Sheradin Berisha: Përkushtimi i Isa Mustafës për zbatimin e vendimeve të RSFJ-së për Kosovën

Pas demonstratave të 11 e 26 marsit dhe të 1 e 2 prillit të vitit 1981, regjimi komunist jugosllav, gjatë verës së atij viti ndërmori një sërë masash ideo – politike, të cilat kulmuan me “Platformën politike të KQ të LKJ’së për Kosovën”, të miratuar më 17 nëntor 1981 në Mbledhjen e XXII’të të KQ të LKJ’së në Beograd. Për t’i realizuar masat, që dolën nga kjo “Platformë…” e KQ të LKJ’së, ky regjim gjatë viteve 1981-1990 në vendet udhëheqëse i emëroi ato kuadro komuniste, që ishin dëshmuar tashmë në luftimin e “nacionalizimit, irredentizmit dhe seperatizmit shqiptarë”! Në mesin e komunistëve më besnik ishte edhe kryetari aktual i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryeministër i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa.


 


Në periudhën 1984 – 1988 Isa Mustafa ishte Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Prishtinës (ku përfshiheshin edhe komunat e sotme: Fushë Kosova, Obiliqi dhe Novobërda), dhe si i tillë duket se ka qenë njeriu më i pushtetshëm i regjimit komunist, ashtu sikurse ishin: Ali Shukria – Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1981-1982), Ymer Pula – kryetar i KE të KSA të Kosovës (1982-1986), Kolë Shiroka – Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1984-1985), dhe Kryetar i KK të KSA të Kosovës në periudhën (1985-1986), Nazmi Mustafa – kryetar i KE të KSA të Kosovës (1986-1989), Jusuf Zejnullahu – Kryetar i KE të KSA të Kosovës (1989-1990), Remzi Kolgeci – Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1987-1988), Azem Vllasi – Kryetar i KK të KSA të Kosovës (1986-1988) dhe Rrahman Morina – Kryetar i KK të KSA të Kosovës (1988-1990).


 


Isa Mustafa, si kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Prishtinës në mandatin e parë (1984 – 1986) pasi i realizoi të gjitha objektivat që buronin nga organet më të larta të pushtetit, në pranverën e vitit 1986 (kur u mbajtën zgjedhjet edhe në Serbi ku Sllobodan Millosheviqi zgjidhet Kryetar i KQ të LKS’së) Isa Mustafa  mandatohet për herë të dytë si Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Prishtinës (1986 – 1988). Gjatë këtyre viteve ai ka punuar me pëkushtim edhe më të madh në realizimin e të gjitha vendimeve politike për Kosovën, që merreshin në organet më të larta në Beograd, siç ishin: kryesia e RSFJ’së, KQ i LKJ’së, KQ i LK të Serbisë etj.


 


Për ta argumentuar këtë fakt, me këtë rast po i referohemi një interviste të Isa Mustafës si Kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Prishtinës, dhënë të përditshmes “Rilindja” më 06 Shtator 1986: “Prishtina mobilizohet për vënien në jetë të konkluzioneve të Kryesisë së RSFJ’së dhe asaj të KQ të LKJ’së – Të vendosur që gjendja të përmirësohet”. Të vendosur që gjendja të përmirësohet”, Kryetari i KE të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, me qëllim të zbatimit të plotë të konkluzioneve të kryesisë së RSFJ dhe të KQ të LKJ lidhur me kthimin e serbëve e të malazezve në Kosovë, në këtë interevistë – nga organet e administratës komunale ka kërkuar një efikastitet të shtuar. Ndërkaq, për zbatimin e ligjshmërisë, që ishte kërkesë bazë e konkluzioneve të të dy kryesive, (të RSFJ dhe të KQ të LKJ), Isa Mustafa kishte paraparë ashpërsimin e përgjegjësisë së bartësve të autorizimeve publike në të gjitha nivelet e organeve komunale, me qëllim që qytetarëve të përkatësisë serbe e malazeze t’u ofrohet siguri e plotë e punës dhe e jetës, dhe të thellohet besimi tek të gjithë qytetarët që janë shpërngulur e që duan të kthehen sërish. Është fjala për të gjithë ata ardhacakë të cilët kishin shkuar e ardhur disa herë në Kosovë, për të përfituar materialisht!!! Madje kryetari Isa Mustafa, krenohet me Komisionin për pengimin e shpërnguljes së serbëve e të malazezëve në nivel të komunës, e cila ka hartuar programin konkret të masave për kthimin e të shpërngulurve ku është paraparë që të kthyerve t’u sigurohen kushte sa më optimale për punësim, banim e shkollim etj. Kryetari Isa Mustafa konsideron se atyre serbëve që janë shpërngulur me presion të drejtpërdrejtë duhet t’iu sigurohet kthimi dhe punësimi duke bërë përpjekje për programimin e mundësisë së tyre në OPB’të e komunës dhe për më tepër për të ndërprerë shpërnguljen e serbëve e të malazezëve, ai është zotuar që ardhacakëve serbë t’iu sigurojë banesa dhe ndarje të trojeve si dhe lehtësira në regjistrimin e tyre në fakultete. Në kuadër të zbatimit të konkluzioneve të dy Kryesive (të RSFJ dhe të KQ të LKJ), Isa Mustafa aktivitetin e tij e ka përqëndruar kryesisht në Fushë-Kosovë, në bastionin e lëvizjes nacionaliste serbe të përbërë nga: Kosta Bullatoviq, Mirosllav Sholeviq, Bogdan Kecman, Zoran Grujiq, Stevan Marinkoviq, Miqa Samargjiq, Boshko Budimiroviq etj. Ky njeri (që sot është Kryetar i LDK’së dhe në koalicion me PDK’në do të jetë Kryeministër i Qeverisë), në Fushë Kosovë ka ndërmarrë një vargë masash plotësuese për ndërtimin e shkollave, asfaltimin e rrugëve e të trotuarëve, aftësimin e stacioneve shëndetësore si dhe të çështjeve të tjera infrastrukturale, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më të mira për “ardhacakët” serbomalazezë, ndërkohë që shqiptarët jetonin në skajme e varfëri të skajshme. Sipas Programit të masave për kthimin e serbëve e të malazezve të shpërngulur jashtë Kosovës që është projektuar nga organet përgjegjëse të komunës në krye me Isa Mustafën “statusin e të kthyerve do ta kenë personat e shpërngulur me presion (!!!) nga komuna, përkatësisht nga Krahina që kanë jetuar jashtë Kosovës së paku një vit dhe ata të shpërngulur që kanë punuar jashtë Kosovës së paku një vit me kusht që para shpërnguljes të jenë lajmëruar nga SPB’ja komunale e Prishtinës.”(!!!)


 


Për realizimin e Programit për kthimin e serbëve e malaziasve në Kosovë, Kryetari i KE të Prishtinës Isa Mustafa është zotuar për realizimin e disa prioriteteve, si: ndërtimin e repartit të ri “Jumkos” ose të “Titeksit” në Fushë – Kosovë, programin e shfrytëzimit të objekteve ndërtimore në Çagllavicë e Kishnicë, programin e shpuarjes së thellë në OP “Kishnicë dhe Novobërdë”, objektin që do të duhej ta hapte “Centro Kozha” e Titogradit, si dhe në programin e rekonstruimit të industrisë së tekstilit “Kosovka”…etj.


 


 


Ja intervista e kryetarit të Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Prishtinës, mr.Isa Mustafa.


 


PRISHTINA MOBILIZOHET PËR VËNIEN NË JETË TË  KONKLUZIONEVE TË KRYESISË SË RSFJ DHE ASAJ TË KQ TË LKJ’së TË VENDOSUR QË GJENDJA TË PËRMIRËSOHET


 


(Bisedë me Mr. Isa Mustafën, kryetar i KE të Komunës)


 


Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të Komunës së Prishtinës, në mbledhjen e fundit nuk e aprovoi Programin e masave dhe të aksioneve për kthimin e serbëve dhe të malazezëve të shpërngulur jashtë Kosovës e të cilët dëshirojnë të kthehen në Komunën e Prishtinës. Rreth kësaj teme, kohëve të fundit pati polemika dhe komentime të nduarnduarshme e edhe të tilla që apriori i hudhnin poshtë përpjekjet që po bëhen këtu për kthimin e serbëve e të malazezve. Ky program, është edhe pjesë e pandarë e Programit operativ të KE të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për masat dhe aktivitetet e organeve të administratës e të atyre të jurisprodencës në realizimin e detyrave që dalin nga Konkluzionet e dy Kryesive më të larta të vendit (kryesisë së RSFJ dhe të KQ të LKJ – sh.b) mbi situatën politike dhe të sigurisë në KSA të Kosovës. Në këtë temë biseduam me Mr.Isa Mustafën, kryetar të KE të Kuvendit të Prishtinës.


 


 


 


Isa Mustafa: Konkluzionet e të dy Kryesive kërkojnë angazhim të pashmangshëm të të gjithëve.


 


ORGANET E ADMINISTRATËS – MË VIGJILENTE


 


     Çka u krye e çka mbeti të kryhet në frymën e konkluzioneve të dy Kryesive më të larta të vendit, në nivel të komunës?


 


     Me konkluzionet e kryesisë së RSFJ dhe të KQ të LKJ kërkohet një efikasitet më i madh i organeve të administratës, subjekteve të tjera shoqërore dhe angazhimi i tyre në zbatimin e plotë të ligjshmërisë dhe trajtimin e barabartë të pjesëtarëve të të gjitha kombeve e të kombësive që jetojnë në Krahinë, përkatësisht në komunën tonë. Prej shpalljes së këtyre konkluzioneve dhe të masave konkrete të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Krahinës i jemi qasur punës në aftësimin organizativ, me kuadro dhe material si dhe në thellimin e vetëdijes së të punësuarve në këto organe për nevojën e efikasitetit dhe azhuritetit në kryerjen e të gjitha lëndëve në punë me qytetarët dhe përgjithësisht me punën e bashkuar. Në lëmenjtë, në të cilët konsiderohet se ka fryte të ngushta – në aspektin organizativ të kuadrove dhe për kryerjen e lëndëve e kërkesave të qytetarëve bëmë riorganizimin e ca organeve të administratës, ashtu që konstituuam Drejtorin për punë pronësoro – juridike, Sekretariatin për bujqësi dhe pylltari u bë riorganizimi në mes të Sekretariatit të Financave dhe të Shërbimit të të ardhurave, si dhe jemi marrë vesh që shërbimet që punojnë me qytetarë të organizojnë punën në dy ndërresa gjatë tërë ditës. Edhe më tutje do të vazhdojmë me inicimin e gjendjes në të gjitha organet e administratës dhe atyre të jurispondencës në drejtim të përmirësimit dhe aftësimit organizativ, me kuadro, material si dhe në përmirësimin e strukturës profesionale dhe kombëtare të të punësuarëve në to dhe në bazë të analizave të tilla do të ndërmarrim edhe masa konkrete. Në planë është edhe aftësimi i Sekretariatit për punë të Inspeksionit si dhe i Gjykatës Komunale dhe për kundërvajtje.


 


ASHPËRSOHET PËRGJEGJËSIA


 


     Si mendohet të konkretizohet njëra prej kërkesave kryesore nga konkluzionet e dy Kryesive, ligjshmëria?


 


     Në këtë drejtim parashihet ashpërsimi i përgjegjësisë së bartësve të autorizimeve publike në këto organe dhe atë që theksi i aktivietetit do të përqëndrohet në atë që qytetarëve të përkatësisë kombëtare serbe e malazeze t’u ofrohet siguri e plotë e punës dhe e jetës, dhe të thellohet besimi tek të gjithë qytetarët që janë shpërngulur e që duan të kthehen sërish. Prandaj edhe komisioni për pengimin e shpërnguljes së serbëve e të malazezëve në nivel të komunës e hartoi programin konkret të masave e të aktiviteteve për kthimin e të shpërngulurve me të cilët është bërë përpjekje që të gjithë atyre që dëshirojnë të kthehen t’u sigurohen kushte sa më optimale për punësi, banim e shkolla, me ç’rast janë paraparë edhe përparësi të caktuara në kuadër të kushteve të barabarta me pjesëtarët e kombeve e të kombësive tjerë në këtë lëmë.


 


     Theksimi i përparësisë së të kthyerëve serbë e malazias, posaçërisht të disa kategorive të tyre, konsiderojmë se në situatën e pikërishme politike nuk e shkel parimin e barazisë së të gjithë qytetarëve para ligjit. Konsiderojmë se atyre që janë shpërngulur me presion të drejtpërdrejtë duhet t’iu sigurohet kthimi dhe punësimi duke bërë përpjekje për programimin e mundësisë së tyre në OPB’të e komunës sonë. Duke u nisur nga përcaktimet e qarta për ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve e të malazezëve duhet bërë përpjekje edhe në lëmin e banesave dhe të ndarjes së trojeve si dhe në regjistrimin në fakultete, por pa i shkelur dispozitat ligjore e as të rregulloreve të OPB’ve që të kthyerve t’u jepet përparësi në kushte të njejta. Mirëpo, këtu duhet bërë përkufizimin e qartë në mënyrë që pjesëtarët e kombit serb e malazez që jetojnë këtu, të mos ndodhë që duke u bazuar në këto përparësi të të kthyerve, të kërkojnë gjithashtu zgjidhjen e problemeve të tyre të ngjajshme me shpërngulje, përkatësisht kthim. Prandaj tash e tutje do të ndërpriten edhe keqpërdorimet eventuale si bie fjala shpërnguljet formale, si kushte për punësi e banim si dhe për fitimin e beneficioneve tjera në mënyrë kundërligjore.


 


RRETH STATUSIT TË TË KTHYERËVE


 


    Sipas Programit të masave e të aktiviteteve për kthimin e serbëve e të malazezve të shpërngulur jashtë Kosovës saktësohet (për të parën herë) rrethi më i ngushtë i personave që tash e tutje do të trajtohen si të kthyer. Kështu, statusin e të kthyerve sipas këtij programi do ta kenë personat e shpërngulur me presion nga komuna, përkatësisht nga Krahina që kanë jetuar jashtë Kosovës së paku një vit dhe ata të shpërngulur që kanë punuar jashtë Kosovës së paku një vit me kusht që para shpërnguljes të jenë lajmëruar nga SPB’ja komunale e Prishtinës. Kuptohet, ky kategorizim i tillë i të kthyerve ka efektin praktik vetëm në atë se vetëm kjo kategori të kthyerish gëzojnë përparësi në punësi, banim, arsim, kurse të gjithë të tjerët që janë shpërngulur apo ata që për të parën herë vijnë në Kosovë e që s’kanë jetuar këtu më parë, nuk i gëzojnë këto përparësi, por mund të konkurrojnë në punë, përkatësisht për banesë e regjistrim në fakultete në mënyrë të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë.


 


KUNDËR KEQPËRDORIMEVE


 


DHE MANIPULIMEVE


 


     Kishte edhe tentime të paraqitjes fiktive të shpërnguljes për të gëzuar ca privilegje, mirëpo u muar vesh të gjitha ato raste krijojnë atmosferë jo të shëndoshë në mjediset ku ndodhën e sidomos reagimin e arsyeshëm tek pjesëtarët e serbëve e të malazezëve që tash sa vite këtu presin në punë, banesë, regjistrim në fakultete ngase me të vihen në pozitë të pabarabartë me kategorit e të shpërngulurve fiktivë.


 


     Po problemet e pazgjidhura komunale – urbanistike të disa pjesëve periferike të qytetit. Ç’u bë në zgjidhjen e kërkesave të qytetarëve të këtyre mjediseve?


 


     Në kuadër të zbatimit të konkluzioneve të dy Kryesive (të kryesisë së RSFJ-së dhe të KQ të LKJ-së) po ndërmerren masa konkrete edhe në zgjidhjen e problemeve komunale e urbanistike në komunën tonë e veçanërisht në mjediset ku kohëve të fundit ato edhe më së shumti u shprehën. Në Fushë-Kosovë, bie fjala u ndërmorën një varg masash plotësuese për ndërtimin e shkollave, asfaltimin e rrugëve e të trotuarëve, aftësimin e stacioneve shëndetësore si dhe të çështjeve të tjera infrastrukturale. Duhet theksuar veçanërisht faktin se kërkesat për zgjidhjen e këtyre problemeve infrakstrukturale erdhën si pasojë e rritjes dinamike të komunës sonë si dhe zgjerimit joproporcional të saj. Do të angazhohemi që t’i respektojmë së pari përparësitë e zgjidhjes së këtyre problemeve lokale që paraqiten në kuvendet deleguese dhe nëpër bashkësitë lokale, e jo që zgjidhja e tyre të kërkohet jashta institucioneve të sistemit tonë politik.


 


POTENCIALI EKONOMIK – I PAPËRSHTATSHËM


 


     Përpjekjet e deritashme për pengimin e shpërnguljeve dhe për shtimin e numrit të të kthyerve po bëhet në kuadër të potencialeve ekzistuese ekonomike të komunës. Këto mundësi janë mjaft të kufizuara si për nga numri i madh i të papunëve (17500) pastaj nga struktura joadekuate e ekonomisë së komunës sonë, e cila si e tillë as që premton diç më tepër për zbutjen e këtij problemi nga shtimi i vazhdueshëm i humbjeve në ekonomi, të cilat tash arrijnë në 10 miliardë dinarë, si dhe nga fakti se tash sa vjet në komunën tonë nuk u hap asnjë objekt i ri ekonomik, që do të absorbonte numrin kaq të madh të të papunëve e me të edhe të atyre që mendojnë të kthehen. Me fjalë të tjera, ndonëse ekziston gatishmëria e punës sonë të bashkuar të komunës sonë që ta jap kontributin e saj në punësimin e të kthyerëve, megjithatë sinqerisht mendojë se ajo e vetmuar, pa ndihmën përkatëse të bashkësisë së gjërë si brenda Krahinës ashtu edhe jashta saj, vështirë që do të mund t’i realizonte me sukses detyrat e parapara me këtë plan. Është e nevojshne, prandaj në këtë drejtim të materializohen qëndrimet nga Mbledhja e LK’së së qytetit të Beogradit, si dhe përcaktimet kongresiane lidhur me zhvillimin më të shpejtuar të Kosovës, përmes procesit të bashkimit të punës dhe të mejeteve. 


 


     Edhe pse ka ca rezultate fillestare në këtë drejtim, marrë në tërësi me rezultatet e bashkimit të punës dhe mjeteve në nivel të komunës sonë nuk mund të jemi të kënaqur. Mjafton të theksohet vetëm e dhëna se gjatë pesëvjeçarit të kaluar nga gjithsej 25 marrëveshjet e nënshkruara u realizuan vetëm tri sosh. Jo vetëm që mungojnë programe konkrete, që do të kushtonin lirë e do të punësonin shpejtë një numër të konsiderueshëm të të papunëve, e edhe të të kthyerve, por edhe ato programe që u realizuan më tepër ishin në baza kreditore se në bazë të të ardhurave dhe në bazë të interesit të përbashkët. Ka iniciativa për realizimin e programeve të vogla që do të  mund të konstribuonin për zgjidhjen e këtij problemi si bie fjala ndërtimi i repartit të ri “Jumkos” ose të “Titeksit” në Fushë – Kosovë ku pritet të punësohen 70-80 punëtorë, pastaj të programit prodhues në Prekoc, të programit të shfrytëzimit të objekteve ndërtimore në Çagllavicë e Kishnicë me nga 100 të punësuar, në programin e shpuarjes së thellë në OP “Kishnicë dhe Novobërdë” ku do të duhej të punësoheshin 330 punëtorë, në objektin që do të duhej ta hapte “Centro Kozha” e Titogradit, si dhe në programin e rekonstruimit të industrisë së tekstilit “Kosovka” ku në disa etapa gjatë këtyre 2-3 vjetëve do të duhej të zinin punë rreth 1700 punëtorë. Këto janë mundësitë e vetme në këtë moment ku mendojmë të orientojmë realizimin e këtyre detyrave konkrete nga programi i kthimit të serbëve e malaziasve.


 


     Njëra prej intencave të “pakos” më të re të KEF’it, është edhe zvogëlimi i çdo lloji të konsumit e në veçanti i konsumit të përgjithshëm. Sipas kësaj, ne si komunë në këtë moment nuk kemi mundësi të ndajmë mjete të posaçme për qëllimet dhe detyrat që dalin nga këto dy programe tonat operative, por meqë jemi të limituar me mjete buxhetore, zgjidhjen e vetme të të gjitha këtyre detyrave e shohim në kuadër të punës së bashkuar.


 


Blerim REKA


 


(Botuar në gazetën ‘Rilindja’ – e shtunë, 06 Shtator 1986, faqe 13.

Kontrolloni gjithashtu

Lutfi Haziri akuzon qeverinë për keqpërdorim të aseteve të shtetit për fushatë

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka  akuzuar Qeverisë së Albin Kurtit për keqpërdorim të aseteve shtetërore …