Në mesin e viteve 80’të “fshesa” e regjimit serbë ishte koncentruar kryesisht në “pastrimin” e teksteve shkollore në gjuhën shqipe nga njësitë mësimore me përmbajtje “nacionaliste e irredentiste” si dhe nga “armiq” të politikës së “vëllazërim – bashkimit” etj. Pleqësia e Arsimit e Kosovës, pas presionit të drejtëpërdrejtë nga ana e Komisionit për Kulturë të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, ka bërë heqjen e njësive dhe teksteve të tjera mësimore nga plan-programi i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, nga ai i historisë kombëtare dhe kulturës muzikore. Në vitet 1985 – 1986, gazetari Bajram Kabashi – i cili mbulonte “sektorin e arsimit” në rubrikën e brendshme të gazetës “Rilindja”, duke qenë pjesëmarrës në mbledhjet e “Pleqësisë së Arsimit të Kosovës”, “Komisionit për Kulturë të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës” etj., ka botuar detaje të rëndësishme nga vendimet e dëmshme që janë marrë në ato mbledhje maratonike, për arsimin shqip në Kosovë! Dhe, publikimet e Bajram Kabashit në “Rilindje”, i ka shqetësuar më së shumti politikanët e Kosovës, të cilët synonin t´i zgjasin ditët e veta të “arta” në pushtet, duke bërë lëshime edhe ndaj “gjenocidit kulturor” që bënte Serbia në Kosovë! Në një mbledhje të Komisionit për Kulturë të LSPP-së, gjegjësisht të LKK’së, anëtari i këtij komisioni Ibrahim Rugova ka shfaqur pakënaqësinë, për mënyrën e paraqitjes së çështjes nga ana e gazetarit (Bajram Kabashi) në gazetën (Rilindja)! “Nëse deri atëherë nuk kishte ndonjë gisht politika policore të drejtuar ndaj meje, problematizimi që Rugova i bënte çështjes, respektivisht mospajtimi i tij i pakuptueshëm me raportin tim gazetar ndikoi që të vihesha në shënjestrën politike edhe më shumë” – kështu ka shkruar gazetari Bajram Kabashi në librin e tij “Rilindja përkujtim dhe trishim” , Prishtinë 2001, faqe 73.) Për fat të mirë, Bajram Kabashi, falë ndihmës së Ali Sutajt, i ka shpëtuar dënimit më të rëndë! Ai shkarkohet vetëm nga përgjegjësia e “sektorit për arsim” dhe caktohet në rubrikën më pak të rëndësishme “Kronika e Prishtinës”, ku kishte punuar në fillim të karrierës si gazetar.
Dihet mirëfilli, se gjatë 45 vjetëve të Jugosllavisë së AVNOJ’it (1945 – 1990), rrjedhimisht parimet themelore të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe të organeve tjera të regjimit, janë ndërtuar mbi bazën e “fryteve të revolucionit jugosllavë, të vëllazërim – bashkimit, e të besnikërisë ndaj Jugosllavisë Socialiste Federative e Vetëqeverisëse të J.B.Titos”. Mbi këto parime është ngritur e ndërtuar i gjithë sistemi politikë e shoqëror edhe në Kosovë. Madje mbi këtë frymë u brumos edhe një klasë politike komuniste- titiste shqiptare, që përbëhej nga: Mehmet Hoxha, Fadil Hoxha, Ali Shukria, Veli Deva, Kolë Shiroka, Xhavit Nimani, Xhevdet Hamza, Imer Pula, Sinan Hasani, Mehmet Maliqi, Rrahman Morina, Mahmut Bakalli, Azem Vllasi, e shumë të tjerë. Ky estabilishment politik, nën tutelën e vetë, me kohë kishte profilizuar edhe një “elitë intelektuale” shqiptare, e cila fillimisht kishte kaluar nëpër “sita” të organeve të regjimit, për të dhënë prova lojaliste ndaj doktrinës komuniste-titiste. Intelektualët “elitarë” si anëtarë të devotshëm të LKJ’së, përveç punës “shkencore e mediale” që kryenin në institucionet akademike – shkencore dhe në mjetet e informimit publik, bartnin edhe funksione politike’pushtetore në këto institucione. Dhe, njëri nga “elitarët” e partisë dhe të regjimit komunist në këtë periudhë, ishte padyshim edhe Ibrahim Rugova.
Kontrolli mbi “Rilindjen”
Pas plenumit të IV të KQ të LKJ’së të mbajtur më 1 korrik 1966 në Brione, Kosova filloj të frymojë pak më lirshëm dhe rrjedhimisht nisi të kritikohej ashpër periudha e Rankoviqit (1949 – 1966), mirëpo në vitet 70’të e tutje, klasa komuniste – burokratike e Kosovës ndikoj që ky trend të ndërpritet, me arsyetimin se duhet të harrohen plagët e së kaluarës dhe t’i kthehemi ardhmërisë! Puna e parë që bëri kjo garniturë komuniste ishte vënja nën kontroll e të gjitha mjeteve të informimit publik në Kosovë, përmes sojit elitar të Jusuf Buxhovit, i cili në mënyrë servile (si altoparlant) do t’i shërbente politikës ditore të regjimit.
Asokohe në Kosovë përveç gazetës “Rilindja” si organ partiak, botoheshin edhe disa revista kulturore, letrare e shkencore në gjuhën shqipe, si: “Gjurmime albanologjike”, “Në flakën e revolucionit”, “Kosova – Kosovo”, “Jeta e re”, “Përparimi”, “Bota e re”, “Dituria”, “Fjala2, “Zëri i rinisë” etj. Nga mesi i viteve 70’të sistemi medial – informativ, respektivisht tri shtëpitë botuese – informative “Rilindja” shqipe, “Jedinstvo” sebe dhe “Tani” turk – bashkë me Radiotelevizionin e Prishtinës – RTP, u bashkuan në një institucion të njëzëshëm (integral) të quajtur OPGBG – RILINDJA, e cila drejtohet nga Kolegjiumi i përgjithshëm i redaksive. Ky kolegjium i “intelektualëve elitarë”, përbëhej nga eksponentë të drejtpëdrejtë të strukturave politike, të cilët kishin për detyrë t’i përpunonin dhe harmonizonin të gjitha kriteret e politikës redaktoriale të kësaj shtëpie të madhe, në përputhje me qëndrimet dhe politikat diskriminuese të regjimit ndaj të drejtave të shqitarëve. Ndërkaq, në nivel të gazetave dhe të revistave punonin redaksitë me një kryeredaktor kukull që përfaqësonte opinionin publik të dizajnuar nga lartë!
Para dhe pas demonstratave të mars’prillit të vitit 1981 dhe miratimit të Platformës politike të KQ të LKJ’së për Kosovën (nëntor 1981), në mjetet e informimit publik në gjuhën shqipe u aplikua një mobilizim i jashtëzakonshëm. Fillimisht u formuan komisionet e diferencimit ideo – politik, të cilat bënin spastrimin e parë në garniturën udhëheqëse (në RTP, Rilindje e në revista), pastaj u formuan shtabet e ashtuquajtura të aksionit për agjitacion dhe propagandë (agjitpropi) kundër nacionalizmit, irredentizmit dhe seperatizmit shqiptar, dhe mbi të gjitha u përcaktuan qartë obligimet e këtij agjitpropi dhe të punëtorëve shkencorë – më të njohur të partisë e të pushtetit, që ta mbrojnë e zbatojnë me përpikëri kursin politikë të LKJ’së për Kosovën! Dhe, ky kurs i dëgjueshmërisë intelektuale ndaj regjimit ka vazhduar me batica e zbatica të kohëpaskohshme, deri në fund të viteve 80’të.
Pas vitit 1986 në Kosovë, sikurse edhe në gjithë jugosllavinë e atëhershme, seksioni për Kulturë i KQ të LKJ’së e kishte aktualizuar çështjen e të ashtuquajturës bërthama të përbashkëta programore në fushën e arsimit në bazë të të cilave mendonte t’i sajonin planprogramet unike mësimore në nivel federativ. Bërthamat programore, në të vërtetë paraqisnin përpjekjen e fundit të Serbisë që në nivel të ish shtetit të përbashkët, të krijohej një strukturë unike programore e përfaqësuar, qysh thuhej, nga krijuesit më eminentë prej të gjitha kombeve e kombësive. (Bajram Kabashi: “Rilindja përkujtim dhe trishim” /Shënime e kujtime 1982 – 1999/ Shtëpia botuese LEKA, Prishtinë 2001, faqe 61.)
Qysh në fillim planet e tilla u demaskuan prej përfaqësuesve të Sllovenisë, duke e shpjeguar si një tendencë të hapur hegjemoniste të Serbisë që përmes emrit „Jugosllavi“ të propagonin e të shartonin idenë ‘e madhe’ serbe. (po aty, f.61) Pavarësisht prej vërejtjeve dhe kritikave të tilla, Serbia nuk ndalej dhe përmes seksionit përkatës të KQ të LKJ’së, me këmbëngulje e nxiste krijimin e të ashtuquajturave bërthama të përbashkëta programore. Në këtë kontekst, edhe në Kosovë e kishin krijuar grupin që punonte rreth bërthamave, në të cilin në fillim ishin angazhuar disa krijues të njohur shqiptarë, kurse më vonë rreth tyre qenë angazhuar edhe Isak Shema, Rexhep Osmani dhe Fazli Syla, si dhe disa të tjerë që ndihmonin përanash. (po aty, f.61-62) Kështu paralel me çështjen e “bërthamave të përbashkëta”, Serbia në Kosovë donte t’i realizonte edhe dhjetëra plane të tjera antishqiptare. (po aty, f.63)
Në vazhdim lexoni një fragment nga libri “Rilindja përkujtim dhe trishim” të autorit Bajram Kabashi*), me titull:
I PAKËNAQURI I LIDHJES SOCIALISTE TË POPULLIT PUNONJËS: SHOKU IBRAHIM RUGOVA
Përmes një egërsie të pashpjegueshme njerëzore, atëherë “fshesa serbe” ishte e koncentruar edhe ndaj “pastrimit” të teksteve mësimore nga njësitë me përmbajtje “nacionaliste e irredentiste”. Sulmin kaq serioz ndaj librit dhe ndaj kulturës shqiptare, redaktori i Entit të Teksteve dhe të Mjeteve Mësimore të Kosovës, tashmë i ndjeri Abdyl Ramaj, për shkak të pasojave shkatërrimtare për tekstin shkollor dhe librin shqip në përgjithësi, atëherë me të drejtë e quante librocid. Përmes heqjes së njësive të tilla nga tekstet shkollore, qysh shpreheshin zbatuesit e gjenocidit kulturor ndaj Kosovës, “mënjanohej indoktrinimi i mëtejshëm me nacionalizëm i rinisë shkollore dhe studentore shqiptare”.
Në atë kohë Pleqësia e Arsimit e Kosovës, ka qenë e detyruar t’i organizonte disa mbledhje rreth çështjes së njësive mësimore me “përmbajtje kontestuese”, përderisa pas presionit të drejtëpërdrejtë nga ana e Komisionit për Kulturë të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, në mënyrë të prerë u bë heqja e njësive dhe teksteve të tjera mësimore nga planprogrami i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, nga ai i historisë kombëtare dhe kulturës muzikore. Ndër tekstet dhe njësitë mësimore që largoheshin nga planprogrami mësimor atëherë, ishin ato të Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, si dhe të Ali Podrimjes, Rushit Ramabajës, Arif Demollit nga Kosova etj. etj.
Për shkak se merreshin vendime me pasoja për arsimin shqip, që anëtarët e Pleqësisë së Arsimit të Kosovës detyroheshin t’i ndërmerrnin, atë mbledhje të pleqësisë e kam përcjellë me vëmendje të vaçantë. Me vendimet e mbledhjes së asaj dite, Pleqësia u sugjeronte shkollave që nxënësve të mos u jepej si lektyrë shkollore asnjë roman të Kadaresë, e të mos u shpjegohej asnjë njësi mësimore nga vepra e tij dhe e krijuesve të tjerë të shpallur “nacionalistë” dhe “armiq” të politikës së “vëllazërim – bashkimit”.
Mbledhja pati përfunduar diku kah ora 18:00, kështuqë në marrëveshje me Xhemail Mustafën (të vrarë në një atentatë më 23 nëntor të vitit 2000), i cili atëherë punonte si redaktues i pasditës në rubrikën e kulturës në Rilindje, arrita ta bëja raportin ashtu qysh e kisha planifikuar, duke i nënvizuar të gjitha njësitë mësimore, tekstet dhe autorët e tyre që ndaloheshin për t’u ligjëruar para nxënësve shqiptarë në Kosovë.
Qëllimisht doja ta bëja të madhe çështjen, në mënyrë që të kuptohej prej të gjithëve se ajo ishte e orientuar ndaj kulturës dhe kujtesës historike të shqiptarëve të Kosovës, si dhe doja që përmes nxitjes së një bashkëndjesie të tillë të ndikoja që barra të mos u binte vetëm mësimdhënësve të gjuhës shqipe, të historisë etj, qysh u binte zakonisht me vite të tëra.
Ashtu qysh e kisha shkruar me të gjitha nënvizimet, raporti i mbledhjes u botua të nesërmen në Rilindje. Me mënyrën e tillë të shtrimit e të problematizimit të çështjes me mesazh të qartë ndaj opinionit publik, pata arritur që të krijoja një bashkëndijim të vërtetë në opinionin publik të Kosovës për atë çështje të ndijshme. Shqetësimet e njerëzve, pikërisht ashtu qysh kisha synuar unë, ishin të mëdha. Personalisht ndjehesha i lehtësuar, pasi që çështjen e heqjes arbitrare të teksteve dhe njësive të tilla mësimore nga planprogramet e shkollave fillore e të mesme të Kosovës, kísha arritur ta shndërroja në një çështje që duhej të na shqetësonte të gjithëve njësoj.
Por, kjo kishte arritur t´i shqetësonte edhe politikanët e Kosovës, të cilët synonin t´i zgjasin ditët e veta, duke bërë lëshime të cilat na hanin pak nga pak.
Një ditë më pas u mbajt edhe mbledhja e Komisionit për Kulturë të LSPP-së (Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Kosovës), ku posaçërisht i pakënaqur ndaj shkrimit tim qe treguar Ibrahim Rugova, i cili qysh shkroi Rilindja të nesërmen, e shprehte shqetësimin e tij, “për mënyrën e paraqitjes së çështjes nga ana e gazetarit në gazetë”! Nëse deri atëherë nuk kishte ndonjë gisht politika policore të drejtuar ndaj meje, problematizimi që Rugova i bënte çështjes, respektivisht mospajtimi i tij i pakuptueshëm me raportin tim gazetar ndikoi që të vihesha në shënjestrën politike edhe më shumë.
Ditën kur raporti i gazetarëve nga mbledhja e Kryesisë së LSPP të Kosovës ishte i botuar në gazetë, derisa isha në mensën e Rilindjes së bashku me Mehmet Kajtazin e Qemal Aliun, erdhi gazetari nga rubrika e kulturës së Rilindjes, Ali Olloni, duke më ftuar që të shkoja tek drejtori në katin e gjashtë të Pallatit të Shtypit, ku më priste Ekrem Arifi, kryetar i Konferencës Aksionale të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës! E kisha të qartë se përse kishte ardhur, por duke e ditur se e kisha kryer detyrën time ashtu qysh e kisha dashur unë, nuk më brengosnin pasojat e mundshme.
Atje më priti sekretaresha e drejtorit, e cila ishte e porositur nga Ali Sutaj që njëherë të më ndalte aty. Ai vazhdonte takimin me “shokun Ekrem”. Prita nja dy orë, por nuk më ftonin Brenda! Kur çelej dera nganjëherë e shihja Ali Sutajn, të ulur në pozicion që të më shihte mua, tek ma shkelte syrin derisa pinte vodkë me mysafirin. Dikur doli jashtë dhe më tha se mund të shkoja!? Derisa largohesha prej tij duke buzëqeshur, ai vazhdonte të më përcillte me ato gjestet e tij të njohura, herë duke e ngritur dorën në shenjë përshëndetjeje e duke buzëqeshur, e herë vetëm duke më shikuar me kurreshtje pa folur asnjë fjalë qysh e ka pasur zakon, por duke e ngritur dorën lart e poshtë derisa u kthye në zyrën e drejtorit.
Me gjestet e tij, ai sikur më thoshte: “Nuk ke përse të mërzitesh!” Sapo mendova se “çështja” u mbyll, prapë më ftuan të nesërmen aty, por sërish ishte Ali Sutaj që i neutralizonte qëllimet e Ekrem Arifit, i cili sigurisht ishte nën presionin e faktorëve të tjerë. Kështu ndodhi edhe të pasnesërmen! Kësaj here Ali Sutaj e kishte lënë derën edhe më të hapur, kështu që pata pasur mundësi të ndëgjoja tek i fliste “shokut Ekrem” se duhet të zbutet qëndrimi, se “ka gabuar” etj. Ndërsa sa herë më shikonte mua, ma shkelte syrin duke ma bërë të ditur që të mos brengosesha. Kryeredaktor i gazetës ishte Beqir Hoti. Pasi qëndrimi i kreut politik të Kosovës u „zbut” në saje të këmbënguljes dhe ndërhyrjes së Ali Sutajt, atëherë si dënim më të vogël më degraduan, duke më caktuar të punoja sërish në kronikën e Prishtinës, ku pothuaj i kalova edhe dy vite të tjera pune.
Qysh mund të kuptohej, atëherë si masë më e butë ndaj meje ka mundur të merrej ajo e suspendimit nga vendi i punës. Por aty ishte Ali Sutaj, i cili nuk ishte i shqetësuar „nga mënyra e paraqitjes së raportit në gazetë”, si shoku Ibrahim Rugova! Përkundrazi, Baca Ali më thoshte se kisha bërë mirë, mirëpo më këshillonte që herave të tjera të mos rrezikoja duke i paraqitur gjërat aq hapur. Vijnë kohëra të tjera, që kërkojnë kontribute të tjera, më thoshte Ali Sutaj.
Bajram Kabashi ishte gazetar i “Rilindjes’ prej 1 dhjetorit 1982 – 28 prill 1999. Fillimisht ka punuar si gazetar në rubrikën që mbulonte “sektorin e bujqësisë”, pastaj ka kaluar në rubrikën “kronika e Prishtinës”, atëkohë kur Kryeredaktor i “Rilindjes” ishte Maksut Shehu. Në gjysmën e dytë të vitit 1985, (kur Kosova vlonte prej morisë së ngjarjeve, ngase kishte nisur realizimi praktik për zhbërjen e autonomisë së Kosovës), në Rilindje gjithnjë e më shumë thellohej fushata e diferencimit ideopolitik. Kolë Shiroka, Kryetar i KK të KSA të Kosovës në periudhën (1985-1986), dhe disa komunistë të tjerë jugosllavë, “e detyruan të largohej udhëheqja e atëhershme e Rilindjes në krye me Maksut Shehun si kryeredaktor dhe Zenun Ҫelajn si redaktor i rubrikës së brendshme, për ta sjellë në krye të gazetës Beqir Hotin, një komunist ortodoks jugosllavë i afërt me qarqe të caktuara udbashe, i cili njihej edhe më shumë për sjellje destruktive përderisa ishte në poste të ndryshme në komunën e Pejës”. (Bajram Kabashi: “Rilindja përkujtim dhe trishim”, Shtëpia botuese LEKA, Me këto ndërrime në Rilindje nuk u arrit gjë tjetër, pos që u larguan “kuadrot e titizmit jugosllav në krye me Maksut Shehun” dhe u vendosën argatët e rankoviqizmit dhe të millosheviqizmit në krye me Beqir Hotin. Pak para se të largohet Maksut Shehu nga posti i Kryeredaktorit të Rilindjes, Bajram Kabashi kishte kaluar në rubrikën e brendshme të Rilindjes, në sektorin e arsimit për të përcjellur rrjedhat në procesin edukativo-arsimor në arsimin fillor dhe atë të mesëm, pasi ishte larguar Frrok Kristaj nga kjo detyrë, dhe kishte shkuar si mësues i mësimit plotësues në Europë. Ndihmesën për të kaluar në rubrikën e brendshme, Bajramin e ka ndihmuar Ali Sutaj.