës shqipe, por jo edhe pa ritmin e këngëve greke, turke e
serbe. Mjerisht! Fatkeqësisht!

 

Shëngjini ka 
përjashtuar padrejtësisht këngën shqipe, tingujt e çiftelisë, zërin e
përmallshëm të lahutës, fyellit, të dairesë e zurnasë. Në këtë drejtim pse të
mos qortohen autoritetet e kulturës kudo në Shqipëri, jo vetëm në Lezhë e në
Shëngjin. Në  Vlorë, Durrës e deri  Sarandë dëgjon çdo lloj muzike të huaj e
të degjeneruar, por asnjë për be 
gjuhën shqipe. Nuk ka qytet bregdetar
Mal të Zi, Greqi, Itali, Turqi
e gjetkë ku mund të dëgjohet qoftë edhe një
këngë shqipe. Në qytetet tona po ashtu, dëgjohet e përhapet pa ndërprerë muzika
e huaj, por jo ajo shqiptare, sidomos jo ajo burimorja, por tallavaja majmune e
evgjite, muzika e huaj dis-ritmike, të cilën as e kupton kush as ka përse të
kuptohet e të vlerësohet, kur ajo është këngë për konsum ditor,  pa përmbajtje, pa porosi e pa asnjë vlerë
artistike.

 

Ky është Shëngjini në përshkrimin  tim, kalimthi,  si pushues.

 

Ahmet Qeriqi

Shëngjin

8.9. 2015

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …