Dëshmori Sherif Januzi u lind në fashtin Breznicë të komunës së Bujanocit, më 22.12.1978. I ati i tij, Faiku, kishte qenë i përndjekur nga shërbimi shtetëror serb i sigurimit meqenëse në vitin 1985, më qëllim të përhapjes së ideve atdhetare, kishte shkruar parulla me thirrje për shpalljen e Republikës së Kosovës. Ai dënohet me tetë vjet burg, ndërsa familja e tij mbetet në shënjestër të forcave të okupatorit.
Sherifi, shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Breznicë. Ai ishte kurdoherë i brengosur për fatin e babait që mbahej në burgjet serbe, ndërsa sapo kishte mbaruar klasën e tetë, përjetoi edhe një dhembje tjetër të madhe, pasi asokohe i vdes e ëma. Me gjithë shqetësimet dhe dhembjen e pakrahasueshme, Sherifi kryen me sukses shkollën e mesme dhe më pas regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan. Në pranverë të vitit 1998, me rastin e intensifikimit të lëvizjes çlirimtare së rezistencës, Sherifi ashtu sikurse edhe mijëra studentë të tjerë merrë pjesë në protesta e demonstrata, në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thirrjes të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për mobilizim, Sherifi i përgjigjet ndër të parët dhe së bashku me shumë vullnetarë shkon në Shqipëri për t’u stërvitur e pastaj me armë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rreshtohet në radhët e luftëtarëve të Zonës Operative të Pashtrikut dhe mori pjesë në luftime të shumta kundër formacioneve vrasëtare të policisë dhe ushtrisë jugosllave. Pas mbarimit të luftës në Kosovë më 21 qershor 1999, Sherif Januzi ashtu sikurse edhe shumë luftëtarë të shquar, nuk e dorëzoi armën. Ai ishte i vetëdijshëm se kishte mbaruar vetëm një kapitull i luftës për çlirimin e trojeve të robëruara të Shqipërisë.
Së bashku me bashkëluftëtarin Enver Bajrami dhe luftëtarë të tjerë me të cilët kishte marrë pjesë edhe në luftën për çlirimin e Kosovës, Sherif Januzi inkuadrohet në radhët e para të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Pas disa aksioneve të suksesshme në zonat e luftimeve në Bujanoc, në Zonën e Qarrit dhe në pika të tjera luftarake, Sherifi me Enver Bajramin, më 21 prill të vitit 2000, sulmojnë forcat okupatore serbe në Gjerrgjec. Atë ditë, pas një beteje të ashpër, zjarri i armës së armikut plandos përdhe trupin e Sherif Januzit dhe të Enver Bajramit. Atë ditë luftëtarët e lirisë, skuqën tokën e robëruar të Kosovës Lindore, të vetëdijshëm se të biesh në fushën e nderit për çlirimin e atdheut është detyrë mbi të gjitha detyrat.
Sherif Januzi ka mbetur në kujtesë të bashkëluftëtarëve, në kujtesë të të gjithë shqiptarëve liridashës, si flakadan i pashuar i idealeve çlirimtare. Atë, si dhe bashkëluftëtarin dëshmor, Enver Bajrami, i përkujton Breznica, Bujanoci, Presheva, Prekazi, Tanusha, Sllupçani dhe mbarë shqiptarët liridashës të Shqipërisë Etnike. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …