Prof. Murat Gecaj: Shënohet 20-vjetori i themelimit të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës
1.
Në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave u organizua një ceremoni e thjeshtë, por domethenëse e mbresëlënëse, kushtuar 20-vjetori të formimit të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste të Popullit Shqiptar. Merrnin pjesë anëtarë të kësaj Organizate, si nga kryeqyteti e degët nëpër rrethe, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, si dhe një delegacion I Shoqatës së Veteranëve të Luftës nga Republika e Kosovës.
Në fillim, kryetari I OBVLA, Gjeneral-Leitnant në pension Rrahman Parllaku, “Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit”, foli shkurtimisht për historikun e krtijimit të kësaj Organizate, për veprimtaritë kryesore që janë zhvilluar, si dhe për disa prej veprimtarëve më të dalluar të saj. Ai nënvizoi se kjo veprimtari është pjesë përbërëse e atyre, që do të zhvillohen në vitin jubilar të 70-vjetorit të çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë. Me këtë rast, përsëri flitet me nderim për sakrificat e panumërta, që bëri populli shqiptar gjatë KLuftës II Botërore, në luftën për çlirim, për liri e demokraci të vërtetë, gjë që u shërben sidomos brezave tanë të rinj. Më tej, ai u ndfal në bashkëpunimin me disa organizata e shoqata të tjera shoqërore, brenda e jashtë vendit, sidomos me atë të Kosovës dhe për vlerat e librit të ri, që u publikua në këtë 20-vjetor, duke i falënderuar përzemërsisht redaktorët Halil Rama e Sakip Cami. Në fund, ai I ftoi të pranishmit që të mbanin një minutë heshtje për të nderuar kujtimin e anëtarëve të kësaj Shoqate, të cilët janë ndarë nga jeta gjatë viteve të fundit.
Në vazhdim, në emër të Shoqatës së Veteranëve të Kosovës, përshëndeti zv.kryetari i saj, Akademiku Pajazit Nushi. Ndër të tjera, ai theksoi domosdoshmërinë e pasqyrimit me vërtetësi të historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit tonë, që brezi i ri ta njohë atë sa më mirë dhe t’i shërbejë me përkushtimin e tij çështjes mbarëkombëtare shqiptare. Prof.Dr. Ana Lalaj foli për prmbajtjen kryesore të librit, që u prurua, kushtuar OBVL dhe tregoi se nga anëtarët e kësaj Organizate janë publikuar mjaft libra me vlerë, si për sot dhe të ardhmen. Me interes u dëgjuan edhe përshëndetjet e bëra nga: kryetari i Shoqatës “Labëria”, prof.Ago Nezha; zv.kryetari i OBVL, Myfit Guxholli; historiani nga Puka, Xhemal Meçe dhe redaktori i gazetës “Veterani”, H.Rama. Ndërsa Çobo Skënderi përmendi me emra e fakte, persekutimet e kryera nga udhëheqësit më të lartë të rregjimit monist, ndaj sa e sa kuadrove kryesore të Luftës Antifashiste të Popullit Shqiptar dhe të Ushtrisë Shqiptare.
Gjatë kësaj veprimtarie, me moderator gazetaren e re Lindita Bushgjokaj, u projektuan pamje nga jeta dhe veprimtaritë e zhvilluara nga OBVL.
Në mbyllje të veprimtarisë, pjesëmarrësit i vazhduan bisedat e tyre dhe bënë fotografi të përbashkëta për kujtim, gjatë kokteji të të shtruar me këtë rast.
2.
Si e shënuam më lart, pjesë e rëndësishme e kësaj veprimtarie ishte përurimi i librit të ri, “20 vjet, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste të Popullit Shqiptar” (Tiranë, 2014). Libri në fjalë përmban 390 faqe dhe është ilustruar me mjaft fotografi. Ai ndahet në 11 kapituaj. Në faqen e parë theksohen detyrat kryesore të OBVL: Vlerëson lart ndihmesën e shquar të popullit shqiptar në në Luftën e Dytë Botërore; dënon krimet e komunizmit dhe mbështet fort luftën e drejtë të UÇK-së e Çështjen mbarëkombëtare shiptare.
Vend me rëndësi në këtë libër zënë figurat e drejtuesve dhe veprimtarve të dalluar të kësaj Organizate, si dhe të luftëtarëve e komandantëve të paepur për liri e demokraci, që nga Sadik Bekteshi e Muhamet Prodani, Ernest Jakova e Nexhip Vinçani dhe Salfixhe Broja (Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Liri Belishova, Vera Ngjela(Pojani), Mine Doraci etj. Po kështu, që në hyrjen e shkruar nga Rr.Parllaku, nënvizohet se, përveç nderimit që u bëhët të të rënëve në luftë, të pushkatuarëve nga diktatura, të vdekurve në burgje e internime, OBVL ka dalë në mbrojtje të vendosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, Preshevë, Maqedoni, Mal i Zi e të komunitetit çam etj.
Duke shfletuar më tej faqet e këtij libri, njihemi me mjaft figura të shquara të Luftës dhe të Ushtrisë Shqiptare, pjesa më e madhe e të cilëve u dënuan me ashpërsi nga rregjimi i diktaurës në Shqipëri, si Ymerf Dishnica, Sejfulla Malëshova, Tuk Jakova, Gjin Marku,Tahir Kadare, Dali Ndreu, Beqir Balluku, Petrit Dume, Muhamet Prodani, Todi Naçi, Maqo Çomo. Dashnor Mamaqi, Kiço Ngjela, Veli Dedi e të tjerë.
Një vend me rëndësi në këtë libër zë edhe pjesa, “Homazhe, në nderim të veteranëve dhe veteraneve të LANÇ”, si Spiro Moisiu, Tanush Shyti, Dilaver Radëshi, Hava Bekteshi etj. Po kështu, pasqyrohen veprimtari kushtuar ngjarjeve historike, siç ishte ajo për Konferencën e Bujanit dhe jepen kronika për libra të përuruar dhe që u kushtohen disa figurave të njohura të Luftës dhe të Ushtrisë, në Shqipëri e Kosovë, si Skënder Malindi, Nexhip Vinçani, Fadil Hoxha, Hajdar Dushi, Edip Ohri etj.
Në tërësi, ky libër mbart vlera të rëndësishme për njohjen e rrugës së mbarë, që ka përshkuar OBVL, por dhe të jetës së mjaft figurave të shquara të Luftës Antifashiste të popullit shqiptar, për liri e demokraci dhe përparim shoqëror.
Tiranë, 18 korrik 2014