Shënohet 142-vjetori i Lidhjes së Prizrenit me ekspozitën “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”

Nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për nder të 142-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Prizren është hapur ekspozita “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”. Në këtë ngjarje të udhëhequr nga Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, morën pjesë edhe Kryeparalmentarja Vjosa Osmani, Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni si dhe personalitete të tjera nga skena politike. Me këtë rast Ministrja Dumoshi, në rolin e nikoqires së organizimit, tha se përmes kësaj ekspozite po sillen në vëmendje të gjitha tubimet më të rëndësishme kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. “Sonte jemi së bashku për të sjellë në vëmendje të gjitha tubimet më të rëndësishme kombëtare shqiptare të Lidhjes së Prizrenit. Për të ruajtur tërësinë territoriale, atdhetarët tanë 142 vjet më parë arritën të formojnë organizatën politike dhe ushtarake Lidhja Shqiptare e Prizrenit”. Tutje, Ministrja tha “Sonte, me kujdes të shtuar, për shkak të përballjes me pandeminë, dhe të angazhuar bashkërisht për t’iu kthyer punës në institucione, jemi këtu për prezantimin e ekspozitës “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” e autorit Prof. dr. Parim Kosova, ekspozitë kjo e punuar me përkushtim e profesionalizëm, që përmban fotografitë, portretet e ideologëve, udhëheqësve, klerikëve, dëshmorëve, luftëtarëve dhe veprimtarëve të shumtë të Lidhjes së Prizrenit”. “Ky aktivitet nderon veprën dhe kontributin e të gjithë ideologëve, veprimtarëve dhe dëshmorëve që e krijuan Lidhjen, për të cilën ne jemi krenarë, Lidhje kjo që Presidenti i ndjerë Dr. Ibrahim Rugova e quante Lëvizja më e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës së shkëlqyeshme të Gjergj Kastriotit”-shtoi ministrja. Autori i ekspozitës, Parim Kosova, dha detaje për ekspozitën, i cili tha se qysh nga viti 1996 kishte filluar të merret me këto fotografi dhe është i pari studiues që ka hulumtuar shumë në hapësirat shqiptare si në Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri, e më tutje dhe jashtë vendit, si në Selanik, Stamboll, Itali dhe Austri, për të sjellë këtë koleksion fotografish me vlerë të veçantë.

Kontrolloni gjithashtu

Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan, organizoj tryezën me temën “Roli i fesë në shoqërinë bashkëkohore”

Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan, organizoj të premtën tryezën me temën “Roli i fesë …