Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka biseduar sërish me përfaqësuesit e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe me ata të Kompanisë “Jehona”, nga Theranda, me ç’rast ka kërkuar sqarime shtesë se përse ende ka vonesa në përfundimin e punimeve në rregullimin e shëtitores kryesore të qytetit.
“Tash kur koha po ecën shumë shpejtë dhe kur po i ofrohemi stinës së verës, qytetarët e komunës i kanë shtuar pakënaqësitë dhe brengat e tyre për shkak të vonesave të mëdha në realizimin e projektit për rregullimin e shëtitores kryesore të qytetit.
Për këtë problem, siç e dini, kam biseduar dhjetëra herë me juve për të përshpejtuar punët. Kam bisedua edhe me qytetarë dhe përfaqësues të bizneseve për t’ua sqarua vonesat që po bëhen, natyrisht duke u bazuar në arsyetimet tuaja dhe për të kërkuar nga ata, e sidomos nga përfaqësuesit e bizneseve që punojnë përgjatë shëtitores, që të kenë mirëkuptim dhe të jenë të durueshëm”, ju ka thënë atyre kryetari Bahtiri.
Pasi ka shtuar se edhe ai është i pakënaqur me vonesat e bëra, edhe përkundër intervenimeve të shumta që ato të mos ndodhin, kryetari Bahtiri ka kërkuar nga përfaqësuesit e Zyrës së BE-së dhe të kompanisë që është duke i kryer punët, që më në fund të bëjnë çmos që shëtitorja të kryhet dhe të përurohet para fillimit të sezonit veror, duke i siguruar ata se komuna do t’i kryej të gjitha obligimet e veta me kohë.
Përfaqësuesit e Zyrës së BE-së dhe ata të Kompanisë “Jehona”, nga Suhareka, e kanë njoftuar kryetarin Bahtiri me situatën më të re lidhur me këtë projekt të rëndësishëm për Mitrovicën, duke e njoftuar se tani përfundimisht është një gjendje e mirë financiare që premton realizimin në tërësi të projektit.
“Ne tashmë kemi siguruar garancionin bankar për kompaninë që i prodhon pllakat me të cilën është lidhur kontrata dhe se ato tani do të arrin në Mitrovicë pa pengesa dhe aq sa janë të kontraktuara. Ne zotohemi se punët do t’i kryejmë me dinamikë të shtuar dhe sipas cilësisë së kërkuar. Mund të ju premtojmë me siguri të lartë se të gjitha punët në shëtitore, pra shtrimi i pllakave, rregullimi i gjelbërimit përreth, ndriçimi e të tjera, do të kryhen deri në fund të muajit maj të këtij viti”, ka thënë përfaqësuesi i kompanisë, Sylë Krasniqi.
Edhe përfaqësuesit e BE-së, i kanë njoftuar kryetarin Bahtiri për hapat që kanë ndërmarrë për tejkalimin e problemeve, duke thënë se vonesa më nuk do të ketë dhe se kanë biseduar edhe me punëkryesin që obligimet e veta t’i kryej sa më shpejtë që është e mundur.
Meqë është hera e parë që përfaqësuesit e BE-së dhe ata të kompanisë japin garancione të këtilla të forta, kryetari Bahtiri kërkon nga qytetarët dhe pronarët e bizneseve që të kenë durim dhe mirëkuptim dhe të ndihmojnë kompaninë kontraktuese që punët e veta t’i kryej pa pengesa, në mënyrë që të realizohet premtimi i bërë dhe që shëtitorja të përurohet në fund të muajit maj.