Shekulli i XIX për popullin shqiptar, ashtu si për të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit, shënoi një epokë të re në historinë e tij, atë të Rilindjes Kombëtare. Gjatë këtij shekulli u organizuan lëvizje të shumta kombëtare të cilat pashmangshëm çuan në çlirimin e popujve nga sundimi i Perandorisë Osmane dhe në krijimin e shteteve të pavarura. Shqipëria (që shtrihej në katër Vilajete) ishte vendi i fundit në Gadishullin Ballkanik që u shkëput nga zgjedha pesë shekullore turke. Dhe kjo shkëputje përfundimisht, ndodhi pas luftës katërvjeçare (1909 – 1912) kundër xhonturqve, me organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Nisma për organizimin e kësaj kryengritjeje të përgjithshme u morë pas këshillimeve që u zhvilluan ndërmjet Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës, të cilët më 12 janar 1912 thirrën në Pera Palace (Stamboll) një takim me disa personalitete shqiptare si: Myfid bej Libohovën, Aziz pashë Vrionin, Sylejman bej Vlorën dhe Esat pashë Toptanin.
Të pranishmit u morën vesh dhe thirrën një mbledhje më të zgjeruar në shtëpinë e Syrja bej Vlorës, në lagjen ”Taksim” të Stambollit. Në këtë mbledhje përveç të lartëpërmendurve morën pjesë edhe Bedri Pejani si procesmbajtës, Mustafë Asim Kruja dhe dy – tre të tjerë, që asokohe punonin në Stamboll.
Mbledhja e Taksimit nxori vendimin se shqiptarët, për të siguruar të drejtat kombëtare e politike, nuk u kishte mbetur rrugë tjetër përveç organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme. Aty u vendos që kryengritja të fillonte në Kosovë dhe pastaj të përhapet në krahinat tjera të Shqipërisë. Hasan Prishtina u ngarkua nga mbledhja, që të organizonte kryengritjen fillimisht në Kosovë, E.Toptani u zotua se do të ngrihte në kryengritje Shqipërinë e mesme dhe Mirëditën,ndërsa S.Vlora, M.Libohova dhe A.Vrioni, Shqipërinë e jugut. Ndërkaq Ismail Qemali u caktua të siguronte armë dhe përkrahjen diplomatike nga shtetet evropiane.
Njëkohësisht me përgaditjen e kryengritjes shqiptare filloi edhe fushata e zgjedhjeve parlamentare në Turqi, sepse xhonturqit e shpërndanë parlamentin, më 18 janar 1912, për shkak të opozitës së fortë që ishte krijuar në të. Masat e marra nga xhonturqit dhe zgjedhjet e fituara me manipulim e acaruan edhe më shumë gjendjen në Shqipëri.
Të shtyrë nga gjendja e rëndë në Shqipëri, autoritetet xhonturke do të dërgonin në viset shqiptare një komision qeveritar, të kryesuar nga ministri i Brendshëm Haxhi Adil beu, kinse për të përgaditur reforma administrative, por detyra e tij kryesore ishte t´i bindë shqiptarët që të heqin dorë nga lëvizja kryengritëse. Ky komision në Kosovë nuk u mirëpritë dhe më 7 mars derisa karvani i ministrit turk, po kalonte në rrugën Pejë-Gjakovë i shoqëruar nga dy batalione, në afërsi të fshatit Strellc u sulmua nga forcat kryengritëse shqiptare. Edhe forcat e shumta që u dërguan në drejtim të Prizrenit për t´i hapur rrugën komisionit, u sulmuan fuqishëm nga kryengritësit dhe vetëm me përdorimin e artilerisë së rëndë, pas tri ditë luftimesh,arritën të hapin rrugën deri në Prizren. Po ashtu sulme të fuqishme kundër misionarit turk, u kryen edhe në Lumë, gjatë udhëtimit të tij nga Prizreni në Shkodër. Sulmet e forcave kryengritëse kundër ushtrisë osmane, vazhduan gjatë krejt rrugëtimit të Haxhi Adil beut, në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, deri në Manastir e Janinë. Situata e acaruar edhe më shumë pas vizitës së ministrit turk, bëri që udhëheqësit shqiptarë t´i bashkërendojnë veprimet për zgjerimin e kryengritjes dhe për këtë qëllim u mbajtën shumë takime të krerëve shqiptar.
Më 5 maj 1912 Hasan Prishtina nga Shkupi shkoi në Drenicë dhe në kullën e Ahmet Delisë në Prekaz mbajti një tubim me gjithë parinë e Drenicës. Në një letër të drejtuar krenëve të Kosovës Hasan Prishtina do të shkruaj:”Tue u bind se politika Jeni turke po vijon mizorisht në Shqipni, ashtu si pata deklarue në parlament(në parlamentin turk – Sh.B), po e ngrehi sot flamurin e kryengritjes kundra sundimit të Turkisë”. (Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912 – H.Prishtina)
Tubime të besë-lidhjes ato ditë u mbajtën edhe në rrethet e Llapushës (Përkorubës), të Podgurit, të Rekës së Gjakovës, të Rekës së Allagjes, Pozharit etj. Në të gjitha kuvendet e besëlidhjes u bë betimi për luftë mbi bazë të tekstit të betimit të hartuar nga vet Hasan Prishtina: ”Bajmë be e japim besën e burravet, se kemi me ba çfarëdo flije e në kjoftë nevoja kemi me ba kurban me duer t´ona robët e femit t´anë”.
Në këto kuvende u lidhë besa për të bashkëvepruar në kryengritjen e përgjithshme që kishte nisur kundër Turqisë. Udhëheqësit e kryengritjes në Malësi të Gjakovës si: Bajram Curri, Zefi i Vogël, Ali Binaku, Qerim Binaku, Bajram Mani, Zog Abdyli, Miftar Syla etj, ndonëse qysh në prill 1912 ishin përballur me forcat turke në malësi, pas një organizimi të mirëfillt, më 11 maj i sulmuan këto forca edhe në Gjakovë. Qysh në prill 1912 edhe lumjanët të udhëhequr nga Ramadan Zaskoci e Islam Spahiu kryen një aksion, duke vrarë kryetarin e Klubit Xhonturk, dhe liruan të gjithë të burgosurit në Prizren, ndërsa në Has u spraps një ekspeditë ushtarake e ardhur nga Gjakova. Më 10-11 maj kryengritja shpërtheu edhe në rrethinat e Pejës, ndërsa me 17-19 maj ajo u zgjerua në Drenicë, Mitrovicë, Llap, Prishtinë e Gjilanë nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Sadik Rama-Gjurgjevikut, Ahmet Delisë, Zejnullah Vuçiternës, Xhemail Prishtinës, Idriz Seferit etj.
Zgjerimi i kryengritjes shqiptare në Kosovë e gjithandej Shqipërisë, shtroi si detyrë të ngutshme bashkimin e të gjitha forcave shqiptare rreth një programi politik kombëtar. Për këtë qëllim me nismën e Hasan Prishtinës, nga 21 deri më 25 maj 1912 në Junik u mbajt një Kuvend i madh, ku u mblodhën 250 përfaqësues nga të gjitha krahinat e Kosovës, nga nga krahina e Lumës si dhe përfaqësues nga sanxhaku i Dibrës, i Shkodrës, i Elbasanit dhe nga krahinat e jugut. Në kuvend morën pjesë mjaftë elementë turkomanë, që mbronin interesat e xhonturqëve, si dhe përkrahës të partisë turke ”Hyriet ve Itilaf” (Liri e Marrëveshje) e që quheshin itilafistë, të cilët ishin kundërshtarë të programit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për autonominë e Shqipërisë.
Megjithë kundërshtimet e turkomanëve, Hasan Prishtina i përkrahur nga Bajram Curri e shumë të tjerë, përcaktoi masat organizative dhe hartoi një program politik të kryengritjes, i cili u miratua nga Kuvendi (krahu patriotik) dhe pastaj iu dorëzua qeverisë së Stambollit. Programi përmbante 6 pika, të cilat ishin të njejta me kërkesat e Gërçës të 23 qershorit të vitit 1911.
Kërkesat ishin, që:
- T´i ipet Shqipërisë autonomi.
2 .Në tërë shqipërinë të ngrihet flamuri i Shqipërisë.
3.Gjeneral guvernatori i Shqipërisë të zgjidhet nga stërnipërit e pronësorëve/princërve/shqiptarë.
- Nënpunësit, të cilët nuk janë shqiptarë të nxiren nga buka/nga puna/dhe të këmbehen me shqiptarë.
- Gjuha zyrtare të jetë shqipja me shkrimin kombiar.
- Mbarimi i këtyre kërkimeve të sigurohet prej Fuqive të Mëdha.
Vendimet e Kuvendit të Junikut i dhanë një shtytje të mëtejshme kryengritjes së përgjithshme shqiptare. Këto vendime u përkrahën edhe nga kuvendet dhe komitetet e viseve tjera të Shqipërisë. Pas Kuvendit të Junikut qeveria turke mori masa të reja ushtarake për të penguar shtrirjen e mëtejshme të kryengritjes. Ajo në Kosovë angazhoi forca të shumta ushtarake në krye me Fadil Pashën. Në Ferizaj solli tri regjimente të Divizionit I të Stambollit; në Mitrovicë një regjiment të plotë, një batalion pushkatarësh dhe dy bateri artilerie; në Prishtinë një regjiment kalorësie dhe një bateri artilerie; në Prizren një regjiment kalorësie dhe në Pejë një regjiment tjetër këmbësorie. Në Gjakovë kishte një regjiment këmbësorie, një regjiment artilerie fushore dhe një batalion pushkatarësh; në pazar të Ri, në Senicë, në Beranë e në Guci kishte nga dy batalione dhe në Plavë një regjiment nizamësh e një kompani mitralozësh… Në fundin e majit 1912 kryengritësit shqiptar filluan veprimet e organizuara luftarake kundër trupave ushtarake turke.
Sipas planit luftarak të Kuvendit të Junikut u vendos të hapeshin katër fronte kryesore kundër forcave turke
1.Grupi i Rrafshit të Dukagjinit përfshinte kryengritësit e Plavës, Gucisë, Rugovës, Tropojës, Pejës, Gjakovës, Rahovecit dhe kryesohej nga Hasan Prishtina, Bajram Curri, Hasan Ferri i Plavës, Bajram Daklani, Zefi i Vogël etj.
2.Grupi Drenicë – Vuçitern, udhëhiqet nga atdhetari Ahmet Prekazi, Xhemal Berisha, Zejtullah Vuçiterni etj.
3.Grupi verilindor i Kosovës kryesohej nga Isa Boletini dhe patriotët, si: Xhemal Prishtina, Beqir Vuçiterni, Nazmi Gafurri, Tahir Uka, Salih Emini, Shahin Prapashtica, i Llapit etj.
4.Dhe grupi i katërt i kryengritësve, kryesohej nga : Idriz Seferi, Hasan Hysen Budakova, Islam Spahiu i Lumës, Ramë Pira, Islam Pira, Tahir Berisha, Sefë Reçica, Isuf Mirashi, Ive Marku, Ismail Bishku, nga Kamenica, Durrajt e Kaçanikut, Mehmet derralla e tjerë.
Udhëheqësi i Kryengritjes së përgjithshme, Hasan Prishtina me 7 qershor 1912 edhe një herë do t´i drejtohet me një thirrje, të gjithë shqiptarëve atdhedashës dhe botës së qytetëruar, në të cilën theksonte, se: ”Sot Shqipëria Veriore dhe Jugore i kanë rrokur armët, që me anë të kryengritjes t´i fitojnë të drejtat e natyrshme dhe të siguruara me ligjë, të cilat iu janë mohuar. Ajo dëshiron dhe pret ndihmën nga të të gjithë bashkëatdhetarët dhe nga bota e kulturuar. Atdheu pret prej nesh bashkimin. Janë afruar çastet kur do të vendoset fati i Shqipërisë: vdekja ose liria e saj”.
Në qershor-gusht 1912 shtypi bullgar njoftonte gjerësisht për zhvillimet e ngjarjeve dhe masovizimin e kryengritjes në Kosovë… Ato shkruanin se ”si rezultat i masovizimit të Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare, ato ditë kishte filluar dezertimi i ushtarëve, oficerëve, xhandarëve dhe nënpunësve të mesëm e të lartë shqiptar të cilët u bashkuan me forcat kryengritëse. Me kryengritësit kishin filluar të bashkohen edhe bejlerët dhe agallarët shqiptar. “
Në qershor-korrik 1912 kryengritja shqiptare u shtri në tërë Kosovën deri në Lumë e në Tetovë. Luftime të ashpra më 9 korrik pati sidomos në Qafën e Prushit(në jugperëndim të Gjakovës), ku malësorët kryengritës të Krasniqes, Gashit, Hasit dhe Bytyqit, të udhëhequr nga Bajram Curri, sulmuan dhe shpartalluan 4 batalione turke që ishin përqëndruar aty. Pas luftimeve të vazhdueshme, më 17 korrik kryengritësit hynë në Gjakovë pa bërë rezistencë forcat armike. Në fund të qershorit kryengritësit shqiptar,të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Sadik Rama-Gjurgjeviku, Isa Boletini, Ahmet Delia-Prekazi, Zejnullah Vuçiterna, Xhemail Prishtina etj, u hodhën në sulm në zonën Drenicë-Mitrovicë, Podujevë-Prishtinë. Pas sukseseve të para në rrugën Mitrovicë-Pejë dhe Podujevë-Prishtinë kryengritësit e Shalës, të Llapit e të Gollakut, të mbledhur afër Vuçitërnës, lidhën besën për ta çuar luftën deri në fund. Më 28-29 qershor kryengritësit e këtyre rretheve të udhëhequr nga Hasan Prishtina shpartalluan tek Ura e Sitnicës, dy batalione ushtarësh osmanë. Nga data 30 qershor deri më 3 korrik1912, Isa Boletini në fshatin Boletinë e rrethinë përballoi me sukses një sulmë të trupave osmane, të pajisur me artileri të rëndë. Një betejë tjetër e përgjakshme u zhvillua më 12 korrik në hyrje të Fushës së Llapit,në “Grykë të Kulinës”. Me këtë rast forcat osmane në krye me Fadil Pashën nga Prishtina u nisën drejt kësaj zone nga dy drejtime për t´i futur kryengritësit shqiptar në mes dy zjarresh. Mirëpo kryengritësit, të përbërë nga 2000 veta, rezistuan fuqishëm, për gjashtë orë rresht dhe në këto luftime forcat turke patën humbje të konsiderueshme. Një betejë tjetër e përgjakshme u zhvillua edhe në fshatin Brabaniq, më 19 korrik 1912 ku kryengritësit shqiptar fituan kundër regjimenteve turke, të cilat u detyruan të kthehen në Mitrovicë. Në flakën e luftës numri i kryengritësve u shtua në mijëra veta. Në këtë kohë kryengritësit kishin formuar 3 gjini ushtarake: këmbësorinë-me 4 regjimente; kalorësinë-me 1 regjiment dhe artilerinë-me 1 regjiment, ndërkohë që formohen edhe 4 regjimente në Mitrovicë, 2 regjimente në Vushtrri, 2 regjimente në Llap, 2 regjimente në Drenic dhe nga 1 regjiment në Artakoll dhe Gallap.
Forcat kryengritëse pasi çliruan Gjakovën…, gjatë pjesës së dytë të korrikut do të çlirojnë të gjitha qytetet tjera të Kosovës. Kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Bajram Curri etj, nga Rrafshi i Dukagjinit kalojnë nëpër Drenicë dhe ia mësyjnë Prishtinës, dhe më 21 korrik futen në Prishtinë pa rezistencë, sepse komandanti i ushtrisë turke në Prishtinë Ismajl Fadil Pasha, në momentin e fundit (përkundër përgaditjeve për mbrojtjen e qytetit) u tërhoq nga pozicionet mbrojtëse dhe qytetin e dorëzoi pa luftë. Më 22 korrik u çlirua Pazari i Ri dhe prej aty forcat e komanduara nga Isa Boletini më 27 korrik u futën në Mitrovicë pa luftë. Pas Mitrovicës u çlirua Vuçiterna dhe kryengritësit më pastaj marshuan për Prishtinë. Në viset juglindore të Kosovës rreth 2 mijë kryengritës të drejtuar nga Idriz Seferi e Bejtullah Aga, pas vendimit që morën në Kuvendin e Pozharanit, nisën sulmet kundër forcave osmane dhe çliruan Gjilanin e Bujanovcin me rrethinë dhe që këtej ata më 29 korrik iu bashkuan forcave kryengritëse të përqëndruar në Prishtinë. Asokohe afër 30 mijë kryengritës, me gjithë mungesën e ushqimeve, të veshmbathjeve e sidomos të materieleve luftarake,po marshonin në të gjitha anët e Kosovës, edhe pse kishin përballë rreth 70 mijë ushtarë osman të armatosur mirë dhe të përforcuar me reparte artilerie e kalorësie. Kryengritësit shqiptar kudo ku hynë u pritën me gëzim të madh nga popullsia vendëse dhe menjëherë ngritnin organet e pushtetit lokal për vendosjen e rendit .
Kryengritja shqiptare në korrik 1912 u shtri pjesërisht edhe në viset tjera të Shqipërisë, por jo sipas marreveshjes së bërë në takimin e Taksimit në Stamboll, sepse pashallarët Toptani e Vrioni dhe bejlerët Libohova e Vlora, jo vetëm që e shkelën fjalën e betimin e dhënë, por për më keq filluan të propagandojnë kundër kryengritjes. Asokohe luftime sporadike u zhvilluan kryesisht në zonën Lezhë – Mirditë – Breg i Matit, të drejtuar nga Gjeto Coku, Zef Arapi etj, dhe në zonën Tiranë – Shijak – Krujë, të udhëhequr nga Abdi Toptani. Në Shqipërinë jugore u formuan çeta të udhëhequra nga Spiro Bellkameni, Themistokli Gërmenji, Sali Gjuka, Dervish Hima, Muharrem Rushiti etj. Pra në korrik të atij viti mund të themi se kryengritja ishte shtrirë pothuajse në të gjitha trevat shqiptare, që nga Mitrovica në veri e deri në Çamëri në jug të Shqipërisë.
Kryengritja e përgjithshme shqiptare, portën e lartë dhe pallatin sulltanor e futi në një krizë të rëndë, sepse të gjitha masat që i morën për ta shtypur kryengritjen dështuan. Në këto rrethana, kur Turqia ishte në luftë/që nga fundi i shtatorit 1911/ edhe me Italinë, qeveria xhonturke në krye me Said Pashën u detyrua të jepte dorëheqje dhe me 22 korrik u formua qeveria e re e kryesuar nga Ahmet Myftar Pasha. Kjo qeveri për të ulë tensionet, dha urdhër që të ndërpriten të gjitha operacionet ushtarake kundër kryengritësve në Kosovë dhe vendosi që të hynte në bisedime me udhëheqësit shqiptarë. Këshilli i Ministrave i Qeverisë turke më 24 korrik e caktoi një komision qeveritar në krye me Ibrahim Pashën dhe e dërgoi në Kosovë. Në këto rrethana të reja, për të gjithë udhëheqësit e kryengritjes shqiptare, në Veri e në Jug të vendit, u bë edhe më e domosdoshme nevoja që të krijonin një unitet brenda vetvetes dhe të dilnin me një qëndrim të përbashkët, për të ardhmen e Shqipërisë.
Për këtë qëllim më 30 korrik udhëheqësi i kryengritjes Hasan Prishtina lëshoi një thirrje më titullin ”Vëllazën të dashtun” dhe të nënshkruar nga ”Atdhetarët e vërtet të Kosovës”. Në këtë dokument u bëhej thirrje qarçeve atdhetare të të katër vilajeteve shqiptare që të dërgonin përfaqësuesit e tyre, ”njerëz atdhetarë e me randësi”, në një mbledhje, ku do të vendosej për kërkesat politike – kombëtare, që do t´i paraqiteshin komisionit qeveritar turk, në emër të të gjithë shqiptarëve. Kjo thirrje u përkrah fuqimisht nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, të cilët edhe porositën komitetet e Shqipërisë së Mesme që t´i nisin për Kosovë përfaqësuesit nga të gjitha krahinat, por për fat të keq përfaqësuesit nga këto vise shqiptare nuk arritën të vinin në Prishtinë.
Më 1 gusht Ibrahim Pasha, në Prishtinë zhvilloi bisedime me udhëheqësit e kryengritjes. Qysh në fillim Hasan Prishtina, para komisionit qeveritar turk dënoi ashpër barbarizmat e ushtrisë turke dhe parashtroi këto kërkesa:
- Të njifen zyrtarisht kufijtë e Shqypnis;
- Autoritetet civile e ushtarake të kenëkombësinë shqyptare;
- Ushtria shqyptare të shërbejë në Shqypni e të jetë komanda prej officirvet shqyptarë dhe
- Veprimet zyrtare në Shqypni të bahen në gjuhën shqype.
Ibrahim Pasha këto kërkesa i quajti të papranueshme dhe i cilësoi si hap për t´u shkëputur nga Perandoria Osmane. Ai punoi në përçarjen e udhëheqjes së kryengritësve dhe si rezultat i kësaj, platforma kombëtare e shtruar nga Hasan Prishtina, nuk u përkrah nga elementët e lëkundur, si Riza bej Kryeziu…, si edhe nga paria turkomane e Prishtinës. Për ta përçarë kreun e kryengritësve shqiptar, punonin natë e ditë jo vetëm agjentura serbe, por edhe agjenturat e shteteve të tjera ballkanike dhe evropiane. Përkundër mospranimit të kërkesave, si pasojë e kaosit, që ishte shkaktuar në Stamboll, edhe nga kryengritja shqiptare, më 5 gusht qeveria u detyrua ta shpërndaj parlamentin turk.
Në këto rrethana udhëheqësit shqiptar Hasan Prishtina, Bajram Curri, Idriz Seferi etj, për t´iu shmangur ndikimit të elementëve turkomanë më 4 gusht, do të marshojnë me 30 mijë kryengritës në drejtim të Shkupit dhe do të përqëndrohen në Ferizaj.
Memorandumi prej 14 kërkesash i Hasan Prishtinës
Më 6 gusht në Ferizaj përfaqësuesit e kryengritjes mbajtën edhe një Kuvend, ku edhe një herë aty u kundërshtua ideja e Hasan Prishtinës, nga Riza bej Kryeziu, Isa Boletini…, për mëvetësinë e Shqipërisë nga Perandoria osmane, e cila veç po i numronte ditët e fundit në Ballkan. Për të mënjanuar përçarjen në udhëheqjen shqiptare, Hasan Prishtina mori një hap jo avansues, në të vërtet i zbuti vendimet e Kuvendit të Junikut, duke hartuar një memorandum me 14 kërkesa të modifikuara, të ashtuquajtura si ”14 kërkesat e Hasan Prishtinës”.
Në memorandum kërkohej, që:
- Me përdorue në Shqypni nënpunës të praktikuem që dijnë gjuhën e zakonet e vendit.
- Me ba shërbimin ushtarak vetëm në Shqypni e Makedoni, përjashta kohës së luftës.
- Me ba me vu në zbatim ligje, tue bazue në ligjet e maleve për disa krahina në të cilat asht forcue me fakte se nuk mund të nxirret kurrnji fryt prej organizimit të drejtësisë.
- Me i dhanë shqiptarëve armët e nevojshme e moderne,mënyra e të damit të cilave do t´i përkiste qeveris. (Do t´u bajshin ndër vende të randësishme deposita armësh, të cilat,në rast të nevojës, do të mund t´i merrshin shqyptarët).
- Me themelue e me hap shkolla reale në të gjitha prefekturat e qendrave të Kosovës, të Manastirit,të Shkodrës, e të Janinës që numrojnë ka nji popullsi ma se 300 000 frymësh; me hap edhe shkolla bujqësie si dhe me shti në program të mësimeve gjuhën e vendit.
- Me hapë shkolla theologjike moderne ndër vende ku asht nevoja.
- Me kenë i lirshëm në Shqypni e të themeluemit e shkollave private.
- Me u mësue gjuha e vendit në shkollat fillestare, qytetse e në gjimnaze.
- Me i dhanë randësi të posaçme tregëtisë, bujqësisë e punëve botore si dhe me plotësue e me përhap udhët e hekurit.
- Me vu në veprim organizimin e krahinave.
- Me u kujdesue me ruejt ma fort se përpara zakonet e tradicionet kombëtare.
- Me shpallë amnistinë (faljen e përgjithshme), pa veshtrue klasë e racë, për të gjithë othomanët që kanë marrë pjesë në kryengritje për komandantat, oficjerat, nënpunësit ushtarët që kanë lanë ushtrinë e vendet e veta si edhe për të liruemit e t´ikunit prej burgut në kohën e kryengritjes.
- Me u dhanë çdamin mbas çmimit të vërtetë, prej Qeverisë Turke për të gjithë ato shpija që u prishën ma para e nuk u kje dhanë të zotve çdamimi si edhe për ata që u prishën e u rrënuen kësaj here.
- Me i marrë në gjyqë të naltë pjestarët e kabinetit të Haki e të Seit pashës.
Më 9 gusht, me rastin e dorëzimit të Memorandumit, komisionit turk iu dha ultimatum që brenda 48 orësh të pranohen kërkesat e shtruara, në të kundërtën forcat kryengritëse do të marshonin në drejtim të kryeqendrës së Vilajetit të Kosovës – Shkupit. Me këto kërkesa, edhe pse nuk kërkohej drejtëpërdrejtë shkëputja nga Turqia, megjithatë Ibrahim Pasha nuk dha përgjigje. Prandaj, edhe kryengritësit shqiptar nga Ferizaji dhe rrethinat e tij marshuan në drejtim të Shkupit, nëpër Grykën e Kaçanikut, nga Mali i Zi i Shkupit.
Së këndejmi Grupi i parë i udhëhequr nga Zefi i Vogël dhe Bajram Daklani më 11 gusht u nisën me tren dhe brenda ditës hynë në Shkup; më 13 gusht hyri një grup tjetër; ndërsa një ditë më vonë(14 gusht) hynë edhe 6 mijë forca që drejtoheshin nga Bajram Curri.
Sipas gazetës”Shkupi”të datës 19 shtator 1912 forcat kryengritëse shqiptare në Shkup u futën me këtë renditje:
”Bajram Daklani me 200 pushkë, Bajram Curri e Halim bej Gjakova me 5000 pushkë; Riza Beu me 700 pushkë; Sali Gjilani me 1000 pushkë; Halim bej Tetova me 2000 pushkë; Shani bej e Islam Spahija(nga Luma)me 4000 pushkë; Isa Boletini e Mendu Beu nga Shkupi me 3000 pushkë; Qerim Beu e Bahri Beu me 2000 pushkë; Ahmet beu nga Kumanova me 1000 pushkë; Më 18 gusht 1912 një ditë pasi qeveria turke i kishte pranuar kërkesat e memorandumit, në Shkup hyri edhe delegacioni nga Vilajeti i Shkodrës: Avdi be toptani, Marka Gjoni, Riza dani, Mane be lezha e Mustafë Hasimi me 100 pushkë”. Bajram Curri sapo hyri në Shkup, hapi dyert e burgut dhe liroi 960 të burgosurit që ishin aty, pastaj hapi depot e armëve dhe i armatosi të gjithë ata kryengritës që kishin shkuar vullnetarisht në Shkup. Ato ditë nga Shkupi grupe kryengritësish marshuan edhe drejt Tetovës, Kumanovës e Preshevës dhe kështu u çliruan të gjitha tokat e Vilajetit të Kosovës nga sundimi osman.
Ultimatumi i Fuqive të Mëdha për demobilizimin e kryengritësve shqiptarë dhe braktisjen e tyre nga Shkupi
Kryengritësit shqiptar ndonëse arritën ta çlirojnë Kosovë nga perandoria osmane, Fuqitë e Mëdha: Rusia,Anglia, Franca, Austro-Hungaria, Italia… duke qenë kundër interesave shqiptare, intensifikuan fuqishëm aktivitetet e tyre diplomatike, për të penguar realizimin e formimit të një shtetit shqiptar(me kufij etnik) në Ballkan. Kjo diplomaci ato ditë i sugjeroj edhe qeverisë turke, që ta bëjë sa më parë një marrëveshje formale me shqiptarët, në mënyrë që ta zbehin vendosshmërinë e tyre për luftë në të ardhmen.
Dhe qeveria e Stambollit më 18 gusht 1912 njoftoi publikisht(përmes një deklarate-të pafirmosur) se i pranonte 12 nga 14 kërkesat e shqiptarëve, por edhe disa ndryshime tjera jo pa rëndësi. Kështu, përveç që nuk u pranuan dy pikat: kthimi i armëve dhe nxjerrjen para gjyqit të Haki dhe Said Pashës, nuk përmendeshin as emrat Shqipëri e shqiptar, dhe koncesionet do të zbatoheshin vetëm në tri vilajete, në vilajetin e Kosovës, të Manastirit e të Janinës,por jo edhe në atë të Shkodrës. Porta e Lartë madje s´dha asnjë garanci për zbatimin edhe të atyre kërkesave, që u shpallën si të pranuara prej saj.
Në kontekst të këtyre zhvillimeve politike,në prapaskenë vepronte aktivisht edhe diplomacia e Fuqive të Mëdha. Për t´i dekurajuar plotësisht kryengritësit shqiptar, ato ditë gushti dy diplomatë, njëri rus e tjetri austrohungarez, do t´i komunikojnë Hasan Prishtinës se repartet ushtarake shqiptare duhet të demobilizohen, sepse çfardo rezultati të ketë lufta ndërrim të kufijëve të perandorisë osmane(Turqisë evropiane)nuk ka!!” Me këtë ultimatum të Fuqive të Mëdha u dëshmua qartë se kur janë në pyetje të drejtat e shqiptarëve, çdo marrëveshje në mes të shqiptarëve dhe Turqisë nuk do të pranohet pa u inkuadruar edhe pala e tretë
Dhe në këto rrjedha dramatike, për t´i larguar sa më shpejtë kryengritësit shqiptar nga Shkupi e gjetiu, u aktivizuan agjentë të ndryshëm të cilët përhapnin kudo panik, duke lansuar madje edhe shpifje të llojllojshme, si: Shkau na ra në shpia e na çka bajmë këtu; se Mali i Zi ka arritur deri në Beranë; ushtria bullgare është përqëndruar në kufi etj. Sipas të dhënave sekrete, udhëheqësit e kryengritjes shqiptare në fund të gushtit 1912 me lot në sy do të urdhëronin demobilizimin e forcave të armatosura shqiptare dhe largimin e tyre nga Shkupi për në shtëpitë e tyre.
Gazeta ”Liria e Shqipërisë” më 29 gusht 1912 për këtë akt, të pamenduar mirë të krerëve shqiptar shkruante: ”Dalja e shqiptarëve nga Shkupi me kondita dhe me premtime të pasiguruara, vërtet mund të quhej nisja e fundit, meqë nga kjo dalje vareshin shumë gjëra me rëndësi… ”Para se të largoheshin, kryengritësit shqiptarë miratuan një deklaratë, në të cilën thuhet: ”Nevej ikim nga qyteti duke i zënë besë fjalës së qeverisë. Do të presim gjer më 5 të shtatorit. Po të mos mbarohen premtimet, neve sado që nuk lëmë ndonjë të besuar nga ana jonë, do të urdhërojmë përsëri dhe do të mos kërkojmë autonomi, po do të ndahemi përgjithmonë nga sundimi i Imperatorisë Otomane!” Këtë deklaratë e nënshkruan: Isa Boletini i Mitrovicës, Sali Aga dhe Idriz Seferi i Gjalanit, Bajram Curri dhe Riza Begu i Gjakovës, Islam Spahija i Lumës dhe Musa e Jahja Prizreni.
Pas disa javësh qielli i Kosovës do të nxihej nga një agresion i ri, madje shumë më i rrezikshëm se ai turk, nga agresioni i shteteve ortodokse-sllave të Ballkanit.
Krijimi i “aleancës ballkanike” për pushtimin e tokave shqiptare
Pas sukseseve të kryengritjes së përgjithshme shqiptare, tani më Ballkani u shndërrua në njërën nga pikat më të nxehta të Evropës. Për faktin se aty gërshetoheshin interesat e Fuqive të Mëdha,si të: Rusisë, Francës, Austro-Hungarisë, Anglisë, Gjermanisë, Italisë, por gjithësesi edhe të shteteve sllave të kësaj siujdhese ballkanike. Dhe pikërisht ishin teritoret shqiptare, që nxitën diplomacinë e këtyre shteteve për të punuar në rrugë të ndryshme rreth ndryshimit të kufijve(duke i coptuar ato)në dobi të shteteve sllave të Ballkanit, edhe pse ju kishin deklaruar udhëheqësve të kryengritjes shqiptare në Shkup, se nuk do të ketë ndryshim të kufijve ”të turqisë evropiane”. Në të vërtet disa shtete si Rusia dhe austro-hungaria qysh në shekullin XIX kishin bërë marrëveshje reciproke por edhe konventa sekrete me Serbinë në dëmë të interesave të shqiptarëve. Asokohe bartëse e veprimeve politike e diplomatike antishqiptare ishte diplomacia ruse.Ministria e Punëve të jashtme të Rusisë, si çështje parësore kishte përfitimin e Fuqive tjera të Mëdha, në përpjekjet e saj për të bashkërenduar veprimet politike të tyre, në Ballkanin e trazuar. Në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit 1912 diplomati rus Sazanov qëndroi në Angli ku zhvilloi bisedime me diplomatin Eduard Grei kryesisht për Ballkanin, dhe z.Grei pasi mori miratimin nga Sazanovi, për paprekshmërinë e interesave jetike të Anglisë, në Gjirin Persik… dha pëlqimin që ta ndihmojë politikën pansllaviste ruse në Ballkan.
Për të penguar realizimin e aspiratave shqiptare, Rusia cariste edhe përmes ambasadorit të vet në Beograd Nikollaj Hartvig, zhvilloi një aktivitet të gjithanshëm antishqiptar, ndërkohë që ndihmesën më të madhe, synimeve sllave ua bëri edhe vet Stambolli-duke i ndryshuar kërkesat e memorandumit të shqiptarëve me 18 gusht në Shkup. Gjithashtu disa muaj më herët, në mënyrë të koordinuar në prapaskenë,diplomatët serbë, bullgarë, grekë etj, me ndihmën e Rusisë e të Francës punuan parreshtur kundër çështjes shqiptare.
Këto marifetllëqe i hapën rrugë formimit të aleancave të shteteve ballkanike(Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë)për pushtimin dhe coptimin e tokave shqiptare. Në të vërtet planet serbe për një luftë kundër Portës së Lartë kishin filluar që në fillim të vitit 1912. Më 13 mars të atij viti, Serbia, me ndërmjetësimin e ambasadorit rus ne Beograd Nikollaj H.Hartvig, lidhi një aleancë “Traktat miqësie” me Bullgarinë, që si qëllim parësor kishte coptimin e tokave shqiptare dhe pengimin e formimit të çfardo shteti shqiptar në Ballkan. Së këndejmi sipas nenit 2 të një aneksi sekret të këtij traktati, Bullgaria i njihte të drejtën Serbisë mbi territoret shqiptare në veriperëndim të bjeshkëve të Sharrit, kurse serbia i njihte Bullgarisë të drejtën mbi territoret në lindje të Rodopeve dhe të lumit Struma. Ndërkaq, territori midis këtyre viseve si dhe arqipelagut të Ohrit, të lumit Drin dhe Masivit të Karadakut mbetej për një kohë të pacaktuar të organizohej mbi parimin e autonomisë nën mbikqyrjen e carit të Rusisë.
Në maj të vitit 1912 u bë afrimi midis qeverive bullgaro-greke dhe asaj serbo-greke dhe së fundi, pas bisedimeve të carit rus me Kral Nikollën në këtë aleancë u fut edhe Mali i Zi. Këto shtete ortodokse të ”aleancës…” në emër të luftës kundër ”robërisë osmane” në tetor 1912 do të nisin luftën e parë ballkanike për pushtimin dhe coptimin e tërësisë së tokave shqiptare. Së këndejmi, mund të konkludojmë se Diplomacia evropiane derisa më 18 gusht 1912, nuk e pranoj rezultatin e luftës çlirimtare të shqiptarëve dhe vënjen e kufijve, pas disa muajsh në konferencën e Londrës, po ajo diplomaci do të pranojë ndërrimin e kufijve në dobi të shteteve ortodokse të Ballkanit.
Dhënia e alarmit për rrezikun nga copëtimi i tokave shqiptare
Për ta alarmuar popullin shqiptar dhe të gjitha kancelaritë e Evropës, për rrezikun që po i kanoset trojeve etnike shqiptare, më 14 tetor 1912 në Shkup(në shtëpinë e atdhetarit Sali Gjuka), Komiteti “Shpëtimi” që në popull njihej edhe si ”Komiteti i Shpëtimit Kombëtar” dhe organizata ”Shoqëria e Zezë për Shpëtim” mbajtën një mbledhje të jashtëzakonshme. Në këtë mbledhje, të kryesuar nga Nexhip Draga, e ku morën pjesë: Mithat Frashëri, Sali Gjuka, Nexhip Draga, Bedri Pejani etj, pasi u konkludua se ”Turqia po i numëronte ditët e fundit në Ballkan…” u morën këto vendime:
“1. Me ia drejtue një proklamacion Fuqive të Mëdha.
- Me formue një delegacion për mi shkëputë Malet e Shkodrës prej lidhnisë që patën ba me Malin e Zi (Malësia e Shkodrës ishte lidhur me Malin e Zi për luftë tëpërbashkët kundër forcave osmane në Shkodër)
- Ky delegacion ka me pas edhe një kompetencë të plotë për t´u marrë vesh me krahinat e tjera të Shqipnisë për të shpëtue atë prej rrezikut të coptimit.”
Në zbatim të këtyre vendimeve, më 16 tetor 1912 në Shkup konsullatës austro-hungareze dhe gjermane iu dorëzua një proklamat, ku thuhet: ”…Serbia, Bullgaria, Greqia dhe Mali i Zi kanë shpallur luftë me qëllim zgjerimi tokësore ose për përhapjen e ndikimit politik, prandaj edhe ne shqiptaret po rrokim armët për të mbrojtur tokën tonë. Përveç kësaj vemë në dijeni Fuqitë e Mëdha se nuk do të njohim emërtime të tilla si ”Stara Serbija” (“Serbia e vjetër”dhe “Epir”, ose forma politike dhe administrative të posaçme lidhur me disa pjesë përbërëse të atdheut tonë”. Ndërkohë edhe përfaqësuesve diplomatik rus, francez, anglez dhe atyre italianë u është dorëzuar një proklamatë me vulë të ”Shoqërisë së Zezë për Shpëtim”, në të cilën thuhet: ”Shqipnia i ka rrokur armët jo për me forcue dominacionin e Turqisë në Ballkan, por për me i dalë zot tanësisë tokësore e lirisë së Shqipnisë. Pra, qysh prej sodit po ju deklarojmë se sido që të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue për katër vilajete veç se një formë politike e një formë sundimi, dmth një formë të vetme qeverisjeje”.
Pas këtyre aktiviteteve, më 18 tetor 1912(në ditën e sulmit të Serbisë në Përpallac e Merdar)anëtarët e delegacionit të zgjedhur në mbledhjen e Shkupit: Mithat Frashëri, Sali Gjuka, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, e lanë Shkupin dhe duke shkuar nëpër Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Has, Tejdrin, Guci, Plavë, Kurbin, Mirditë, Durrës, Tiranë, në Elbasan e gjetiu, i dhanë frymë idesë për thirrjen e një Kuvendi Gjithëshqiptar. Madje në Pejë, Gjakovë, Has, Guci, Plavë… kishin marrë nënshkrime nga paria, duke i autorizuar që të vendosnin për të mirën e Shqipërisë në emër të Kosovës. Këtij delegacioni prej katër vetësh, në Durrës iu bashkua Dom Nikollë Kaçorri, në Krujë-Mustafë Asimi(Kruja), në Tiranë Abdi bej Toptani e Syreja Vlora. Këta tetë(8)atdhetarë tashti përbënin Komitetin e Përkohshëm të Shqipërisë, për përgaditjen e Kuvendit për Shpalljen e Pavarësisë, para se të shkilej Shqipëria nga forcat e aleancës ballkanike. Për këtë qëllim Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi do të udhëtojnë në shtetet perëndimore. Kuvendi do të mbahet më 28 nëntor 1912 në qytetin e Vlorës.
Lufta e parë ballkanike-pushtimi dhe copëtimi i tokave shqiptare
Shtetet ortodokse të “Aleancës Ballkanike” sipas një marrëveshjeje të fshehtë, në tetor 1912 nisën operacionet pushtuese, ndaj trojeve shqiptare. Luftën i pari e nisi Mali i Zi ,më 8 tetor 1912 dhe angazhoi 34 mijë ushtarë të komanduar nga mbreti Nikolla I. Efektivat ushtarake të tij përbëheshin prej 4 divizioneve me 11 brigada këmbësorie(52 batalione) dhe 322 çeta territoriale. Kjo ushtri për pushtimin e Shqipërisë u nda në tri grupime:
Grupimi Veri-Lindje u komandua nga gjenerali Janko Vukotiç dhe kishte për detyrë të marshonte mbi pjesën perëndimore të Sanxhakut, të kryente veprime luftarake sidomos në zonën e Novi Pazarit dhe pastaj të marshonte në drejtim të Pejës e Gjakovës. Repartet e këtyre njësive do të pushtonin edhe Plavën e Gucinë.
Grupimi i Qendrës u komandua nga princi Danillo,i përbërë nga divizioni i dytë dhe i tretë me 6 brigada këmbësorie dhe veprimi ushtarak pushtues ishte drejtimi Tuz-Koplik-Shkodër.
Grupimi i Jugut, ose i Bregdetit përbëhej nga divizioni i parë kishte 3 brigada këmbësorie me 11 mijë ushtarë dhe misioni i tij ishte pushtimi i portës së Shëngjinit, të Lezhës dhe të Shkodrës. Pas disa ditësh, pikërisht më 14 tetor edhe Serbia marshoi në drejtim të Kosovës dhe Maqedonisë, ndërsa përkrah saj më 17 tetor Bullgaria angazhoi një divizion prej rreth 40 mijë ushtarësh në drejtim të Maqedonisë, duke synuar Kumanovën, Shkupin e Luginën e Vardarit. Ndërkaq një ditë më vonë/18 tetor/ Greqia me një forcë mobilizuese prej 115 mijë vetash, sulmon Shqipërinë Jugore për të pushtuar Çamërinë.
Në operacionet për pushtimin e Kosovës Serbia angazhoi 286 mijë forca operative me 550 armë artilerike. Kjo forcë operative ishte e strukturuar në katër armata.
- A) – Armata e parë që numronte 126 mijë forca, komandohej nga princi trashëgimtar-Aleksandër Karagjorgjeviç, me qendër në Vranjë dhe kjo armatë kishte 6 njësi të mëdha që udhëhiqeshin nga shefi i shtabit Petar Bojoviqi. Në kuadër të kësaj armate ishin: Divizioni I i Moravës, Divizioni II i Timokut, Divizioni I dhe II i Drinës etj. Në Armatën e parë ishin këto efektiva: 76 batalione, 30 eskadrone, 40 batari etj.
- B) – Armata e dytë numëronte 75 mijë forca dhe komandohej nga gjenerali Stepan Stefanoviq. Qendra e kësaj armate e kishte zgjedhur vendkomandimin në Qystendil. Në efektivat e saj ishin: 40 bastalione, 5 eskadrone dhe 24 batari.
- C) – Armata e tretë përbëhej prej 63 mijë forcash, të komanduar nga gjenerali Bozhidar Jankoviç (udhëheqës i organizatës çetnike serbe “Narodna Odbrana”) dhe nga shefi i shtabit koloneli Dushan Peshiq. Kjo armatë vendomandimin e kishte në Kurshumli. Efektivat e kësaj armate ishin: 44 batalione, 9 eskadrone dhe 25 bateri…
- D) – Përveç këtyre forcave, vepronin edhe repartet ushtarake të Ibrit e Javorit dhe ato të Malit të Zi, që në fakt përbënin armatën e katërt, me një efektivë prej 35 mijë forcash, me komandant-gjeneralin Mihajlo Zhivkoviç. Ky grupim ushtarak vendkomandën e kishin në Rashkë. Në këtë armatë përfshiheshin: 16 bateri dhe 2 eskadrone me 8 bateri të divizionit “Shumadia” me 23-mijë veta dhe brigada “Javori” e komanduar nga kolonel M.Angjellkoviq, që përbëhej nga 8 bateri, 1 eskadron dhe 3 bateri me gjithsej 12 mijë ushtarë. Komandant i përgjithshëm i ushtrisë serbe ishte vetë mbreti Pjetër Karagjorgjeviqi, ndërsa shef i Shtatmadhorisë gjenerali Radomir Putnik.
Armata e I dhe II serbe, me urdhër të shefit të Shtatmadhorisë gjeneralit Radomir Putnik, ndërmori mësymjen në drejtimin: Vranjë-Kumanovë-Manastir-Elbasan(për të kapur luginën e Shkumbinit), si dhe në drejtimin: Nish-Manastir-Selanik, të ndihmuar nga një divizion bullgarë, që operonte në kuadër të armatës së II serbe. Ndërkohë Armata e III kaloi në mësymje-në drejtimin Kurshumli – Prishtinë – Prizren – Orosh(Mirditë) – Durrës, ndërsa grupimi i IV në drejtimet Rashkë – Sanxhak – Mitrovicë – Pejë dhe Javor-Selenicë-Prijepojë. Objektivi i afërt i armatës së tretë dhe grupimit të katërt ishte kapja e luginës së Drinit, ndërsa objektivi i largët ishte lugina e Shkumbinit dhe dalja në detin Adriatik. E tërë kjo strategji e koncentrimit ushtarak ishte përcjellur me ndihmë logjistike dhe mjekësore nga Rusia dhe Franca si dhe prej disa shteteve të tjera evropiane.
Sipas planeve strategjike, forcat serbe në drejtim të Kosovës operuan në dy etapa.
1.Etapa e parë e ndarë në dy faza, përfshiu operacionet për pushtimin e Rrafshit të Kosovës dhe më pas Rrafshin e Dukagjinit deri në Luginën e Drinit.
2.Ndërkaq etapa e dytë nis me mësymjen e forcave serbe në drejtim të Lumës për të dalur në Adriatik.
Qëndresa shqiptare përballë ushtrisë pushtuese serbo – malazeze
Përballë ushtrisë pushtuese serbe u gjendën forcat kryengritëse shqiptare dhe disa efektiva të vogla turke. Kryengritësit shqiptarë ishin dislokuar në këto pozicione:
- Në veriperëndim të Shqipërisë në gjerësinë frontale të qëndresës: derdhja e lumit Bunë – Hot – Kelmend, forcat shqiptare drejtoheshin nga Ded Gjo Luli;
- Në veri, në drejtimet kryesore: Pejë – Beranë – Bjellopojë me thellësi mbrojtjeje nga Berana deri në Gjakovë dhe në gjerësi frontale të mbrojtjes: Guci – Beranë – Plavë, forcat e qëndresës shqiptare udhëhiqeshin nga Bajram Curri, ndërsa në vijim-drejtimin e Sanxhakut, Pazarit të Ri, me thellësi mbrojtjeje nga Senica deri në Mitrovicë dhe me gjerësi frontale: Selenicë – Jenipazar e mbulonte Isa Boletini.
- Në verilindje, drejtimet Llap-Gollak me thellësi nga Merdari në Prishtinë dhe me gjerësi frontale: Permalinë-Bujanovc i mbronin forcat shqiptare në krye me Idriz Seferin.
- Në Lindje, nga Presheva deri në thellësi të Shkupit me gjerësi frontale: Bujanovc – Gjystendil… flamurin e qëndresës e mbanin Hasan Prishtina, Mehmet Deralla i Tetovës dhe Elez Isufi i Dibrës.
- Ndërkaq me kuadrin e një mbrojtjeje të shkallëzuar brenda territorit, ngrihej grupimi luftarak që mbulonte hapsirën e bashkimit të Drinit të Bardhë e të Zi (Lumë). Këto forca vullnetare udhëhiqeshin nga patriotët Ramadan Zaskoci ,Islam Spahija e shumë të tjerë.
Më 14 tetor 1912 forcat e Armatës III serbe ishin koncentruar në këto zona: Zona e Toplicës përfshinte Divizionin e Shumadisë në sipërfaqen Kurshumli – Bajë e Kurshumlisë; Divizioni i dytë i Moravës ishte i stacionuar në terenin Merdar – Raqë; Divizioni 2 dhe 3 i artilerisë ishte i koncentruar në zonën: Kurshumli – Bllacë. Në këtë teritor ishin përqëndruar edhe një bateri e rëndë topash dhe bateria 3 e të ashtuquajturave ”haubica” që kishin mundësi të gjuajnë me frekuenca të gjata. Ndërkaq,në zonën e Medvegjës ishin koncentruar: Brigada e parë e Moravës dhe Divizioni i dytë i Drinës në territorin Ratkocer – Merkonjë – Medvegjë; brigada e parë e Moravës ishte koncentruar në terenin Dukat – Maja e Topallës – Tullar, ndërsa divizioni i parë malor dhe bateria e 4-t e haubicave ishte e koncentruar në sipërfaqen Medvegjë – Lebanë.
Nga grupi i Toplicës ishin koncentruar këto forca serbe: Divizioni I i Shumadisë nëpër Lumin e Bajës deri në Perpalac, me qëllim të depërtimit kah Podujeva dhe Prishtina. Regjimenti 11(batalioni 1 dhe 2 me baterinë e 6 fushore)ishin përqëndruar në shkrepat e Dabishevcit; Regjimenti 12 ishte vendosur në nyjën strategjike Perpallac(batalioni 1 dhe 2)në Shushnjakë dhe Erëlishtë deri te Kërtoku(batalionet 3 dhe 4 me bateritë 4 dhe 5 fushore)duke marrë pozicione vrojtuese në lidhje me njësitë ushtarake në Dabinoc… Të gjitha këto forca vetëm e pritnin urdhërinë për të sulmuar forcat kufitare shqiptare dhe për të depërtuar brenda në Kosovë.
Beteja e parë e përgjakshme në mes forcave kryengritëse shqiptare dhe forcave serbe u zhvillua nga 14/15 tetor 1912, në zonën kufitare të Merdares për t´u shtrirë mëpastaj në të gjitha hapsirat frontale. Në të vërtet në teritorin e Merdarit, sipas të dhënave serbe, aradhat çetnike pa lejen e Komandantit të Armatës III dhe Divizionit II të Moravës i sulmuan forcat kufitare shqiptare, mirëpo në këto luftime forcat shqiptare dolën fitues. Ndërkohë, komanda serbe mori masa mobilizuese, por megjithatë, një krahë të ushtrisë e përfshiu paniku dhe u larguan nga fronti. Deri më 18 tetor, me urdhër të komandës serbe, me qëllim të shkaktimit të konflikteve të vogla, krijimit të frikës në popull dhe depërtimit sa më lehtë në Kosovë, në brendësi të Kosovës(fshehtas) u futën katër aradha çetnike, si:
- Aradhën Çetnike të Llapit, nën komandën e kapiten Vojisllav Tankosiqit,
- Aradhën Çetnike të Lisicës, nën komandën e kapiten D.Sekuliqit,
- Aradhën Çetnike të Llukovës, nën komandën e kapiten P.Bllazhariqit dhe
- Aradhën Çetnike të Gjilanit nën komandën e kapiten B.Simiqit.”
Dhe, më 18 tetor në të gjitha vijat e frontit u përhap zjarri i luftës. Gjatë këtyre luftimeve të përgjakshme, ushtria pushtuese serbe pësoi humbje të mëdha, ku pati 1400 të vrarë e të plagosur. Pas disa ditë luftimesh të përgjakshme, forcat e qëndresës shqiptare nën presionin shkatrrimtar të zjarrit artilerik të trupave pushtuese serbe, u tërhoqën në drejtim të Podujevës. Në afërsi të Podujevës (te Merçezi) divizioni i Shumadisë – hasi në rezistencë të forcave shqiptare, mirëpo për shkak të epërsisë ushtarake dhe artilerisë së rëndë, këto forca detyrohen sërish të tërhiqen. Gjatë këtij operacioni, forcat serbe duke e përdorur tërë artilerinë e rëndë, dogjën e rrafshuan me tokë shumë fshatra të Llapit.
Përkundër rezistencës shqiptare, natën e 20/21 tetorit 1912 ushtria serbe e pushtoi Podujevën dhe menjëherë vendoset regjimi ushtarako-policor në tërë regjionin e Llapit. Komandanti i Armatës së tretë serbe gjenerali Bozhidar Jankoviq me qëllim të depërtimit sa më të lehtë në drejtim të Prishtinës dhe gjetiu, lëshoi një proklamatë të shkruar me germa çirilike në gjuhën shqipe të titulluar: “T Tona Fiseve n`Shqipni, or vllazni”, në të cilën i ftonte shqiptarët që të mos i bëjnë rezistencë ushtrisë serbe, sepse ajo kishte ardhur si “mike e shqiptarëve” për “të përzënë ushtrinë turke nga Ballkani”! Në fund të proklamatës porositen shqiptarët, që nëse do të shtinin në ushtrinë serbe “pushk n kemi me qit m qato, qi qetë në ne, elle na lasht Zoti, shkrum kemi me e bo qat shpi, e katundin, qi na kthen pushk n,e qato qi na pret vllaznisht, kemi me perqaf vllanisht, sikur vllau vllaun, se po bim m nji dor: Bes n e Zotit, dretën e njerzin, e në qetrën po bajim arm e zjarm…”
Gjatë kësaj faze bie në sy tërheqja dhe shmangia e efektivave turke nga ballafaqimet e armatosura me ushtrinë serbe… Kjo tërheqje pa qëndresë (e turqëve) sidomos e reparteve të Baftjar Pashës nga Mitrovica nëpër Drenicë për në Gostivar dhe e 12 reparteve të divizionit 21 të Xhavit Pashës nga Sanxhaku, nëpër Has e Lumë për në Dibër, dëshmojnë qartë, për arritjen e një marrëveshjeje serbo-turke: që këto forca të tërhiqen pa gjakderdhje nga tokat shqiptare.
Më 22 tetor 1912, Divizioni i Shumadisë dhe ai i Moravës të armatës III e sulmuan Prishtinën dhe pas një lufte të përgjakshme në grykën e Teneshdollit, për munges municionesh Prishtina ra në duar të tyre. Menjëherë pas hyrjes së ushtrisë serbe në Prishtinë, filloi aksioni për çarmatimin e shqiptarëve nga kufiri deri në Prishtinë. Më 24 tetor pa u ndalur fare, ushtria serbe nis një operacion me përmasa shfarosëse në drejtim të Ferizajit dhe Kaçanikut. Pas luftimeve të përgjakshme, forcat serbe me përdorimin e gjithë arsenalit të artilerisë së rëndë, më 25 tetor futen në Ferizaj, ndërsa një ditë më vonë marrin nën kontroll edhe Kaçanikun.
Krahas këtyre operacioneve (të armatës së III), në krahun lindor operonin 126 mijë trupa të armatës së parë(I). Këto forca gjatë marshimit në drejtim të Shkupit, hasën në rezistencë të forcave kryengritëse shqiptare dhe nga 22-24 tetor 1912 në Kumanovë u zhvillua beteja më e madhe deri atë kohë. Beteja e Kumanovës u zhvillua midis malit Kozjak në lindje, Malit të Zi të Shkupit në perëndim, midis lumenjve Pqinje dhe Lumit të Madh në jug, si dhe në veri të fshatrave Llojan, Karabiqan, Nikulan dhe Strezovc. Në Betejën e Kumanovës, e cila mendohet se ishte vendimtare për fatin e luftës së vitit 1912, armata serbe pati 21 oficerë dhe 702 ushtarë të vrarë. Qëndresa heroike e forcave shqiptare që drejtoheshin nga Hasan Prishtina, gjeneral Mehmet Deralla, Elez Isufi dhe Idriz Seferi, në saje të forcave serbe shumëfish më të mëdha dhe përdorimit të armëve artilerike, u thye më 24 tetor. Ato ditë, të gjitha fshatrat shqiptare mbetën të boshatisura dhe afër 150 mijë të ikur u përqëndruan në Shkup.
Pas betejës së Kumanovës dhe pushtimit të qytetit, më 26 tetor 1912 ushtria serbe pushton pa luftë edhe Shkupin. Gjatë rrugëtimit për në Shkup ushtria serbe vrau e masakroi pa mëshirë rreth 2 mijë shqiptarë. Ato ditë, pas rënjes së Shkupit, ushtria serbe i kap të gjallë, 13 krerë Kryengritjes Kombëtare Shqiptare si:
- Hasan Prishtinën (ai u kap në rrethinën e Shkupit derisa po bënte përpjekje mbinjerëzore të rezistencës dhe me tërë qenien përpiqej të pengonte tërheqjen dhe shpërnguljen e popullit shqiptar nga friga e barbarisë serbe);
- Nexhip Dragën nga Mitrovica;
- Seid Efendin nga Shkupi;
- Shaban Pashën nga Prishtina;
- Qemajl Beun nga Shkupi;
- Hurshid Omerin nga Prishtina;
- Rushit Beun nga Dobratini i Prishtinës;
- Muharrem Efendin nga Prishtina;
- Xhemajl beun nga Prishtina;
- Jashar Pashën nga Peja;
- Ibrahim bej Kokola nga Prishtina;
- Idriz Seferin nga Gjilani;
- Kasum Seferin nga Gjilani;
- Mustafë Muhsinin nga Stambolli, profesor i Gjimnazit në Shkup. Të arrestuarit internohen dhe izolohen në Kështjellën e Beogradit.
Duke qenë në burg, komandanti i armatës së III (B.Jankoviç) me qëllim të “qetësimit” të gjendjes në Kosovën e pushtuar, kërkoj ekzekutimin e këtyre prijësve, ndërsa qeveria serbe për shkak të famës që kishin ata në popull, iu shmang një veprimi të këtillë. Pas qëndrimit disa muajsh, më 16 maj 1913 ata do të lirohen nga burgu me kusht “se do të bëhen qytetarë lojalë të mbretërisë së Serbisë”. Në ngjarjet e mëvonshme, ndonëse emrat e disave nga të liruarit nuk do të përmenden kurrënjëherë (ndoshta për shkak të lojalitetit ndaj pushtuesve), të tjerët në krye me atdhetarin Hasan Prishtina do t’i bashkangjiten qëndresës shqiptare deri në vdekje.
Me betejën e Kumanovës gjegjësisht me pushtimin e Shkupit dhe përgjithësisht të Rrafshit të Kosovës, përfundon faza e parë e luftrave pushtuese serbe në Kosovë dhe fillon faza e dytë (e etapës së parë) për pushtimin e Rafshit të Dukagjinit.
Luftrat e përgjakshme në Rrafshin e Dukagjinit
Operacionet pushtuese të ushtrisë serbo-malazeze në drejtim të Rrafshit të Dukagjinit, filluan qysh më 30 tetor 1912, kur shërbimi i zbulimit të armatës së III njoftoj komandën supreme të saj “se prijësit shqiptarë po thërrisnin nën armë lumjanët dhe fiset përqark” në Dukagjin. Në operacionet mësymëse drejt Prizrenit dhe Gjakovës u angazhuan divizionet “Shumadia-1” dhe “Drina-2”, ndërsa Brigada “Morava” operonte drejt Tetovës, në krahun e majt të këtyre dy divizioneve.
Përleshjet e para me forcat e qëndresës shqiptare nisën në rrethinat e Ferizajit, në fshatin Skullupovë dhe në Hanin e Zborcit për të vazhduar më pas në Shtimje e në Duhël-Grykë të Carralevës. Në pozicionet: Gryka e Carralevës – Qafa e Duhlës – Llapushë, që nga 21 tetori ishin rreshtuar forcat shqiptare të ardhur nga Luma, bajraku i Përdrinit e të Ostrozupit. Në krye të këtyre forcave ishin: Ramadan Zaskoci, Sali Spahija, Qazim Lika, Ahmet Qehaja, Cen Daci, Ramadan Çejku – nga Luma; Abaz Bajraktari nga Ostrozupi; Rexhë Bardhi e Ramadan Shabani nga Kijeva; Hasan Hyseni, Destan Kabashi nga Suhareka, Rexhë Ali Mehmeti nga Hasi e
Njëkohësisht me këto beteja të përgjakshme, në pjesën veriperëndimore dhe verilindore të Kosovës, (në drejtim të Rrafshit të Dukagjinit), pasi e kishin pushtuar Beranën (Ivangradin), Plavën, Gucinë, Jeni Pazarin, Rozhajën, Javorin… ia mësynë forcat e grupimit lindor-malazez dhe ato të grupimit të katërt serb (njësia e Ibrit). Forcat serbo-malazeze pas thyerjes së qëndresës shqiptare në rrethinat malore të Pejës, me 30 tetor u futën në këtë qytet pa luftë. Në të vërtet qyteti i Pejës iu dorëzua forcave pushtuese, nga paria bashibozuke e prirë nga Sefedin Mahmut Begolli, pasi nënshkroi aktin e tradhtisë një ditë përpara (29 tetor) në Çafë të Paklenit – me gjeneralin e grupimit lindor malazez Janko Vukotiqin. Për këtë shërbim, me rastin e formimit të administratës “krahinore” në Pejë (më 3 nëntor 1912), Sefedin M.Begolli do të emrohet kryetar i gjykatës.
Në operacionet pushtuese, drejt Deçanit e Gjakovës, gjatë datës 1-3 nëntor 1912, forcat serbo-malazeze, në malet e Junikut dhe te “Kërrshi i Mergegës” u përballën me forcat shqiptare të udhëhequra nga Bajram Curri, Bajram Daklani etj. Mirëpo për shkak të epërsisë numerike dhe përdorimit të artilerisë së rëndë, forcat e qëndresës shqiptare tërhiqen në vijën strategjike përgjatë Qafës së Morinës. Ndërmjet 5/6 nëntorit 1912, trupat serbe dhe malazeze pushtuan Gjakovën, dhe pas një grindjeje ndërmjet tyre, këtë qytet e ndanë në dy pjesë, sipas përroit të Taphanës(lumit Krena)që kalon mespërmes qytetit. Kjo grindje në mes të ushtrisë serbe e malazeze u bë se kush do ta zotëronte Gjakovën. Gjakova ndoshta ishte i vetmi qytet që atëkohë u nda nga forcat aleate, të cilat pushtonin bashkarisht tokat shqiptare. Forcat e Grupimit të gjeneral J.Vukotiçit nga 20 nëntori, do t´i shkojnë në ndihmë Grupimit të Qendrës, me rreth 5500 trupa në përforcim të rrethimit të Shkodrës.
Derisa zhvilloheshin luftime të përgjakshme për mbrojtjen e Gjakovës, Divizionet “Shumadia-1” dhe “Drina-2” duke e përdorur tërë arsenalin e armatimit të rëndë ndaj fshatrave shqiptare në Shtimje e Grykë të Carralevës, synonin pushtimin e Prizrenit. Më 25 tetor 1912, ndonëse në Grykë të Carralevës ishin fortifikuar rreth 3-4 mijë kryengritës shqiptarë, në një përleshje triumfuan mbi forcat serbe, të cilat u detyruan të tërhiqen përkohësisht. Ndërkaq në sulmin e dytë ajo arriti t´i thejë forcat shqiptare. Pas thyerjes së qëndresës në Carralevë e në Qafë të Duhlës, forcat shqiptare tërhiqen drejt jugut, për t´u përqëndruar në zonat malore të Pashtrikut, Koretnikut, Gjallicës(Pikllimës) e të Sharrit.
Në mëngjesin e 3 nëntorit1912, ushtria serbe hyri në Prizren pa hasur në rezistencë nga shqiptarët, duke marshuar nëpër qytet, me qëllim të demonstrimit të forcës para popullsisë së paarmatosur shqiptare. Vetëm ditën e parë, ushtria serbe rrugëve të qytetit dhe nëpër shtëpitë e tyre vrau rreth 400 shqiptarë të pafajshëm. Më 5 nëntor, në Prizren u vendos edhe komanda e armatës së III serbe në krye me komandantin famkeq gjeneralin Bozhidar Jankoviq.
Forcat e ushtrisë serbe (armata III dhe grupimi i katërt) dhe forcat e grupimit lindor malazeze, pas tri jave luftimesh të përgjakshme, të shoqëruara me vrasje e masakrime të shumta në gra, pleqë e fëmijë dhe shkatërrime e djegje të qindra fshatrave shqiptare, arriti ta pushtojë Kosovën.
Forcat pushtuese serbe, në javën e parë të nëntorit 1912 qenë pozicionuar në gjerësinë frontale: “nga rrëza e qytetit të Shkodrës – Plavës e Gucisë – Rrëzë Qafës së Morinës në Malësi të Gjakovës – rrëzë Qafës së Prushit në Has – rrëzë Qafës së Zhurit në Lumë dhe rrëzë Gurit të Zi (Sharr) – Tetovë. Ndërkaq në gjerësinë e ngushtë frontale në drejtim të Lumës, dy divizionet e eskalionit të parë (Shumadia-1 dhe Drina-2) të armatës së III, shtriheshin në vijën “… Gjakovë – Ura e Fshejtë – Planejë – Kobajë – Leskovec – Guri i Zi në Sharr (pjerrësia perëndimore). Këtu mbyllet faza e dytë e etapës së parë të luftimeve pushtuese dhe nis përgaditja e etapës së dytë të operacioneve serbe për pushtimin e Lumës dhe daljen e saj në Detin Adriatik, synim ky i kahmotshëm i saj.
Referencat
1.Dr.T.Abdyli: Hasan Prishtina në lëvizjen kombëtare e demokratike shqiptare 1908-1933, Prishtinë 2003, fq.100.
2.ASHSH – Instituti i historisë”Historia e popullit shqiptar”(II), Tiranë 2002-Toena, fq.463. /G.Demiri(Ratkoceri), Kryengritja shqiptare e vitit 1912, Tiranë 1997, fq.11
- Po aty, fq.467
4.Dr.T.Abdyli: Hasan Prishtina…monografi, Prishtinë 2003, fq108,/ J.Kadishani: Sadik Rama-Gjurgjeviku (1872-1944), Prishtinë 2003, fq.112.
5.I.Halilaj, Luma për pavarësinë e 1912-ës, Dy drinat(Revistë shkencore dhe kulturore), nr.8 , Bicaj- Kukës , maj 2006, fq.29.
- Në kuvendin e Junikut krahinën e Lumës e përfaqësuan: Islam Spahiu, Ramadan Zaskoci, Sheh Salihi, Alush Agë Luma, Nezir Bajraktari e tjerë.
- /Historia e shqipërisë dhe e shqiptarëve, Prizren 2001, fq.156. /Gazeta: Liria e Shqipërisë”, Sofje nr.43, 31.V.1912 J.Kadishani:vepra e cituar, fq.113./ Instituti i historisë:Isa Boletini dhe koha e tij, Prishtinë 1998, fq.42 ./Dr.F.Pushkolli:vepra e cituar,fq.63.
- G.Demiri(Ratkoceri) , vepra e cituar, fq. 56 – 57.
9 Dr.T.Abdyli: Hasan Prishtina, në lëvizjen kombëtare e demokratike shqiptare 1908 – 1933, Prishtinë 2003, fq.116 /Dr.Xh.Shala: Marrëdhëniet shqiptaro – serbe 1912-1918, Prishtinë 1990; /Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1875-1912, Tiranë, 1978, fq. 240-241 ./Dr.Sh.Rahimi: Lufta e shqiptarëve për autonomi (1897-1912)Prishtinë 1978, fq.206.
- Instituti i historisë: Isa Boletini dhe koha e tij, Prishtina 1998, fq.80. Gazeta: Narodna Pravda, 16.06.1912; Albanskoto vstanie, Bulgaria – 10.07.1912
- Istituti i historisë: Isa Boletini…vepër e cituar, fq.99.
- po aty, fq.485
- Historia e popullit shqiptar, Tiranë 1994
- Në kohën kur kryengritësit shqiptarë e çliruan Prishtinën dhe zhvilloheshin bisedimet ndërmjet palës shqiptare dhe asaj turke në Prishtinë, në Fier u mbajtë një mbledhje e patriotëve shqiptarë e kryesuar nga Ismail Qemaili . Dhe nga kjo mbledhje i dërgohet një telegram Hasan Prishtinës, që t´i përfaqësonte ata në bisedime . (G.Demiri (Ratkoceri, vepra e cituar, fq. 66)15. Dr.T.Abdyli:vepra e cituar, fq. 128-129
*Gjatë procesit të bisedimeve Isa Boletini, Riza Beu, beglerët e Pejës dhe turkoshakët tjerë, sollën pengesa serioze në imponimin e kërkesave të shtruara palës turke nga Hasan Prishtina. Të ndikuar nga propagandaantishqiptare, këta krerë të luhatshëm haptas deklaruan se: ”Na nuk duem autonomi dhe nuk mund të ndahemi prej osmanlive” (citat nga libri <njË kujtimesh=”” shkurtim=””>të shkruar nga Hasan Prishtina.)
16.Po aty
17.Dr.T.Abdyli: vepra e cituar, fq. 133 – 135 /cituar nga libri i Hasan Prishtinës :”Një shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912”, Bari 1925 ./J.Kadishani: Sadik Rama – Gjurgjeviku(1872-1944), Prishtinë 2003, fq.121-122. /Dr.F.Pushkolli: Mbrojtja kombëtare shqiptare e Kosovës 1878-1990, Prishtinë 1991, fq.64-65.
- Dr.T.Abdyli: Vepra e cituar, fq.149-150. / Sh.Hoxha – Luma në luftërat për liri, Tiranë 2002, fq.152/153.
- Prof.Dr.H.Bajrami:Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912(1),Prishtinë 2003,fq.64.
*. Sipas të dhënave të Islam Riza Spahiut nga Kolesjani i Lumës, nip i atdhetarit Islam Spahija,del se: ”Islam Spahija nuk ka qenë vet në Shkup në gusht të vitit 1912 ,për shkak se ishte i moshuar dhe se ai atje është përfaqësuar nga një i fisit të tij: Sali Spahija. Por në”Letrën e krenëve”Saliu ka nënshkruar si përfaqësues i Lumës Islam Spahija, sepse ai njihej si udhëheqës i krahinës. (”citat i marrë nga libri i Shefqet Hoxhës:Luma në luftrat për liri, fq.166.
20.G,Demiri (Ratkoceri), vepra e cituar, fq.71 ( Gazeta”Liri e Shqypnisë”, nr.53, më 16 gusht 1912).
- – Doktrinës politike agresive serbe për ta pushtuar Kosovën dhe viset tjera shqiptare, nuk i ka ndihmuar askush më tepër se sa politika dyftyrëshe e Austro-Hungarisë, edhe pse në historiografinë shqiptare dominon mendimi i rremë se Austrohungaria e ka ndihmuar popullin shqiptar. Për të argumentuar ndihmën asustrohungareze dhënë serbisë, nisemi nga konventa sekrete në mes të Serbisë dhe Austrohungarisë të bërë më 28 qershor 1881.
Në nenin VII të kësaj konvente thuhet: ”Nëse me krijimin e ngjarjeve, zhvillimi i të cilave nuk mund të parashikohet, Serbia do të jetë në gjendje që të zgjerohet në drejtim të kufijve të saj jugorë(duke përjashtuar Sanxhakun e Novi Pazarit), në këtë drejtim Austro-Hungaria nuk do ta kundërshtojë dhe njëherit do të angazhohet që edhe fuqitë e tjera të pajtohen për qëndrim të kënaqshëm për Serbinë”. (Shih: Dr.F.A.Probram: Die politischen Geheimvertrage Osterreich-Ungarns 1878-1914,I, fq.18-20) Citat i marrë nga libri i Prof.Dr.H.Bajrami: Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912, fq.27-28.
-Doktrinës politike serbe i kontribuo edhe Marrëveshja në mes të Rusisë e Austro-Hungarisë më 17 maj 1897 ,ku asnjë dokument tjetër i Fuqive të Mëdha s´ka qenë më tragjik se ky për shqipërinë. Në pikën 3 /b të kësaj marrëveshjeje tekstualisht thuhet: ”Pjesa e përfshirë midis Janinës në Jug dhe Liqenit të Shkodrës në veri me një shtrirje të mjaftueshme nga ana e lindjes, do të formojë një shtet të pavarur me emrin Principata e Shqipërisë, duke përjashtuar çdo sundim të huaj.
C)Pjesa tjetër e territorit disponueshëm do të ndahet në mënyrë të drejtë midis shteteve të vogla të ndryshme të Ballkanit që ekzistojnë sot. Në këtë ndarje Austro-Hungaria dhe Rusia ruajnë të drejtën që të merren vesh në kohën e duhur…” ( A.F.Pribram, Les treites politiques secrete de L Aitriche-Hongrie, I Pris 1923 fq. 109.) Duke u nisur nga citati i sipërtheksuar,shtrohet pyetja se a nuk u realizua kjo marrëveshje në Konferencën e Londrës më 1913, duke e pranuar një gjysëm Shqipërie….?!
-Më 1903 u realizua edhe konventa sekrete në mes Austro-Hungarisë dhe Greqisë, ku në një pasus thuhet: ”Austro-Hungaria e pranon sferën e interesit grek deri te lumi Shkumbin, në jug të Durrësit, kjo do të thotë në tërë Vilajetin e Janinës dhe një pjesë të Vilajetit të Manastirit dhe deri në ata kufijë monarkia i pranon interesat greke. Greqia nga ana e saj pranon sferën e interesit austriak në tërë Vilajetin e Shkodrës dhe në tërë Maqedonin deri të selaniku.Kjo konventë sekrete mbetet në fuqi edhe në rast të ndërrimit të status quos në Ballkan, deri në atë rast të shkatërrimit të integritetit të perandorisë osmane, me ç´´rast të dy shtetet obligohen që të ndihmojnë njëra tjetrën. ”Nënshkrimin në këtë Konventë e kanë vënë Cari Franc Jozef në emër të Austro-Hungarisë dhe Mbreti Gjorgje në emër të Greqisë. Këtë Konventë e ka botuar në qershor 1906 gazeta e Romës: ”Courrier des Balkans”. /Këto citate u morën nga libri i prof.Dr.Hakif Bajramit: Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912, Prishtinë 2003, fq.27-32.
- Dr.Xh.Shala: Vepra e cituar, fq.45.
- Dr.Xh.shala: Vepër e cituar më lartë.
- Ideja për themelimin e një aleance të shteteve ortodokse ballkanike është bërë në vitin 1908 nga Ministri i punëve të jashtme të Rusisë Izvoleski, me qëllim të realizimit të planit pansllavist të Nikollaj Danillevskit. Fillimisht për këtë çështje do të bisedojnë Serbia me Bullgarinë, pastaj në prill 1911 do të bashkohet edhe Greqia dhe në këtë mënyrë do të krijohen konturat sllavo-ballkanike për bashkimin ushtarak të të gjithë ortodoksve, strukturë kjo me të cilën komandonte përfaqësia ruse në Stamboll, duke u bazuar pikërisht në programin e Nikollaj Danillevskit.
- Instituti i historisë:Kosova, nr.20/21, Prishtinë 1998/1999, fq.84 /cituar: Vojna medždu Bulgarija u Turcija 1912-1913 god.,Tom i , Podgotovska na vojnata, Sofija 1937, str.47./
- Sh.Braha: Beteja e Drinit kundër agresionit serb(nëntor 1912), Prizren 2000, fq.31; /Sh.Braha:Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare, (1844-1990), Gjakovë 1991, fq.135.
- Dr.Xh.Shala- Marrëdhëniet shqiptaro-serbe 1912-1918, Prishtine 1990, fq.52; /A.Puto:
Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha 1912-1914, Tiranë 1978;
/Piro Tako:Luigj Gurakuqi, Tiranë 1980, fq.179;
- Sh.Braha: “Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare (1844-1990), Gjakovë 1991, fq.129. /Prof.Dr.H.Bajrami: Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912(1), Prishtinë 2003, fq.66-67 /R.Fiçorri: Ushtritë e huaja në Shqipëri-1912-1922, Tiranë 2002, fq.92
29.Prof.Dr.H.Bajrami: Si e okupoi Serbia Kosovën më 1912, Prishtinë 2003, fq.36
- Sh.Braha: Vepra e cituar, fq.139
- Po aty, fq.138
32.Prof.Dr.H.Bajrami: vepra e cituar, fq.73-74.
33.Dr.L.Rushiti: “Rrethanat politiko-shoqërore në Kosovë 1912-1918 Prishtinë, Rilindja 1986, fq.17 /Prof.Dr.H.Bajrami:vepra e cituar, fq.78.
- Prof.Dr.H.Bajrami:vepra e cituar, fq.37-38./
- Dr. L.Rushiti: Vepra e cituar, fq.28; /Dr.Xh.Shala:Vepra e cituar, fq.56-57.
- ASHSH- “Kosova në vështrimin enciklopedik”, fq.104. /Dr.Xh.Shala:Vepra e cituar, fq.58-59 /A.Stojiqeviq: Istorija nashih ratova, 1912-1918, Beograd 1932, fq.143.
37.L.Rushiti:Vepra e cituar, fq.134-135; Dr.Xh.Shala:vepra e cituar, fq.114. /S.Martinoviq – Qëndrimi i ushtrisë serbe ndaj shqiptarëve… në vitet 1912 – 1913, Gjurmime albanologjike – VII-1977, Prishtinë 1978, fq259. / Shih: AV.II.Beograd P.2, K.13-1/2 ov 1141/13 (raporti i Panta Gavrilloviqit dërguar Komandës Supreme Serbe në Shkup më 27 nëntor 1912.) /Sh.Braha:Vepra e cituar , fq.191-192
- Sh.Braha – vepra e cituar, fq.192.
- B.Ratkoviç- “Prvi Balkanski Rat 1912-1913” Beograd 1975, fq.251
- Sh.Braha: Vepra e cituar, fq.144 ./Sh.Hoxha-Luma në luftrat për liri, Tiranë 2002, fq.171.
- L.Rushiti: Vepra e cituar, fq.34-35
- Po aty
- R.Fiçorri-Ushtritë e huaja në Shqipëri 1912-1922, Tiranë 2002, fq.48
- Sh.Braha: Vepra e cituar, fq.144 (cit. AIH, A.IV.114, fl.X, fq.43 – njoftim i konsullit austrohungarez nga Prizreni.)