Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit ka reaguar lidhur me deklaratat presidentit të Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq. Ky i fundit, pas takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj dje në Shkup, ka thënë se janë dakorduar që Kosova të shtyjë afatin për vendosjen e sanksioneve ndaj Bosnje dhe Hercegovinës në lidhje me importimin e produkteve të qumështit. Kjo shoqatë kërkon nga Haradinaj të deklarohet nëse ka bërë ndonjë marrëveshje për këtë çështje me Bosnje dhe Hercegovinën.
“Ne fermerët e Kosovës shprehim shqetësim të thellë pas raportimeve të mediave vendore dhe atyre të Bosnjes lidhur me një marrëveshje të supozuar mes Kryministrit tonë dhe atij boshnjak për prolongimin e vendimit të MTI-së që parasheh masa mbrojtëse ndaj importit të produketve të qumështit që vijnë nga Bosnja dhe Hercegovina. Meqë nga Kryeministria e Kosovës nuk ka pasur një njoftim zyrtar për këto raportime, ne kërkojmë nga Kryministri i Kosovës z. Ramush Haradinaj që të deklarohet qartë nëse ka bërë një marrëveshje të tillë me homologun e tij boshnjak gjatë Samitit Digjital në Shkup. Ne duam të cekim edhe njiherë që vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vendosjen e masës së përkohshme mbrojtëse për importin e qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina, është një ndër lajmet më të mira që kanë ndodhur në sektorin tonë në vitet e fundit. Ne kemi ngritur disa herë zërin ndaj pabarazisë së tregtisë me Bosnjën, ku kjo as që e njeh shtetin tonë dhe i referohet gjithmonë me UNMIK Kosovo ose Kosova dhe Metohija, ndërsa exportimi i mallrave tona në këtë vend është pothuajse i pamundur. Ne sinqerisht shpresojmë se raportimet për stopimin e këtij vendimi të jenë të pavërteta, ndërsa mbesim thellësisht të brengosur deri në një sqarim definitiv nga Kryeministri i Kosovës. Është momenti i fundit që institucionet kosovare të fillojnë të mbrojnë interesat e prodhuesve kosovarë dhe tu japin atyre një mundësi te zhvillimit. Masa e paralajmeruar për mbrojtje nga prodhimet e Bosnjës është mirëpritur, dhe është e pakumptimtë që një masë e tillë të hiqet vetëm pas pak ditësh” thuhet në njoftim.